Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [Rev. nr. 370/2020] të Gjykatës Supreme të Kosovës, të 19 tetorit 2021

Nr. të lëndës KI223/21

Parashtruesit: Hasan Isafi

Shkarko:

KI223/21, Parashtrues: Hasan Isafi dhe Muharrem Isafi, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [Rev. nr. 370/2020] të Gjykatës Supreme të Kosovës, të 19 tetorit 2021

KI223/21, Aktvendim për papranueshmëri, i 17 janarit 2023, publikuar më  23 shkurt 2023

Fjalët kyç: kërkesë individuale, qartazi e pabazuar, pretendime të pambështetura ose të paarsyetuara

Rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me shfrytëzimin e të drejtës së servitutit në ngastrat kadastrale [234/2] dhe [245/1], të cilat janë në pronësi të parashtruesve të kërkesës, nga ana e të paditurit H.I. I padituri H.I. kishte fituar të drejtën e servitutit të rrugëkalimit në ngastrën kadastrale të parashtruesve të kërkesës, përmes Aktgjykimit [C. nr. 43/07] të 19 shtatorit 2007, të Gjykatës Komunale në Gjakovë. Në vitin 2016, parashtruesit e kërkesës parashtruan padi në Gjykatën Themelore për vërtetim të mosekzistimit të së drejtës së servitutit në ngastrat kadastrale [234/2] dhe [245/1] të tyre, me arsyetimin se tashmë nuk ekzistojnë arsyet për të cilat është krijuar e drejta e servitutit. Gjykata Themelore refuzoi kërkesën e parashtruesve me arsyetimin se nuk janë plotësuar kushtet ligjore për shlyerjen e servitutit të përcaktuar me nenin 260 të Ligjit nr. 03/L-154  për Pronësinë dhe të Drejtat Tjera Sendore. Aktgjykimi i Gjykatës Themelore ishte konfirmuar nga Gjykata e Apelit dhe ajo Supreme, me arsyetimin se përgjatë procesit gjyqësor nuk është vërtetuar se kanë ndryshuar rrethanat që nga koha e konstituimit të të drejtës së servitutit përmes Aktgjykimit [C. nr. 43/07] të 19 shtatorit 2007, të Gjykatës Komunale në Gjakovë. Këto konstatime të gjykatave të rregullta, parashtruesi i kërkesës i konteston para Gjykatës duke pretenduar specifikisht shkelje të nenit 86 të Ligjit nr. 03/l-154 për Pronësinë dhe të Drejtat Tjera Sendore, si dhe shkelje të nenit 24, 31, 46 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 dhe nenin 1 të Protokollit nr.1 të KEDNJ-së. Pretendimet kryesore të parashtruesve të kërkesës në thelb kanë të bëjnë me (i) shkeljen të së drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm; dhe (ii) shkeljen e të drejtave pronësore, me arsyetimin se gjykatat e rregullta përmes vendimeve të tyre duke refuzuar kërkesën e parashtruesve për shuarjen e të drejtës së servitutit të të paditurit H.I., kanë shkelur të drejtat e tyre pronësore mbi ngastrat kadastrale [234/2] dhe [245/1], specifikisht nenin 86 të  Ligjit nr. 03/l-154 për Pronësinë dhe të Drejtat Tjera Sendore. Gjykata konsideron se gjykatat e rregullta, në rrethanat e rastit konkret, kishin trajtuar dhe arsyetuar pretendimet e parashtruesve të kërkesës. Të njëjtat, kishin trajtuar pretendimet thelbësore të parashtruesit të kërkesës, dhe kishin sqaruar se (i) parashtruesit e kërkesës nuk kanë ofruar prova për plotësimin e kushteve ligjore të shuarjes së servitutit të kërkuara nga nenin 260 [Shuarja e servitutit sendor] të Ligjit nr. 03/L-154 për Pronësinë dhe të Drejtat Tjera Sendore; (ii) ende ekzistojnë të njëjtat rrethana/arsyet për të cilat të paditurit i ishte njohur e drejta e servitutit sipas Aktgjykimit [C. nr. 43/07] të 19 shtatorit 2007, të Gjykatës Komunale në Gjakovë; dhe në fund (iii) kishin konstatuar se nuk i është njohur e drejta e servitutit të paditurit H. S. në ngastrën kadastrale [234-2] të parashtruesit Hasan Isafi ashtu siç pretendohet, dhe si rezultat i kësaj, nuk mund të kërkohet shuarja e tij meqë nuk ekziston paraprakisht. Gjykata arrin në përfundimin se pretendimi i parashtruesve të kërkesës për shkelje të së drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm dhe të drejtave pronësore të garantuara nga neni 46 të Kushtetutës, është qartazi i pabazuar mbi baza kushtetuese. Ndërsa pretendimi i parashtruesve të kërkesës për shkelje të nenit 24 të Kushtetutës, i përket kategorisë së tretë (iii), nënkategorisë (a), të pretendimeve të pambështetura ose të paarsyetuara”, andaj si të tilla të njëjtat, duhet shpallur qartazi të pabazuara në baza kushtetuese, në pajtim me rregullin 39 (2) të Rregullores së punës.

Gjykata konstaton se kërkesa në tërësinë e saj është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese dhe deklarohet e papranueshme, në pajtim me paragrafin 7 të nenit 113 të Kushtetutës dhe rregullin 39 (2) të Rregullores së punës.

Parashtruesit:

Hasan Isafi

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile