KI07/22, Parashtrues: Miljan Koshanin, vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit Pml. nr. 474/2021 të 28 dhjetorit 2021 të Gjykatës Supreme të Kosovës
KI07/22, Aktvendim i 8 qershorit 2022, publikuar më 30 qershor 2022
Fjalët kyçe: masë e paraburgimit, e drejta e lirisë dhe sigurisë, e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, qartazi e pabazuar
Nga shkresat e lëndës rezulton se Prokuroria Themelore kishte kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj parashtruesit të kërkesës për shkak të dyshimit të bazuar se i njëjti kishte kryer veprat penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Përvetësimi në detyrë” dhe “Manipulimi me prova” të përcaktuara me dispozitat e KPRK-së. Kundrejt kësaj kërkese, Gjykata Themelore i kishte caktuar parashtruesit të kërkesës masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji, të cilën masë e kishte vazhduar edhe për një muaj tjetër. Si rezultat i ankesës së tij kundër Aktvendimit të Gjykatës Themelore, parashtruesi i kërkesës kishte parashtruar ankesë në Gjykatën e Apelit, të cilën kjo e fundit e kishte refuzuar si të pabazuar. Përmes Aktvendimit të Gjykatës së Apelit, parashtruesit të kërkesës i ishte vazhduar masa e paraburgimit vetëm për shkak të rrezikut të ndikimit në dëshmitarë. Si rezultat i kësaj, parashtruesi i kërkesës kishte parashtruar kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë në Gjykatën Supreme, e cila kërkesën e tij kishte refuzuar si të pabazuar, duke vërtetuar qëndrimin dhe konstatimin e dhënë përmes Aktvendimit të Gjykatës së Apelit, si të drejtë dhe të bazuar në ligj.
Parashtruesi i kërkesës, si pretendim kryesor para Gjykatës Kushtetuese kishte ngritur shkeljen e të drejtës për liri dhe siguri të garantuar me nenin 29 të Kushtetutës si dhe të drejtës për një gjykim të drejtë e të paanshëm të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës, si rezultat i paraburgimit arbitrar dhe shkeljes së dispozitave të procedurës penale nga ana e Gjykatës Supreme dhe Gjykatës së Apelit.
Në shqyrtimin e pretendimeve të parashtruesit të kërkesës për shkelje të së drejtës së tij për liri dhe siguri, Gjykata fillimisht shtjelloi parimet e praktikës së saj gjyqësore dhe të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, dhe më pas aplikoi të njëjtat në rrethanat e rastit konkret. Lidhur me pretendimet e parashtruesit të kërkesës, Gjykata rikujton se gjykatat e rregullta, përkatësisht Gjykata e Apelit dhe Gjykata Supreme, respektivisht kishin arsyetuar se ekziston dyshimi i bazuar dhe ekziston rreziku i ndikimit të parashtruesit të kërkesës në dëshmitarë. Gjykata tutje vlerësoi se sa pretendimi i parashtruesit të kërkesës për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës ndërlidhet me pretendimin e tij për shkelje të nenit 29 të Kushtetutës përmes vendimeve të gjykatave të rregullta, të cilat Gjykata i vlerësoi që i plotësojnë kriteret e parapara për të drejtën për liri dhe siguri.
Rrjedhimisht, Gjykata vendosi se kërkesa në tërësi duhet të shpallet e papranueshme si qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, siç është përcaktuar në paragrafin (2) të rregullit 39 të Rregullores së punës.
Miljan Koshanin
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Penale