Prishtinë, më 21 qershor 2024
Nr. ref.: RK 2451/24
AKTVENDIM PËR PAPRANUESHMËRI
në
rastin nr. KI09/24
Parashtrues
Muhamet Pervizaj, Sami Pervizaj dhe Florije Lubiqeva
Kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [Rev. nr. 7/2023] të Gjykatës Supreme, i 15 gushtit 2023
GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
e përbërë nga:
Gresa Caka-Nimani, kryetare
Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar,
Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare
Safet Hoxha, gjyqtar.
Radomir Laban, gjyqtar
Remzije Istrefi-Peci, gjyqtare
Nexhmi Rexhepi, gjyqtar
Enver Peci, gjyqtar dhe
Jeton Bytyqi, gjyqtar
Parashtruesi i kërkesës
Kërkesa është parashtruar nga Muhamet Pervizaj, Sami Pervizaj dhe Florije Lubiqeva, nga Prizreni, që përfaqësohen nga Elvane Gjini, avokate nga Prizreni (në tekstin e mëtejmë: parashtruesit e kërkesës).
Vendimi i kontestuar
Parashtruesit e kërkesës kontestojnë kushtetutshmërinë e Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës [Rev. nr. 7/2023], të 15 gushtit 2023.
Vendimin e kontestuar parashtruesit e kërkesës e kanë pranuar më 11 shtator 2023.
Objekti i çështjes
Objekt i çështjes së kërkesës është vlerësimi i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [Rev. nr. 107/2023] të Gjykatës Supreme, përmes së cilës parashtruesit e kërkesës pretendojnë se iu janë shkelur të drejtat e garantuara me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] dhe 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta), në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: KEDNJ).
Baza juridike
Kërkesa bazohet në paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 22 [Procedimi i kërkesës] dhe 47 [Kërkesa individuale] të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës, nr. 03/L-121 (në tekstin e mëtejmë: Ligji) dhe në rregullin 25 [Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve] të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).
Procedura në Gjykatën Kushtetuese
Më 10 janar 2024, parashtruesit e kërkesës dorëzuan kërkesën nëpërmjet postës në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë Gjykata).
Më 25 janar 2024, Kryetarja e Gjykatës me Vendimin Nr. GJR. KI09/24 caktoi gjyqtaren Remzije Istrefi Peci, gjyqtare raportuese dhe me Vendimin KSH. KI09/24 caktoi anëtarët e Kolegjit shqyrtues, të përbërë nga gjyqtarët: Selvete Gërxhaliu- Krasniqi (kryesuese), Safet Hoxha dhe Radomir Laban (anëtarë).
Më 30 janar 2024, Gjykata njoftoi parashtruesit e kërkesës për regjistrimin e kërkesës. Të njëjtën ditë, një kopje e kërkesës së parashtruesve të kërkesës iu dërgua Gjykatës Supreme.
Më 30 janar 2024, Gjykata njoftoi Gjykatën Themelore në Prizren (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Themelore), për regjistrimin e kërkesës dhe kërkoi nga ajo fletëkthesën që dëshmon se kur e kanë pranuar parashtruesit e kërkesës vendimin e kontestuar.
Më 11 mars 2024, gjyqtari Jeton Bytyqi dha betimin para Presidentes së Republikës së Kosovës, me ç’ rast filloi mandati i tij në Gjykatë.
Më 30 prill 2024, Kolegji shqyrtues shqyrtoi raportin e gjyqtares raportuese dhe njëzëri i rekomandoi Gjykatës papranueshmërinë e kërkesës.
Përmbledhja e fakteve
Parashtruesit e kërkesës dhe F.P. janë fëmijët e Z.P., e cila ishte pronare e pronës së paluajtshme, parcelë kadastrale nr. 269/3, në sipërfaqe prej 395 m2. Pas vdekjes së Z.P. Gjykata Themelore në Prizren, në procedurën e trashëgimisë, përmes Aktvendimit [T. nr. 187/09] i shpalli fëmijët e saj si trashëgimtarë ligjor dhe e njohu secilin prej tyre si pronarë legjitim nga ¼ pjesë ideale të paluajtshmërisë. Gjykata e Apelit e kishte vërtetuar aktvendimin e Gjykatës Themelore në lidhje me ndarjen e trashëgimisë.
