KI154/23, parashtrues Afrim Tafarshiku, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [AC. Nr. 8304/2021], të 20 shkurtit 2023, të Gjykatës së Apelit të Kosovës
KI154/23, Aktgjykim i 28 majit 2024, publikuar më 12 korrik 2024
Fjalët kyçe: kërkesë individuale, e drejta në gjykim të drejtë dhe të paanshëm, barazia e armëve, parimi i kontradiktoritetit procedural
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, më 28 maj 2024, ka vendosur lidhur me kërkesën KI154/23, nëpërmjet së cilës është kërkuar vlerësimi i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [AC. Nr. 8304/2021] të 20 shkurtit 2023 të Gjykatës së Apelit të Republikës së Kosovës. Gjykata, vendosi: (i) njëzëri, të deklarojë kërkesën të pranueshme dhe të konstatojë se ka pasur shkelje të paragrafit 1 të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës në lidhje me paragrafin 1 të nenit 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut; si dhe (ii) me 8 (tetë) vota për dhe 1 (një) kundër, të shpallë të pavlefshëm Aktgjykimin e kontestuar të Gjykatës së Apelit, si dhe të kthejë të njëjtin për rishqyrtim në pajtim me Aktgjykimin e kësaj Gjykate.
Rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës për njohjen e të drejtës në kompensim të 3 (tri) pagave jubilare ndaj Korporatës Energjetike të Kosovës, pasi kjo e fundit kishte refuzuar kërkesën e parashtruesit të kërkesës për njohjen e të drejtës në kompensimin e lartcekur. Gjykata Themelore kishte aprovuar padinë e parashtruesit të kërkesës si të bazuar, ndërsa duke vepruar sipas ankesës së Korporatës Energjetike të Kosovës, Gjykata e Apelit ndryshoi Aktgjykimin e Gjykatës Themelore dhe e refuzoi si të pabazuar kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës. Bazuar në shkresat e lëndës, në ankesën e paraqitur para Gjykatës së Apelit nga Korporata Energjetike e Kosovës, parashtruesi i kërkesës kishte paraqitur përgjigje në ankesë. Megjithatë, Gjykata e Apelit nuk e kishte shqyrtuar të njëjtën.
Parashtruesi i kërkesës para Gjykatës kontestoi Aktgjykimin e lartcekur të Gjykatës së Apelit, duke pretenduar shkelje të të drejtave të tij të mbrojtura me nenet 3 [Barazia para Ligjit], 24 [Barazia para Ligjit], 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës 32 [E Drejta për Mjete Juridike] dhe 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës në lidhje me nenet 6 (E drejta për një proces të rregullt) dhe 13 (E drejta për zgjidhje efektive) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, në esencë, për shkak të: (i) mungesës së shqyrtimit të përgjigjes së tij në ankesën e ushtruar nga pala kundërshtare dhe si pasojë, shkeljes së parimit të “barazisë së armëve”; (ii) zbatimit të gabuar të ligjit; si dhe (iii) mungesës së konsistencës, përkatësisht divergjencës në praktikën gjyqësore të Gjykatës së Apelit ndërlidhur me kontestet përkitazi me pagat jubilare.
Gjatë shqyrtimit të pretendimeve të parashtruesit të kërkesës, Gjykata vlerësoi se pretendimet thelbësore të parashtruesit në rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me parimin e “barazisë së armëve” dhe parimin e “kontradiktoritetit”, si rezultat i mos shqyrtimit nga Gjykata e Apelit të përgjigjes së parashtruesit të kërkesës ndaj ankesës së palës kundërshtare. Në vijim të kësaj, Gjykata elaboroi fillimisht: (i) parimet e përgjithshme përkitazi me “barazinë e armëve” dhe parimin e “kontradiktoritetit” procedural, të garantuara me Kushtetutë dhe Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe praktikën relevante gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, si dhe më pas (ii) aplikoi të njëjtat në rrethanat e rastit konkret.
Bazuar në këto parime, Gjykata së pari sqaroi që një përgjigje në ankesë ishte paraqitur nga parashtruesi i kërkesës brenda afatit ligjor dhe vlerësoi se, Gjykata e Apelit për shkak të mos shqyrtimit të përgjigjes në ankesë, në Aktgjykimin [AC. Nr. 8304/2021] e 20 shkurtit 2023, ka dështuar të garantojë zbatimin e parimit të “barazisë se armëve” dhe “parimin e kontradiktoritetit” procedural, sepse parashtruesi i kërkesës është vënë në një disavantazh të konsiderueshëm vis-à-vis palës kundërshtare, dhe si pasojë është privuar nga mundësia për të pasur një ballafaqim real dhe përmbajtjesor me argumentet dhe pretendimet e paraqitura nga pala kundërshtare.
Rrjedhimisht, dhe siç është shpjeguar në Aktgjykimin e publikuar, Gjykata konstatoi që Aktgjykimi [AC. Nr. 8304/2021] i 20 shkurtit 2023, të Gjykatës së Apelit të Kosovës është nxjerrë në shkelje të të drejtave kushtetuese të parashtruesit të kërkesës, të garantuara me paragrafin 1 të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës, në lidhje me paragrafin 1 të nenit 6 [E drejta për një proces të rregullt] të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Gjykata gjithashtu theksoi faktin se, konstatimi i saj ndërlidhet vetëm me garancitë procedurale lidhur me parimin e “barazisë së armëve” dhe parimin e “kontradiktoritetit” procedural, përkatësisht mungesën e shqyrtimit të përgjigjes në ankesë nga ana e Gjykatës së Apelit dhe se, në asnjë mënyrë nuk ndërlidhet dhe nuk paragjykon rezultatin e meritave të rastit. Ky Aktgjykim është plotësuar edhe me mendim konkurrues.
Afrim Tafarshiku
KI - Kërkesë individuale
Aktgjykim
Shkelje e të drejtave kushtetuese
Neni 3 - Barazia para Ligjit, Neni 24 - Barazia para Ligjit, Neni 31 - E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm , Neni 32 - E Drejta për Mjete Juridike , Neni 54 - Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave, Neni 102 – Parimet e Përgjithshme të Sistemit Gjyqësor
Civile