Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [ARJ.UZVP.nr.137/2021] të 20 dhjetorit 2021 të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës

Nr. të lëndës KI 61/23

Parashtruesit: Hedie Bylykbashi

Shkarko:

KI61/23, Parashtrues: Hedie Bylykbashi, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [ARJ.UZVP.nr.137/2021], të 20 dhjetorit 2021 të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës

KI61/23: Aktvendim për papranueshmëri, i 25 majit 2023, publikuar më 13 qershor 2023

Fjalët kyçe: kërkesë individuale, kthimi i afatit në gjendje të mëparshme, kërkesë jashtë afatit kohor

Parashtruesja e kërkesës u suspendua nga detyra në regjistrimin e veturave, nga Administrata e Kombeve të Bashkuara në Kosovë. Ajo dorëzoi ankesë në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës të Kosovës, e cila iu refuzua me arsyetimin se procedimi administrativ kishte përfunduar për shkak se parashtruesja  e kërkesës nuk kishte treguar interesim dhe e kishte braktisur ankesën e saj. Pas kësaj, ajo parashtroi padi në Gjykatën Themelore, e cila ia refuzoi atë si të pabazuar me arsyetimin se nuk kishte treguar interesim për ankesën për më shumë se 4 vjet. Gjykata e Apelit dhe Gjykata Supreme ia refuzuan ankesën parashtrueses së kërkesës, respektivisht kërkesën për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësor, dhe mbajtën qëndrim të njëjtë juridik sikurse Gjykata Themelore.

Parashtruesja e kërkesës paraqiti ankesë në Gjykatë, me pretendimin se gjykatat e rregullta cenuan të drejtat e saj kushtetuese të garantuara me nenet: 3 [Barazia para Ligjit], 7 [Vlerat], 21 [Parimet e Përgjithshme], 23 [Dinjiteti i Njeriut], 24 [Barazia para Ligjit], 49 [E Drejta e Punës dhe Ushtrimit të Profesionit] të Kushtetutës së Kosovës. Ajo kërkoi nga Gjykata kthim në gjendje të mëparshme të afatit për paraqitjen e kërkesës, me arsyetimin se shkaqet shëndetësore e kishin pamundësuar dorëzimin e kërkesës brenda afatit.

Gjykata fillimisht vërejti se parashtruesja e kërkesës e kishte pranuar Aktgjykimin e Gjykatës Supreme më 14 mars 2022, ndërsa kërkesën në Gjykatë e kishte dorëzuar më 10 mars 2023. Rrjedhimisht, Gjykata konstatoi se kërkesa ishte dorëzuar pas afatit ligjor prej 4 (katër) muajve, të përcaktuar me Ligj dhe Rregullore të punës. Në lidhje me kërkesën për kthim të afatit në gjendje të mëparshme, Gjykata vlerësoi se kthimi në gjendje të mëparshme mund të miratohet në rastet kur parashtruesi i kërkesës pa fajin e tij nuk ka qenë në gjendje të parashtrojë kërkesën brenda afatit të përcaktuar. Në rastin konkret, parashtruesja e kërkesës kishte arsyetuar vonesën për shkaqe shëndetësore, dhe ia kishte paraqitur Gjykatës një raport mjekësor. Nëpërmjet këtij raporti dëshmohej që avokati i parashtrueses së kërkesës ishte diagnostikuar me COVID-19 më 11 mars 2021, ndërsa Aktgjykimi i Gjykatës Supreme ishte marrë pas 9 (nëntë) muajsh. Pra, nuk kishte dëshmuar që pa fajin e saj e kishte humbur afatin.

Gjykata konstatoi se:  (i) kërkesa nuk i plotëson kushtet e përcaktuara përmes nenit 50 të Ligjit për kthim në gjendje të mëparshme; dhe për pasojë (ii) kërkesa nuk është dorëzuar brenda afatit ligjor të përcaktuar me nenin 49 të Ligjit dhe rregullin 39 (1) (c) të Rregullores së punës dhe rrjedhimisht, Gjykata nuk mund të shqyrtojë meritat e rastit, përkatësisht, nëse përmes Aktgjykimit të kontestuar janë shkelur të drejtat kushtetuese të parashtrueses së kërkesës.

Parashtruesit:

Hedie Bylykbashi

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është paraqitur pas afatit

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile