KI253/23, Parashtrues: Driton Musa, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [Ac. nr. 6260/2021] të 17 majit 2023 të Gjykatës së Apelit
KI253/23, Aktvendim për papranueshmëri, i 26 qershorit 2024, publikuar më 18 korrik 2024
Fjalët kyç: kërkesë individuale, e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, qartazi e pabazuar
Rrethanat e rastit konkret, rezultojnë nga kërkesa e parashtruesit të kërkesës për pagimin e tri pagave jubilare nga ana e punëdhënësit, KEK-ut. Parashtruesi i kërkesës kishte paraqitur padi në Gjykatën Themelore kundër KEK-ut ku kishte kërkuar pagimin e tri pagave jubilare pas pensionimit. Gjykata Themelore kishte aprovuar padinë e parashtruesit të kërkesës dhe kishte detyruar KEK-un që t’ia paguaj tri paga jubilare në shumë prej 2,379 euro. KEK kishte bërë ankesë në Gjykatën e Apelit, ku kjo e fundit e kishte aprovuar ankesën e KEK-ut dhe kishte ndryshuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore dhe kishte refuzuar kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës. Parashtruesi i kërkesës paraqiti propozim pranë Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit për paraqitjen e kërkesës për mbrojtjen e ligjshmërisë, i cili propozim u refuzua nga ana e Prokurorit të Shtetit.
Gjykata rikujtoi se parashtruesi i kërkesës pretendon se me Aktgjykimin e kontestuar të Gjykatës së Apelit, i janë shkelur të drejtat e tij të garantuara me nenet: 3 [Barazia para Ligjit], 7 [Vlerat] dhe 24 [Barazia para Ligjit] të Kushtetutës.
Gjykata rikujtoi se parashtruesi i kërkesës pretendon që në rastin e tij: “Habit fakti që edhe në gjykatën e shkallës së parë edhe në atë të shkallës së dytë veprohet me standarde të ndryshme, pavarësisht se rastet kanë fakte, dëshmi dhe bazë ligjore identike lidhur me pagat jubilare”.
Gjykata konsideroi se parashtruesi i kërkesës megjithatë nuk ka arritur të përmbushë kriterin sa i përket “dallimeve të thella dhe afatgjata” të praktikës gjyqësore të Gjykatës së Apelit, për faktin se Gjykatës ia ka dorëzuar dy vendime të Gjykatës së Apelit, të cilat dallojnë nga rasti i parashtruesit të kërkesës, për arsye se tek ato Gjykata e Apelit kishte vendosur para Mendimit Juridik të Gjykatës Supreme nr. 40/2023 të 27 shkurtit 2023, dhe ku ende nuk kishte një qëndrim të qartë lidhur me këtë çështje, ndërsa te rasti i parashtruesit të kërkesës, Gjykata e Apelit kishte vendosur pas mendimit juridik të Gjykatës Supreme. Pra, në bazë të kësaj, Gjykata nuk mund të konstatojë lëshimin e Gjykatës së Apelit për t’i trajtuar çështjet e njëjta faktike dhe juridike në përputhje me praktikën e saj gjyqësore. Në këtë kontekst, nuk mund të ndërtohet një pretendim për jokonsistencë në praktikën gjyqësore, dhe të konstatohet se ka pasur megjithatë “dallime të thella dhe afatgjata” në praktikën gjyqësore.
Përveç kësaj, është e pamundur të konstatohet se në rrethanat e rastit konkret praktika e Gjykatës së Apelit, në lidhje me konteste të natyrës së punës ka pësuar “dallime të thella dhe afatgjata” ku një mori individësh (punonjësish) kanë përfituar nga praktika e konsoliduar gjyqësore dhe një individi i është mohuar një përfitim i tillë, si rezultat i vendimmarrjes jokonsistente. Në këtë kuptim, parashtruesi i kërkesës ka sjellë dy aktgjykime të Gjykatës së Apelit, në të cilat parashtruesi pretendon se Gjykata e Apelit ka vendosur ndryshe nga rasti i tij. Mirëpo, Gjykata vëren se në rastin e parashtruesit të kërkesës, Gjykata e Apelit e ka refuzuar kërkesëpadinë e tij, duke u mbështetur në nenet përkatëse të kontratës kolektive, e po në këtë mënyrë ishte konstatuar edhe nga Gjykata Supreme përmes mendimit juridik nr. 40/2023 të 27 shkurtit 2023.
