Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit ARJ. nr. 11/2022 të 25 shkurtit 2022, të Gjykatës Supreme të Kosovës

Nr. të lëndës KI109/22

Parashtruesit: Sabit Gori

Shkarko:
llogo_gjkk_png_2

 

 

 

 

 

 

 

 

Prishtinë, më​​ 7​​ prill​​ 2023

Nr.ref.:RK 2149/23

 

 

 

 

 

 

 

 

 

AKTVENDIM PËR PAPRANUESHMËRI​​ ​​ 

 

 

rastin nr. KI109/22

 

Parashtrues

 

 ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​​​ Sabit Gori

 

 

Vlerësim i kushtetutshmërisë së​​ 

Aktgjykimit​​ ARJ. nr. 11/2022 të 25 shkurtit 2022,​​ të Gjykatës Supreme të Kosovës

 

 

GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS​​ 

 

 

e përbërë nga:​​ 

 

Gresa Caka-Nimani, kryetare​​ 

Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar​​ 

Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare​​ 

Safet Hoxha, gjyqtar​​ 

Radomir Laban, gjyqtar​​ 

Remzije Istrefi-Peci, gjyqtare​​ 

Nexhmi Rexhepi, gjyqtar dhe

Enver Peci, gjyqtar

 

 

Parashtruesi i kërkesës

 

  • Kërkesa është parashtruar nga​​ Sabit Gori, me vendbanim në Prishtinë​​ (në tekstin e mëtejmë: parashtruesi i kërkesës).​​ ​​ 

 

Vendimi i kontestuar

 

  • Parashtruesi i kërkesës e konteston kushtetutshmërinë e Aktgjykimit​​ [ARJ. nr. 11/2022] të 25 shkurtit 2022 të Gjykatës Supreme të Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Supreme), në ndërlidhje me Aktvendimin [AA. nr. 1040/21] të 7 dhjetorit 2021 të Gjykatës së Apelit të Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata e Apelit).​​ 

 

  • Parashtruesi i kërkesës vendimin e kontestuar e ka pranuar më 29 mars 2022.

 

Objekti i çështjes

 

  • Objekt i çështjes është vlerësimi i kushtetutshmërisë së​​ Aktgjykimit të kontestuar, përmes së cilit pretendohet se parashtruesit të kërkesës i janë shkelur të drejtat dhe liritë themelore të tij të garantuara me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], nenin 46 [Mbrojtja e Pronës] dhe nenin 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta).

​​ 

Baza juridike

 

  • Kërkesa bazohet në paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës,​​ në nenet 22 [Procedimi i kërkesës] dhe 47 [Kërkesa individuale] të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës, nr. 03/L-121 (në tekstin e mëtejmë: Ligji), si dhe në rregullin 32 [Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve] të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).​​ 

 

Procedura në Gjykatën Kushtetuese

 

  • Më 27 korrik 2022, parashtruesi i kërkesës e dorëzoi kërkesën e tij në Gjykatën Kushtetuese e Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata).

 

  • Më 29 korrik 2022, Gjykata njoftoi parashtruesin e kërkesës për regjistrimin e kërkesës. Në të njëjtën ditë, një kopje e kërkesës iu dërgua Gjykatës Supreme.

 

  • Më 29 korrik 2022, Gjykata gjithashtu njoftoi Gjykatën Themelore në Prishtinë për regjistrimin e rastit dhe kërkoi nga ajo që të dorëzojë në Gjykatë fletëkthesën që dëshmon se kur parashtruesi i kërkesës e ka pranuar vendimin e kontestuar.

 

  • Më 2 gusht 2022, Kryetarja e Gjykatës, përmes Vendimit [Nr. GJR. KSH109/22], caktoi gjyqtarin Nexhmi Rexhepi gjyqtar raportues dhe Kolegjin shqyrtues, të përbërë nga gjyqtarët: Gresa Caka-Nimani (kryesuese), Safet Hoxha dhe Radomir Laban (anëtarë).

 

  • Më 22 mars 2023, Kolegji shqyrtues shqyrtoi raportin e gjyqtarit raportues dhe njëzëri i rekomandoi Gjykatës papranueshmërinë e kërkesës.

 

Përmbledhja e fakteve

 

  • Nga shkresat e rastit rezulton se më 18 mars 2021, Komuna e Prishtinës, Drejtoria për Pronë, përmes Vendimit [Nr. 13-465/01-69477120] urdhëroi parashtruesin e kërkesës që në afat prej 15 (pesëmbëdhjetë) ditësh të lirojë pronën [nr. 220-18], Zona Kadastrale Prishtinë, duke arsyetuar se e njëjta është ​​ shfrytëzuar në kundërshtim me dispozitat e Ligjit nr. 04/L-077 mbi Marrëdhëniet e Detyrimeve, që në rastin konkret ka të bëjë me shqyrtimin e marrëdhënieve pasurore të krijuara me uzurpimin arbitrar të tokës në pronësi shoqërore.

 

  • Më 31 mars 2021, parashtruesi i kërkesës kishte paraqitur padi në Gjykatën Themelore në Prishtinë, kundër Komunës së Prishtinës-Drejtorisë për Pronë duke kërkuar shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të lartpërmendur dhe anulimin e të njëjtit.

 

  • Më 19 prill 2021, Gjykata Themelore në Prishtinë, përmes Aktvendimit [A. nr. 722/2021], refuzoi si të pabazuar padinë e parashtruesit të kërkesës. [Shënim i Gjykatës: ky Aktvendim nuk gjendet në shkresat e lëndës].

 

  • Pas ankesës së parashtruesit të kërkesës në Gjykatën e Apelit kundër vendimit të lartpërmendur, Gjykata e Apelit përmes aktit​​ e ktheu lëndën në Gjykatën Themelore në Prishtinë me kërkesë që e njëjta t’i dërgohet parashtruesit të kërkesës për plotësim.

 

  • Nga shkresat e lëndës rezulton se më 9 shtator 2021, Gjykata Themelore në Prishtinë, e kishte ftuar parashtruesin e kërkesës që në afat prej 7 (shtatë) ditësh të plotësoj kërkesëpadinë ashtu siç specifikohej në Ligjin​​ nr. 03/L-006​​ për Procedurën Kontestimore.

 

  • Më 4 tetor 2021, Gjykata Themelore në Prishtinë, përmes Aktvendimit [A. nr. 722/2021], hodhi poshtë ankesën e parashtruesit të kërkesës, e paraqitur kundër Aktvendimit [A. nr. 722/2021] të 19 prillit 2021, të Gjykatës Themelore,​​ duke vlerësuar se​​ ankesa e parashtruar ishte jo e plotë pasi që nuk përmbante të dhënat e kërkuara me dispozitat ligjore, përkatësisht nenin 178 të Ligjit​​ nr. 03/L-006​​ për Procedurën Kontestimore.

 

  • Në një datë të paspecifikuar, parashtruesi i kërkesës kishte parashtruar ankesë në Gjykatën e Apelit kundër aktvendimit të lartpërmendur të Gjykatës Themelore, duke pretenduar shkelje esenciale të dispozitave të Ligjit nr.​​ 03/L-202​​ ​​ për Konflikt Administrativ, vërtetim të gabuar të gjendjes faktike dhe zbatim të gabuar të së drejtës materiale.

 

  • Më 7 dhjetor 2021, Gjykata e Apelit përmes Aktvendimit [AA. nr. 1040121] refuzoi si të pabazuar ankesën e parashtruesit të kërkesës, duke vërtetuar vendimin e shkallës së parë.

 

  • Në një datë të paspecifikuar, parashtruesi i kërkesës parashtroi kërkesë për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësor të Gjykatës së Apelit, në Gjykatën Supreme, duke pretenduar shkelje esenciale të dispozitave ligjore, vërtetim të gabuar të gjendjes faktike dhe zbatim të gabuar të së drejtës materiale.

 

  • Më 25 shkurt 2022, Gjykata Supreme përmes Aktgjykimit [ARJ. nr. 11/2022] refuzoi si të pabazuar kërkesën për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësor, duke e konsideruar si të drejtë aktvendimin e shkallës së dytë. Gjykata Supreme në arsyetimin e aktgjykimit të saj thekson se​​ edhe pas kërkesës së gjykatës së shkallës së parë​​ që paditësi të plotësoj padinë e tij në përputhje me dispozitat ligjore, paditësi nuk e kishte plotësuar padinë e tij.