Më 3 tetor 2014, parashtruesit e kërkesës paraqitën padi në Gjykatën Themelore, përmes së cilës kërkuan që vetëm ata të njiheshin si pronarë legjitim mbi pronën e paluajtshme, secili në pjesën 1/3 të pjesës ideale. Parashtruesit e kërkesës arsyetuan se, vëllai i tyre, F.P. ishte kompensuar në vlerën prej 70.000 (shtatëdhjetëmijë) marka për pjesën e tij të trashëgimisë, rrjedhimisht duhej të përjashtohej nga trashëgimia mbi pronën e paluajtshme. Parashtruesit e kërkesës pretendonin se në kohën kur nëna e tyre ishte gjallë, ia kishin dhënë shumën e lartcekur të parave F.P. i cili pastaj kishte blerë një shtëpi të re dhe ishte vendosur për të jetuar aty. Në anën tjetër, i padituri F.P. i kundërshtoi këto pretendimet dhe theksoi se nuk e kishte pranuar asnjë shumë të hollash për pjesën e tij të trashëgimisë.
Më 2 nëntor 2017, Gjykata Themelore përmes Aktgjykimit [C. nr. 853/14] e refuzoi kërkesëpadinë e parashtruesve të kërkesës si të pabazuar. Gjykata Themelore arsyetoi se parashtruesit e kërkesës nuk kishin ofruar prova të mjaftueshme të cilat do të dëshmonin se i padituri F.P. kishte pranuar shumën e parave, në emër të cedimit të pjesës së tij të trashëgimisë.
Parashtruesit e kërkesës paraqitën ankesë në Gjykatën e Apelit kundër aktgjykimit të Gjykatës Themelore, për shkak të vërtetimit të gabuar të gjendjes faktike dhe zbatimit të gabuar të së drejtës materiale.
Më 23 shtator 2022, Gjykata e Apelit përmes Aktgjykimit [Ac. nr. 1436/18] e refuzoi si të pabazuar ankesën e parashtruesve të kërkesës. Gjykata e Apelit arsyetoi se “paditësit kanë dështuar që të provojnë të drejtën e tyre të vetme në 1/3 të pronësisë në pronën e trashëguar, duke përjashtuar nga kjo e drejtë të paditurin si trashëgimtar për shkak se i njëjti është kompensuar në emër të pjesës së vet me para”. Gjykata e Apelit theksoi se parashtruesit e kërkesës “kanë deponuar në gjykatë një kontratë të shitblerjes së shtëpisë e lidhur në mes të paditurit dhe personit të tretë dhe një deklaratë mbi pranimin e të hollave nga F.P. mirëpo Agjencia e Kosovës për Forenzikë kishte konstatuar se nënshkrimi në deklaratën e pretenduar nuk ishte nënshkruar nga F.P. Gjykata e Apelit arsyetoi se dëshmitarët e propozuar nga parashtruesit e kërkesës nuk arritën të provojnë se F.P. e kishte pranuar shumën e parave për heqjen dorë nga pjesa e trashëgimisë që do t’i takonte sipas ligjit.
Parashtruesit e kërkesës paraqitën revizion në Gjykatën Supreme kundër aktgjykimit të Gjykatës së Apelit.
Më 15 gusht 2023, Gjykata Supreme refuzoi si të pathemeltë revizionin e parashtruesve të kërkesës. Gjykata Supreme arsyetoi se parashtruesit e kërkesës “nuk kanë arritur të sigurojnë dëshmi për të argumentuar në ndonjë formë që trashëgimlënësja t’i ketë dhuruar të paditurit shumën e të hollave ...” e as “nuk është siguruar ndonjë provë e vlefshme për të vërtetuar faktin që paraardhësja e tyre (nëna) me ndonjë punë juridike të vlefshme t’ua ketë ceduar apo pjesëtuar pasurinë e vet pasardhësve ...”.
Pretendimet e parashtruesit të kërkesës
Parashtruesit e kërkesës pretendojnë se vendimet e gjykatave të rregullta, me rastin e vërtetimit të pronësisë, i shkelën atyre të drejtën kushtetuese për një proces të rregullt gjyqësor, të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së dhe të drejtën e pronës, e garantuar me nenin 46 të Kushtetutës.
