Prishtinë, më 20 shkurt 2023
Nr. Ref.:RK 2130/23
AKTVENDIM PËR PAPRANUESHMËRI
në
rastin nr. KI223/21
Parashtrues
Hasan Isafi dhe Muharrem Isafi
Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [Rev. nr. 370/2020] të Gjykatës Supreme të Kosovës, të 19 tetorit 2021
GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
e përbërë nga:
Gresa Caka-Nimani, kryetare
Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar
Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare
Safet Hoxha, gjyqtar
Radomir Laban, gjyqtar
Remzije Istrefi-Peci, gjyqtare
Nexhmi Rexhepi, gjyqtar dhe
Enver Peci, gjyqtar
Parashtruesi i kërkesës
Kërkesa është dorëzuar nga Hasan Isafi dhe Muharrem Isafi, nga Komuna e Gjakovës (në tekstin e mëtejmë: parashtruesit e kërkesës), të përfaqësuar nga Shahe Isafi, nga Komuna e Gjakovës.
Vendimi i kontestuar
Parashtruesit e kërkesës kontestojnë Aktgjykimin [Rev. nr. 370/2020] e 19 tetorit 2021 të Gjykatës Supreme të Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Supreme) në lidhje me Aktgjykimin [Ac. nr. 4346/20 16] e 12 qershorit 2020 të Gjykatës së Apelit të Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata e Apelit) dhe Aktgjykimin [C. nr. 388/2012] e 25 gushtit 2016 të Gjykatës Themelore në Gjakovë (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Themelore).
Objekti i çështjes
Objekt i çështjes është vlerësimi i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të kontestuar, përmes të cilit pretendohet se parashtruesve të kërkesës u janë shkelur të drejtat dhe liritë themelore të tyre, të garantuara me nenin 24 [Barazia para Ligjit], nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] dhe nenin 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta), si dhe nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) dhe nenin 1 të Protokollit nr. 1 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: KEDNJ).
Baza juridike
Kërkesa bazohet në paragrafin 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në nenin 47 (Kërkesa individuale) të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Ligji) dhe në rregullin 32 (Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve) të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).
Procedura në Gjykatën Kushtetuese
Më 6 dhjetor 2021, parashtruesit e kërkesës dorëzuan kërkesën e tyre përmes postës, të cilën Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata) e pranoi më 8 dhjetor 2021.
Më 14 dhjetor 2021, Gjykata i njoftoi parashtruesit e kërkesës për regjistrimin e kërkesës dhe kërkoi nga ajo që të plotësojë formularin zyrtar të kërkesës.
Në të njëjtën ditë, Gjykata njoftoi Gjykatën Supreme për regjistrimin e kërkesës.
Më 15 dhjetor 2022, Kryetarja e Gjykatës përmes Vendimit [Nr. GJR. KI223/21] caktoi gjyqtarin Nexhmi Rexhepi gjyqtar raportues dhe Kolegjin shqyrtues, të përbërë nga gjyqtarët: Gresa Caka-Nimani (kryesuese), Bajram Ljatifi dhe Remzije Istrefi-Peci (anëtarë).
Më 27 dhjetor 2021, parashtruesit e kërkesës dorëzuan formularin zyrtar të kërkesës.
Më 16 dhjetor 2022, gjyqtari Enver Peci dha betimin para Presidentes së Republikës së Kosovës, me ç’ rast filloi mandati i tij në Gjykatë.
Më 17 janar 2023, Kolegji shqyrtues shqyrtoi raportin e gjyqtarit raportues dhe njëzëri i rekomandoi Gjykatës papranueshmërinë e kërkesës.
Përmbledhja e fakteve
Më 26 nëntor 2016, parashtruesit e kërkesës parashtruan padi në Gjykatën Themelore kundër Halil Isafit (i padituri), për vërtetim të mosekzistimit të së drejtës së servitutit në ngastrat kadastrale [234/2] dhe [245/1] që ishin në emër të Hasan Isafit, por që Halil Isafi (i padituri) në bazë të Aktgjykimit [C. nr. 43/07] të 19 shtatorit 2007, të Gjykatës Komunale në Gjakovë, kishte të drejtën e servitutit të rrugëkalimit në ngastrën kadastrale të parashtruesve të kërkesës. Parashtruesit e kërkesës, duke iu referuar nenit 50 të Ligjit mbi Marrëdhëniet Themelore Juridike Pronësore të vitit 1980, pretenduan para Gjykatës Themelore se nuk ekziston arsyeja për të cilën është krijuar e drejta e servitutit për të paditurin meqë ky i fundit ka rrugë tjera kalimi pa pasur nevojë për të shfrytëzuar pronën e parashtruesve të kërkesës.
Më 25 gusht 2016, Gjykata Themelore përmes Aktgjykimit [C. nr. 388/2012], duke u bazuar ne nenin 260 [Shuarja e servitutit sendor] Ligji nr. 03/L-154 për Pronësinë dhe të Drejtat Tjera Sendore, refuzoi padinë e parashtruesve të kërkesës me arsyetimin se nuk kanë ofruar prova që do ta vërtetonin faktin se janë plotësuar kushtet ligjore për shlyerjen e servitutit, si dhe nga shkresat e lëndës është vërtetuar se ende ekzistojnë të njëjtat arsye për të cilat të paditurit H. I., i ishte njohur e drejta e servitutit sipas Aktgjykimit [C. nr. 43/07] të 19 shtatorit 2007, të Gjykatës Komunale në Gjakovë.