 

Pretendimet e parashtruesit të kërkesës

 

  • Gjykata rikujton se parashtruesi i kërkesës pretendon se me Aktgjykimin e kontestuar i​​ është​​ shkelur e drejta e tij e garantuar me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], nenin 46 [Mbrojtja e Pronës] dhe nenin 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës.​​ 

 

  • Parashtruesi i kërkesës pretendon se Gjykata Supreme në Aktgjykimin e saj nuk i kishte marrë parasysh pretendimet e tij, se gjendja e tij financiare ishte e rëndë dhe se bashkëshortja e tij kishte probleme shëndetësore, ku kishte kërkuar shtyrjen e ekzekutimit të Vendimit të Komunës së Prishtinës-Drejtorisë së Pronës. Sipas parashtruesit “Është e papranueshme që gjendja e rënduar mentale e bashkëshortes së palës paditëse dhe rrezikimi i sigurimit të strehimit, të mos konsiderohen dëm vështirë i riparueshëm nga ana e Gjykatës”.

 

  • Parashtruesi i kërkesës më tej thekson se gjykatat e rregullta nuk e kanë arsyetuar vendimin e tyre sepse shtyrja e ekzekutimit të vendimit është në kundërshtim “me rendin publik apo në dëm të palës kundërshtare”.​​ Në ndërlidhje me këtë, parashtruesi i kërkesës thekson gjithashtu se, Gjykata Supreme​​ nuk i ka shqyrtuar fare as provat materiale të cilat i ka paraqitur parashtruesi i kërkesës dhe të cilat sipas tij do të shkonin në favor të shtyrjes së ekzekutimit të vendimit.

 

Dispozitat relevante kushtetuese dhe ligjore

 

KUSHTETUTA E REPUBLIKËS SË KOSOVËS

 

Neni 31

​​ [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm]

 

  • Çdokujt i garantohet mbrojtje e barabartë e të drejtave në procedurë para gjykatave, organeve të tjera shtetërore dhe bartësve të kompetencave publike.

  • ​​ Çdokush gëzon të drejtën për shqyrtim publik të drejtë dhe të paanshëm lidhur me vendimet për të drejtat dhe obligimet ose për cilëndo akuzë penale që ngrihet kundër saj/tij brenda një afati të arsyeshëm, nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e themeluar me ligj.

 

 ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​​​ [...]

 

LIGJI NR. 03/L-202 PËR KONFLIKTET ADMINISTRATIVE

 

Neni 22

1. Padia nuk e ndalon ekzekutimin e aktit administrativ kundër të cilit është paraqitur përveç kur kjo me ligj është parashikuar ndryshe.

6. Paditësi mund të kërkojë edhe nga gjykata shtyrjen e ekzekutimit të aktit administrativ deri në marrjen e vendimit gjyqësor, sipas kushteve të parapara në paragrafin 2. të këtij neni.

 

LIGJI Nr. 03/L-006 PËR PROCEDURËN KONTESTIMORE

 

Neni 178

Ankesa duhet të përmbajë:

a)​​ tregimin e aktgjykimit kundër të cilit paraqitet ankimi;

b) deklaratën se aktgjykimi kundërshtohet në tërësi ose në pjesën e caktuar;

c) shkaqet e ankimit me arsyetim;

d) nënshkrimin e paraqitësit të ankimit.

Neni 179

179.1 Në qoftë se ankesa nuk i përmban elementet nga neni 178 i këtij ligji (ankesa jo e plotë), gjykata e shkallës së parë me anë të aktvendimit, kundër të cilit nuk lejohet ankimi, e thërret ankuesin që brenda afatit prej shtatë ditësh ta plotësojë ankesën e paraqitur.

179.2 Po që se ankuesi brenda afatit nga paragrafi 1 i këtij neni nuk vepron sipas kërkesës së gjykatës,​​ gjykata me aktvendim e hedhë poshtë ankesën si jo të plotë.

