KI63/24, Parashtrues: Vigan Isufi, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [Rev. nr. 444/2023] të 6 nëntorit 2023 të Gjykatës Supreme
KI63/24, Aktvendim për papranueshmëri i 25 qershorit 2024, publikuar më 17 korrik 2024
Fjalët kyçe: kërkesë individuale, mos-ripërtërirje e kontratës së punës, e drejta për barazi para ligjit, e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, mbrojtja e pronës, kërkesë e papranueshme
Nga shkresat e lëndës rezulton se esenca e këtij rasti ndërlidhet me Njoftimin e Limak Kosova për mos-ripërtëritjen e kontratës së punës me kohë të caktuar të parashtruesit të kërkesës. Kundër këtij Njoftimi, parashtruesi i kërkesës dorëzoi ankesë tek instancat ankimore të punëdhënësit, ankesë e cila u refuzua si e pabazuar. Më pas, parashtruesi i kërkesës parashtroi padi në Gjykatën Themelore përmes së cilës kërkoi anulimin e Njoftimit për mospërtërirjen e kontratës së punës, kthimin në punë dhe kompensimin e të ardhurave personale. Gjykata Themelore, përmes aktgjykimit të saj, aprovoi si të bazuar kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës dhe vlerësoi se (i) Limak Kosova kishte për obligim vazhdimin e kontratës së punës pasi bëhej fjalë për një pozitë të punës e cila për nga natyra ishte e përhershme; (ii) kontrata e punës parashihte mundësinë e vazhdimit të kontratës; dhe (iii) parashtruesit të kërkesës nuk i ishte vazhduar kontrata e punës pasi ai kishte marrë pjesë në grevë. Megjithatë, pas ankesës së Limak Kosova, Gjykata e Apelit, ndryshoi aktgjykimin e Gjykatës Themelore në atë mënyrë që refuzoi si të pabazuar kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës për anulimin e Njoftimit për mos-ripërtëritjen e kontratës së punës dhe kthimin në vendin e mëparshëm të punës pasi konstatoi se Limak Kosova nuk e kishte ndërprerë kundërligjshëm marrëdhënien e punës së parashtruesit të kërkesës dhe se tek kontratat e punës me kohë të caktuar, nuk kërkohet që të jepen arsye lidhur me mos-ripërtëritjen e kontratës së punës. Gjetjet e Gjykatës së Apelit i kishte vërtetuar edhe Gjykata Supreme e cila refuzoi si të pathemeltë revizionin e parashtruesit të kërkesës, pasi konstatoi se marrëdhënia e punës ishte krijuar për kohë të caktuar dhe se kontrata e punës nuk i është ripërtërirë pasi që e njëjta ka skaduar sipas fuqisë ligjore.
Në procedurë para Gjykatës Kushtetuese, parashtruesi i kërkesës pretendoi se vendimi i kontestuar i Gjykatës Supreme shkel të drejtat e tij të garantuara me nenet 3 [Barazia para Ligjit], 24 [Barazia para Ligjit], 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] dhe 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës, si dhe nenet 6 (E drejta për një proces të rregullt), 14 (Ndalimi i diskriminimit),1 të Protokollit Nr. 1 (Mbrojtja e pronës), dhe 1 të Protokollit Nr. 12 (Ndalimi i përgjithshëm i diskriminimit) të KEDNJ-së.
Në shqyrtimin e pretendimeve të parashtruesit të kërkesës, Gjykata, fillimisht shtjelloi parimet e praktikës së saj gjyqësore dhe të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, dhe më pas aplikoi të njëjtat në rrethanat e rastit konkret. Në lidhje me pretendimin e parashtruesit të kërkesës për shkelje të së drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, për shkak të mosarsyetimit të vendimit gjyqësor, Gjykata konstatoi se Gjykata e Apelit dhe Gjykata Supreme kishin dhënë arsyetime të mjaftueshme në pretendimet e parashtruesit të kërkesës, duke sqaruar faktin se kontrata e punës ndërmjet parashtruesit të kërkesës dhe Limak Kosova ishte lidhur për kohë të caktuar dhe se e njëjta sipas Ligjit të Punës përfundonte me skadim të kohëzgjatjes së saj. Ndërkaq, lidhur me pretendimin e parashtruesit të kërkesës për cenim të parimit të sigurisë juridike si rezultat i qasjes jokonsistente në vendimmarrje gjyqësore dhe moszbatimit të vendimit të Inspektoratit të Punës, Gjykata vlerësoi se nuk është e mundur të konstatohet ekzistimi i “dallimeve të thella dhe të vazhdueshme” në praktikën gjyqësore të Gjykatës së Apelit dhe Gjykatës Supreme, duke u thirrur në 3 vendime gjyqësore dhe se Inspektorati i Punës nuk ka kompetencë që të zgjidhë kontestet e punës. Më tej, lidhur me pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkelje të së drejtës për barazi para ligjit dhe të drejtës në pronë, Gjykata konstatoi se parashtruesi i kërkesës nuk ishte ndëshkuar si rezultat i pjesëmarrjes në grevë por të njëjtit i kishte skaduar kontrata e punës dhe se parashtruesi i kërkesës nuk kishte “pritje legjitime” por vetëm një “shpresë të thjeshtë” në lidhje me të ardhurat personale.
Për pasojë dhe bazuar edhe në sqarimet e dhëna në aktvendimin e publikuar, Gjykata erdhi në përfundim se pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkelje të së drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, të drejtës për barazi para ligjit dhe të drejtës në pronë, i përkasin kategorisë së pretendimeve “të pambështetura apo të paarsyetuara”, dhe rrjedhimisht janë qartazi të pabazuara në baza kushtetuese, siç përcaktohet në paragrafin (2) të rregullit 34 të Rregullores së punës.
Rrjedhimisht, bazuar në paragrafin (2) të rregullit 34 të Rregullores së punës, Gjykata konstatoi se kërkesa e parashtruesit të kërkesës është e papranueshme për shqyrtim.
Vigan Isufi
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Civile