Në një datë të pasaktësuar, parashtruesit e kërkesës paraqitën ankesë në Gjykatën e Apelit me pretendimin për shkelje të dispozitave të Ligjit të Procedurës kontestimore, vërtetim të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, si dhe aplikim të gabuar të së drejtës materiale, me propozimin që vendimi të prishet ose të kthehet për rivendosje në shkallë të parë.
Më 12 qershor 2020, Gjykata e Apelit përmes Aktgjykimit [Ac. nr. 4346/16] refuzoi ankesën e parashtruesve si të pabazuar dhe vërtetoi Aktgjykimin e Gjykatës Themelore, me vlerësimin se i njëjti që nuk është i përfshirë në shkelje thelbësore të dispozitave të procedurës kontestimore nga neni 182. 2, pika (b), (g),( j), (k) dhe (m) e LPK-së, dhe se e drejta materiale është zbatuar në mënyrë të drejtë. Gjykata e Apelit, ndër të tjera, vlerësoi se nuk kanë ndryshuar rrethanat dhe gjendja faktike nga koha kur është krijuar servituti, pra nuk janë plotësuar kushtet për shuarjen e tij, dhe si rrjedhojë Gjykata Themelore drejt ka zbatuar të drejtën materiale.
Në një datë të pasaktësuar, parashtruesit e kërkesës paraqitën revizion në Gjykatën Supreme me pretendimin për shkelje thelbësore të dispozitave të procedurës kontestimore, zbatimit të gabuar të së drejtës materiale dhe vërtetimit të gabuar të gjendjes faktike, duke propozuar që vendimi të anulohet apo çështja të kthehet në rivendosje në gjykatën e shkallës së parë.
Më 19 tetor 2021, Gjykata Supreme përmes Aktgjykimit [Rev. nr. 370/2020] refuzoi revizionin si të pabazuar, me arsyetimin se kërkesa e parashtruesve nuk i plotësonte kushtet e përcaktuara me nenin 260 të Ligjit nr. 03/L-154 për Pronësinë dhe të Drejtat Tjera Sendore.
Pretendimet e parashtruesit të kërkesës
Parashtruesit e kërkesës pretendojnë se përmes Aktgjykimit [Rev. nr. 370/2020] të 19 tetorit 2021, të Gjykatës Supreme u janë shkelur të drejtat dhe liritë themelore të tyre, të garantuara me nenin 24 [Barazia para Ligjit], nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] dhe nenin 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës si dhe nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) e nenin 1 të Protokolli nr. 1 të KEDNJ-së.
Parashtruesit e kërkesës pretendojnë se vendimet e gjykatave të rregullta janë nxjerrë në kundërshtim me nenin 86 të Ligjit nr. 03/l-154 për Pronësinë dhe të Drejtat Tjera Sendore, me arsyetimin se “një kalim i domosdoshëm nëpër një paluajtshmëri duhet të lejohet, nëse paluajtshmëria fqinje nuk ka asnjë qasje tjetër në një rrugë ose nëse kjo është e lidhur me një rrugë më të gjatë dhe nëse dobia për paluajtshmërinë, në favor të së cilës lejohet kalimi, është më e madhe se sa dëmi për paluajtshmërinë, nëpër të cilin duhet kaluar”.
Përfundimisht, parashtruesit e kërkesës kërkojnë nga Gjykata që (i) kërkesën e tyre të shpallë të pranueshme; dhe të (ii) konstatojë që Aktgjykimi i kontestuar, përkatësisht Aktgjykimi [Rev. nr. 370/2020] i 19 tetorit 2021 i Gjykatës Supreme është nxjerrë në kundërshtim me nenin 24, 31, 46 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 dhe nenin 1 të Protokollit nr. 1 të KEDNJ-së, si dhe nenin 89 të Ligjit nr. 03/L-154 për Pronësinë dhe të Drejtat Tjera Sendore, duke e shpallur të njëjtin të pavlefshëm dhe duke e kthyer çështjen në rivendosje.
Dispozitat relevante kushtetuese dhe ligjore
Kushtetuta e Republikës së Kosovës
Neni 31
[E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm]
1. Çdokujt i garantohet mbrojtje e barabartë e të drejtave në procedurë para gjykatave, organeve të tjera shtetërore dhe bartësve të kompetencave publike.
2. Çdokush gëzon të drejtën për shqyrtim publik të drejtë dhe të paanshëm lidhur me vendimet për të drejtat dhe obligimet ose për cilëndo akuzë penale që ngrihet kundër saj/tij brenda një afati të arsyeshëm, nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e themeluar me ligj.
3. Gjykimi është publik, me përjashtim të rasteve kur gjykata, në rrethana të veçanta, konsideron se, në të mirë të drejtësisë, është i domosdoshëm përjashtimi i publikut, ose i përfaqësuesve të mediave, sepse prania e tyre do të përbënte rrezik për rendin publik ose sigurinë kombëtare, interesat e të miturve, ose për mbrojtjen e jetës private të palëve në proces, në mënyrën e përcaktuar me ligj.
4. Çdokush i akuzuar për vepër penale ka të drejtë t'u bëjë pyetje dëshmitarëve dhe të kërkojë paraqitjen e detyrueshme të dëshmitarëve, të ekspertëve dhe të personave të tjerë, të cilët mund të sqarojnë faktet.