Pranueshmëria e kërkesës

 

  • Gjykata​​ së pari​​ vlerëson nëse​​ janë​​ përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara me​​ Kushtetutë dhe të specifikuara më tej në​​ Ligj dhe në Rregullore të punës.

 

  • Në këtë drejtim, Gjykata i referohet paragrafëve 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, të cilët përcaktojnë:​​ 

 

“1.​​ Gjykata​​ Kushtetuese​​ vendos vetëm për rastet e ngritura para gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.

[…]​​ 

7. Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.

 

  • Në vazhdim, Gjykata​​ gjithashtu shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, siç përcaktohen me Ligj.​​ Në lidhje me këtë, Gjykata i referohet neneve 47 (Kërkesa individuale), 48 (Saktësimi i kërkesës) dhe 49 (Afatet) të Ligjit, të cilët përcaktojnë:

 

Neni 47

(Kërkesa individuale)

 

“1. Çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tija individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik.

 

2. Individi mund ta ngritë kërkesën në fjalë vetëm pasi që të ketë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.

 

  • Gjykata gjithashtu merr parasysh rregullin 39 (1) (b) të Rregullores së punës, i cili përcakton si në vijim:

 

Rregulli 39

(Kriteret e pranueshmërisë)

 

“(1)​​ Gjykata mund ta konsiderojë një kërkesë të pranueshme nëse:​​ 

 

[…]

 

b) janë shteruar të gjitha mjetet efektive të përcaktuara me Ligj kundër aktgjykimit ose vendimit të kontestuar

 

[…]”.

  • Për sa i përket përmbushjes së këtyre kritereve, Gjykata fillimisht thekson se parashtruesi i kërkesës është palë e autorizuar, i cili konteston një akt të një​​ autoriteti​​ publik, përkatësisht​​ Aktgjykimin [ARJ. nr. 11/2022] të 25 shkurtit 2022 të Gjykatës Supreme.​​ Megjithatë, në vazhdim Gjykata do të vlerësojë nëse parashtruesi i kërkesës e ka plotësuar kriterin e shterimit të mjeteve juridike të përcaktuara me ligj, siç kërkohet përmes paragrafit 7 të nenit 113 të Kushtetutës, paragrafit 2 të nenit 47 të Ligjit dhe pikës (b) të paragrafit (1) të rregullit 39 (Kriteret e pranueshmërisë)​​ të Rregullores së punës.

 

  • Në vazhdim, Gjykata do të vlerësojë nëse parashtruesi i kërkesës i ka shterur mjetet juridike ashtu siç kërkohet me Kushtetutë, Ligj dhe Rregullore të punës.​​ 

 

  • Gjykata rikujton se rregulli për shterimin e mjeteve juridike sipas nenit 113.7 të Kushtetutës, nenit 47 të Ligjit dhe rregullit 39 (1) (b) të Rregullores së punës, i obligon ata që dëshirojnë të paraqesin rastin e tyre në Gjykatën Kushtetuese që së pari duhet të shfrytëzojnë mjetet juridike efektive në dispozicion në pajtim me ligjin, kundër një aktgjykimi ose vendimi të kontestuar.

 

  • Në këtë mënyrë, gjykatave të rregullta u jepet mundësia që të korrigjojnë gabimet e tyre përmes procedurave gjyqësore të rregullta para se rasti të vijë në Gjykatën Kushtetuese. Ky rregull bazohet në supozimin e shprehur në nenin 32 të Kushtetutës dhe nenin 13 të KEDNJ-së, që në legjislacionin vendës ka mjete juridike në dispozicion për t’u shfrytëzuar pranë gjykatave të rregullta në lidhje me shkeljen e pretenduar, pavarësisht nëse dispozitat e KEDNJ-së janë inkorporuar në të drejtën nacionale apo jo (shih,​​ inter alia,​​ Aksoy kundër Turqisë, nr.​​ 21987/93​​ Aktgjykimit të GJEDNJ-së​​ të 18 dhjetorit 1996, paragrafi 51).

 

  • Ky parim nënkupton se mekanizmi mbrojtës i krijuar nga Gjykata Kushtetuese të jetë subsidiar në raport me sistemin e rregullt gjyqësor që mbron të drejtat e njeriut (shih, ndër të tjera,​​ Handyside kundër Mbretërisë së Bashkuar, nr. 5493/72, Aktgjykimit të GJEDNJ-së i 7 dhjetorit 1976, paragrafi 48).

 

  • Megjithatë, sipas praktikës së GJEDNJ-së, përderisa detyrimi për shterjen e mjeteve juridike duhet të zbatohet me një shkallë të fleksibilitetit dhe pa formalizëm të tepruar, ky detyrim nuk kërkon thjeshtë vetëm që kërkesat të parashtrohen para gjykatave të rregullta por kërkon po ashtu që parashtruesi i kërkesës para se të paraqesë kërkesën, që ka për qëllim që pastaj ta paraqesë para GJEDNJ-së, duhet:​​ a)​​ t’i ketë ngritur të njëjtat pretendime para gjykatave të rregullta, të paktën në substancë; dhe​​ b)​​ të ketë respektuar kërkesat formale dhe afatet e parapara me legjislacionin në fuqi (shih,​​ mutatis mutandis, rastin e GJEDNJ-së:​​ Gäfgen kundër Gjermanisë, nr. 22978/05, Aktgjykim i 1 qershorit 2010, paragrafi 142).

 

  • Sa i përket pikës a) të cekur më lart, që parashtruesi t’i ketë ngritur të njëjtat pretendime para gjykatave të rregullta, të paktën në substancë para se t’i drejtohet Gjykatës, Gjykata thekson se parimi​​ i subsidiaritetit kërkon që parashtruesi të shterojë të gjitha mundësitë procedurale në procedurë të rregullt, në mënyrë që të parandalohet shkelja e Kushtetutës apo, nëse ka shkelje, të korrigjohet shkelja e tillë e të drejtave themelore. Përndryshe, parashtruesi i kërkesës është përgjegjës kur rasti i tij shpallet i papranueshëm nga Gjykata Kushtetuese nëse dështon të shfrytëzojë procedurat e rregullta, apo dështon të raportojë shkeljen e Kushtetutës në procedurë të rregullt. Mosshfrytëzimi i kësaj mundësie do të kuptohet si heqje dorë nga e drejta për të kundërshtuar më tej shkeljen dhe për t’u ankuar. (shih, rastet e Gjykatës KI68/16,​​ Fadil Rashiti, Aktvendimin për papranueshmëri, i 31 marsit 2017, paragrafi 38, dhe​​ KI139/12,​​ Besnik Asllani,​​ Aktvendimin për papranueshmëri, i 30 nëntorit 2012, paragrafi 45; KI210/19,​​ Sabri Ismaili, Aktvendim për papranueshmëri, i 15 korrikut 2020, paragrafi 35;​​ shih, gjithashtu, rastin e GJEDNJ-së​​ Kudla kundër Polonisë,​​ Aktgjykim i 26 tetorit 2000, paragrafi 152).

 

  • Ndërsa, sa i përket kriterit​​ b)​​ që parashtruesi​​ të ketë respektuar kërkesat formale dhe afatet e parapara me legjislacionin në fuqi para se t’i drejtohet Gjykatës, sipas praktikës gjyqësore të GEDNJ-së ka theksuar se mjetet juridike nuk janë shterur në rastet kur ankesa nuk është pranuar për shqyrtim nga gjykatat e rregullta, për shkak të lëshimeve procedurale të parashtruesit të kërkesës (shih në këtë kontekst, rastet e GJEDNJ-së:​​ Gäfgen kundër Gjermanisë, cekur më lart, paragrafi 143;​​ Kunert kundër Polonisë, cekur më lart, paragrafi 42; dhe​​ Gadd kundër Mbretërisë së Bashkuar, cekur më lart, paragrafi 54;​​ Ben Salah Adraqui and Dhaime kundër Spanjës,​​ Vendim i 27 prillit 2000).

 

  • Për më tepër, sa i përket pikës​​ b)​​ të cekur më sipër, GJEDNJ ka theksuar se rregullat që përcaktojnë hapat procedural që kërkohet të ndërmerren dhe afatet kohore të cilat duhet të respektohen, sa i përket paraqitjes së ankesës, janë krijuar për të siguruar administrimin e duhur të drejtësisë dhe pajtueshmërinë, veçanërisht, me parimin e sigurisë juridike (shih, rastin e GJEDNJ​​ Ben Salah Adraqui and Dhaime kundër Spanjës, cituar më lart).

 

Lidhur me shterimin e mjeteve juridike në rastin konkret

 

  • Gjykata së pari rikujton esencën e rastit e cila ndërlidhet me një​​ ​​ Vendim [Nr. 13-465/01-69477120] të​​ Komunës së Prishtinës, Drejtorisë për Pronë, përmes të cilit​​ urdhërohej parashtruesi i kërkesës që ta lirojë pronën me arsyetimin se e njëjta është ​​ shfrytëzuar në kundërshtim me dispozitat e Ligjit për Marrëdhëniet Detyrimore, respektivisht e njëjta ishte uzurpuar nga parashtruesi i kërkesës. Parashtruesi i kërkesës parashtroi​​ padi në Gjykatën Themelore në Prishtinë, kundër Komunës së Prishtinës-Drejtorisë për Pronë, duke kërkuar shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të lartpërmendur dhe anulimin e të njëjtit. Gjykata Themelore pasi i kishte dhënë mundësi dy herë parashtruesit të kërkesës që të plotësojë padinë, refuzoi këtë të fundit me arsyetimin se e njëjta është e paplotë. Nga shkresat e lëndës rezulton se parashtruesi i kërkesës nuk kishte plotësuar padinë e tij, ashtu siç i ishte kërkuar. Pas ankesës së parashtruesit të kërkesës, Gjykata e Apelit e konfirmoi vendimin e shkallës së parë. Parashtruesi i kërkesës paraqiti kërkesë për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësor në Gjykatën Supreme, kërkesë kjo e cila u refuzua si e pabazuar, duke aprovuar si të drejtë vendimet e instancave më të ulëta.

 

  • Gjykata në vazhdim, bazuar në parimet e lartpërmendura, do të vlerësojë nëse parashtruesi i kërkesës ka përmbushur kriteret e shterimit të mjeteve juridike, sipas standardeve të përcaktuara më lart, respektivisht nëse ai ka respektuar kërkesat procedurale në mënyrë që institucionet kompetente dhe gjykatat e rregullta të mund të trajtojnë pretendimet e tij lidhur me shtyrjen dhe anulimin e​​ Vendimit [Nr. 13-465/01-69477120] të​​ Komunës së Prishtinës, Drejtorisë për Pronë.

 

  • Nga si më sipër, Gjykata vëren se parashtruesi i kërkesës nuk e kishte shfrytëzuar të drejtën për të precizuar padinë, edhe pas mundësive të dhëna nga Gjykata Themelore, në mënyrë që gjykatat e rregullta të mund të shqyrtojnë meritat e rastit lidhur me kërkesën e parashtruesit për shtyrje të ekzekutimit të vendimit të Komunës së Prishtinës.

 

  • Në mbështetje të asaj që u tha më lart, Gjykata së pari rikujton Aktvendimin e Gjykatës Themelore​​ [A. nr. 722/2021] të 4 tetorit 2021, dhe​​ e cila kishte vendosur në bazë të​​ ankesës së parashtruesit kundër​​ Aktvendimit [A. nr. 722/2021] të 19 prillit 2021, të Gjykatës Themelore,​​ duke hedhur poshtë ankesën e parashtruesit të kërkesës, me arsyetimin se e njëjta është e paplotë, duke theksuar si në vijim: “paditësi nëpërmes parashtresës së dorëzuar gjykatës me datë 27.09.2021, nuk ka arritur të eliminoj të metat e ankesës, përkatësisht nuk ka njoftuar gjykatën se kundër cilit vendim ka paraqitur ankesën dhe nuk është deklaruar se vendimin e konteston në tërësi ose pjesërisht si dhe për shkaqet e ankimit, gjykata në kuptim të nenit 179 të Ligjit për Procedurën Kontestimore, ankesën e paditësit e hedhë si jo e plotë, si në dispozitiv të këtij aktvendimi”.

 

  • Më tej, Gjykata e Apelit dhe Gjykata Supreme e mbështetën në tërësi Aktvendimin e Gjykatës Themelore. Gjykata Supreme në arsyetim të Aktgjykimit të saj shton se​​ Gjykata Supreme këto pretendime dhe të tjerat si në kërkesë i shqyrtoi në tërësi në baza ligjore dhe i vlerëson se nuk janë të qëndrueshme në baza ligjore dhe të bazuara në prova në drejtim të çështjes së vendosur nga gjykatat e instancave më të ulëta, sepse objekt shqyrtimi në procedurë gjyqësore sipas propozimit të paditësit ka qenë shtyrja e ekzekutimit të vendimit të organit të paditur, dhe për këtë çështje gjykata e shkallës së parë ka vendosur me aktvendimin e saj të cekur si më lart [...].

 

  • Gjykata vëren se, Gjykata Supreme nuk kishte mundësi të trajtonte pretendimin e parashtruesit të kërkesës kundër Vendimit të Komunës së Prishtinës-Drejtorisë për Pronë, ku ky i fundit kishte kërkuar shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të lartpërmendur dhe anulimin e të njëjtit, e gjithë kjo për faktin se parashtruesi i kërkesës nuk e kishte plotësuar padinë e tij dhe më pas ankesën ashtu siç i ishte kërkuar nga Gjykata Themelore. Në këtë rast, parashtruesi i kërkesës, megjithëse e kishte ngritur si pretendim, ai kishte humbur mundësitë e tij procedurale që përmes kësaj procedure të dëshmonte pretendimet e tij.

 

  • Rrjedhimisht, bazuar në si më sipër dhe duke marrë parasysh​​ pretendimet​​ e ngritura nga parashtruesi i kërkesës dhe faktet e paraqitura nga ai, Gjykata, duke u mbështetur edhe në standardet e vendosura në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, konstaton se kërkesa e parashtruesit të kërkesës, edhe pse ai formalisht ka ndjekur procedurat gjyqësore duke kërkuar shtyrjen e ekzekutimit të Vendimit të Komunës së Prishtinës dhe anulimin e të njëjtit, nuk i plotëson kriteret e pranueshmërisë para Gjykatës, pasi që parashtruesi nuk i ka shterur mjetet juridike lidhur me shkeljet e pretenduara, për shkak të lëshimeve të tij procedurale para instancave gjyqësore.

 

  • Si përfundim, Gjykata konstaton se kërkesa e parashtruesit të kërkesës lidhur me pretendimet të cilat janë cekur më lart nuk i plotëson kriteret e pranueshmërisë para Gjykatës, pasi që nuk janë shteruar mjetet juridike siç është përcaktuar në paragrafin 7 të nenit 113 të Kushtetutës, paragrafit 2 të nenit 47 të Ligjit dhe pikës (b) të paragrafit (1) të rregullit 39 të Rregullores së punës, dhe si e tillë, kërkesa duhet të deklarohet e papranueshme.​​ 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

PËR KËTO ARSYE

 

Gjykata Kushtetuese, në pajtim me nenet 113.1 dhe 113.7 dhe 21.4 të Kushtetutës, nenin 47 të Ligjit dhe rregullat 39 (2) dhe 59 (2) të Rregullores së punës, më 22 mars ​​ 2023, njëzëri

 

VENDOS ​​ 

 

    • TË DEKLAROJË ​​ kërkesën të papranueshme;  ​​​​ 

 

    • T’UA KUMTOJË këtë aktvendim palëve; ​​ 

 

    • TË PUBLIKOJË këtë aktvendim në Gazetën Zyrtare, në pajtim me nenin 20.4 të Ligjit;​​ 

 

    • ​​ Ky aktvendim hyn në fuqi menjëherë.

 

 

 

 

 

Gjyqtari raportues  ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​​​   ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​​​ Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese​​ 

 

 

 

 

Nexhmi Rexhepi ​​  ​​   ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​​​ Gresa Caka-Nimani

 

 

 

1

​​ 

Parashtruesit:

Sabit Gori

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Nuk janë shterur mjetet juridike

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Administrative