Parashtruesit e kërkesës theksojnë se: “Paditësit pretendojnë se janë bashkëpronar me nga 1/3 dhe kërkojnë nga gjykata të konstatojë se ka pasur shkelje kushtetuese, me rastin e vendosjes në lidhje me paluajtshmërinë 269/3 ZK Prizren në sipërfaqe 395 m2, mirëpo i padituri një gjë e tillë nuk pranon, refuzon bartjen e paluajtshmërisë në fjalë në emër të tyre, edhe pse në marrëveshje me paditësit i njëjti ka pranuar shumën prej 70.000 DM, njëherit me deklaratën e vërtetuar në Gjykatën Komunale në Prizren është pajtuar që nuk ka të drejtë më për këtë paluajtshmëri e cila do t’i takonte me ligj”.
Dispozitat relevante kushtetuese dhe ligjore
Kushtetuta e Republikës së Kosovës
Neni 31
[E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm]
1. Çdokujt i garantohet mbrojtje e barabartë e të drejtave në procedurë para gjykatave, organeve të tjera shtetërore dhe bartësve të kompetencave publike.
[...]
Neni 6
(E drejta për një proces të rregullt)
1. Çdo person ka të drejtë që çështja e tij të dëgjohet drejtësisht, publikisht dhe brenda një afati të arsyeshëm nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e krijuar me ligj, e cila do të vendosë si për mosmarrëveshjet në lidhje me të drejtat dhe detyrimet e tij të natyrës civile, ashtu edhe për bazueshmërinë e çdo akuze penale në ngarkim të tij.
[...]
Vlerësimi i pranueshmërisë së kërkesës
Gjykata së pari vlerëson nëse parashtruesit e kërkesës i kanë përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara në Kushtetutë dhe të parashikuara më tej në Ligj dhe të specifikuara në Rregullore të punës.
Në këtë drejtim, Gjykata i referohet paragrafëve 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në lidhje me paragrafin 4 të nenit 21 [Parimet e Përgjithshme] të Kushtetutës, që përcaktojnë:
Neni 113
[Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara]
“1. Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.
[...]
7. Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.
[...]
Gjykata në vazhdim shqyrton nëse parashtruesit e kërkesës i kanë përmbushur kriteret e pranueshmërisë, siç përcaktohen më tutje në Ligj, përkatësisht me nenet 47 dhe 48 të Ligjit, që përcaktojnë:
Neni 47
[Kërkesa individuale]
“1. Çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tija individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik.
2. Individi mund ta ngritë kërkesën në fjalë vetëm pasi që të ketë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.
Neni 48
[Saktësimi i kërkesës]
“Parashtruesi i kërkesës ka për detyrë që në kërkesën e tij të qartësoj saktësisht se cilat të drejta dhe liri pretendon se i janë cenuar dhe cili është akti konkret i autoritetit publik të cilin parashtruesi dëshiron ta kontestoj”.
[Afatet]
“Kërkesa parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajve. Afati fillon të ecë që nga dita kur parashtruesit i është dorëzuar vendimi gjyqësor. Në të gjitha rastet e tjera, afati fillon të ecë në ditën kur vendimi ose akti është shpallur publikisht ...”.
Përkitazi me përmbushjen e kritereve të lartcekura, Gjykata vlerëson se parashtruesit e kërkesës janë palë e autorizuar, në kuptim të nenit 113.7 të Kushtetutës; parashtruesit e kërkesës kontestojnë kushtetutshmërinë e një akti të një autoriteti publik, përkatësisht Aktgjykimin [Rev. nr. 7/2023] e Gjykatës Supreme, të 15 gushtit 2023, pasi i kanë shteruar të gjitha mjetet juridike në dispozicion, sipas nenit 113.7 të Kushtetutës dhe nenit 47.2 të Ligjit; kanë specifikuar të drejtat e garantuara me Kushtetutë, të cilat pretendojnë se u janë shkelur, në pajtim me kërkesat e nenit 48 të Ligjit; dhe kërkesën e kanë parashtruar brenda afatit ligjor prej 4 (katër) muajve, siç parasheh neni 49 i Ligjit.
Përveç kësaj, Gjykata shqyrton nëse parashtruesit e kërkesës i kanë përmbushur kriteret e pranueshmërisë të përcaktuara në rregullin 34 [Kriteret e pranueshmërisë], përkatësisht me nënrregullin (2), të rregullit 39 të Rregullores së punës, që përcakton:
Rregulli 39
[Kriteret e pranueshmërisë]
(2) “Gjykata mund ta konsiderojë kërkesën të papranueshme, nëse kërkesa është qartazi e pabazuar, kur parashtruesi/ja nuk dëshmon dhe nuk mbështetë në mënyrë të mjaftueshme pretendimin e tij/saj”.