5. Çdokush i akuzuar për vepër penale, prezumohet të jetë i pafajshëm derisa të mos dëshmohet fajësia e tij/saj, në pajtim me ligjin.
Neni 46
[Mbrojtja e Pronës]
1. E drejta e pronës është e garantuar.
2. Shfrytëzimi i pronës rregullohet me ligj, në pajtim me interesin publik.
3. Askush nuk do të privohet në mënyrë arbitrare nga prona. Republika e Kosovës ose autoriteti publik i Republikës së Kosovës mund të bëj eksproprijimin e pronës nëse ky eksproprijim është i autorizuar me ligj, është i nevojshëm ose i përshtatshëm për arritjen e qëllimit publik ose përkrahjen e interesit publik, dhe pasohet me sigurimin e kompensimit të menjëhershëm dhe adekuat për personin ose personat prona e të cilave eksproprijohet.
4. Kontestet që lindin nga akti i Republikës së Kosovës ose autoritetit publik të Republikës së Kosovës për të cilat pretendohet se përbëjnë eksproprijimin, do të zgjidhen nga gjykata kompetente.
5. Prona intelektuale mbrohet me ligj.
Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut
Protokolli nr. 1 neni 1 [Mbrojtja e Pronës]
1. Çdo person fizik ose juridik ka të drejtën e gëzimit paqësor të pasurisë së tij. Askush nuk mund të privohet nga prona e tij, përveçse për arsye të interesit publik dhe në kushtet e parashikuara nga ligji dhe nga parimet e përgjithshme të së drejtës ndërkombëtare.
Ligjit Nr. 03/L-154 për Pronësinë dhe të Drejtat Tjera Sendore
Neni 86
Kalimi i domosdoshëm
1. Një kalim i domosdoshëm nëpër një paluajtshmëri duhet të lejohet, nëse paluajtshmëria fqinje nuk ka asnjë qasje tjetër në një rrugë ose nëse kjo është e lidhur me një rrugë më të gjatë dhe nëse dobia për paluajtshmërinë, në favor të së cilës lejohet kalimi, është më e madhe se sa dëmi për paluajtshmërinë, nëpër të cilin duhet kaluar.
2. Drejtimi i kalimit të domosdoshëm duhet të caktohet në një mënyrë që i siguron kalimin më të përshtatshëm fqinji që e kërkon kalimin dhe më së paku e pengon fqinji, i cili e lejon kalimin.
3. Fqinji mbi paluajtshmërinë e të cilit bëhet kalimi i domosdoshëm duhet të kompensohet me shpërblim periodik për përdorimin e pronës si dhe për çdo dëm të shkaktuar gjatë kalimit.
4. Kalimi i domosdoshëm ndërpritet kur përfundon nevoja e kalimit.
5. Ky nen zbatohet edhe për vendosjen e lidhjeve për furnizim.
Neni 260
Shuarja e servitutit sendor
1. Për shuarjen e servitutit sendor janë të nevojshme deklarata e pronarit të paluajtshmërisë dominuese për heqjen dorë nga servituti sendor dhe regjistrimi në Regjistrin e të drejtave në paluajtshmëritë.
2. Pronari i paluajtshmërisë së ngarkuar mund të kërkojë shlyerjen e servitutit sendor, nëse servituti sendor nuk është më i nevojshëm për shfrytëzimin e paluajtshmërisë dominuese ose nëse në mënyrë substanciale kanë ndryshuar rrethanat. Shlyerja e servitutit duhet të regjistrohet në regjistrin e të drejtave në paluajtshmëri.
Pranueshmëria e kërkesës
Gjykata së pari shqyrton nëse kërkesa i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara me Kushtetutë dhe të specifikuara më tej me Ligj dhe të parapara me Rregullore të punës.
Në këtë drejtim, Gjykata fillimisht i referohet paragrafëve 1 dhe 7, të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, të cilët përcaktojnë:
“1. Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.
[…]
7. Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.
Gjykata, gjithashtu, shqyrton nëse parashtruesit e kërkesës kanë përmbushur kriteret e pranueshmërisë të kërkuara me nenet 47 [Kërkesat individuale], 48 [Saktësimi i kërkesës] dhe 49 [Afatet] të Ligjit, që përcaktojnë:
Neni 47
[Kërkesa individuale]
“1. Çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tij individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik.
2. Individi mund të ngre kërkesën në fjalë vetëm pasi që të ketë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.
Neni 48
[Saktësimi i kërkesës]
“Parashtruesi i kërkesës ka për detyrë që në kërkesën e tij të qartësoj saktësisht se cilat të drejta dhe liri pretendon se i janë cenuar dhe cili është akti konkret i autoritetit publik të cilin parashtruesi dëshiron ta kontestoj”.
Neni 49
[Afati]
“Kërkesa parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajve. Afati fillon të ecë që nga dita kur parashtruesit i është dorëzuar vendimi gjyqësor [...]”.
Për sa i përket përmbushjes së kritereve të mësipërme, Gjykata konstaton se parashtruesit e kërkesës janë palë të autorizuara; i kanë shteruar mjetet juridike në dispozicion; e kanë qartësuar aktin e autoritetit publik, kushtetutshmërinë e të cilit e kontestojnë dhe të drejtat kushtetuese të cilat pretendojnë se u janë cenuar, si dhe e kanë dorëzuar kërkesën në kohë.
