Prishtinë, më 22 maj 2023
Nr. Ref.:RK 2192/23
AKTVENDIM PËR PAPRANUESHMËRI
në
rastin nr. KI24/23
Parashtrues
Sami Nuredini
Vlerësim i kushtetutshmërisë
së Aktgjykimit Ac.nr.5716/20 të 27 prillit 2021 të Gjykatës së Apelit të Republikës së Kosovës
GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
e përbërë nga:
Gresa Caka-Nimani, kryetare
Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar
Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare
Safet Hoxha, gjyqtar
Radomir Laban, gjyqtar
Remzije Istrefi-Peci, gjyqtare
Nexhmi Rexhepi, gjyqtar dhe
Enver Peci, gjyqtar
Parashtruesi i kërkesës
Kërkesa është dorëzuar nga Sami Nuredini nga Komuna e Mitrovicës, i cili përfaqësohet para Gjykatës nga Ilir Gashi, avokat nga Prishtina (në tekstin e mëtejmë: parashtruesi i kërkesës).
Vendimi i kontestuar
Parashtruesi i kërkesës konteston Aktgjykimin [Ac.nr.5716/20] të 27 prillit 2021 të Gjykatës së Apelit të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata e Apelit).
Parashtruesi i kërkesës po ashtu ka kërkuar mbajtjen e seancës dëgjimore.
Objekti i çështjes
Objekt i çështjes është vlerësimi i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të kontestuar të Gjykatës së Apelit, përmes së cilit pretendohet se parashtruesit të kërkesës i janë shkelur të drejtat dhe liritë e tij themelore të garantuara me nenet 24 [Barazia para Ligjit] dhe 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta).
Baza juridike
Kërkesa bazohet në paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 22 (Procedimi i kërkesës) dhe 47 (Kërkesa individuale) të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Ligji) dhe në rregullin 32 (Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve) të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).
Procedura në Gjykatën Kushtetuese
Më 6 shkurt 2023, parashtruesi i kërkesës e dorëzoi kërkesën në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata).
Më 9 shkurt 2023, Kryetarja e Gjykatës, përmes Vendimit [nr.GJR.KI24/23], caktoi gjyqtarin Enver Peci gjyqtar raportues dhe Kolegjin shqyrtues, të përbërë nga gjyqtarët: Gresa Caka-Nimani (kryesuese), Bajram Ljatifi dhe Radomir Laban, (anëtarë).
Më 10 shkurt 2023, Gjykata e njoftoi parashtruesin e kërkesës dhe për regjistrimin e kërkesës dhe një kopje e kërkesës iu dërgua Gjykatës Supreme.
Më 27 prill 2023, Kolegji shqyrtues shqyrtoi raportin e gjyqtarit raportues dhe njëzëri i rekomandoi Gjykatës papranueshmërinë e kërkesës.
Përmbledhja e fakteve
Parashtruesi i kërkesës para Gjykatës konteston Aktgjykimin [Ac.nr.5716/20] të 27 prillit 2021 të Gjykatës së Apelit, duke pretenduar se i njëjti është nxjerrë në shkelje të të drejtave dhe lirive të tij kushtetuese. Vendimi i kontestuar ndërlidhet me padinë e parashtruesit të kërkesës të paraqitur kundër Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (në tekstin e mëtejmë: QKUK) me ç ‘rast kishte kërkuar që pala e paditur t’ia paguaj shpërblimin jubilar të pagave.
Parashtruesi i kërkesës po ashtu më 17 qershor 2021 kishte paraqitur revizion në Gjykatën Supreme e cila përmes Aktvendimit [Rev.nr.426/2022] të 7 nëntorit 2022 e kishte hedhur poshtë të palejuar revizionin e parashtruesit të kërkesës, për shkak se vlera e objektit të kontestit nuk mbërrinte shumën prej 3,000 euro siç përcaktohet me nenin 211.2 të LPK-së.
Pretendimet e parashtruesit të kërkesës
Parashtruesi i kërkesës pretendon se Aktgjykimi [Ac.nr.5716/20] i Gjykatës së Apelit i 27 prillit 2021, që ndërlidhet me padinë e lartcekur për shpërblimin e pagës jubilare, është nxjerrë në shkelje të të drejtave dhe lirive të tij kushtetuese, konkretisht nenet 24 [Barazia para Ligjit] dhe 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës. Parashtruesi i kërkesës, si pretendim kryesor para Gjykatës Kushtetuese ka ngritur çështjen e diskriminimit objektivisht të pajustifikuar dhe cenimit të barazisë së armëve, duke pretenduar se Gjykata e Apelit ka përdorur standarde të dyfishta lidhur me shpërblimin e pagave jubilare çka ka rezultuar me diskriminim dhe cenim të parimit të barazisë së armëve.
