Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [Pml. nr. 284/2022] të 28 korrikut 2022 të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës 

Nr. të lëndës KI150/22

Parashtruesit: Blerim Gashi

Shkarko:

KI150/22, Parashtrues: Blerim Gashi, vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [Pml. nr. 284/2022] të 28 korrikut 2022 të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës 

KI150/22, Aktvendim për papranueshmëri, i 25 majit  2023, publikuar më 9 qershor 2023

Fjalët kyç: kërkesë individuale, procedurë penale, e drejta në gjykim të drejtë, qartazi e pabazuar, kërkesë e papranueshme

Rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me një çështje penale, ku parashtruesi i kërkesës nga organi i akuzës ishte akuzuar mbi dyshimin e bazuar të kryerjes së veprës penale të sanksionuar nga paragrafi 1, neni 424 i Kodit penal të Republikës së Kosovës. Përkitazi me këtë aktakuzë, Gjykata Themelore në Prishtinë, me Aktgjykimin e 18 dhjetorit 2020, e kishte shpallur fajtor parashtruesin e kërkesës dhe e kishte dënuar me dy (2) vjet, e gjashtë muaj burgim efektiv dhe me gjobë në lartësinë prej 2000 (dymijë) euro, si dhe ia kishte ndaluar ushtrimin e funksioneve publike në kohëzgjatje prej dy viteve. Kundër aktgjykimit të lartcekur parashtruesi i kërkesës kishte ushtruar ankesë në Gjykatën e Apelit, e cila me Aktgjykimin e  22 prillit 2021, aprovoi ankesën e parashtruesit të kërkesës dhe e kthen rastin në rigjykim në Gjykatën Themelore. Në riprocedurë kjo e fundit, me Aktgjykimin e 11 shkurtit 2022, e shpall sërish fajtor parashtruesin e kërkesës, por vendos t’ia ulë masën e dënimit me burgim efektiv, nga dy (2) vjet e gjashtë (6) muaj, në njëzetë (20) muaj, dhe dënimi me gjobë nga 2000 (dymijë), në 1000 (njëmijë) euro, dhe la në fuqi ndalimin e ushtrimit të funksioneve publike në kohëzgjatje prej dy (2) vitesh, pas vuajtjes së dënimit me burgim efektiv. Kundër këtij aktgjykimi parashtruesi i kërkesës kishte parashtruar ankesë në Gjykatën e Apelit, e cila me aktgjykimin e 26 majit 2022, refuzoi ankesën e parashtruesit të kërkesës dhe vërtetoi aktgjykimin e ankimuar, si të drejtë dhe të bazuar në ligj. I pakënaqur me Aktgjykimin e Gjykatës së Apelit parashtruesi i kërkesë parashtroi kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë në Gjykatën Supreme, e cila me Aktgjykimin e 28 korrikut 2022, e kishte refuzuar si të pabazuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë, duke lënë në fuqi aktgjykimet e instancave më të ulëta.

Parashtruesi i kërkesës në Gjykatën Kushtetuese pretendoi se me Aktgjykimin e kontestuar i janë shkelur të drejtat dhe liritë e garantuara me nenet 24 [Barazia para Ligjit], 29 [E Drejta e Lirisë dhe Sigurisë], 30 [Të Drejtat e të Akuzuarit], 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut] dhe 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta), si dhe nenet 5 [E drejta për liri dhe siguri] dhe 6 [E drejta për një proces të rregullt] të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: KEDNj).

Gjykata në këtë rast shqyrtoi pretendimet thelbësore të parashtruesit të kërkesës dhe bazuar në shkresat e lëndës vërejti se esenca e pretendimeve të tij, kishte të bënte kryesisht me parregullsinë e procesit gjyqësor, gjegjësisht me shkeljen e të drejtës së tij për gjykim të drejtë, e cila ndërlidhej me: (i) mënyrën e administrimit të provave, dhe parimin e barazisë armëve. Duke aplikuar praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GjEDNj), përkitazi me “mënyrën e administrimit të provave” dhe aplikimin e tyre në rrethanat e rastit konkret, Gjykata konsideroi se parashtruesi i kërkesës nuk ka arritur të dëshmojë se në rastin e tij gjykatat e rregullta kanë administruar provat e çështjes, në kundërshtim me parimet e vendosura përmes praktikës së GJEDNj-së, të cilat janë të mishëruara edhe në dispozitat përkatëse të procedurës penale. Sa i përket pretendimit në lidhje me shkeljen e parimit të “barazisë së armëve”, Gjykata vlerësoi se parashtruesi i kërkesës dhe përfaqësuesi ligjor i tij, ishin dëgjuar në mënyrë të rregullt nga gjykatat e rregullta, se të njëjtit kanë pasur mundësi që përgjatë gjithë procedurës t’i kundërshtonin provat fajësuese, dhe t’i paraqesin ato shfajësuese. Gjykata shtoi tutje se përkitazi me pranueshmërinë e provave, veçmas të dëshmitarit F. Z. është në diskrecionin e plotë të gjykatave të rregullta të vendosin se cilës provë t’i falet besimi i provës së besueshme, dhe se fakti se pretendimet e mbrojtjes nuk ishin pranuar nga gjykatat e rregullta, nuk nënkupton se parashtruesi i kërkesës ishte vënë me automatizëm në pozitë të pabarabartë përballë organit të akuzës. Në vlerësimin e pretendimeve tjera, Gjykata vërejti se parashtruesi i kërkesës përveç pretendimeve për shkelje të së drejtës për “gjykim të drejtë” pretendoi edhe shkelje të neneve 22, 24, 29, 30, 53 dhe 54 të Kushtetutës, dhe të nenit 5 të KEDNj-së. Në lidhje me këto pretendime, Gjykata përsërit se vetëm përmendja e neneve të Kushtetutës dhe e neneve të konventave që janë drejtpërdrejtë të zbatueshme në rendin juridik të Republikës së Kosovës ose ndërlidhja e tyre me një nen tjetër të Kushtetutës nuk nënkupton me automatizëm edhe shkelje të atyre neneve respektive, në qoftë se më tej nuk argumentohet dhe shtjellohet se si dhe përse ka ardhur deri te shkelja e tyre.

Për pasojë dhe bazuar edhe në sqarimet e dhëna në aktvendimin e publikuar, Gjykata konkludoi se: (I) pretendimet e parashtruesit të kërkesës, për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës dhe nenit 6 të KEDNj-së, përkitazi me mënyrën e administrimit të provave dhe barazinë e armëve, i përkisnin kategorisë së tretë (iii) të pretendimeve të “pambështetura apo të paarsyetuara” andaj, si tilla, të njëjtat i shpalli qartazi të pabazuara në baza kushtetuese; (II) pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkelje të të drejtave të garantuara me nenet: 22, 24, 29, 30, 53 dhe 54 të Kushtetutës, dhe nenin 5 të KEDNj-së, i përkasin kategorisë së tretë (iii), nënkategorisë (b), të pretendimeve  të “të paarsyetuara”, andaj, si të tilla, të njëjtat shpallen qartazi të pabazuara, në baza kushtetuese. Rrjedhimisht, kërkesa e parashtruesit të kërkesës, në tërësinë e saj, u deklarua e papranueshme, në pajtueshmëri me rregullin 39 (2) të Rregullores së punës.

Parashtruesit:

Blerim Gashi

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Penale