KI57/23, Parashtrues Ismet Ferati, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [Ac.nr.9423/21], të 6 dhjetorit 2022, të Gjykatës së Apelit të Kosovës
KI57/23, Aktvendim për Papranueshmëri, i 30 gushtit 2023, publikuar më 19 shtator 2023
Fjalët kyçe: kërkesë individuale, kërkesë për paga jubilare, qartazi e pabazuar, mungesë evidente e shkeljes
Rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës ndaj ish-punëdhënësit të tij, gjegjësisht Korporatës Energjetike të Kosovës, për njohjen e të drejtës në shpërblim për 3 (tri) paga jubilare bazuar në Marrëveshjen e Përgjithshme Kolektive. Gjykata Themelore kishte aprovuar padinë e parashtruesit të kërkesës si të bazuar. Si rezultat i ankesës së parashtruar nga ana e ish-punëdhënësit kundër Aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Gjykatën e Apelit, kjo e fundit përmes Aktgjykimit të kontestuar [Ac.nr.9423/21], të 6 dhjetorit 2022, ndryshoi Aktgjykimin e Gjykatës Themelore dhe e refuzoi si të pabazuar kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës me arsyetimin se të njëjtit nuk i takon e drejta në shpërblim jubilar për shkak që 40 (dyzet) vjet përvojë pune i ka mbushur më 15 gusht 2012, gjegjësisht, para hyrjes në fuqi të Marrëveshjes së Përgjithshme Kolektive.
Parashtruesi i kërkesës pretendoi se përmes Aktgjykimit të kontestuar të Gjykatës së Apelit atij i është shkelur e drejta e garantuar me nenin 31 të Kushtetutës. Gjykata vë në pah se parashtruesi i kërkesës në kërkesën e tij nuk kishte specifikuar se si kjo e drejtë është shkelur në rastin e tij, mirëpo i njëjti, sipas kërkesës së Gjykatës, përmes shkresës së tij plotësuese, të dorëzuar më 22 maj 2023 kishte bashkëngjitur 4 (katër) aktgjykime të Gjykatës së Apelit, ku kishte pretenduar cenim të sigurisë juridike, si rezultat i vendimeve kundërthënëse te gjykatat e rregullta.
Bazuar në praktikën gjyqësore të saj dhe të GJEDNJ-së, Gjykata sqaroi se për të përcaktuar nëse një divergjencë e vendimeve gjyqësore e pretenduar përbën shkelje të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, duhet të përcaktohet si në vijim: (i) nëse ekzistojnë dallime “të thella dhe afatgjata” në praktikën gjyqësore; (ii) nëse ligji vendor përcakton mekanizma të aftë për të zgjidhur divergjenca të tilla; dhe (iii) nëse ata mekanizma janë zbatuar dhe me çfarë efekti.
Përkitazi me ngjashmërinë faktike dhe juridike të rasteve të cilat parashtruesi i kërkesës pretendoi se janë zgjidhur ndryshe nga gjykatat e rregullta, duke rezultuar në vendime kundërthënëse në praktikën gjyqësore, Gjykata vërejti se në rastin e parashtruesit të kërkesës, Gjykata e Apelit kishte konstatuar se nuk i takon e drejta në shpërblim jubilar për shkak se i njëjti nuk ka përmbushur vitet e përvojës gjatë periudhës kohore që Marrëveshja e Përgjithshme Kolektive ka qenë në fuqi, ndërsa në anën tjetër, në 4 (katër) rastet e tjera, kopjet e të cilave parashtruesi i kërkesës i kishte dorëzuar në Gjykatë më 22 maj 2023, gjykatat e rregullta kishin arsyetuar që paditësve respektiv nuk i është parashkruar e drejta për shpërblim jubilar si dhe që kjo e drejtë iu takon sepse kanë përmbushur kushtin e përvojës së punës.
Rrjedhimisht, Gjykata vlerësoi se nuk është e mundur të konstatohet ekzistimi i “dallimeve të thella dhe të vazhdueshme” në praktikën gjyqësore të Gjykatës së Apelit që rrezikojnë parimin e sigurisë juridike, duke u thirrur në 4 (katër) aktgjykime të Gjykatës së Apelit, rrethanat e të cilave dallojnë me rastin e parashtruesit të kërkesës dhe si rezultat i kësaj, e shpalli kërkesën e parashtruesit të papranueshme si qartazi të pabazuar, në kategorinë e “mungesës evidente të shkeljes”, siç është përcaktuar me paragrafin 2 të rregullit 34 të Rregullores së punës.
Ismet Ferati
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Civile