Dispozitat relevante të Ligjit dhe Rregullores së punës
Ligji
Neni 49
(Afatet)
“Kërkesa parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajve. Afati fillon të ecë që nga dita kur parashtruesit i është dorëzuar vendimi gjyqësor. Në të gjitha rastet e tjera, afati fillon të ecë në ditën kur vendimi ose akti është shpallur publikisht. Nëse kërkesa është e drejtuar kundër një ligji, atëherë afati fillon të ecë që nga dita kur ligji ka hyrë në fuqi.”
Rregullorja e punës
Rregulli 39
(Kriteret e pranueshmërisë)
“(1) Gjykata mund ta konsiderojë një kërkesë të pranueshme nëse:
[…]
c) kërkesa parashtrohet brenda katër (4) muajsh nga dita kur vendimi i mjetit të fundit efektiv juridik i është dorëzuar parashtruesit, dhe
[…].”
Vlerësimi i pranueshmërisë së kërkesës
Gjykata së pari shqyrton nëse janë përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara me Kushtetutë dhe të specifikuara më tej me Ligj dhe Rregullore të punës. Në këtë drejtim, sipas paragrafit 1 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, Gjykata vendos vetëm për rastet e ngritura para Gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar. Ndërsa, sipas paragrafit 7 i të njëjtin nen të Kushtetutës, individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet e pretenduara të të drejtave dhe lirive të tyre individuale të garantuara me Kushtetutë nga autoritetet publike, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.
Gjykata më tej i referohet kritereve të pranueshmërisë, siç specifikohen më tej në Ligj. Në lidhje me këtë, sipas paragrafit 1 të nenit 47 (Kërkesa individuale), çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tij individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik. Sipas paragrafit 2 të të njëjtit nen, individi mund të ngre kërkesën në fjalë vetëm pasi që të ketë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.
Gjykata vëren se në rrethanat e rastit konkret, parashtruesi i kërkesës kishte paraqitur revizion në Gjykatën Supreme kundër Aktgjykimit të Gjykatës së Apelit [Ac.nr.5716/20] të 27 prillit 2021. Gjykata Supreme përmes Aktvendimit [Rev.nr.426/2022] të 7 nëntorit 2022 e kishte hedhur poshtë të palejuar revizionin e parashtruesit të kërkesës, për shkak se vlera e objektit të kontestit nuk mbërrinte shumën prej 3,000 euro siç përcaktohet me nenin 211.2 të LPK-së.
Gjykata rikujton se, në rastin e parashtruesit, pas pranimit të Aktgjykimit [Ac.nr.5716/20] të 27 prillit 2021 të Gjykatës së Apelit, asgjë nuk e ka ndaluar atë t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese. Megjithatë, parashtruesi i kërkesës më 17 qershor 2021 kishte paraqitur revizion në Gjykatën Supreme i cili ishte hedhur poshtë nga e njëjta për shkak të mos plotësimit të kushtit ligjor nga neni 211.2 i LPK-së (shih rastin e Gjykatës KI112/19 parashtrues Ilir Kabashi, Aktvendim për papranueshmëri i 7 nëntorit 2019, paragrafi 42).
Gjykata rikujton po ashtu se parashtruesi duhet t’i shterojë të gjitha mjetet juridike të cilat pritet të jenë efektive dhe të mjaftueshme. Vetëm mjetet efektive mund të merren parasysh nga Gjykata, pasi parashtruesi nuk mund të zgjasë afatet kohore strikte të parapara me Ligj dhe Rregullore të punës, duke u përpjekur të ushtrojë mjete juridike që nuk janë të lejuara ose duke u ankuar në institucionet të cilat nuk kanë kompetencë që të ofrojnë mbrojtje të të drejtave për të cilat ankohet parashtruesi i kërkesës (shih rastet e Gjykatës KI112/19 parashtrues Ilir Kabashi, cituar më lart, paragrafi 38; KI120/17, parashtrues Hafiz Rizahu, Aktvendim për papranueshmëri, i 7 dhjetorit 2017, paragrafi 31, si dhe rastin e GJEDNJ-së, Fernie kundër Mbretërisë së Bashkuar, nr. 14881/04, Vendim i 5 janarit 2006).
Rrjedhimisht, si “vendim i fundit”, sipas nenit 49 të Ligjit është Aktgjykimi [Ac.nr.5716/20] i Gjykatës së Apelit, i 27 prillit 2021, me të cilin ishte refuzuar padia e parashtruesit të kërkesës që të detyrohet pala e paditur QKUK që t’ia paguaj shpërblimin e pagës jubilare, dhe i cili ishte përfundimtar dhe i paapelueshëm (shih rastin e Gjykatës KI112/19 parashtrues Ilir Kabashi, cituar më lart, paragrafi 43 dhe referencat e përmendura aty).
