Prishtinë, më 20 shkurt 2024
Nr. Ref.: RK 2341/24
VENDIM PËR REFUZIM TË KËRKESËS
në
rastin nr. KI112/23
Parashtrues
Snezhana Neshevic
Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [AC.nr.203/14] të Gjykatës së Apelit, të 17 dhjetorit 2018
GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
e përbërë nga:
Gresa Caka-Nimani, kryetare
Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar
Selvete Gërxhaliu Krasniqi, gjyqtare
Safet Hoxha, gjyqtar
Radomir Laban, gjyqtar
Remzije Istrefi Peci, gjyqtare
Nexhmi Rexhepi, gjyqtar dhe
Enver Peci, gjyqtar
Parashtruesi i kërkesës
Kërkesa është parashtruar nga Snezhana Neshevic, me vendbanim në Bijelo Polje, Republika e Malit të Zi (në tekstin e mëtejmë: parashtruesja e kërkesës).
Vendimi i kontestuar
Parashtruesi i kërkesës e konteston Aktgjykimin [AC.nr.203/14] e 17 dhjetorit 2018 të Gjykatës së Apelit të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata e Apelit).
Objekti i çështjes
Objekt i çështjes është vlerësimi i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të kontestuar, përmes së cilit pretendohet se parashtruesit të kërkesës i janë shkelur të drejtat dhe liritë themelore të tij të garantuara me nenin 31 [ E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] dhe 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta), në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) dhe nenin 1 të Protokollit numër 1, të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: KEDNJ).
Baza juridike
Kërkesa bazohet në paragrafin 4 të nenit 21 dhe paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 22 [Procedimi i kërkesës] dhe 47 [Kërkesa Individuale], të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Ligji) dhe rregullin 32 [Parashtrimi i Kërkesave dhe Përgjigjeve] të Rregullores së punës së Gjykatës (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).
Më 7 korrik 2023, Rregullorja e punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, nr. 01/2023, u publikua në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës dhe hyri në fuqi pesëmbëdhjetë (15) ditë pas publikimit të saj. Rrjedhimisht gjatë shqyrtimit të kërkesës, Gjykata Kushtetuese Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata) i referohet dispozitave të Rregullores së lartcekur, e cila ka shfuqizuar Rregulloren e punës së Gjykatës nr. 01/2018. Lidhur me këtë, konform rregullit 78 (Dispozitat kalimtare) të Rregullores së punës, nr. 01/2023, përjashtimisht, dispozita të caktuara të Rregullores së punës, nr. 01/2018, do të vazhdojnë të zbatohen në lëndët e regjistruara në Gjykatë përpara shfuqizimit të saj, vetëm nëse dhe për aq sa janë më të favorshme për palët.
Procedura në Gjykatë
Më 31 maj 2023, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata), pranoi kërkesën e parashtrueses së kërkesës.
Më 6 qershor 2023, Kryetarja e Gjykatës me Vendimin Nr.GJR.KI112/23 caktoi gjyqtarin Bajram Ljatifi Gjyqtar raportues dhe me Vendimin Nr.KSH.KI112/23 Kolegjin shqyrtues, të përbërë nga gjyqtarët: Safet Hoxha (kryesues), Nexhmi Rexhepi dhe Enver Peci (anëtar).
Më 6 qershor 2023, Gjykata e njoftoi parashtruesen për regjistrimin e kërkesës.
Më 17 janar 2024, Kolegji shqyrtues shqyrtoi raportin e Gjyqtarit raportues dhe njëzëri i rekomandoi Gjykatës që të refuzojë kërkesën me procedurë të shkurtër.
Përmbledhja e fakteve
Më 2 shtator 2009, parashtruesja e kërkesës kishte parashtruar padi për vërtetim të pronësisë në Gjykatën Themelore në Pejë. Nëpërmjet kërkesëpadisë ajo kishte kërkuar që të njihej si pronare legjitime e ngastrës kadastrale në sipërfaqe prej 1.11.98 ha, me numër 4774 dhe 4778.
Më 11 nëntor 2013, Gjykata Themelore nëpërmjet Aktgjykimit [C.nr.653/09] refuzoi si të pabazuar kërkesëpadinë e parashtrueses, për shkak të parashkrimit.
Më 17 dhjetor 2013, parashtruesja e kërkesës dorëzoi ankesë në Gjykatën e Apelit, me të cilën e kontestonte aktgjykimin e Gjykatës Themelore.
Më 17 dhjetor 2018, Gjykata e Apelit nëpërmjet Aktgjykimit [Ac.nr.203/14] refuzoi ankesën e parashtrueses së kërkesës, me arsyetimin se e drejta e saj për paraqitjen e padisë ishte parashkruar.
Më 11 prill 2019, parashtruesja e kërkesës kishte parashtruar kërkesë në Gjykatë, e regjistruar si KI59/19, nëpërmjet së cilës e kontestonte Aktgjykimin [AC.nr.203/14] e Gjykatës së Apelit, të 17 dhjetorit 2018.
Parashtruesja e kërkesës pretendonte që aktgjykimi i Gjykatës Themelore dhe i Gjykatës së Apelit shkelën të drejtat e saj kushtetuese, të garantuara me nenet 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] dhe 46 [Mbrojtja e Pronës], të Kushtetutës, në lidhje me nenet 6 (E drejta për një proces të rregullt) dhe 1 të Protokollit numër 1, të KEDNJ-së.
Gjykata vëren se, në rastin KI59/19, nëpërmjet Aktvendimit për papranueshmëri të 22 prillit 2020, Gjykata refuzoi kërkesën e parashtrueses së kërkesës si qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, dhe konstatoi se nuk kishte shkelje të nenit 31 dhe 46 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 dhe nenin 1 të Protokollit numër 1 të KEDNJ-së.
Pretendimet e parashtruesit të kërkesës
Parashtruesja e kërkesës pretendon që aktgjykimi i kontestuar i ka shkelur të drejtat dhe liritë e saj të garantuara me nenin 31 [ E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] dhe 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të KEDNJ-së.
Parashtruesja e kërkesës pretendon se: “Pikat 57, 58, 60. Paditësi iu referua procedurave gjyqësore tepër të gjata dhe siç thuhet në pikën 57, Gjykata thekson se parashtruesja e kërkesës i referohet shkeljeve të Kushtetutës duke mos argumentuar dhe mos arsyetuar se si janë shkelur ato me aktvendimin e kontestuar të Gjykatës së Apelit. Theksoj se me analizën e tërë dokumentacionit ka mundur të shihet dhe të konstatohet se në masë të madhe është në pyetje faktori subjektiv, se nuk është në pyetje afati i arsyeshëm dhe gjithashtu se nuk bëhet fjalë për një kompleksitet të madh të rastit në çka e kanë kthyer gjykatat e rregullta. Parashtruesja e kërkesës (pika 60) ka dëshmuar dhe nuk ka mbështetur mjaftueshëm pretendimet e saj për shkeljen e të drejtave dhe lirive themelore të garantuara me Kushtetutë dhe përsëri thekson neglizhencën e tërë asaj që ka të bëjë me realizimin e të drejtave të saj. Përveç kësaj, një nga argumentet është kundërshtimi tek organi kompetent për punën e gjykatave kompetente, veçanërisht të shkallës së parë, i cili nuk është pranuar”.
Parashtruesja e kërkesës pretendon se: “Në pikën 58, Gjykata rikujton, në lidhje me gjykimin brenda një afati të arsyeshëm, se arsyeshmëria, ndër të tjera, duhet vlerësuar në dritën e rrethanave të rastit individual dhe thekson se parashtruesja e kërkesës nuk ka paraqitur asnjë argument të vetëm para gjykatës. Në të vërtetë po, është përmendur në paragrafët e mëparshëm, krahas argumenteve të tjera. Për të nxjerrë vendimin e saj, Gjykata i anashkaloi të gjitha këto, si dhe shumë gjëra të tjera”.
Parashtruesja e kërkesës pretendon se: “Gjykata Kushtetuese thekson në pikat 40 e në vijim se nuk është detyrë e saj të merret me faktet apo gabimet juridike të gjykatave të rregullta, përveç dhe për aq që ato gabime mund të kenë cenuar të drejtat dhe liritë e mbrojtura me Kushtetutë. Vetë Gjykata, siç thuhet më tej, nuk mund të vlerësojë ligjin, sipas të cilit gjykata e rregullt ka vendosur të marrë një vendim të caktuar në vend të ndonjë vendimi tjetër. Prandaj, ky është edhe qëllimi dhe për shkak të tij, edhe gabimi i gjykatave të rregullta për zbatimin e ligjit për nxjerrjen e vendimeve, përmes të cilave shkelet e drejta e paditësve”.