[...]
Gjykata vë në dukje fillimisht se rregulli i lartpërmendur, bazuar në jurisprudencën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: GjEDNj) dhe Gjykatës, i lejon kësaj të fundit të shpallë kërkesat të papranueshme për arsye që lidhen meritat e çështjes. Më saktësisht, bazuar në këtë rregull, Gjykata mund ta shpallë një kërkesë të papranueshme në bazë dhe pas vlerësimit të meritës së saj, respektivisht nëse vlerëson se përmbajtja e kërkesës është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, siç parashikohet në paragrafin (2) të rregullit 34 të Rregullores së punës.
Bazuar në praktikën gjyqësore të GjEDNj-së, por edhe të Gjykatës, një kërkesë mund të shpallet e papranueshme si “qartazi e pabazuar” në tërësinë e saj ose vetëm përkitazi me ndonjë pretendim specifik që një kërkesë mund të ngërthejë. Në këtë drejtim, është më e saktë t’iu referohet të njëjtave, si “pretendime qartazi të pabazuara”. Këto të fundit, bazuar në praktikën gjyqësore të GjEDNj-së, mund të kategorizohen në katër grupe të veçanta: (i) pretendime që kategorizohen si pretendime “të shkallës së katërt”; (ii) pretendime që kategorizohen me një “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes”; (iii) pretendime “të pambështetura apo të paarsyetuara”, atëherë kur plotësohet njëri nga dy nënkriteret, në vijim: a) kur parashtruesi/ja i/e kërkesës thjesht citon një ose disa dispozita të Konventës apo të Kushtetutës, pa shpjeguar mënyrën se si ato janë shkelur, përveç nëse në bazë të fakteve dhe rrethanave të rastit qartazi duket shkelja e Kushtetutës dhe KEDNj-së (shih, rastin e GJEDNj-së Trofimchuk kundër Ukrainës, nr. 4241/03, vendimi i 31 majit 2005; shih gjithashtu Baillard kundër Francës, nr. 6032/04, vendimi i 25 shtatorit 2008); dhe b) kur parashtruesi/ja i/e kërkesës nuk paraqet ose refuzon të paraqesë prova materiale, me të cilat do t’i mbështeste pretendimet e tij (kjo posaçërisht vlen për vendimet e gjykatave ose të autoriteteve të tjera të brendshme), përveç rasteve kur ekzistojnë rrethana të jashtëzakonshme që janë jashtë kontrollit të tij dhe të cilat e pengojnë atë ta bëjë këtë (për shembull, kur administrata e burgut refuzon t’ia paraqes Gjykatës dokumentet nga dosja e një të burgosuri për të cilin bëhet fjalë) ose nëse Gjykata vet nuk vendos ndryshe (shih, rastin e Gjykatës KI166/20, parashtrues, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Aktvendim për papranueshmëri, i 5 janarit 2021, paragrafi 43), dhe në fund, (iv) pretendime “konfuze dhe të paqarta” (shih, rastet e GjEDNj-së, Kemmache kundër Francës, nr. 17621/91, Aktgjykimi i 24 nëntorit 1994, kategoria (i), Juta Mentzen kundër Lituanisë, nr. 71074/01, Vendimi i 7 dhjetorit 2004, kategoria (ii) dhe Trofimchuk kundër Ukrainës, Aplikimi nr. 4241/03.
Për sa i përket vlerësimit të pranueshmërisë së kërkesës, pra vlerësimit nëse ajo është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, Gjykata fillimisht do të rikujtojë thelbin e çështjes që përmban kjo kërkesë dhe pretendimet përkatëse të parashtruesve të kërkesës, për vlerësimin e të cilave Gjykata do të zbatojë standardet e praktikës gjyqësore të GjEDNj-së, sipas të cilave, sipas nenit 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut] të Kushtetutës, është e obliguar të interpretojë të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kushtetutë.
