KI286/23, Parashtrues Feride Marevci, Vlerësim i kushtetutshmërisë së aktgjykimit [Rev.nr.380/2023] të 2 tetorit 2023, të Gjykatës Supreme
KI286/23, Aktvendim për papranueshmëri i 30 prillit 2024
Fjalët kyçe: kontrata e punës; ulje e pagës; parashkrimi
Parashtruesja e kërkesës ishte e punësuar në kompaninë e sigurimeve “Dardania” në Prishtinë, nga viti 2003 deri më 2010 kur e shkëputi kontratën e punës. Sipas saj, nga viti 2008 deri më 2009 punëdhënësi ia kishte realizuar vetëm 50 përqind të pagës së përcaktuar me kontratën e punës, për shkak të problemeve financiare. Parashtruesja e kërkesës kërkoi nga punëdhënësi shumën e pagave të parealizuara në vitin 2010 dhe 2012, por nuk mori përgjigje. Pas kësaj, kjo e fundit paraqiti kërkesëpadi përmes së cilës kërkonte kompensimin financiar për pagat e parealizuara. Gjykata Themelore në Prishtinë miratoi kërkesëpadinë dhe vendosi që asaj i takonte kompensimi financiar për pagesat e parealizuara sipas kontratës së punës. Gjykata e Apelit e prishi aktgjykimin e Gjykatës Themelore dhe vendosi ta refuzojë kërkesëpadinë e parashtrueses së kërkesës, me arsyetimin se ishte parashtruar jashtë afatit ligjor prej 3 (tre) vitesh, nga momenti kur e kishte kuptuar që pagat e saj nuk u ekzekutuan sipas kontratës së punës. Edhe Gjykata Supreme u pajtua me vendimin e Gjykatës së Apelit dhe e konsideroi të ligjshëm.
Parashtruesja e kërkesës pretendonte se vendimet e Gjykatës së Apelit dhe të Gjykatës Supreme ishin marrë në kundërshtim me dispozitat e Ligjit të punës, dhe rrjedhimisht ishte shkelur neni 31 i Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së.
Gjykata ritheksoi se nuk është shkallë e katërt dhe nuk e ka për detyrë të merret me gabimet e faktit dhe të ligjit, e as të rishikojë konstatimet e gjykatave të rregullta. Kontesti kishte të bënte me faktin nëse kërkesëpadia e parashtrueses së kërkesës ishte parashkruar apo jo, siç përcaktohet nga dispozitat e Ligjit të punës. Një gjë e tillë u vlerësua nga gjykatat e rregullta të cilat i arsyetuan në mënyrë të mjaftueshme vendimet e tyre dhe nuk morën vendime arbitrare apo qartazi të paarsyeshme. Gjykata konstatoi se pretendimet e parashtrueses së kërkesës i përkasin pretendimeve të shkallës së katërt, dhe i shpalli si qartazi të pabazuara.
Feride Marevci
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Civile