Parashtruesja e kërkesës pretendon se: “Nga aktvendimi për papranueshmëri (pika 71) - shprehja e pazakontë për një autoritet gjyqësor, “shpresa e thjeshtë”, siç thuhet në këtë pikë, se pasuria e kontestuar nuk mund të klasifikohet as si pasuri ekzistuese as si “pasuri”. Sigurisht që është ekzistuese sepse ekziston, Gjykata duhet të kishte vendosur se e kujt është dhe parashtruesja e kërkesës edhe ka pritje legjitime dhe gjithashtu ekziston shpresa që për këtë të vendoset në mënyrë legjitime dhe që do të realizohet e drejta në të. Prandaj edhe është parashtruar padia, për të zgjidhur çështjen e pronësisë”. “Prandaj, në rastin konkret kemi të bëjmë me: cenimin e të drejtave të paditësve për shkak se nuk është vepruar sipas ligjit përkatës, shpërfilljen e provave dhe deklaratave të paditësit, shpërfilljen e deklaratave të paargumentuara dhe të sajuara të të paditurve dhe mungesës së provave të tyre, si dhe faktit se në tërë procedurën ekziston një ndërhyrje e dukshme dhe e njohur, anshmëri dhe padrejtësi”.
Vlerësimi i pranueshmërisë së kërkesës
Gjykata i referohet paragrafit 1 të nenit 116 [Efekti Juridik i Vendimeve] të Kushtetutës, që përcakton se:
"Vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të detyrueshme për gjyqësorin dhe të gjithë personat dhe institucionet e Republikës së Kosovës".
Gjykata po ashtu i referohet rregullit 35 (5) [Tërheqja, hedhja poshtë dhe refuzimi i kërkesës] të Rregullores së punës, që specifikon:
“(5) Gjykata mund të vendosë ta refuzojë një kërkesë me procedurë të shkurtër [...] nëse kërkesa është përsëritje e një kërkese të mëparshme të vendosur nga Gjykata, [...].”
Gjykata vlerëson se kërkesa e tanishme është përsëritje e kërkesës se mëparshme nr. KI59/19, të cilën Gjykata e kishte shpallur te papranueshme si qartazi të pabazuar në bazë kushtetuese, ashtu siç përcaktohet me nenin 47 të Ligjit dhe rregullin 39 (2) të Rregullores së punës.
Gjykata vëren se, parashtruesja e kërkesës nuk është e kënaqur me vendimin e Gjykatës, dhe gjithashtu i përsërit disa nga pretendimet që i kishte ngritur në kërkesën e parë, KI59/19.
Gjykata ripërsërit se vendimet e saj janë përfundimtare dhe të detyrueshme për gjyqësorin, për të gjithë personat dhe për të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës (shih rastet e Gjykatës, KI08/18, parashtrues Naser Berisha, Vendim për refuzim, i 19 prillit 2018, paragrafi 23; KI102/19, parashtrues Bedri Gashi, Vendim për refuzim, i 7 nëntorit 2019, paragrafi 19; KI43/21, parashtrues N.T.P. Arta-Impex, Vendim për refuzim, i 5 majit 2021, paragrafi 23-24).
Gjykata rithekson se ankimi individual sipas kuptimit të paragrafit 7 të nenit 113 të Kushtetutës, nuk duhet të shikohet nga parashtruesit e kërkesës si mundësi që në mënyrë të përsëritur të kërkojnë nga Gjykata rihapjen e vendimeve të saj dhe gjykimin e sërishëm të së njëjtës çështje (shih rastet e Gjykatës: KI105/16, parashtrues Feti Gashi, Vendim për refuzim të kërkesës, i 10 majit 2017, paragrafi 21, KI102/19, parashtrues Bedri Gashi, cituar më lart, paragrafi 19; KI08/18, parashtrues Naser Berisha, cituar më lart, paragrafi 22; KI43/21, parashtrues N.T.P. Arta-Impex, cituar më lart).
Gjykata konstaton se kërkesa e parashtruesit të kërkesës është përsëritje e kërkesës KI59/19, tashmë të vendosur nga Gjykata, dhe rrjedhimisht bazuar në rregullin 54 të Rregullores së punës e njëjta duhet të refuzohet me procedurë të shkurtër.
PËR KËTO ARSYE
Gjykata Kushtetuese, në pajtim me nenin 116.1 të Kushtetutës, dhe rregullin 54 (2) (b) të Rregullores së punës, në seancën e mbajtur më 17 janar 2024, njëzëri
VENDOS
TË RFEUZOJË kërkesën me procedurë të shkurtër;
T’UA KUMTOJË këtë Vendim palëve;
TË PUBLIKOJË këtë Vendim në Gazetën Zyrtare, në pajtim me nenin 20.4 të Ligjit;
Ky Vendim hyn në fuqi në ditën e shpalljes në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës në pajtim me paragrafin 5 të nenit 20 të Ligjit.
Gjyqtari raportues Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese
Bajram Ljatifi Gresa Caka Nimani
Snezhana Neshevic
KI - Kërkesë individuale
Vendim
Vendim për refuzim të kërkesës
Civile