Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [PML.nr.196/2021] të 24 qershorit 2021 të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës

Nr. të lëndës KI50/22

Parashtruesit: Fatmir Hoti

Shkarko:
llogo_gjkk_png_2

 

 

 

 

 

 

 

Prishtinë, më 8 maj​​ 2023

Nr. ref.:RK 2165/23

 

 

 

 

 

 

 

 

AKTVENDIM PËR PAPRANUESHMËRI

 

 

rastin nr. KI50/22

 

Parashtrues

 

Fatmir Hoti

 

 

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit PML.nr.196/2021 të 24 qershorit 2021 të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës​​ 

 

 

GJYKATA​​ KUSHTETUESE E REPUBLIKËS​​ SË​​ KOSOVËS​​ 

 

 

e përbërë nga:

 

Gresa Caka-Nimani, kryetare

Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar

Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare

Safet Hoxha, gjyqtar​​ 

Radomir Laban, gjyqtar

Remzije Istrefi-Peci, gjyqtare​​ 

Nexhmi Rexhepi, gjyqtar dhe

Enver Peci, gjyqtar​​ 

 

 

Parashtruesi i kërkesës​​ 

 

  • Kërkesa është parashtruar nga Fatmir Hoti, me vendbanim në Gjakovë (në tekstin e mëtejmë: parashtruesi i kërkesës), i përfaqësuar me autorizim nga Egzon Doli, avokat nga Gjakova.

 

 

Vendimi i kontestuar​​ 

 

  • Parashtruesi i kërkesës e konteston Aktgjykimin [PML.nr.196/2021] e 24 qershorit 2021 të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Supreme) në lidhje me Aktvendimin [PN.nr.120/2021] e 26 shkurtit 2021 të Gjykatës së Apelit të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata e Apelit)​​ dhe​​ Aktvendimin [PK.nr.378/2020] e 29 janarit 2021 të Gjykatës Themelore në Gjakovë (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Themelore) dhe Aktvendimin [PK.nr.378/2020] e 29 dhjetorit 2020 të Gjykatës Themelore.​​ 

 

  • Përfaqësuesit e parashtruesit të kërkesës Aktgjykimin e kontestuar të Gjykatës Supreme e kanë pranuar më 15 korrik 2021.

 

Objekti i çështjes

​​ 

  • Objekt​​ i çështjes​​ është​​ vlerësimi i kushtetutshmërisë së​​ Aktgjykimit​​ të kontestuar, përmes së cilit pretendohet se parashtruesit të kërkesës i janë shkelur të drejtat dhe liritë themelore të tij të garantuara me nenin 24 [Barazia para Ligjit], dhe 31 [ E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta) në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: KEDNJ).

 

Baza juridike​​ 

 

  • Kërkesa bazohet në paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara], të Kushtetutës, në nenet 22 [Procedimi i kërkesës] dhe 47 [Kërkesa Individuale] të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Ligji) dhe rregullin​​ 32 [Parashtrimi i Kërkesave dhe Përgjigjeve] të Rregullores së punës së Gjykatës​​ (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).​​ 

 

Procedura në Gjykatë​​ 

 

  • Më 22 prill 2022, parashtruesi i kërkesës nëpërmjet postës e dorëzoi kërkesën e tij në​​ Gjykatën Kushtetuese të​​ Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata).

 

  • Më 6 maj 2022, Kryetarja e Gjykatës me Vendimin GJR.KI50/22 caktoi gjyqtaren Selvete Gërxhaliu Krasniqi Gjyqtare raportuese dhe me Vendimin KSH.KI50/22 Kolegjin shqyrtues, të përbërë nga gjyqtarët: Gresa Caka Nimani (kryesuese), Bajram Ljatifi dhe Safet Hoxha, anëtarë.​​ 

 

  • Më 6 maj 2022, Gjykata e njoftoi përfaqësuesin e parashtruesit të kërkesës për regjistrimin e kërkesës dhe një kopje të kërkesës ia dërgoi Gjykatës Supreme.

