Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit PML.nr.379/2021 të 15 nëntorit 2021  të Gjykatës Supreme të Kosovës

Nr. të lëndës KI39/22

Parashtruesit: Arianit Bruqaj

Shkarko:

KI39/22, Parashtrues: Arianit Bruqaj, vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit PML.nr.379/2021 të 15 nëntorit 2021  të Gjykatës Supreme të Kosovës

KI39/22, Aktvendim për papranueshmëri, i 7 qershorit 2023, publikuar më 7 korrik 2023

Fjalët kyç: e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, e drejta e lirisë dhe sigurisë, kërkesë e papranueshme

Nga shkresat e lëndës rezulton se parashtruesi i kërkesës pas ngritjes së Aktakuzës nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, nën dyshimin e bazuar se kishte kryer veprën penale “Keqpërdorim seksual i personave nën moshën 16 vjet” nga paragrafi 1 i nenit 235 të Kodit Penal të Kosovës, ishte shpallur fajtor dhe ishte dënuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 5 (pesë) vitesh. Më pas, pas paraqitjes së ankesës në Gjykatën e Apelit, kjo e fundit kishte kthyer rastin në rigjykim. Gjykata Themelore duke vepruar në rigjykim kishte shpallur fajtor parashtruesin e kërkesës, duke e dënuar për veprën penale për të cilën akuzohej dhe e dënoi me burgim në kohëzgjatje prej 4 (katër) vitesh. Më pas, Gjykata Themelore më 31 tetor 2019, i caktoi paraburgimin parashtruesit të kërkesës, duke arsyetuar se ”Paraburgimi do t’i zgjasë nga data e arrestimit e deri sa aktgjykimi të merr formën e prerë por jo me shumë se koha e dënimit i shqiptuar me aktgjykimin e kësaj gjykate”. Parashtruesi i kërkesës kishte parashtruar ankesë në Gjykatën e Apelit, kundër Aktgjykimit me të cilin ishte shpallur fajtor. Gjykata e Apelit sërish aprovoi ankesën e parashtruesit të kërkesës, dhe rastin e ktheu në rigjykim. Gjykata Themelore duke vepruar për herë të dytë në rigjykim shpalli fajtor parashtruesin e kërkesës duke e dënuar me 3 (tre) vite burgim. Parashtruesi i kërkesës sërish parashtroj ankesë në Gjykatën e Apelit kundër aktgjykimit të lartpërmendur të Gjykatës Themelore. Gjykata e Apelit refuzoi si të pabazuar ankesën. Parashtruesi i kërkesës parashtroi kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë në Gjykatë Supreme kundër vendimeve të instancave më të ulëta. Gjykata Supreme refuzoi si të pabazuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë

Parashtruesi i kërkesës para Gjykatës kontestoi Aktgjykimin [PML.nr.389/2021] të 15 nëntorit 2021 të Gjykatës Supreme i cili ndërlidhet me procedurën e tretë të rigjykimit si dhe Aktvendimin [PM.nr.164/19] të Gjykatës Themelore të 31 tetorit 2019 me të cili i ishte caktuar paraburgimi.

Parashtruesi i kërkesës para Gjykatës Kushtetuese pretendoi se përmes vendimeve të kontestuara i janë shkelur të drejtat e garantuara me nenin 29 [E Drejta e Lirisë dhe Sigurisë], nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës në ndërlidhje me nenin 5 dhe nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Gjykata pasi konstatoi se parashtruesi i kërkesës ishte palë e autorizuar për të ngritur rast në Gjykatë, dy pretendimet e parashtruesit të kërkesës i trajtoj ndaras për të vlerësuar nëse janë përmbushur kriteret tjera të pranueshmërisë.

Gjykata në kuptim të vlerësimit të kriterit të pranueshmërisë përkitazi me pretendimin e parashtruesit që ndërlidhje me Aktvendimin [PM.nr.164/19] e Gjykatës Themelore të 31 tetorit 2019 me të cili i ishte caktuar paraburgimi, konstatoi se  kërkesa e parashtruesit të kërkesës duhet të deklarohet e papranueshme, për shkak se parashtruesi i kërkesës nuk i ka shteruar mjetet juridike në pajtim me nenin 113.7 të Kushtetutës, nenet 20 dhe 47 të Ligjit dhe rregullin 39 (1) (b) të Rregullores së punës.

Përkitazi me Aktgjykimin [PML.nr.389/2021] të 15 nëntorit 2021 të Gjykatës Supreme, që ndërlidhet me procedurën e tretë të rigjykimit e që kishte të bënte pretendimin se vendimi nuk ishte mjaftueshëm i arsyetuar, Gjykata konstatoi se ky pretendim i parashtruesit është i “ pambështetur apo paarsyetuar”, dhe rrjedhimisht, i papranueshëm si qartazi i pabazuar në bazë kushtetuese ashtu siç është përcaktuar me nenin 48 të Ligjit dhe rregullin 39 (1) (d) dhe (2) të Rregullores së punës.

Parashtruesit:

Arianit Bruqaj

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Penale