Përveç kësaj, Gjykata gjithashtu shqyrton nëse parashtruesit e kërkesës i kanë përmbushur kriteret e pranueshmërisë të përcaktuara në rregullin 39 [Kriteret e pranueshmërisë] të Rregullores së punës. Rregulli 39 (2) i Rregullores së punës, përcakton që:
“(2) Gjykata mund ta konsiderojë kërkesën të papranueshme, nëse kërkesa është qartazi e pabazuar, sepse parashtruesi nuk dëshmon dhe nuk mbështetë në mënyrë të mjaftueshme pretendimin e tij”.
Rregulli i lartcekur, bazuar në praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: GJEDNJ) dhe të Gjykatës, i mundëson kësaj të fundit, që të shpallë kërkesa të papranueshme për arsye që ndërlidhen me meritat e një rasti. Më saktësisht, bazuar në këtë rregull, Gjykata mund të shpallë një kërkesë të papranueshme bazuar në dhe pas vlerësimit të meritave të saj, përkatësisht nëse e njëjta vlerëson se përmbajta e kërkesës është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, siç është përcaktuar në paragrafin (2) të rregullit 39 të Rregullores së punës.
Bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, por edhe të Gjykatës, një kërkesë mund të shpallet e papranueshme si “qartazi e pabazuar” në tërësinë e saj ose vetëm përkitazi me ndonjë pretendim specifik që një kërkesë mund të ngërthejë. Në këtë drejtim, është më e saktë t’iu referohet të njëjtave si “pretendime qartazi të pabazuara”. Këto të fundit, bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, mund të kategorizohen në katër grupe të veçanta: (i) pretendime që kualifikohen si pretendime “të shkallës së katërt”; (ii) pretendime që kategorizohen me një “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes”; (iii) pretendime “të pambështetura apo të paarsyetuara”; dhe në fund, (iv) pretendime “konfuze dhe të paqarta”. (shih, më saktësisht për konceptin e papranueshmërisë mbi bazën e një kërkese të vlerësuar si “qartazi të pabazuar” dhe specifikat e katër kategorive të lartcekura të pretendimeve të kualifikuara si “qartazi të pabazuara”, Udhëzuesin Praktik të GJEDNJ-së për Kriteret e Pranueshmërisë të 30 prillit 2020; pjesën III. Papranueshmëria bazuar në merita; A. Kërkesat qartazi të pabazuara, paragrafët 275 deri më 304).
Në këtë kontekst, dhe në vijim, me qëllim të vlerësimit të pranueshmërisë së kërkesës në rrethanat e këtij rasti, vlerësimit nëse e njëjta është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, Gjykata do të rikujtojë esencën e rastit që ngërthen kjo kërkesë dhe pretendimet përkatëse të parashtruesve të kërkesës, në vlerësimin e të cilave, Gjykata do të aplikojë standardet e praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së, në harmoni me të cilën, në bazë të nenit 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut] të Kushtetutës, ajo është e detyruar të interpretojë të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kushtetutë.
Gjykata rikujton se rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me shfrytëzimin e të drejtës së servitutit në ngastrat kadastrale [234/2] dhe [245/1], të cilat janë në pronësi të parashtruesve të kërkesës, nga ana e të paditurit H. I. I padituri H. I. kishte fituar të drejtën e servitutit të rrugëkalimit në ngastrën kadastrale të parashtruesve të kërkesës, përmes Aktgjykimit [C. nr. 43/07] të 19 shtatorit 2007, të Gjykatës Komunale në Gjakovë. Në vitin 2016, parashtruesit e kërkesës parashtruan padi në Gjykatën Themelore për vërtetim të mosekzistimit të së drejtës së servitutit në ngastrat kadastrale [234/2] dhe [245/1] të tyre, me arsyetimin se tashmë nuk ekzistojnë arsyet për të cilat është krijuar e drejta e servitutit. Gjykata Themelore refuzoi kërkesën e parashtruesve me arsyetimin se nuk janë plotësuar kushtet ligjore për shlyerjen e servitutit të përcaktuar me nenin 260 të Ligji nr. 03/L-154 për Pronësinë dhe të Drejtat Tjera Sendore. Aktgjykimi i Gjykatës Themelore ishte konfirmuar nga Gjykata e Apelit dhe ajo Supreme, me arsyetimin se përgjatë procesit gjyqësor nuk është vërtetuar se kanë ndryshuar rrethanat që nga koha e konstituimit të të drejtës së servitutit përmes Aktgjykimit [C. nr. 43/07] të 19 shtatorit 2007, të Gjykatës Komunale në Gjakovë. Këto konstatime të gjykatave të rregullta, parashtruesi i kërkesës i konteston para Gjykatës, duke pretenduar specifikisht shkelje të nenit 86 të Ligjit nr.03/l-154 për Pronësinë dhe të Drejtat Tjera Sendore si dhe shkelje të nenit 24, 31, 46 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 dhe nenin 1 të Protokollit nr.1 të KEDNJ-së.
Gjykata vëren se pretendimet kryesore të parashtruesve të kërkesës në thelb kanë të bëjnë me (i) shkeljen të së drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm dhe (ii) shkeljen e të drejtave pronësore, me arsyetimin se gjykatat e rregullta përmes vendimeve të tyre, duke refuzuar kërkesën e parashtruesve për shuarjen e të drejtës së servitutit të të paditurit H. I., kanë shkelur të drejtat e tyre pronësore mbi ngastrat kadastrale [234/2] dhe [245/1], specifikisht nenin 86 të Ligjit nr.03/l-154 për Pronësinë dhe të Drejtat Tjera Sendore.
Përkitazi me pretendimet e parashtruesve të kërkesës, përkatësisht lidhur me pretendimin për shuarjen e të drejtës së servitutit në ngastrat kadastrale [234/2] dhe [245/1] me arsyetimin se nuk ekzistojnë rrethanat faktike për çka ishte krijuar servituti në vitin 2007, Gjykata vëren se të njëjtat ishin trajtuar në mënyrë të detajuar nga gjykatat e rregullta.
Gjykata, fillimisht rikujton se Gjykata Themelore përmes Aktgjykimit [C. nr. 388/2012] të 25 gushtit 2016, duke trajtuar pretendimet e parashtruesit të kërkesës, ndër të tjera, kishte theksuar si në vijim:
“Gjykata, duke marrë parasysh të gjitha pretendimet e të autorizuarës së paditurve dhe provat e administruara në lidhje me këtë çështje kontestimore, ka ardhur në përfundim se kërkesëpadia e paditësve është e pabazuar dhe se duke u bazuar në dispozitat ligjore të lartcituara, e njëjta duhet të refuzohet në tërësi si e pabazuar. Kjo ngase siç edhe u cek më lart, me dispozitat e Ligjit nr. 03/1-154 për Pronë si dhe të Drejtat tjera Sendore, paragrafi 2 i cili parasheh se "Pronari i paluajtshmërisë së ngarkuar mund të kërkojë shlyerjen e servitutit sendor, nëse servituti sendor nuk është me i nevojshëm për shfrytëzimin e paluajtshmërisë dominuese ose nëse në mënyrë substanciale kanë ndryshuar rrethanat. Shlyerja e servitutit duhet të regjistrohet në regjistrin e të drejtave në paluajtshmëri". Pra në rastin në fjalë paditësit nuk kanë ofruar prova që kishin me vërtetuar faktin se janë plotësuar kushtet ligjore për shlyerjen e servitutit për faktin se sipas provave që gjinden në shkresat e lëndës janë të njëjtat arsye për çka është vërtetuar e drejta e servitutit të të paditurit sipas lëndës me numër 43/07, pasi që edhe në atë kohë ka qenë e njëjta gjendje faktike dhe mbi këtë edhe është vendosur t’ ju njihet e drejta e servitutit të paditurit Halil Isafi [...]”.
[...] pra, të paditurit me asnjë nga kushtet e themelimit të servitutit nuk ju është [njohur] e drejta e tij në pronën e paditësve përkatësisht parcelën me numër 234-2 pronë e Hasan Isafi dhe për derisa nuk ju është njohur kjo e drejtë të paditurit nuk mund të vërtetohet edhe mosekzistimi i servitutit, andaj në rastin konkret, gjykata nuk mund ta vërtetoj se i padituri pretendon se i takon kjo e drejtë e servitutit”.
Gjithashtu, Gjykata rikujton se Gjykata e Apelit përmes Aktgjykimit [Ac. nr. 4346/2016] të 12 qershorit 2020, në kontekst të këtij pretendimi specifik të parashtruesve të kërkesës, kishte theksuar si në vijim:
“Është vlerësim i Gjykatës së Apelit se gjykata e shkallës së parë drejtë ka konstatuar se në rastin konkret nuk janë plotësuar kushtet e parapara me dispozitën e nenit 260 par.2 të Ligjit nr.03/L-154 për Pronësinë dhe të Drejtat Tjera Sendore, me të cilin parashihet se: Pronari i paluajtshmërisë së ngarkuar mund të kërkoj shlyerjen e servitutit sendor, nëse servituti sendor nuk është më i nevojshëm për shfrytëzimin e paluajtshmërisë dominuese ose nëse në mënyrë substanciale kanë ndryshuar rrethanat. Kjo ngase nga të gjeturat e gjykatës rezulton se në këtë rast edhe më tej për të paditurin është i nevojshëm shfrytëzimi i paluajtshmërisë dominuese dhe se edhe më tej nuk kanë ndryshuar rrethanat dhe gjendja faktike nga koha kur është krijuar servituti, pra nuk janë plotësuar kushtet për shuarjen e servitutit, e që si rrjedhojë gjykata e shkallës së parë drejtë ka zbatuar të drejtën materiale dhe se pretendimet ankimore mbi këtë bazë janë të paqëndrueshme”.
Në fund, Gjykata Supreme përmes Aktgjykimit [Rev. nr. 370/2020] të 19 tetorit 2021, në trajtim të pretendimeve të parashtruesve të kërkesës, kishte sqaruar si në vijim:
“Bazuar në dispozitën e nenit 260 të Ligjit nr. 03/L-154 për Pronësinë dhe të Drejtat tjera Sendore, është përcaktuar "Për shuarjen e servitutit sendor janë të nevojshme deklarata e pronarit të paluajtshmërisë dominuese për heqjen dorë nga servituti sendor dhe regjistrimi në Regjistrin e të drejtave në paluajtshmëritë. 2. Pronari i paluajtshmërisë së ngarkuar mund të kërkoj shlyerjen e servitutit sendor, nëse servituti sendor nuk është më i nevojshëm për shfrytëzimin e paluajtshmërisë dominuese ose nëse në mënyrë substanciale kanë ndryshuar rrethanat. Shlyerja e servitutit duhet të regjistrohet në regjistrin e të drejtave në paluajtshmëri". Nëse marrim parasysh paragrafin një të kësaj dispozite për shuarjen e servitutit kërkohet deklarata e heqjes dorë nga e drejta e pronarit të pasurisë dominuese, në rastin konkret të paditurit, pasi nuk kemi një deklarim të tillë, nuk plotësohet kushti i shuarjes sipas kësaj dispozite. Po ashtu edhe nëse e marrim paragrafin dy të këtij neni, nga shkresat e lëndës nuk ka mundur të vërtetohet kushti që servituti sendor nuk është më i nevojshëm për shfrytëzimin e paluajtshmërisë dominuese, dhe se në mënyra substanciale nuk kanë ndryshuar rrethanat, kjo për faktin se nuk është vërtetuar se kanë ndryshuar rrethanat që nga koha e konstituimit të drejtës së servitutit sipas Aktgjykimit të Gjykatës Komunale të Gjakovës, C. nr.43/07, të datës 19.09.2007, i cili është vërtetuar me Aktgjykimin e Gjykatës së Qarkut në Pejë Ae.nr.308/08 të datës 03.02.2009”.
[...] Derisa nuk është njohur e drejta servitutit në pronën e paditësve përkatësisht parcelën me numër 234-2 ZK Bec, pronë e Hasan Isafi, nuk mund të vërtetohet edhe mosekzistimi i servitutit apo shuarja e tij.
Në këtë aspekt, Gjykata konsideron se gjykatat e rregullta, në rrethanat e rastit konkret, kishin trajtuar dhe arsyetuar pretendimet e parashtruesve të kërkesës. Të njëjtat, kishin trajtuar pretendimet thelbësore të parashtruesit të kërkesës, dhe kishin sqaruar se (i) parashtruesit e kërkesës nuk kanë ofruar prova për plotësimin e kushteve ligjore të shuarjes së servitut të kërkuara nga nenin 260 [Shuarja e servitutit sendor] të Ligjit nr. 03/L-154 për Pronësinë dhe të Drejtat Tjera Sendore; (ii) ende ekzistojnë të njëjtat rrethana/arsyet për të cilat të paditurit i ishte njohur e drejta e servitutit sipas Aktgjykimit [C. nr. 43/07] të 19 shtatorit 2007, të Gjykatës Komunale në Gjakovë; dhe në fund (iii) kishin konstatuar se nuk i është njohur e drejta e servitutit të paditurit H.S. në ngastrën kadastrale [234-2] të parashtruesit Hasan Isafi ashtu siç pretendohet, dhe si rezultat i kësaj, nuk mund të kërkohet shuarja e tij meqë nuk ekziston paraprakisht.
Gjykata gjithashtu vëren se Gjykata Komunale në Gjakovë përmes Aktgjykimit [C. nr. 43/07] të 19 shtatorit 2007, ia kishte njohur të paditurit H. I., të drejtën e servitutit të rrugëkalimit në ngastrën kadastrale [245/1] të parashtruesve të kërkesës. Ndërsa, gjykatat e rregullta kishin konfirmuar të drejtën e tij për shfrytëzimin e servitutit me arsyetimin se akoma ekzistojnë rrethanat faktike për lejimin e shfrytëzimit të tij dhe se nuk janë plotësuar kushte ligjore nga nenin 260 të Ligjit nr. 03/L-154 për Pronësinë dhe të Drejtat Tjera Sendore për shuarjen e tij.
Në këtë aspekt, Gjykata i referohet paragrafit 2 të nenit 260 Ligjit nr. 03/L-154 për Pronësinë dhe të Drejtat Tjera Sendore, i cili përcakton si në vijim:
“Pronari i paluajtshmërisë së ngarkuar mund të kërkojë shlyerjen e servitutit sendor, nëse servituti sendor nuk është më i nevojshëm për shfrytëzimin e paluajtshmërisë dominuese ose nëse në mënyrë substanciale kanë ndryshuar rrethanat. Shlyerja e servitutit duhet të regjistrohet në regjistrin e të drejtave në paluajtshmëri”.
Gjykata vëren se gjykatat e rregullta në rastin e parashtruesve të kërkesës në vlerësimin nëse ekzistojnë rrethanat faktike për lejimin e shfrytëzimit të servitutit nga ana e të paditurit H. I., kishin analizuar/administruar gjerësisht provat e paraqitura si certifikatën e pronësisë [nr.Ul-70705005-00049] të 26 nëntorit 2012; plotësimin e ekspertizës së 25 qershorit 2016; ekspertizën e 3 dhjetorit 2015; dëshminë e dëshmitarit S. S., si dhe pretendimet e ngritura nga parashtruesit dhe nga palët tjera në procedurë, dhe në fund kishin refuzuar ankesën e tij duke u bazuar në dispozitat përkatëse të nenit 260 [Shuarja e servitutit sendor] të Ligjit nr. 03/L-154 për Pronësinë dhe të Drejtat Tjera Sendore, që ajo i kishte konsideruar si relevante përkitazi me rrethanat e rastit konkret dhe me pretendimet thelbësore të ngritura nga parashtruesit e kërkesës.
Gjykata gjithashtu vëren se parashtruesit e kërkesës specifikisht pretendojnë se vendimet e gjykatave të rregullta janë në kundërshtim me nenin 86 të Ligjit nr.03/l-154 për Pronësinë dhe të Drejtat Tjera Sendore, me arsyetimin se “një kalim i domosdoshëm nëpër një paluajtshmëri duhet të lejohet, nëse paluajtshmëria fqinj nuk ka asnjë qasje tjetër në një rrugë ose nëse kjo është e lidhur me një rrugë më të gjatë dhe nëse dobia për paluajtshmërinë, në favor të së cilës lejohet kalimi, është më e madhe se sa dëmi për paluajtshmërinë, nëpër të cilin duhet kaluar”.
Në këtë aspekt, Gjykata vë në spikamë arsyetimin e Gjykatës Supreme përmes Aktgjykimit [Rev. nr. 370/2020] të 19 tetorit 2021, i cili sqaron si në vijim:
“[...] nga shkresat e lëndës nuk ka mundur të vërtetohet kushti që servituti sendor nuk është më i nevojshëm për shfrytëzimin e paluajtshmërisë dominuese, dhe se në mënyrë substanciale nuk kanë ndryshuar rrethanat, kjo për faktin se nuk është vërtetuar se kanë ndryshuar rrethanat që nga koha e konstituimit të drejtës së servitutit [...]
“Nuk është vërtetuar as pretendimi i paditësve përmes të autorizuarës së tyre, të parashtruar gjatë shqyrtimit para gjykatës së shkallës së parë, se i padituri Halil Isafi e ka një pjesë të parcelës në numër 244 në pronësi të tij, dhe e njëjta i shërben për kalim nga parcela e tij nr. 245/2 ZK. Bec, në pjesën tjetër të parcelës së tij nr.235-2 ZK Bec, pasi që nga ekspertiza e ekspertit të gjeodezisë rezulton se kjo pjesë e paluajtshmërisë është e evidentuar në emër të T.S., S.S., A.S., B.S., të gjithë nga fshati Bec, komuna e Gjakovës, me nga 1/4, pjesë ideale, andaj e njëjta gjendje edhe sot nuk ka ndryshuar dhe nuk janë plotësuar kushtet që servituti të shuhet [...]”
Gjykata vëren se parashtruesit e kërkesës përgjatë gjithë procesit gjyqësor të zhvilluar në gjykatat e rregullta nuk kishin arritur të provonin plotësimin e kushteve ligjore të kërkuara nga paragrafi 2 i nenit 260 të Ligjit nr. 03/L-154 për Pronësinë dhe të Drejtat Tjera Sendore, për shuarjen e servitutit në favor të parashtruesve dhe ndryshmin e rrethanave faktike që nga koha e krijimit të servitutit në vitin 2007.
Në lidhje me këtë, Gjykata ka pohuar vazhdimisht se nuk është roli i kësaj Gjykate të rishikojë konkluzionet e gjykatave të rregullta në lidhje me gjendjen faktike dhe zbatimin e të drejtës materiale dhe se ajo nuk mund të vlerësojë vetë faktet të cilat e kanë bërë një gjykatë të rregullt të marrë një vendim e jo një tjetër. Në të kundërtën, Gjykata do të vepronte si gjykatë e “shkallës së katërt”, që do të rezultonte në shpërfilljen e kufijve të vendosur në juridiksionin e saj (shih, në këtë kontekst, rastin e GJEDNJ-së García Ruiz kundër Spanjës, Aktgjykim i 21 janarit 1999, paragrafi 28 dhe referencat e përdoruara aty; dhe shih, gjithashtu rastet e Gjykatës, KI145/20, parashtrues Hafize Gashi, Aktvendim për papranueshmëri, i 22 prillit 2021, paragrafi 33; KI49/19, parashtrues Shoqëria Aksionare Limak Kosovo International Airport SH.A., “Adem Jashari”, Aktvendim i 31 tetorit 2019, paragrafi 47; KI154/17 dhe KI05/18, me parashtrues, Basri Deva, Afërdita Deva dhe Shoqëria me përgjegjësi të kufizuar “Barbas”, Aktvendim për papranueshmëri, i 12 gushtit 2019, paragrafi 60).
Gjykata thekson se praktika gjyqësore e GJEDNJ-së dhe e Gjykatës gjithashtu përcaktojnë rrethana nën të cilat duhet të bëhen përjashtime nga ky qëndrim. Siç u theksua më lart, përderisa gjykatat e rregullta kanë detyrë primare të zgjidhin problemet rreth interpretimit të ligjit të aplikueshëm, roli i Gjykatës është që të sigurohet apo të verifikojë që efektet e këtij interpretimi të jenë kompatibile me Kushtetutën dhe KEDNJ-në (shih, rastin e GJEDNJ-së, Miragall Escolano dhe të tjerët kundër Spanjës, Aktgjykim i 25 janarit 2000, paragrafët 33-39; dhe shih, gjithashtu rastin e Gjykatës KI154/17 dhe KI05/18, cituar më lart, paragrafi 63). Në parim, një përjashtim i tillë ndërlidhet me raste të cilat rezultojnë të jenë dukshëm arbitrare, duke përfshirë ato në të cilat, një gjykatë ka “aplikuar ligjin në mënyrë qartazi të gabuar” në një rast specifik dhe i cili mund të ketë rezultuar në “konkluzione arbitrare” apo “qartazi të paarsyeshme” për parashtruesin përkatës. (Për një sqarim më të detajuar përkitazi me konceptin e “aplikimit të ligjit në mënyrë qartazi të gabuar”, shih rastin e Gjykatës KI154/17 dhe KI05/18, cituar më lart, paragrafët 60 deri në 65 dhe referencat e përdorura aty).
Gjykata gjithashtu e konsideron të nevojshme të vë në pah se parashtruesve të kërkesës u është mundësuar zhvillimi i procedurës bazuar në parimin e kontradiktoritetit; se ata kanë mundur që gjatë fazave të ndryshme të procedurës të parashtrojnë argumente dhe dëshmi që ata i kanë konsideruar të rëndësishme për rastin e tyre; dhe se të gjitha argumentet, shikuar objektivisht, që ishin relevante për zgjidhjen e rastit të tij janë dëgjuar e shqyrtuar në mënyrë të rregullt nga gjykatat; se arsyet faktike e ligjore ndaj vendimeve të goditura ishin shtruar hollësisht; dhe se, në përputhje me rrethanat e rastit, procedurat, shikuar në tërësinë e tyre, ishin të drejta. Si rrjedhojë, Gjykata konstaton se parashtruesit e kërkesës kanë gëzuar garancitë procedurale të ngërthyera në konceptin e gjykimit të drejtë dhe të paanshëm (shih, mutatis mutandis, ndër të tjera, rastin e Gjykatës KI118/17, parashtrues Sani Kervan dhe të tjerët, Aktvendim për papranueshmëri, i 16 shkurtit 2018, paragrafi 35; po ashtu shih rastin e GJEDNJ-së Garcia Ruiz kundër Spanjës, nr. 30544/96, Aktgjykim i 21 janarit 1999, paragrafi 29).
Për sa më sipër, Gjykata konsideron se parashtruesit e kërkesës nuk kanë dëshmuar se vendimet e gjykatave të rregullta që rezultuan në refuzimin e kërkesës së tyre ishin marrë në mënyrë arbitrare. Rrjedhimisht, Gjykata arrin në përfundimin se pretendimi i parashtruesve të kërkesës për shkelje të së drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm dhe të drejtave pronësore të garantuara nga neni 46 të Kushtetutës, është qartazi i pabazuar mbi baza kushtetuese.
Përveç pretendimeve për shkeljen e nenit 31 dhe 46 të Kushtetutës, parashtruesit e kërkesës gjithashtu pretendojnë shkelje të nenit 24 të Kushtetutës.
Në vlerësimin e këtyre pretendimeve, Gjykata vëren se parashtruesit e kërkesës vetëm përmendin nenin 24 të Kushtetutës, megjithatë ata nuk shtjellojnë tutje, se si dhe pse ka ardhur deri të shkelja e këtij neni. Gjykata përsërit se ajo vazhdimisht ka theksuar se vetëm referimi dhe përmendja e neneve të Kushtetutës dhe të KEDNj-së nuk është e mjaftueshme për të ndërtuar një pretendim të argumentuar për shkelje kushtetuese. Kur pretendohen shkelje të të drejtave të garantuara me Kushtetutë dhe KEDNj, parashtruesit e kërkesës duhet të paraqesin pretendime të arsyetuara dhe argumente bindëse (shih, në këtë kontekst, rastet e Gjykatës: KI175/20, me parashtrues: Agjencia Kosovare e Privatizimit, Aktvendim për papranueshmëri, i 22 prillit 2021, paragrafi 81; KI166/20, cituar më lart, paragrafi 52; KI04/21, me parashtruese Nexhmije Makolli, Aktvendim për papranueshmëri, i 11 majit 2021, paragrafët 38-39).
Për këto arsye, Gjykata konstaton se pretendimi i parashtruesve të kërkesës për shkelje të nenit 24 të Kushtetutës, i përket kategorisë së tretë (iii), nënkategorisë (a), të pretendimeve të pambështetura ose të paarsyetuara", andaj si të tilla të njëjtat, duhet shpallur qartazi të pabazuara në baza kushtetuese, në pajtim me rregullin 39 (2) të Rregullores së punës.
Bazuar në si më sipër, Gjykata konstaton se kërkesa në tërësinë e saj është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese dhe deklarohet e papranueshme, në pajtim me paragrafin 7 të nenit 113 të Kushtetutës dhe rregullin 39 (2) të Rregullores së punës.
PËR KËTO ARSYE
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, në pajtim me nenin 113.1 dhe 113.7 të Kushtetutës, në nenet 20 dhe 47 të Ligjit dhe rregullat 39 (2) dhe 59 (2) të Rregullores së punës, më 17 janar 2023, njëzëri:
VENDOS
TË DEKLAROJË kërkesën të papranueshme;
T'UA KUMTOJË këtë aktvendim palëve;
TË PUBLIKOJË këtë aktvendim në Gazetën Zyrtare, në pajtim me nenin 20.4 të Ligjit; dhe
Ky aktvendim hyn në fuqi menjëherë.
Gjyqtari raportues Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese
Nexhmi Rexhepi Gresa Caka-Nimani
Hasan Isafi
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Civile