KI213/22, Parashtrues: Hadi Bakija, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [Rev.nr.38/22] të 25 korrikut 2022 të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës
KI213/22, Aktvendim për papranueshmëri, i 29 gushtit 2023, publikuar më 19 shtator 2023
Fjalët kyç: kërkesë individuale, e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, barazia para ligjit, mbrojtja e pronës, procedurë kontestimore
Rrethanat e rastit konkret, ndërlidhen me atë që parashtruesi i kërkesës ishte në marrëdhënie pune në Komunën e Gjakovës deri më 27 janar 1992, kur i ishte ndërprerë kontrata e punës nga ana Komunës së Gjakovës. Parashtruesi i kërkesës kishte parashtruar padi në Gjykatën e atëhershme Komunale, ku kjo e fundit kishte vendosur që të anulojë vendimin e Komunës së Gjakovës për ndërprerje të marrëdhënies së punës dhe ta ktheje në punë parashtruesin e kërkesës. Vendimi i Gjykatës Komunale nuk ishte zbatuar në atë kohë, mirëpo parashtruesi i kërkesës ishte rikthyer në vendin e tij të punës pas vitit 1999. Parashtruesi i kërkesës po ashtu kishte parashtruar padi në Gjykatën Komunale në Gjakovë, ku kishte kërkuar që të kompensohet për periudhën për të cilën ishte i pushuar nga puna nga viti 1992 – 1999. Gjykata Komunale kishte aprovuar kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës si të bazuar, duke detyruar të paditurën – Komunën e Gjakovës që parashtruesit të kërkesës të ia paguaj shumën prej 15.613,00 (pesëmbëdhjetë mijë e gjashtëqind e trembëdhjetë marka) në emër të borxhit dhe shumën prej 541,00 (pesëqind e dyzet e një marka) në emër të kamatës apo gjithsej 16.154,00 (gjashtëmbëdhjetë mijë e njëqind e pesëdhjetë e katër marka) për mospagimin e të ardhurave personale prej 27 janarit 1992 e gjer në muajin gusht 1997 dita e përpilimit të ekspertizës, si dhe të ia kompensoj shpenzimet procedurale në shumën 2.076,00 (dy mijë e shtatëdhjetë e gjashtë marka) në afat prej 15 ditësh nga dita e plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi. Kundër aktgjykimit të Gjykatës Komunale kishte paraqitur ankesë Komuna e Gjakovës në Gjykatën e Qarkut në Pejë, ku kjo e fundit e kishte aprovuar ankesën dhe çështjen e kishte kthyer në rigjykim dhe rivendosje. Në rigjykim, Gjykata Themelore kishte aprovuar pjesërisht padinë e parashtruesit të kërkesës dhe kishte vendosur që Komuna e Gjakovës të ia paguajë shumën prej 11100,00 (njëmbëdhjete mijë e një qind) euro në emër të borxhit kryesor për shkak të mos pagimit të të ardhurave personale prej datës 27 janar 1992 deri më 24 mars 1999 me kamatë ligjore të deponimeve bankare të afatizuara mbi një vit, pa destinim të caktuar , nga arritja e secilit këst veç e veç e deri në pagesën definitive, ashtu që kamata llogaritet nga data 15 e muajit rrjedhës për muajin paraprak, deri në pagesën e definitive, si dhe t’ia paguajë shpenzimet procedurale në shumë prej 1681.00 (një mijë e gjashtëqind e tetëdhjetë e një) Euro, të gjitha këto në afat prej 8 ditësh nga dita e marrjes së këtij aktgjykimi, nën kërcënim të përmbarimit; dhe (II) refuzoi si të pabazuar kërkesëpadinë në shumë prej 3,900.00 (tremijë e nëntëqind) Euro. Komuna e Gjakovës kishte parashtruar ankesë kundër aktgjykimit të Gjykatës Themelore, e cila ankesë ishte aprovuar nga Gjykata e Apelit dhe ishte ndryshuar aktgjykimi i Gjykatës Themelore dhe ishte refuzuar në tërësi si e pabazuar kërkesëpadia e parashtruesit të kërkesës, po ashtu edhe ankesa e parashtruesit të kërkesës ishte refuzuar si e pabazuar. Parashtruesi i kërkesës kishte parashtruar revizion në Gjykatën Supreme kundër aktgjykimit të Gjykatës së Apelit, i cili revizion ishte refuzuar si i pabazuar.
Gjykata rikujton se parashtruesi i kërkesës pretendoi se me Aktgjykimin e kontestuar të Gjykatës Supreme, i janë shkelur të drejtat e saj të garantuara me nenin 4 [Forma e Qeverisjes dhe Ndarja e Pushtetit], nenin 24 [Barazia para Ligjit], nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] dhe nenin 49 [E Drejta e Punës dhe Ushtrimit të Profesionit] të Kushtetutës. Parashtruesi i kërkesës kishte dy pretendime kryesore: (i) zbatim të gabuar të dispozitave ligjore lidhur me legjitimitetin pasiv të palës në procedurë; dhe (ii) me pretendimin për tejzgjatje të procedurës, pasi që periudha prej inicimit të kontestit dhe deri në dorëzimin e aktgjykimit të Gjykatës Supreme ka kaluar një kohë e gjatë.