Gjykata rikujton se Aktgjykimi [Ac.nr.5716/20] i Gjykatës së Apelit i 27 prillit 2021 si, edhe pse parashtruesi nuk ka cekur datën e pranimit të këtij vendimi, nga faktet e rastit, është e qartë së koha në mes të pranimit të aktgjykimit dhe datës së dorëzimit të kërkesës së tij, më 6 shkurt 2023, në Gjykatën Kushtetuese, ka kaluar periudhën kohore prej 4 (katër) muajsh (shih rastin e Gjykatës KI112/19 parashtrues Ilir Kabashi, cituar më lart, paragrafi 44).
Rrjedhimisht, Gjykata konkludon se kërkesa e parashtruesit në lidhje me Aktgjykimin [Ac.nr.5716/20] e Gjykatës së Apelit është dorëzuar pas afatit ligjor prej 4 (katër) muajsh.
Gjykata rikujton se qëllimi i afatit ligjor prej 4 (katër) muajve, sipas nenit 49 të Ligjit dhe sipas rregullit 39 (1) (c) të Rregullores së punës, është që të promovojë siguri juridike, duke siguruar që rastet që kanë të bëjnë me çështje kushtetuese të trajtohen brenda një periudhe të arsyeshme dhe vendimet e mëparshme të mos jenë vazhdimisht të hapura për t’u kontestuar (shih rastet e Gjykatës KI48/21 parashtrues Xhavit R. Sadrija, Aktvendim për papranueshmëri i 30 qershorit 2021, paragrafi 44; dhe KI45/21 parashtrues Samedin Bytyqi, Aktvendim për papranueshmëri i 20 majit 2021, paragrafi 35; shih gjithashtu, ndër të tjera, rastin e GJEDNJ-se Mocanu dhe të tjerët kundër Rumanisë, nr. 10865/09,45886/07 dhe 32431/08, Aktgjykim i 17 shtatorit 2014, paragrafi 258).
Si përfundim, nga arsyet e shtjelluara si më sipër, Gjykata konstaton se kërkesa nuk është dorëzuar brenda afatit ligjor të përcaktuar me nenin 49 të Ligjit dhe rregullin 39 (1) (c) të Rregullores së punës dhe rrjedhimisht, Gjykata nuk mund të shqyrtojë meritat e rastit, përkatësisht, nëse përmes Aktgjykimit të kontestuar janë shkelur të drejtat kushtetuese të parashtruesit të kërkesës.
Lidhur me kërkesën për seancë dëgjimore
Gjykata rikujton se parashtruesi i kërkesës gjithashtu ka kërkuar nga Gjykata që të mbajë seancë dëgjimore në të cilën do të paraqiten “prova shtesë për standarde të dyfishta të gjyqësorit tonë.” Në këtë drejtim, Gjykata rikujton se në bazë të paragrafit (1) të rregullit 42 (E drejta në dëgjim dhe heqja dorë) të Rregullores së punës: “Vetëm kërkesat e përcaktuara si të pranueshme mund të dëgjohen para Gjykatës, përveç nëse Gjykata, me shumicë votash, vendos ndryshe pas një arsyetimi të mirë”; ndërsa, në bazë të paragrafi (2) të po të njëjtit rregull: “Gjykata mund të urdhërojë mbajtjen e seancës dëgjimore në rast se beson se ajo është e nevojshme për të qartësuar çështje të provave apo ligjit”.
Gjykata thekson se rregulli i lartcekur i Rregullores së punës është i karakterit diskrecional. Si i tillë, ai rregull vetëm parasheh mundësinë që Gjykata të urdhërojë mbajtjen e seancës dëgjimore në rastet kur ajo beson se është e nevojshme për të qartësuar çështje të provave apo ligjit. Në rrethanat e rastit konkret, Gjykata përsëritë konstatimin se kërkesa e parashtruesit të kërkesës u deklarua e papranueshme sepse është dorëzuar jashtë afatit ligjor. Rrjedhimisht, nuk është e nevojshme mbajtja e seancës dëgjimore.
PËR KËTO ARSYE
Gjykata Kushtetuese, në pajtim me nenin 113.7 të Kushtetutës, të nenit 49 të Ligjit dhe në pajtim me rregullat 39 (1) (c) dhe 42 të Rregullores së punës, më 27 prill 2023, njëzëri
VENDOS
TË DEKLAROJË kërkesën të papranueshme;
T'UA KUMTOJË këtë Aktvendim palëve;
TË REFUZOJË, kërkesën për mbajtjen e seancës dëgjimore;
TË PUBLIKOJË këtë Aktvendim në Gazetën Zyrtare, në pajtim me nenin 20.4 të Ligjit;
Ky Aktvendim hyn në fuqi menjëherë.
Gjyqtar raportues Kryetare e Gjykatës Kushtetuese
Enver Peci Gresa Caka-Nimani
Sami Nuredini
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është paraqitur pas afatit
Administrative