 

  • Më 5 gusht 2022, Gjykata i dorëzoi një kopje të kërkesës Gjykatës Themelore dhe i kërkoi që të dorëzojë fletëkthesën e cila dëshmon se kur parashtruesi i kërkesës​​ e​​ ka pranuar Aktgjykimin e kontestuar të Gjykatës Supreme.

 

  • Më 17 gusht 2022, Gjykata Themelore dorëzoi në Gjykatë fletëkthesën e kërkuar.

 

  • Më 16 dhjetor 2022, gjyqtari Enver Peci dha betimin para Presidentes së Republikës së Kosovës, me ç’rast filloi mandati i tij në Gjykatë.

 

 

 

  • ​​ 12 prill​​ 2023 Kolegji shqyrtues shqyrtoi raportin e Gjyqtares raportuese dhe njëzëri i rekomandoi Gjykatës papranueshmërinë e kërkesës.​​ 

 

Përmbledhja e fakteve​​ 

 

  • Sipas shkresave të lëndës, rezulton që parashtruesi i kërkesës nëpërmjet Aktgjykimit [PKR. nr. 23/2014]​​ të 16 majit 2016 të Gjykatës Themelore, ishte shpallur fajtor për veprën penale të “kontraktimit të përfitimit joproporcional” nga neni 270 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës, dhe ishte dënuar​​ me 1 (një) vit e 6 (gjashtë) muaj burgim. Aktgjykimi​​ i Gjykatës Themelore ishte vërtetuar me Aktgjykimin [PAKR.nr.421/2016] e 9 shtatorit 2016, të Gjykatës së Apelit.​​ Nga kjo datë, Aktgjykimi [PKR. nr. 23/2014]​​ i Gjykatës Themelore në Gjakovë ishte bërë i formës së prerë. Po ashtu me Aktgjykimin [Pml.nr.281/16] e 5 dhjetorit 2016 të Gjykatës Supreme ishte refuzuar si e pabazuar kërkesa për mbrojtje të ligjshmërisë.

 

  • Më 18 dhjetor 2020, parashtruesi i kërkesës kishte bërë kërkesë për rishikim të procedurës penale në Gjykatën Themelore, kundër Aktgjykimit PKR.nr.23/2014 të 16 majit 2016 të Gjykatës Themelore i cili ishte bërë i plotfuqishëm me Aktgjykimin [PAKR.nr.421/2016] të 9 shtatorit 2016, të Gjykatës së Apelit, për shkak të provave të reja të cilat do dëshmojnë pafajësinë e parashtruesit të kërkesës dhe kishte kërkuar që kërkesa e tij të aprovohet dhe të caktohet shqyrtim i ri gjyqësor.

 

  • Më 29 dhjetor 2020, Gjykata Themelore nëpërmjet Aktvendimit [PK.nr.378/2020] e hodhi poshtë si të pabazuar kërkesën për rishikim të procedurës të parashtruar nga parashtruesi i kërkesës.

 

  • Më 7 janar 2021, parashtruesi i kërkesës parashtroi ankesë në Gjykatën e Apelit kundër Aktvendimit të Gjykatës Themelore, për shkak të shkeljes të së drejtës procedurale, dhe kërkoi që të ndryshohet aktvendimi i gjykatës së shkallës së parë dhe të lejohet rishikimi i çështjes penale.

 

  • Më 20 janar 2021, Gjykata e Apelit​​ nëpërmjet​​ Aktvendimit [PN.nr.23/2021] aprovoi ankesën e parashtruesit të kërkesës dhe anuloi Aktvendimin [PK.nr.378/2020] e Gjykatës Themelore duke e kthyer​​ çështje​​ në rivendosje.

 

  • Më 29 janar 2021, Gjykata Themelore​​ në riprocedurë me​​ Aktvendimin​​ [PK.nr.378/2020], sërish​​ e hedhë​​ poshtë si të pabazuar kërkesën për rishikim të procedurës penale, të parashtruesit të kërkesës.

 

  • Më 4 shkurt 2021, parashtruesi i kërkesës sërish parashtroi ankesë në Gjykatën e Apelit kundër Aktvendimit [PK.nr.378/2020] të 29 janarit 2021 të Gjykatës Themelore, për shkak të shkeljes së drejtës procedurale, me kërkesë që të aprovohet ankesa e tij dhe të prishet aktvendimi i atakuar dhe çështja të kthehet në rivendosje.

 

  • Më 26 shkurt 2021, Gjykata e Apelit ndërmjet Aktvendimit [PN.nr.120/2021] refuzoi si të pabazuar ankesën e parashtruesit të kërkesës, dhe vërtetoi Aktvendimin [PK.nr.378/2020] e 29 janarit 2021 të Gjykatës Themelore.​​ 

 

  • Më 24 maj 2021, parashtruesi i kërkesës paraqiti kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë në Gjykatën Supreme, kundër Aktvendimit [PN.nr.120/2021] të Gjykatës së Apelit, ku kërkoi anulimin e tij.

 

  • Më 24 qershor 2021, Gjykata Supreme përmes Aktgjykimit [PML.nr.196/2021] refuzoi si të pabazuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të parashtruar nga parashtruesi i kërkesës.

  • Gjykata, në vijim, po ashtu i referohet faktit se parashtruesi i kërkesës më 9 shkurt 2017, 27 janar 2020 dhe 11 tetorit 2021, respektivisht kishte dorëzuar kërkesa në Gjykatë, të regjistruara me numër KI09/17, 18/20 dhe KI94/21, respektivisht.

 

(i) Procedura e zhvilluar që përbente objekt të çështjes së vlerësimit nga Gjykata në rastin KI09/17 ndërlidhej me procedurën e rregullt penale kundër parashtruesit të kërkesës, në kuadër të së cilës ishte nxjerrë​​ Aktgjykimi [Pml. nr. 281/2016] i 5 dhjetorit 2016, i Gjykatës Supreme të Kosovës, përmes të cilit ishte refuzuar kërkesa për mbrojtje të ligjshmërisë e parashtruar nga parashtruesi i kërkesës kundër Aktgjykimit të lartcekur [PKR. Nr. 23/14] të 16 majit 2016 të Gjykatës Themelore në Gjakovë, përmes të cilit ai ishte shpallur fajtor për kryerjen e veprës penale të kontraktimit të fitimit joproporcional dhe​​ ishte​​ dënuar me burgim në kohëzgjatje prej një viti e gjashtë muaj dhe Aktgjykimit [PAKR nr. 421/2016] të 9 shtatorit 2016 të Gjykatës së Apelit.​​ Gjykata përmes Aktvendimit për Papranueshmëri, të 5 shtatorit 2017 kërkesën e parashtruesit të kërkesës e shpalli të papranueshme si qartazi të pabazuar në bazë kushtetuese ashtu siç ishte përcaktuar me rregullin 36 (1) (d) të Rregullores së punës në atë kohë në fuqi; dhe​​ 

 

(ii) Procedura e zhvilluar që përbente objekt të çështjes së vlerësimit nga Gjykata në rastin KI18/20 ndërlidhej me kërkesën e parashtruesit të kërkesës për rishikimin e procedurës penale të lartcekur, në kuadër të së cilës si vendim i fundit i nxjerrë në këtë procedurë ishte​​ Aktvendim [PN. nr. 794/2019] i 23 korrikut 2019, i Gjykatës së Apelit përmes të cilit ishte refuzuar ankesa e parashtruesit të kërkesës kundër Aktvendimit [PK. nr. 278/19] të 3 korrikut 2019, të Gjykatës Themelore në Gjakovë. Përmes Aktvendimeve të lartcekura nga gjykatat e rregullta ishte konstatuar se nuk ishin plotësuar kriteret ligjore të përcaktuar me dispozitat e procedurës penale për rishikim të procedurës penale.​​ Gjykata përmes Aktvendimit për Papranueshmëri, të 17 dhjetorit 2020 kërkesën e parashtruesit të kërkesës e shpalli si të papranueshme​​ ratione materiae​​ me Kushtetutën ashtu siç është përcaktuar me rregullin 39 (3) (b) të Rregullores së punës.