Në këtë kontekst, parashtruesi i kërkesës ka dështuar t’i ofrojë Gjykatës dëshmi në lidhje me “dallimet e thella dhe afatgjata” për të konstatuar se Gjykata e Apelit në rastin e tij ka vendosur në kundërshtim me praktikën e konsoliduar gjyqësore, ndër vite. Përveç kësaj, nëse Gjykata do të lëshohej në vlerësimin e ligjshmërisë së vendimeve të Gjykatës së Apelit, duke bërë krahasime dhe analizë, se cili prej vendimeve të saj është më i drejti dhe i bazuar në ligj, do të ndërhynte në juridiksionin dhe pavarësinë e gjyqësorit të rregullt.
Gjykata vërejti po ashtu se parashtruesi i kërkesës pretendoi se Gjykata e Apelit ka bërë interpretim të gabuar të nenit 87 të Ligjit të Punës, ku thekson se “Andaj, kërkojmë nga Gjykata Kushtetuese të na sqarojë se a ka parashkrim të kërkesëpadisë së palës sipas nenit 87 të Ligjit të Punës bazuar në faktin se MPKK ka qenë në fuqi deri me dt. 31.12.2017, e padia e rastit në fjalë për paga jubilare është paraqitur me dt. 20.12.2017, ende pa kaluar 3 vite”.
Lidhur me këtë pretendim, Gjykata vërejti se Gjykata e Apelit arsyetoi në mënyrë të detajuar se në bazë të cilave prova dhe në bazë të të cilave dispozita materiale kanë nxjerrë aktgjykimet përkatëse, duke iu përgjigjur pretendimeve të parashtruesit të kërkesës lidhur me vërtetimin e gabuar të gjendjes faktike dhe zbatimin e gabuar të së drejtës materiale.
Gjykata vlerësoi se çështja e pagave jubilare është çështje që përcaktohet nga gjykatat e rregullta në kuadër të detyrave dhe prerogativës së tyre për konstatim të gjendjes faktike dhe zbatim të ligjit material e procedural në rastet individuale dhe se në këtë drejtim nuk mund të thuhet se janë cenuar garancitë procedurale nga neni 31 i Kushtetutës. Veç kësaj, Gjykata Supreme përmes mendimit juridik të lartcituar, ka ardhur në përfundim se për t’i takuar pagat jubilare një punëtori, duhet që viti jubilar të arrihet në kohën e zbatimit të marrëveshjes kolektive, e që është koha nga 1 janari 2015 deri më 31 dhjetor 2017, gjë që vërtetohet se parashtruesi i kërkesës nuk e ka plotësuar këtë kriter, pasi që ai vitin jubilar e kishte arritur në vitin 2013 kur në atë kohë nuk kishte marrëveshje kolektive.
Prandaj, Gjykata konkludoi se pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkeljen e së drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm për shkak të zbatimit të gabuar të dispozitave ligjore, të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës dhe nenin 6 të KEDNj-së janë (i) pretendime që bien në kategorinë e “shkallës së katërt” dhe si të tilla, këto pretendime të parashtruesit të kërkesës janë qartazi të pabazuara në baza kushtetuese, siç përcaktohet në paragrafin (2) të rregullit 34 të Rregullores së punës.
Parashtruesi i kërkesës po ashtu pretendoi se Aktgjykimi i kontestuar i Gjykatës së Apelit shkelë të drejtat e tij të garantuara me nenet 3, 7 dhe 24 të Kushtetutës. Mirëpo, parashtruesi i kërkesës vetëm i përmend nenet përkatëse, por nuk shtjellon më tutje se si dhe përse ka ardhur deri te shkelja e këtyre neneve përkatëse të Kushtetutës. Gjykata rikujton se ajo ka theksuar vazhdimisht se vetëm referimi dhe përmendja e neneve të Kushtetutës dhe të KEDNj-së nuk është e mjaftueshme për të ndërtuar një pretendim të argumentuar për shkelje kushtetuese. Kur pretendohen shkelje të tilla të Kushtetutës, parashtruesit e kërkesave duhet të sigurojnë pretendime të arsyetuara dhe argumente bindëse.
Rrjedhimisht, kërkesa në tërësinë e saj, u deklarua e papranueshme.
Driton Musa
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Civile