Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës së Apelit të Kosovës [Ac. nr. 2731/21] të 30 shtatorit 2022

Nr. të lëndës KI86/23

Parashtruesit: Safete Palaj

Shkarko:

KI86/23, Parashtrues i kërkesës, Safete Palaj, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës së Apelit të Kosovës [Ac. nr. 2731/21] të 30 shtatorit 2022

KI86/23, Aktvendim për papranueshmëri i  7 nëntorit 2023, publikuar më 4 dhjetor 2023

Fjalët kyç: kërkesë individuale, procedurë kontestimore,  jashtë afatit kohor

Parashtruesja e kërkesës ka punuar për 35 vjet në Spitalin e Përgjithshëm në Gjilan (në tekstin e mëtejmë: Punëdhënësi). Rrjedhimisht, ajo parashtroi  kërkesë te Punëdhënësi për njohjen e së drejtës për kompensim për shpërblimin jubilar në shumën e tri pagave në lartësi prej 2,142.36 euro, në bazë të Kontratës së Punës nr. 2256 të datës 31 dhjetor 2012, si dhe në bazë të nenit 52 paragrafi 1, 2 dhe 3 të Kontratës së Përgjithshme Kolektive të Kosovës, të cilën punëdhënësi e ka refuzuar.

Për këtë arsye, ajo parashtroi kërkesëpadi në Gjykatën Themelore kundër Punëdhënësit, e cila u aprovua nga Gjykata. Megjithatë, në procedurën ankimore, Gjykata e Apelit nxori aktgjykimin [Ac. nr. 2731/21] përmes të cilit, (i) miratoi si të bazuar ankesën e Spitalit të Përgjithshëm në Gjilan dhe (ii) ndryshoi aktgjykimin e Gjykatës Themelore [C. nr. 44/20]  në atë mënyrë që refuzoi  kërkesëpadinë e parashtrueses së kërkesës  në tërësi.

Parashtruesja e kërkesës parashtroi në Zyrën e Prokurorit të Shtetit propozim për mbrojtjen e ligjshmërisë për shkak të zbatimit të gabuar të së drejtës materiale, të cilin ajo e hodhi poshtë duke konsideruar se nuk janë plotësuar kushtet për miratimin e tij.

Duke pasur parasysh rezultatin e tillë të procedurës, parashtruesja e kërkesës parashtroi kërkesë në Gjykatën Kushtetuese, duke konsideruar se gjykatat kanë shkelur të drejtat e saj kushtetuese të garantuara me nenet 24 dhe 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së.

Pas shqyrtimit të shkresave të lëndës, Gjykata Kushtetuese konstatoi se parashtruesja e kërkesës e ka parashtruar kërkesën më 20 prill 2023, ndërsa aktgjykimin e kontestuar të Gjykatës së Apelit e ka pranuar më 27 tetor 2022, që do të thotë se kërkesa është dorëzuar jashtë afatit kohor prej 4 muajve të parashikuar me Kushtetutë, ligj si dhe nenin 34 1. c) të Rregullores së punës.

Rrjedhimisht, Gjykata e hodhi poshtë kërkesën e parashtrueses si kërkesë të paraqitur jashtë afatit kohor.

Parashtruesit:

Safete Palaj

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është paraqitur pas afatit

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile