KI18/22, Parashtrues N.T.Sh. “Dolphin”, vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [ARJ.nr. 103/2021] të 28 tetorit 2021 të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës
KI18/22, Aktvendim për papranueshmëri, i 12 prillit 2023, publikuar më 10 maj 2023
Fjalët kyçe: kërkesë individuale, dinjiteti i njeriut, qartazi e pabazuar, pretendime të shkallës së katërt
Rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me një konflikt administrativ të iniciuar nga parashtruesi i kërkesës në Gjykatën Themelore, kundër të paditurës Administrata Tatimore e Kosovës (në tekstin e mëtejmë: ATK), nëpërmjet të cilit kishte kërkuar anulimin e Raportit të Kontrollit nga ATK-ja, më cilin parashtruesi i kërkesës ishte ngarkuar me borxhe në emër të shmangies nga tatimi në vlerën e shtuar. Gjykata Themelore hodhi poshtë padinë e parashtruesit të kërkesës, si të parakohshme. Pas ankesës së parashtruesit të kërkesës pranë Departamentit të Ankesave të ATK-së, ky i fundit me Vendimin [nr.132/2015], e kishte refuzuar ankesën si të pabazuar. Më 11 dhjetor 2018, parashtruesi i kërkesës parashtroi padi në Gjykatën Themelore, me propozim që të anulohet Vendimi i Departamentit të Ankesave të ATK-së, si i pabazuar. Gjykata Themelore, nëpërmjet Aktvendimit [A.nr.2904/18] hodhi poshtë padinë e parashtruesit të kërkesës, si të pasafatshme. Pas ankesës së parashtruesit të kërkesës, Gjykata e Apelit nëpërmjet Aktvendimit [AA.nr.522/2021], të njëjtën e refuzoi si të pabazuar, dhe vërtetoi Aktvendimin e Gjykatës Themelore. Parashtruesi i kërkesës në Gjykatën Supreme, parashtroi kërkesë për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësor, për shkak të shkeljes esenciale të dispozitave të procedurës administrative, si dhe aplikimit të gabuar të së drejtës materiale. Gjykata Supreme nëpërmjet Aktgjykimit [ARJ.nr.103/2021] refuzoi si të pabazuar kërkesën për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësor.
Parashtruesi i kërkesës pranë Gjykatës Kushtetuese pretendoi që Aktgjykimi i kontestuar i ka shkelur të drejtat e tij të garantuara me nenet 21 [Parimet e Përgjithshme] dhe 24 [Barazia para Ligjit] të Kushtetutës, duke theksuar se gjykatat e shkallës së parë dhe të dytë kanë bërë shkelje të dispozitave të procedurës administrative.
Në vlerësimin e pretendimeve kryesore, Gjykata vërejti se esenca e ankesës së parashtruesit të kërkesës ndërlidhej me vërtetimin e gabuar të fakteve dhe interpretimin e gabuar të ligjit. Prandaj, Gjykata këto pretendime i cilësoi si “pretendime të shkallës së katërt”. Gjykata rikujtoi që sipas Kushtetutës dhe parimeve të GJEDNj-së, ajo nuk vepron si gjykatë e shkallës së katërt përkitazi me vendimet e nxjerra nga gjykatat e rregullta, duke përsëritur qëndrimin se është në domenin e gjykatave të rregullta që t’i interpretojnë dhe t’i zbatojnë rregullat përkatëse të së drejtës procedurale dhe materiale. Gjykata në të tilla rrethana vetëm mund të shqyrtojë nëse provat janë paraqitur në mënyrë të drejtë dhe nëse procedurat në përgjithësi, të shikuara në tërësinë e tyre, janë mbajtur në mënyrë të tillë saqë parashtruesi/ja të ketë pasur gjykim të drejtë. Parashtruesi i kërkesë, ndër të tjera kishte ngritur edhe pretendime të tjera për shkeljen e të drejtave kushtetuese të tij, për të cilat Gjykata vlerësoi se vetëm përmendja e neneve ose referimi në to nuk është e mjaftueshme për të ndërtuar një pretendim të argumentuar për shkelje kushtetuese.
Për pasojë dhe bazuar edhe në sqarimet e dhëna në Aktvendimin e publikuar, Gjykata në fund, konkludoi se: (I) pretendimet përkitazi me interpretimin e gabuar të ligjit dhe vlerësimin e gabuar të fakteve, i përkasin kategorisë së parë (i) të pretendimeve që kategorizohen si pretendime “të shkallës së katërt”, andaj, si të tilla këto pretendime në baza kushtetuese deklarohen qartazi të pabazuara; (II) pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkelje të neneve 21 dhe 24 të Kushtetutës, i përkasin kategorisë së tretë (iii), nënkategorisë (a), të pretendimeve “të pambështetura ose të paarsyetuara”, andaj, si të tilla, në baza kushtetuese edhe këto pretendime shpallën qartazi të pabazuara. Rrjedhimisht, kërkesa në tërësinë e saj u shpall e papranueshme në baza kushtetuese në pajtim me rregullin 39 (2) të Rregullores së punës.
N.T.Sh. “Dolphin”
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Administrative