 

(iii) Procedura e zhvilluar që përbënte objekt të çështjes së vlerësimit nga Gjykata në rastin KI94/21 ndërlidhej me kërkesën e parashtruesit të kërkesës lidhur me masën e sigurisë, ku vendimi i fundit ishte Aktvendimi i Gjykatës së Apelit përmes të cilit ishte refuzuar ankesa e parashtruesit të kërkesës dhe ishte vërtetuar aktvendimi i Gjykatës Themelore. Gjykatat e rregullta rezufuan kërkesën për masë të sigurisë të parashtruesit të kërkesës. Gjykata përmes Aktvendimit për Papranueshmëri KI94/21, kërkesën e parashtruesit të kërkesës e shpalli të papranueshme​​ sepse, pretendimi (i) lidhur me nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së për shkak të mungesës së arsyetimit të vendimit gjyqësor ishte qartazi i pabazuar në bazë kushtetuese në “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes”, në pajtim me paragrafin 7 të nenit 113 të Kushtetutës, nenin 47 të Ligjit dhe rregullin 39 (2) të Rregullores së punës; ndërsa (ii) lidhur me nenin 1 të Protokollit nr. 1 të KEDNJ-së është i papranueshëm si “i pambështetur apo paarsyetuar” siç është përcaktuar përmes nenit 48 të Ligjit dhe​​ rregullit 39 (1) (d) dhe (2) të Rregullores së punës.​​ 

 

Pretendimet e parashtruesit të kërkesës

 

  • Parashtruesi i kërkesës​​ pretendon se​​ Aktgjykimi​​ i kontestuar i Gjykatës Supreme është nxjerrë në shkelje të të drejtave dhe lirive themelore të tij të garantuara me nenin 24 [Barazia para Ligjit] dhe 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të KEDNJ-së.

 

  • Përkitazi me nenin 31 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, parashtruesi i kërkesës​​ pretendon​​ se​​ Aktgjykimi​​ i kontestuar i Gjykatës Supreme në lidhje me​​ Aktvendimin e Gjykatës së Apelit dhe Gjykatës Themelore përkitazi me kërkesën për rishikimin e procedurës penale​​ nuk përmbushin standardet e një vendimi të arsyetuar gjyqësor. Thënë këtë, parashtruesi i kërkesës specifikon se gjykatat e rregullta nuk kanë ofruar arsyetim në lidhje me faktet dhe provat e reja mbi bazën e së cilave është ngritur kërkesa për rishikimin e procedurës penale.

 

  • Parashtruesi i kërkesës më tej thekson se “Dy dëshmitarë okular zt. B. Hoti dhe znj. K.​​ Stoffel kishin dhënë deklarata noteriale nën betim atë të​​ dt.​​ 16/01/2019 dhe 04/01/2019, e të​​ cilët dëshmitar asnjëherë në asnjërën procedurë​​ gjyqësore nuk ishin dëgjuar si të tillë, ashtu që përmes deklaratave të​​ tilla​​ tregohet tërësisht gjendje​​ tjetër faktike si arsye kyçe që të​​ zhvillohet një proces i ri penal ndaj të​​ dënuarit Fatmir Hoti - këtu parashtruesit te kërkesës. Me qellim të jetësimit të garancionit kushtetues të së​​ drejtës​​ për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, është në mandatin e organit të akuzës që​​ ndaj një të​​ pandehuri në​​ procedurën penale të​​ siguroj si provat fajësuese, ashtu edhe ato shfajësuese. Duke qenë​​ se barra e provës për një akuzë​​ çdo herë​​ bie mbi autoritetin e Prokurorisë së​​ Shtetit, është jetike që​​ një të​​ pandehur për shkak të​​ mungesës së​​ kapaciteteve të​​ tij, të​​ mos e ballafaqoj para një akuze e cila përveç; provave fajësuese nuk përmban​​ edhe ato shfajësuese. Mos zbatimi i këtij standardi kushtetues dhe legjitimimi i tij nga një gjykatë​​ e rregullt, interpretohet si shkelje e barazisë së​​ armeve në​​ një procedurë​​ penale si dhe cenim i së​​ drejtës​​ për gjykim të​​ drejtë​​ dhe të​​ paanshëm. Përmes dëshmisë së​​ dhënë në​​ formë​​ të​​ deklaratës së​​ shkruar nga ana e dy dëshmitarëve okular te cilët asnjëherë me parë​​ nuk u dëgjuan dhe deklarimi i tyre si provë​​ as​​ njëherë nuk u administrua në​​ ndonjërën nga instancat e gjyqësorit, vërtetohet se një transaksion i tërësishëm në​​ vlerë​​ prej 470,000.00 (katërqind e shtatëdhjetë mije euro) ka ndodhur mes zt. Fatmir Hoti dhe zt. E.​​ Hoxha, pra pa asnjë interes- kamat siç; me parë​​ gabimisht ishte pretenduar në​​ gjykimin ndaj zt. Fatmir Hoti dhe dënimin e mëpasshëm te tij. Te njëjtën gjendje faktike​​ e shpjegon edhe znj. K.​​ Stoffel van Zoest në​​ deklaratën e saj noteriale”.

