Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit Pml. nr.184/2024 të 21 marsit 2024, të Gjykatës Supreme

Nr. të lëndës KI172/24

Parashtruesit: Bariş (Mahfuz) Nakipoglu

Shkarko:

KI172/24, Parashtrues: Bariş (Mahfuz) Nakipoglu, Vlerësim i Aktgjykimit [Pml. nr. 184/2024] të 21 marsit 2024, të Gjykatës Supreme

KI172/24, Aktvendim për papranueshmëri i 25 shtatorit 2024, publikuar më 17 tetor 2024

Fjalët kyçe: kërkesë individuale, ekstradim, e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, ndalimi i torturës dhe trajtimit çnjerëzor, parashkrim i ekzekutimit të dënimit, kërkesë e papranueshme

Nga shkresat e lëndës rezulton se, Ministria e Drejtësisë e Turqisë kishte dorëzuar në Ministrinë e Drejtësisë së Republikës së Kosovës, kërkesë për ekstradimin e parashtruesit të kërkesës me qëllim të vuajtjes së dënimit me burgim të shqiptuar nga Gjykata Themelore Penale Nr. 5 e Karsiyaka në Izmir, për kryerjen e veprës penale “Vjedhje e sendit të marrë në mbrojtje brenda ndërtesës” sipas Kodit Penal Turk. Përkitazi me këtë kërkesë, Prokuroria Themelore parashtroi në Gjykatën Themelore kërkesë për ekstradimin e parashtruesit të kërkesës nga Republika e Kosovës për në Turqi, kërkesë të cilën Gjykata Themelore përmes Aktvendimit e aprovoi si të bazuar, me arsyetimin se ishin plotësuar kushtet ligjore për ekstradim,  të përcaktuara me Ligjin për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar në Çështjet Penale dhe se, sipas legjislacionit të të dy shteteve, ekzekutimi i dënimit me burgim në rastin e tij nuk kishte arritur parashkrimin. I pakënaqur me këtë Aktvendim, parashtruesi i kërkesës dorëzoi ankesë në Gjykatën e Apelit, ku kjo e fundit vërtetoi konstatimet e Gjykatës Themelore të dhëna përmes Aktvendimit të ankimuar. Kundër Aktvendimit të Gjykatës së Apelit, parashtruesi i kërkesës paraqiti në Gjykatën Supreme kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë, të cilën kjo e fundit e miratoi si të bazuar, duke e kthyer çështjen në shkallë të parë për rivendosje dhe udhëzuar të njëjtën që të paraqesë kërkesë për informata shtesë nga autoritetet turke lidhur me parashkrimin e ekzekutimit të dënimit. Në rivendosje, Gjykata Themelore, sërish, aprovoi kërkesën e Prokurorisë Themelore për ekstradimin e parashtruesit të kërkesës me arsyetimin se janë plotësuar kushtet ligjore për ekstradim dhe se pas informatave nga autoritetet e Turqisë, vërtetohej se ekzekutimi i dënimit të tij nuk ishte parashkruar meqenëse nuk kishte pasur ndërprerje të urdhërarrestit të lëshuar kundër tij. Përmes këtij Aktvendimi, Gjykata Themelore po ashtu refuzoi pretendimin e parashtruesit të kërkesës lidhur me aplikimin e tij për azil dhe pretendimin se i njëjti në rast të ekstradimit, do t’i nënshtrohet torturës, trajtimit çnjerëzor dhe persekutimit, pasi, sipas Gjykatës Themelore, i njëjti nuk është person që është i ndjekur politikisht. Konstatimet e Gjykatës Themelore u vërtetuan përmes Aktvendimit të Gjykatës së Apelit, dhe më pas përmes Aktgjykimit të Gjykatës Supreme, ku kjo e fundit  vlerësoi se janë plotësuar kushtet ligjore për ekstradim sipas Ligjit për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar në Çështjet Penale dhe se parashkrimi i ekzekutimit të dënimit nuk është arritur sipas legjislacionit turk dhe as sipas legjislacionit të Republikës së Kosovës.

Në procedurë para Gjykatës Kushtetuese, parashtruesi i kërkesës pretendoi se aktgjykimi i kontestuar i Gjykatës Supreme i shkel të drejtat dhe liritë themelore të tij të garantuara me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të KEDNJ-së, për shkak të  zbatimit të  gabuar të  ligjit dhe mosarsyetimit të vendimit gjyqësor. Parashtruesi i kërkesës, gjithashtu pretendoi se masa e paraburgimit e shqiptuar përmes Aktvendimit të 11 gushtit 2021 të Gjykatës Themelore duhet t’i zëvendësohet me një masë më të butë si dhe kërkoi nga Gjykata vendosjen e masës së përkohshme, përkatësisht anulimin e Vendimit  të 2 majit 2024 të Ministrisë së Drejtësisë.

Në vlerësimin e pretendimeve të parashtruesit të kërkesës, Gjykata, fillimisht, shtjelloi parimet e praktikës së GJEDNJ-së, sipas së cilës vendimet për ekstradim nuk kanë të bëjnë me përcaktimin e të drejtave dhe obligimeve civile të parashtruesve apo akuzën penale ndaj tyre brenda kuptimit të nenit 6, paragrafi 1 të KEDNJ-së. Në këtë aspekt, Gjykata, bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, theksoi se kërkesat e tilla vlerësohen dhe shqyrtohen në kuadër të  nenit 3 (Ndalimi i torturës) të KEDNJ-së dhe nenit 27 të Kushtetutës, duke vazhduar më pas me shtjellimin dhe aplikimin e  parimeve të GJEDNJ-së që ndërlidhen me ndalimin e torturës dhe trajtimit çnjerëzor në kontekst të ekstradimit dhe kërkesave për azil, në rrethanat e rastit konkret. Në lidhje me pretendimin e parashtruesit të kërkesës se në rast të ekstradimit, i njëjti do t’i nënshtrohet torturës dhe trajtimit çnjerëzor, Gjykata vlerësoi se parashtruesi i kërkesës nuk ka mbështetur pretendimin e tij se me rastin e ekstradimit të tij në Turqi, ai do të përballet me shkelje të nenit 3 të KEDNJ-së dhe nenit 27 të Kushtetutës.  Poashtu, Gjykata konstatoi se parashtruesi i kërkesës nuk argumentoi se si zbatimi i ligjit përkitazi me parashkrimin nga Gjykata Supreme dhe gjykatat e shkallës më të ulët ka rezultuar në “konkluzione arbitrare” për të dhe se të njëjtat i janë përgjigjur pretendimeve thelbësore të parashtruesit të kërkesës. Ndërkaq, përkitazi me pretendimin e parashtruesit të kërkesës lidhur me caktimin e masës së paraburgimit, Gjykata konstatoi se i njëjti është i papranueshëm pasi që është dorëzuar jashtë afatit ligjor prej 4 (katër) muajsh.

Rrjedhimisht, Gjykata konstatoi se kërkesa duhet të shpallet e papranueshme, siç përcaktohet në nenin 49 të Ligjit, pikën (c) të paragrafit (1) dhe paragrafin (2) të rregullit 34 të Rregullores së punës.

Në fund, Gjykata, në pajtim me paragrafin 1 të nenit 27 të Ligjit dhe rregullin 45 të Rregullores së punës, refuzoi kërkesën e parashtruesit të kërkesës vendosje të masës së përkohshme ndaj Vendimit të 2 majit 2024 të Ministrisë së Drejtësisë.

Parashtruesit:

Bariş (Mahfuz) Nakipoglu

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Penale