Gjykata nga shkresat e lëndës vëren se, pas vdekjes së Z.P. Gjykata Themelore në Prizren, në procedurën e trashëgimisë, përmes Aktvendimit [T. nr. 187/09] i shpalli fëmijët e saj si trashëgimtarë ligjor dhe e njohu secilin prej tyre si pronarë legjitim nga ¼ pjesë ideale të paluajtshmërisë. Gjykata e Apelit e kishte vërtetuar aktvendimin e Gjykatës Themelore në lidhje me ndarjen e trashëgimisë. Parashtruesit e kërkesës paraqitën kërkesëpadi në Gjykatën Themelore përmes së cilës kërkuan që vëllai i tyre të përjashtohej nga pjesa e trashëgimisë mbi pronën e paluajtshme, sepse ishte kompensuar me para për pjesën e tij të trashëgimisë. Gjykata Themelore dhe Gjykata e Apelit nuk vendosën në favor të parashtruesve të kërkesës, duke argumentuar se nuk kishte prova të mjaftueshme që do të dëshmonin se F.P. kishte marrë shumën e parave në emër të heqjes dorë nga pjesa e tij e trashëgimisë. Përfundimisht, parashtruesit e kërkesës paraqitën revizion në Gjykatën Supreme, e cila e refuzoi revizionin si të pabazuar dhe i vërtetoi konstatimet e gjykatave më të ulëta.
Parashtruesit e kërkesës pretendojnë se vendimet e gjykatave të rregullta, me rastin e vërtetimit të pronësisë, i shkelën atyre të drejtën kushtetuese për një proces të rregullt gjyqësor, të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së dhe të drejtën e pronës, e garantuar me nenin 46 të Kushtetutës.
Gjykata vëren se, përkundër që parashtruesit e kërkesës pretendojnë shkelje të nenit 31 dhe nenit 46 të Kushtetutës, në ndërlidhje me nenin 6 të KEDNj-së, parashtruesit e kërkesës vetëm e përmendin shkeljen e këtyre neneve të Kushtetutës, pa e ngritur asnjë çështje konkrete dhe pa specifikuar ndonjë element që ka ndikuar në shkeljen e procesit të rregullt gjyqësor (shih, rastet e Gjykatës KI160/20, me parashtrues, Komuna e Gjilanit, Aktvendim për papranueshmëri i 11 majit 2022, paragrafi 121; KI08/21, me parashtrues Mirishahe Shala, Aktvendim për papranueshmëri, i 2 qershorit 2021, paragrafët 61-62; dhe KI70/21, me parashtrues Burhan Tusha, Aktvendim për papranueshmëri, 2 qershorit 2021, paragrafët 59-60).
Gjykata thekson se parashtruesit e kërkesës nuk janë të kënaqur me rezultatin e procesit gjyqësor, mirëpo pakënaqësia me rezultatin nuk përbën në vetvete argument për shkeljen e të drejtave të përcaktuara me Kushtetutë dhe KEDNj (rasti i Gjykatës, KI83/14, parashtrues Sahit Rakaj, Aktvendim për papranueshmëri, i 23 shtatorit 2014, para. 30; KI128/12, parashtrues Shaban Hoxha, Aktvendim për papranueshmëri, i 8 korrikut 2013, para. 26; rasti i GJEDNj-së, Tengerakis kundër Qipros, nr. 35698/03, Aktgjykim i 9 nëntorit 2006, para. 74; Mezotur-Tiszazugi Tarsulat kundwr Hungarisë, nr. 5503/02, Aktgjykim i 26 korrikut 2005, para. 21).
Rrjedhimisht, dhe bazuar si më lart, Gjykata konstaton se pretendimet për shkeljen e nenit 31 dhe 46 të Kushtetutës në ndërlidhje me nenin 6 të KEDNj-së, i përkasin pretendimeve “të pambështetura apo të paarsyetuara”, prandaj duhet të refuzohen si qartazi të pabazuara.
PËR KËTO ARSYE
Gjykata Kushtetuese, në pajtim me nenet 113.1 dhe 113.7 të Kushtetutës, nenet 20 dhe 47 të Ligjit dhe me rregullat 34 (2) dhe 48 (1) (b) të Rregullores së punës, më 30 prill 2024, njëzëri
VENDOS
TË DEKLAROJË kërkesën të papranueshme;
T’UA KUMTOJË këtë aktvendim palëve dhe, në pajtim me nenin 20.4 të Ligjit, ta publikojë në Gazetën Zyrtare;
Ky aktvendim hyn në fuqi në ditën e shpalljes në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, në pajtim me paragrafin 5 të nenit 20 të Ligjit.
Gjyqtarja raportuese Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese
Remzije Istrefi-Peci Gresa Caka-Nimani
Muhamet Pervizaj, Sami Pervizaj dhe Florije Lubiqeva
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Civile