 

  • Në mbështetje të pretendimit të tij, parashtruesi i kërkesës i referohet rastit të Gjykatës​​ KI10/18, me parashtrues​​ Fahri Deçani​​ gjegjësisht paragrafëve të këtij Aktgjykimi, në të cilat Gjykata i është referuar praktikës së vet gjyqësore dhe asaj të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut përkitazi me të drejtën për një vendim të arsyetuar gjyqësor, garanci kjo e mishëruar në nenin 31 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së. Lidhur me këtë parashtruesi i kërkesës thekson se “aktvendimet e gjykatave të rregullta nuk përmbajnë arsyetime të detajuara lidhur me pretendimet e tij”.

 

  • Tutje parashtruesi i kërkesës thekson se “Mos qartësimi i tillë​​ i situatës lidhur me garantimin e gjykimit nga një kolegj dhe trup gjykues i paanshëm dhe i pavarur në​​ dy instancat e gjyqësorit të rregullt, në​​ rastin konkret​​ ka zbehur dukshëm garanconin që​​ ndaj këtu parashtruesit ishte zhvilluar një proces i rregullt gjyqësor dhe i paanshëm”. Më tej parashtruesi i kërkesës pretendon se edhe para Gjykatës Supreme ishin paraqitur prova të reja të cilat nuk ishin objekt i trajtimit në procesin e parë gjyqësor, por sipas tij Gjykata Supreme nuk lëshohet në pretendimet e tij.

 

  • Përkitazi me pretendimin për shkelje të nenit 24 të Kushtetutës parashtruesi i kërkesës thekson​​ “Sigurimi i paanshmërisë së​​ trupit gjykues dhe kolegjeve gjyqësore në​​ tre instancat e gjyqësorit të rregullt, nuk ka garancione që është respektuar dhe se është​​ evidente që një gjykatë​​ e shpallur me konflikt​​ interesi mes palëve identike në​​ një çështje gjyqësore, në​​ një çështje tjetër gjyqësore mes palëve të njëjta nuk ka vepruar në mënyrë të​​ njëjtë, përkatësisht e ka gjykuar çështjen edhe pse ka pasur pengesa procedurale dhe nuk është respektuar parakushti i garantimit të paanshmërisë së gjyqësorit. Rrjedhimisht në​​ rastin konkret Gjykata Themelore në Gjakovë dhe dy instancat tjera të​​ gjyqësorit të​​ rregullt me mos zbatimin e standardit të njëjtë, kanë​​ cenuar gjithashtu edhe Barazinë para Ligjit të garantuar me nenin 24 të Kushtetutës së​​ Republikës së​​ Kosovës. Andaj ne rrethana te tilla, çështja e ngritur përmes kësaj kërkese targeton një të​​ drejtë të​​ pastër kushtetuese për një palë në procedurë gjyqësore, të cilën të drejtë​​ (Barazinë para Ligjit dhe Gjykimin e Drejtë dhe të Paanshëm) kanë​​ dështuar ta garantoj gjyqësori i​​ rregullt në tre instancat dhe në​​ tre proceset gjyqësore ndaj këtu parashtruesit të kërkesës”.

