KI184/22, Parashtrues: Miradije Bajqinovci, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [Ac. nr. 4991/2021] të 8 qershorit 2022 të Gjykatës së Apelit të Republikës së Kosovës
KI184/22, Aktvendim për papranueshmëri, i 17 janarit 2024, publikuar më 14 shkurt 2024
Fjalët kyç: kërkesë individuale, e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, kërkesë e papranueshme
Rrethanat e rastit konkret rezultojnë nga padia e parashtrueses së kërkesës të cilën e kishte parashtruar në Gjykatën Themelore kundër KEK-ut, ku kishte kërkuar që t’i paguhen pagat jubilare në shumë prej 2,636.26 Euro (dy mijë e gjashtëqind e tridhjetë e gjashtë euro e njëzet e gjashtë cent), për bashkëshortin e saj të ndjerë. Gjykata Themelore kishte refuzuar si të pabazuar padinë e parashtrueses së kërkesës, me arsyetimin se kërkesa për kompensimin e pagave jubilare është parashkruar. E pakënaqur me vendimin e Gjykatës Themelore për refuzimin e padisë, parashtruesja e kërkesës kishte parashtruar ankesë pranë Gjykatës së Apelit, e cila ankesë ishte refuzuar dhe ishte vërtetuar aktgjykimi i Gjykatës Themelore. Me këtë rast, parashtruesja e kërkesës parashtroi propozim për inicimin e kërkesës për mbrojtjen e ligjshmërisë pranë Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit. Zyra e Prokurorit të Shtetit refuzoi propozimin e parashtrueses së kërkesës, me arsyetimin se nuk ka bazë ligjore për inicimin e kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë.
Gjykata rikujtoi se parashtruesja e kërkesës pretendon se me Aktgjykimin e kontestuar të Gjykatës së Apelit, i janë shkelur të drejtat e saj të garantuara me nenet 24 [Barazia para Ligjit], 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] dhe 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së.
Lidhur me pretendimin e parashtrueses së kërkesës për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës për shkak të jokonsistencës së vendimeve gjyqësore, Gjykata pasi shqyrtoi ketë pretendim erdhi në përfundim që është e pamundur të konstatohet se në rrethanat e rastit konkret praktika e Gjykatës së Apelit, në lidhje me konteste të natyrës së punës ka pësuar “dallime të thella dhe afatgjata” ku një mori individësh (punonjësish) kanë përfituar nga praktika e konsoliduar gjyqësore dhe një individi i është mohuar një përfitim i tillë, si rezultat i vendimmarrjes jokonsistente. Në këtë kuptim, parashtruesja e kërkesës ka sjellë dy aktgjykime të Gjykatës së Apelit, në të cilat parashtruesja pretendon se Gjykata e Apelit ka vendosur ndryshe nga rasti i saj. Mirëpo, Gjykata vëren se në rastin e parashtrueses së kërkesës, Gjykata e Apelit e ka refuzuar ankesën e saj në aspekt procedural, për shkak të parashkrimit, ndërsa në rastet që parashtruesja iu referohet, Gjykata e Apelit kishte konstatuar se janë të mbështetura me prova, dhe kishte vazhduar tutje në shqyrtimin e pretendimeve të paditësve në fjalë, duke u bazuar në provat e paraqitura. Gjithashtu edhe në rastin e Gjykatës Supreme që parashtruesja e kërkesës i referohet, Gjykata vëren se në atë rast Gjykata Supreme nuk ishte lëshuar në prova pasi që e kishte refuzuar revizionin si të palejuar.
Në këtë kontekst, parashtruesja e kërkesës ka dështuar t’i ofrojë Gjykatës dëshmi në lidhje me “dallimet e thella dhe afatgjata” për të konstatuar se Gjykata e Apelit në rastin e saj ka vendosur në kundërshtim me praktikën e konsoliduar gjyqësore ndër vite. Përveç kësaj, nëse Gjykata do të lëshohej në vlerësimin e ligjshmërisë së vendimeve të Gjykatës së Apelit, duke bërë krahasime dhe analizë, se cili prej vendimeve të tij është më i drejti dhe i bazuar në ligj, do të ndërhynte në juridiksionin dhe pavarësinë e gjyqësorit të rregullt.
Parashtruesja e kërkesës po ashtu pretendoi se në rastin e saj është shkelur parimi i barazisë para ligjit i garantuar me nenin 24 të Kushtetutës, duke pretenduar se vendimet e KEK-ut lidhur me njohjen e të drejtës për pagë jubilare janë diskriminuese.
Gjykata konsideroi se është në diskrecionin e palës paditëse në këtë rast KEK-ut, që të nxjerr vendime lidhur me alokimin e mjeteve të saja buxhetore, dhe se vendosja i përket kompanisë. Lidhur me këtë, Gjykata vëren se këtu nuk bëhet fjalë për shkelje të barazisë para ligjit, apo për trajtim të pabarabartë, siç pretendon parashtruesja e kërkesës. Për më tepër, asnjë nga bazat e kërkuara sipas Kushtetutës, kur këto interpretohen në dritën e KEDNj-së, nuk e mbështesin pretendimin e parashtrueses së kërkesës për shkeljen e të drejtave themelore, sepse, ajo në asnjë mënyrë nuk dëshmon dhe argumenton se është trajtuar në mënyrë të pabarabartë dhe diskriminuese nga ana e Gjykatës Supreme.
Parashtruesja e kërkesës pretendoi se Aktgjykimi i kontestuar i Gjykatës së Apelit, shkel të drejtat e saj të garantuara me nenin 46 të Kushtetutës. Mirëpo, parashtruesja e kërkesës vetëm e përmend nenin përkatës, por nuk shtjellon më tutje se si dhe përse ka ardhur deri te shkelja e këtij neni përkatës të Kushtetutës. Gjykata rikujton se ajo ka theksuar vazhdimisht se vetëm referimi dhe përmendja e neneve të Kushtetutës dhe të KEDNj-së nuk është e mjaftueshme për të ndërtuar një pretendim të argumentuar për shkelje kushtetuese. Kur pretendohen shkelje të tilla të Kushtetutës, parashtruesit e kërkesave duhet të sigurojnë pretendime të arsyetuara dhe argumente bindëse.
Thënë këtë, Gjykata konsideroi se pretendimin për shkelje të së drejtës së saj të garantuar me nenin 46 të Kushtetutës, parashtruesja e kërkesës, në të vërtetë, e ka elaboruar mbi bazën e nenit 31 të Kushtetutës, duke e ndërlidhur shkeljen e kësaj të drejte themelore, me praktikën gjyqësore jokonsistente të Gjykatës së Apelit, për çfarë Gjykata sa më sipër konstatoi se në këtë pjesë kërkesa duhet të shpallet qartazi e pabazuar, në baza kushtetuese dhe rrjedhimisht e papranueshme, për arsyet e lartcekura.
Prandaj, Gjykata konstatoi se përkitazi me këtë pretendim të parashtrueses së kërkesës për shkelje të të drejtave të garantuara me nenin 46 të Kushtetutës, Gjykata konkludon që kjo pjesë e kërkesës duhet të deklarohet e papranueshme si qartazi e pabazuar.
Rrjedhimisht, kërkesa në tërësinë e saj u deklarua e papranueshme.
Miradije Bajqinovci
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Civile