Gjykata vërejti se thelbi i ankesës së parashtruesit të kërkesës qëndron në pretendimin se Gjykatat e rregullta kanë shkelur nenin 31 të Kushtetutës, pasi që vendimet e tyre i kanë bazuar në dispozita të gabuara ligjore dhe kanë bërë interpretim të gabuar të fakteve, duke arsyetuar “… Komuna e Gjakovës nuk është thirrë asnjëherë në mungesë të legjitimitetit pasiv të palës në procedurë, dhe parashtruesit të kërkesës nuk i është dhënë mundësia që në shqyrtim gjyqësor të argumentojë, përkatësisht të kundërshtojë pretendimet e mungesës së legjitimitetit nga ana e Komunës së Gjakovës. Ndërsa, gjykatat e shkallës së dytë dhe të tretë, pa shqyrtim gjyqësor kanë vlerësuar një rrethanë për të cilën palët nuk janë deklaruar. Në këtë kuptim, Aktgjykimet e atakuara janë të përfshirë në shkeljen e nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës”.
Lidhur me këtë pretendim Gjykata vërejti se thelbi i pretendimeve të parashtruesit të kërkesës ka të bëjë me vërtetimin e gabuar të gjendjes faktike dhe interpretimin e gabuar të ligjeve të zbatueshme nga Gjykatat e rregullta, përkatësisht legjitimitetin pasiv të palës në procedurë.
Në lidhje me këtë, Gjykata, bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, por duke marrë parasysh edhe karakteristikat e saj, siç përcaktohen në KEDNJ, si dhe parimin e subsidiaritetit dhe doktrinën e shkallës së katërt, vazhdimisht ka theksuar ndryshimin midis “kushtetutshmërisë” dhe “ligjshmërisë” dhe ka theksuar se nuk është detyrë e saj të merret me gabimet e fakteve ose interpretimin e gabuar dhe zbatimin e gabuar të ligjeve, që pretendohet të jenë bërë nga një gjykatë e rregullt, përveç dhe për aq sa gabimet e tilla kanë mundur të shkelin të drejtat dhe liritë e mbrojtura me Kushtetutë dhe/ose KEDNJ.
Gjykata vlerësoi se çështja e legjitimitetit pasiv është çështje që përcaktohet nga gjykatat e rregullta në kuadër të detyrave dhe prerogativës së tyre për konstatim të gjendjes faktike dhe zbatim të ligjit material e procedural në rastet individuale dhe se në këtë drejtim nuk mund të thuhet se janë cenuar garancitë procedural nga neni 31 i Kushtetutës. Veç kësaj, gjykatat e rregullta kanë shpjeguar se nuk ka kontinuitet juridik sepse pala e paditur Komuna e Gjakovës ka qenë nën administrimin e UNMIK-ut, që nga formimi i saj pas vitit 1999, dhe se zgjedhjet e para në Kosovë, janë mbajtur me datë 28.10.2000, ndërsa ato të përgjithshme në nivel qendror janë mbajtur me datë 17.11.2001, që do të thotë se ky subjekt juridik nuk ka kontinuitet juridik me subjektin e mëparshëm tek i cili paditësi ka qenë në marrëdhënie pune.
Gjykata theksoi se në jurisprudencën e saj për çështje të ngjashme ka miratuar konstatimet dhe qëndrimet e Gjykatës Supreme lidhur me mungesën e legjitimitetit pasiv dhe kontinuitet juridik me subjektin e mëparshëm, dhe se ka konstatuar se qëndrimi i Gjykatës Supreme nuk cenon garancitë procedurale nga neni 31 i Kushtetutës.
Gjykata gjithashtu lidhur me pretendim e dytë sa i përket tejzgjatjes, Gjykata konkludoi se parashtruesi i kërkesës nuk e ka dëshmuar pretendimin se i është shkelur e drejta për përcaktimin e të drejtave dhe obligimeve të tij brenda një afati të arsyeshëm, e garantuar me nenin 31.2 të Kushtetutës dhe me neni 6.1 të GJEDNJ-së.
Parashtruesi i kërkesës pretendoi se Aktgjykimi i kontestuar i Gjykatës Supreme, shkel të drejtat e tij të garantuara me nenet 4, 24 dhe 49 të Kushtetutës. Gjykata vëren se parashtruesi i kërkesës pretendon shkelje të nenit 4 të Kushtetutës, por ai nuk ka argumentuar dhe arsyetuar këto pretendime. Për më tepër, Gjykata vë në pah se pretendimi për shkelje të nenit 4 mund të ngritët në mënyrë të argumentuar nga parashtruesit individual, vetëm në ndërlidhje me ndonjë të drejtë specifike të garantuar nga Kapitulli II dhe III të Kushtetutës. Prandaj, ky nene në mënyrë të pavarur nuk mund të zbatohet nëse faktet e çështjes nuk bien në fushën e veprimit të paktën të njërës ose më shumë dispozitave të Kushtetutës që kanë të bëjnë me “gëzimin e të drejtave dhe lirive të njeriut”. Ndërsa sa i përket pretendimeve për shkelje të neneve 24 dhe 49 të Kushtetutës, parashtruesi i kërkesës vetëm i përmendi nenet përkatëse, por nuk shtjelloi më tutje se si dhe përse ka ardhur deri te shkelja e këtyre neneve përkatëse të Kushtetutës. Gjykata rikujton se ajo ka theksuar vazhdimisht se vetëm referimi dhe përmendja e neneve të Kushtetutës dhe të KEDNJ-së nuk është e mjaftueshme për të ndërtuar një pretendim të argumentuar për shkelje kushtetuese. Kur pretendohen shkelje të tilla të Kushtetutës, parashtruesit e kërkesave duhet të sigurojnë pretendime të arsyetuara dhe argumente bindëse.
Rrjedhimisht, kërkesa në tërësinë e saj u deklarua e papranueshme.
Hadi Bakija
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Civile