 

  • Në fund, parashtruesi i kërkesës kërkon që Gjykata të:​​ (i) deklarojë kërkesën e tij​​ të pranueshme; (ii) të konstatojë shkelje të nenit 24 dhe 31 të Kushtetutës,​​ në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së;​​ (iii) të shpallë të pavlefshëm Aktgjykimin [Pml.nr.196/2021] të 24 qershorit 2021 të Gjykatës Supreme.

 

Dispozitat relevante Kushtetueses dhe ligjore​​ 

 

Kushtetuta e Republikës së Kosovës

Nenit​​ 113

[Juridiksioni​​ dhe Palët e​​ Autorizuara]

“1. Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.

[...]

7. Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.”

[...]

Ligji nr. 04/L-021 për Gjykatën Kushtetuese

 

Neni 47

[Kërkesa individuale]

“1. Çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tija individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik.

 

2. Individi​​ mund​​ ta ngritë kërkesën në fjalë vetëm pasi që të ketë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.”

 

Neni 48

[Saktësimi i kërkesës]

“Parashtruesja e kërkesës ka për detyrë që në kërkesën e tij të qartësoj​​ saktësisht​​ se cilat të drejta dhe liri pretendon se i janë cenuar dhe cili është akti konkret i autoritetit publik të cilin​​ parashtruesi dëshiron ta kontestoj.”​​ 

 

Neni 49

(Afatet)

“Kërkesa parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajve. Afati fillon të ecë që nga dita kur parashtruesit i është dorëzuar vendimi gjyqësor. Në të gjitha rastet e tjera, afati fillon të ecë në ditën kur vendimi ose akti është shpallur publikisht. Nëse kërkesa është e drejtuar kundër një ligji, atëherë afati fillon të ecë që nga dita kur ligji ka hyrë në fuqi.”

 

Rregullorja e punës së​​ Gjykatës Kushtetuese

 

Rregulli 39​​ 

(Kriteret e pranueshmërisë)

“(1)​​ Gjykata mund ta konsiderojë një kërkesë të pranueshme nëse:​​ 

[…]

c) kërkesa parashtrohet brenda katër (4) muajsh nga dita kur vendimi i mjetit të fundit efektiv juridik i është dorëzuar parashtruesit, dhe

[…].”

 

Pranueshmëria e​​ kërkesës

 

  • Gjykata së pari shqyrton nëse janë përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara me Kushtetutë dhe të specifikuara më tej me Ligj dhe Rregullore të punës. Në këtë drejtim, sipas paragrafit 1 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, Gjykata vendos vetëm për rastet e ngritura para Gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar. Ndërsa, sipas paragrafit 7 të të njëjtit nen të Kushtetutës, individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet e pretenduara të të drejtave dhe lirive të tyre individuale të garantuara me Kushtetutë nga autoritetet publike, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.

 

  • Gjykata më tej i referohet kritereve të pranueshmërisë, siç specifikohen më tej në Ligj. Në lidhje me këtë, sipas paragrafit 1 të nenit 47 (Kërkesa individuale), çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tij individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik. Sipas paragrafit 2 të të njëjtit nen, individi mund të ngre kërkesën në fjalë vetëm pasi që të ketë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.

 

  • Për sa i përket përmbushjes së këtyre kritereve, Gjykata fillimisht thekson se parashtruesi i kërkesës është palë e autorizuar, i cili konteston një akt të një autoriteti publik, përkatësisht Aktgjykimin [PML.nr.196/2021] e 24 qershorit 2021 të Gjykatës Supreme, pasi i ka shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.​​ 

 

  • Megjithatë, Gjykata po ashtu thekson se sipas nenit 49 (Afatet) të Ligjit, kërkesa duhet parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajve, i cili fillon të ecë që nga dita kur parashtruesit të kërkesës i është dorëzuar vendimi gjyqësor. Kjo kërkesë është përcaktuar edhe me rregullin 39 (Kriteret e pranueshmërisë), nënrregullin (1), shkronjën (c) ​​ të Rregullores së punës, që përcakton se kërkesa parashtrohet brenda katër (4) muajve nga dita kur vendimi i mjetit të fundit efektiv juridik i është dorëzuar parashtruesit të kërkesës.​​ 

