KI156/22, Parashtrues: “Thermo SHPK”, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit E. Rev. 04/2021 të Gjykatës Supreme të 5 majit 2022
KI156/22, Aktvendim për papranueshmëri i 12 prillit 2023, publikuar më 31 maj 2023
Fjalët kyç: kërkesë individuale, e drejta për mjet juridik efektiv, e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, kërkesë e papranueshme
Nga shkresat e lëndës rezulton se thelbi i këtij rasti me padinë që parashtruesi i kërkesës kishte paraqitur në Gjykatën Themelore kundër palës së paditur Banka “TEB” lidhur me mosmarrëveshjen për përgjegjësinë e pagesës së një shume të caktuar të të hollave në llogari të palës së tretë e cila nuk i kishte kthyer të hollat në fjalë. Gjykata Themelore e miratoi kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës dhe urdhëroi palën e paditur bankën “TEB” që në afat prej shtatë ditësh nën kërcënim të përmbarimit të dhunshëm ta zbatoj vendimin e saj. Pala e paditur banka “TEB” paraqiti ankesë në Gjykatën e Apelit por kjo e fundit e refuzoi ankesën të paafatshme. Pala e paditur banka “TEB” paraqiti kërkesë për përsëritje të procedurës duke pretenduar se ankesa e saj ka qenë brenda afatit ligjor. Gjykata e Apelit e lejoi kërkesën për përsëritje të procedurës dhe konstatoi se ankesa fillestare e palës së paditur “TEB” ishte paraqitur brenda afatit ligjor dhe se ky fakt ishte vërtetuar edhe nga fletë-dërgesat në Postën e Kosovës. Gjykata e Apelit duke vendosur sipas ankesës së palës së paditur banka “TEB” e refuzoi të pabazuar kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës, shfuqizoi vendimin e Gjykatës Themelore që ishte në dobi të parashtruesit të kërkesës duke konstatuar se nuk mund të vërtetohej përgjegjësia e palës së paditur banka “TEB” lidhur me transferimin e gabuar të të hollave në llogarinë e palës së tretë. Parashtruesi i kërkesës paraqiti kërkesë për revizion në Gjykatën Supreme duke kontestuar në themelësi aktgjykimin e Gjykatës së Apelit si dhe duke kundërshtuar vendimin për lejimin e përsëritjes së procedurës të propozuar nga pala e paditur banka “TEB”. Gjykata Supreme e refuzoi revizionin e parashtruesit të kërkesës lidhur me themelësinë e Aktgjykimit të Gjykatës së Apelit dhe e hodhi të palejuar revizionin lidhur me vendimin e Gjykatës së Apelit për lejimin e përsëritjes së procedurës të propozuar nga pala e paditur banka “TEB”. Gjykata Supreme konstatoi se vet parashtruesi i kërkesës ishte përgjegjës për transferin e gabuar të të hollave në llogari të palës së tretë.
Në procedurë në Gjykatën Kushtetuese, parashtruesi i kërkesës në thelb pretendoi shkelje të nenit 32 të Kushtetutës dhe nenin 13 të KEDNJ-së duke theksuar se revizioni i paraqitur në Gjykatën Supreme është mjet i paefektshëm juridik. Parashtruesi i kërkesës po ashtu pretendoi shkelje të nenit 31 të Kushtetutës dhe nenin 6 të KEDNJ-së e ndërlidh me pretendimin për zbatim të gabuar të ligjit nga Gjykata Supreme duke theksuar se në rastin e tij është dashur të zbatohet neni 229 i LPK-së dhe jo neni 240 i LPK-së, siç ka vepruar Gjykata Supreme.
Në vlerësimin e pretendimeve të parashtruesit të kërkesës, Gjykata vlerësoi se Gjykata Supreme por edhe Gjykata e Apelit: (i) kanë dhënë arsyet për lejimin e përsëritjes së procedurës duke shpjeguar aspektin faktik dhe provat që lejojnë përsëritjen e procedurës; (ii) kanë shpjeguar se lejimi i përsëritjes së procedurës dhe shqyrtimi në themelësi të ankesës së palës së paditur është në përputhje me nenin 32 të Kushtetutës lidhur me efektshmërinë e mjeteve juridike për palët ndërgjyqëse; (iii) kanë përcaktuar bazën ligjore dhe të njëjtën e kanë zbatuar ndaj fakteve të rastit të parashtruesit të kërkesës duke dhënë shpjegime të mjaftueshme dhe logjike lidhur me përgjegjësinë e palëve në transferin bankar të të hollave sidomos kur ndodhin gabime, siç edhe ka ndodhur në rastin e parashtruesit të kërkesës.
Gjykata më tej vlerësoi se Gjykata Supreme dhe Gjykata e Apelit në kombinim kanë përmbushur kushtin e mjetit efektiv juridik siç kuptohet me nenin 32 të Kushtetutës dhe nenin 13 të KEDNJ-së sepse çështja e përgjegjësisë për transferin e gabuar të të hollave dhe çështja e lejimit të përsëritjes së procedurës janë shqyrtuar në merita, çka është në përputhje me ofrimin e mjetit efektiv juridik.
Gjykata konstatoi se kërkesa e parashtruesit të kërkesës në tërësi është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, dhe duhet të shpallet e papranueshme bazuar në nenet 113.7 të Kushtetutës, nenin 47 të Ligjit dhe me rregullin 39 (2) të Rregullores së punës.
“Thermo SHPK”
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Civile