 

  • Në këtë kontekst, në rrethanat e rastit konkret, Gjykata rikujton që parashtruesi i kërkesës e konteston Aktgjykimin [PML.nr.196/2021] e 24 qershorit 2021 të Gjykatës Supreme, i cili bazuar në fletëkthesën e dorëzuar në Gjykatë nga Gjykata Themelore i është dorëzuar të njëjtit më 15 korrik 2021, ndërsa parashtruesi i kërkesës e dorëzoi kërkesën në Gjykatë më 22 prill 2022. Rrjedhimisht, Gjykata konstaton se kërkesa e parashtruesit të kërkesës është dorëzuar pas afatit ligjor prej 4 (katër) muajve të përcaktuar me Ligj dhe Rregullore të punës, dhe rrjedhimisht e njëjta nuk i përmbush kushtet për shqyrtim të mëtejmë.

 

  • Në rastet kur parashtruesi i kërkesës ka të drejtë që kopja e vendimit të plotfuqishëm të organeve gjyqësore vendase t’i dorëzohet në mënyrë automatike, qëllimit dhe synimit të nenit 49 të Ligjit më së miri do t’i shërbehej nëse afati katër mujor llogaritet nga data kur është dorëzuar kopja e atij vendimi (shih, ndër të tjera, rastin GJEDNj-së​​ Ëorm kundër Austrisë, nr. 83/1996/702/894, aktgjykim i 29 gushtit 1997, paragrafi 33).

 

  • Gjykata rikujton se qëllimi i afatit ligjor prej 4 (katër) muajve, sipas nenit 49 të Ligjit dhe sipas rregullit 39 (1) (c) të Rregullores së punës, është që të promovojë siguri juridike, duke siguruar që rastet që kanë të bëjnë me çështje kushtetuese të trajtohen brenda një periudhe të arsyeshme dhe vendimet e mëparshme të mos jenë vazhdimisht të hapura​​ për t'u kontestuar (shih, ndër të tjera, rastet e Gjykatës​​ KI48/21, me parashtrues​​ Xhavit R. Sadrija, Aktvendimi për papranueshmëri, i 30 qershorit 2021, paragrafi 44; dhe​​ KI45/21, me parashtrues​​ Samedin Bytyqi, Aktvendim për papranueshmëri, i 20 majit 2021, paragrafi 35; shih gjithashtu, ndër të tjera, rastin e GJEDNj-se​​ Mocanu dhe të tjerët kundër Rumanisë, nr. 10865/09,45886/07 dhe 32431/08, të 17 shtatorit 2014, paragrafi 258).​​ 

 

  • Si përfundim, nga arsyet e shtjelluara si më sipër, Gjykata konstaton se kërkesa nuk është dorëzuar brenda afatit ligjor të përcaktuar me nenin 49 të Ligjit dhe rregullin 39 (1) (c) të Rregullores së punës dhe rrjedhimisht, Gjykata nuk mund të shqyrtojë meritat e rastit,​​ përkatësisht, nëse me Aktgjykimin​​ e kontestuar janë shkelur të drejtat kushtetuese të parashtruesit të kërkesës.

 

PËR KËTO ARSYE

Gjykata Kushtetuese, në pajtim me nenin 113. 7 të Kushtetutës, të nenit 49 të Ligjit dhe në pajtim me rregullat 39 (1) (c), më​​ 12 prill​​ 2023, njëzëri

 

VENDOS​​ 

 

  • TË DEKLAROJË kërkesën të papranueshme;​​ 

 

  • T’UA KUMTOJË këtë Aktvendim palëve;

 

  • TË PUBLIKOJË këtë Aktvendim në Gazetën Zyrtare, në pajtim me nenin 20.4 të Ligjit;

 

  • Ky Aktvendim hyn në fuqi menjëherë.​​ 

 

 

 

 

 

Gjyqtarja raportuese  ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​​​ Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese​​ 

 

 

 

 

Selvete Gërxhaliu-Krasniqi   ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​​​ ​​ ​​ Gresa Caka-Nimani

 

 

 

 

 

1

Parashtruesit:

Fatmir Hoti

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Penale