Prishtinë, më 6 shkurt 2023
Nr. ref.:RK 2121/23
AKTVENDIM PËR PAPRANUESHMËRI
në
rastin nr. KI155/22
Parashtrues
Besa Sopi
Vlerësim i kushtetutshmërisë
së Aktgjykimit [AC-I-22-0133] të 23 majit 2022 të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme, për çështjet që lidhen me Agjencinë Kosovare të Privatizimit
GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
e përbërë nga:
Gresa Caka-Nimani, kryetare
Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar
Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare
Safet Hoxha, gjyqtar
Radomir Laban, gjyqtar
Remzije Istrefi-Peci, gjyqtare
Nexhmi Rexhepi, gjyqtar dhe
Enver Peci, gjyqtar
Parashtruesja e kërkesës
Kërkesa është parashtruar nga Besa Sopi, me vendbanim në fshatin Shirokë, Komuna e Suharekës, (në tekstin e mëtejmë: parashtruesja e kërkesës).
Vendimi i kontestuar
Parashtruesja e kërkesës e konteston kushtetutshmërinë e Aktgjykimit [AC-I-22-0133] të 23 majit 2022, të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme (në tekstin e mëtejmë: Kolegji i Apelit i DhPGjS), për çështje që lidhen me Agjencinë Kosovare të Privatizimi (në tekstin e mëtejmë: AKP), në ndërlidhje me Aktgjykimin [C-IV-14-2470] të 10 marsit 2020 të Kolegjit të Specializuar të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme (në tekstin e mëtejmë: Kolegji i Specializuar i DhPGjS).
Përkitazi me nxjerrjen e Aktgjykimit të kontestuar, parashtruesja e kërkesës kishte kuptuar nga faqja zyrtare e DhPGjS, më 21 shtator 2022, i cili personalisht i është dorëzuar të njëjtës më 3 nëntor 2022.
Objekti i çështjes
Objekt i çështjes së kërkesës është vlerësimi i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të lartcekur të Kolegjit të Apelit të DhPGjS-së, me të cilin parashtruesja e kërkesës pretendon shkeljen e të drejtave të saj të garantuara me nenet: 24 [Barazia para Ligjit], 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], 32 [E Drejta për Mjete Juridike], 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta), dhe me nenet: 6 [E drejta për një proces të rregullt], 13 [E drejta për zgjidhje efektive] dhe nenin 1 të Protokollit Nr. 12 [Ndalimi i përgjithshëm i diskriminimit] të Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut (në tekstin e mëtejmë: KEDNj).
Baza juridike
Kërkesa bazohet në paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara], nenin 22 [Procedimi i kërkesës], dhe 47 [Kërkesat individuale] të Ligjit Nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës, (në tekstin e mëtejmë: Ligji) dhe në rregullin 32 [Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve] të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).
Procedura në Gjykatën Kushtetuese
Më 11 tetor 2022, parashtruesja e kërkesës e dorëzoi kërkesën në njërën nga filialet e Postës së Republikës së Kosovës, e cila në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata), arriti dhe u regjistrua më 13 tetor 2022.
Më 25 tetor 2022, Gjykata nëpërmjet shkresës Nr.ref.:1985/22/drlsa, njoftoi parashtruesen e kërkesës për regjistrimin e kërkesës, me të cilën të njëjtës iu kërkuar të dorëzonte dëshmi për datën e pranimit të Aktgjykimi të kontestuar [AC-I-22-0133] të 23 majit 2022 të Kolegji të Apelit të DhPGjS-së.
Në të njëjtën datë, Gjykata një kopje të kërkesës ia dërgoi DhPGjS-së, nga e cila kërkoi gjithashtu të dorëzonte si dëshmi fletëkthesën përkitazi me datën e pranimit të Aktgjykimit të kontestuar nga parashtruesja e kërkesës.
Më 26 tetor 2022, Kryetarja e Gjykatës me Vendimin GJR.KSH.KI155/22 caktoi gjyqtarin Radomir Laban gjyqtar raportues dhe Kolegjin shqyrtues, të përbërë nga gjyqtarët: Gresa Caka-Nimani (kryesuese), Bajram Ljatifi dhe Nexhmi Rexhepi (anëtarë).
Më 2 nëntor 2022, DhPGjS njoftoi Gjykatën se nuk ishte e mundur të verifikohej nëse Aktgjykimi i kontestuar i është dorëzuar personalisht parashtrueses së kërkesës.
Më 8 nëntor 2022, DhPGjS njoftoi Gjykatën se parashtrueses së kërkesës i është dorëzuar Aktgjykimi i kontestuar, më 3 nëntor 2022.
Më 17 nëntor 2022, parashtruesja e kërkesës njoftoi Gjykatën, se as ajo dhe as avokati i saj nuk e kishin pranuar në kopje fizike Aktgjykimin e kontestuar, derisa DhPGjS u njoftua nga Gjykata Kushtetues për parashtrimin e kërkesës, kundër Aktgjykimit [AC-I-22-0133] të 23 majit 2022 të Kolegjit të Apelit.
Më 16 dhjetor 2022, gjyqtari Enver Peci dha betimin para Presidentes së Republikës së Kosovës, me ç’rast filloi mandati i tij në Gjykatë.
Më 25 janar 2023, Kolegji shqyrtues e shqyrtoi raportin e gjyqtarit raportues dhe njëzëri i rekomandoi Gjykatës papranueshmërinë e kërkesës.
Përmbledhja e fakteve
Parashtruesja e kërkesë parashtron për herë të dytë kërkesës në Gjykatë. Më parë kishte parashtruar kërkesën KI44/21, nëpërmjet së cilës kishte kërkuar vlerësimin e kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [AC-I-20-0091] të 21 janarit 2021, të Kolegjit të Apelit të DhPGjS, për të cilin rast Gjykata vendosi me Aktgjykimin e 1 shkurtit 2022 dhe konstatoi shkelje të nenit 31 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6.1 të KEDNj-së, duke e ndërlidhur shkeljen e këtyre dispozitave vetëm me garancitë procedurale përkitazi me të drejtën për seancë dëgjimore, dhe duke mos paragjykuar në asnjë mënyrë rezultatin e meritave të rastit që duhej rivendosur nga Kolegji i Apelit i DhPGjS.
Historiku i çështjes
Kërkesa e parë por edhe kjo e tanishmja bëjnë fjalë për një kontest civil mes parashtrueses së kërkesës dhe ndërmarrjes shoqërore N.Sh. “NBI Suhareka”, në të cilën parashtruesja e kërkesës ishte punësuar në vitin 1981 dhe kishte punuar deri në ndërprerjen e marrëdhënies së punës nga kjo ndërmarrje me Vendimin nr. 2388, të 22 korrikut 1991. Në vitin 2000, parashtruesja e kërkese kishte parashtruar padi në Gjykatën Komunale në Suharekë, kundër Vendimit të 22 korrikut 1991 të N.Sh. “NBI Suhareka” e cila ishte aprovuar nga e njejta me Aktgjykimin [C.nr.122/2000] e 1 dhjetorit 2000. Në ndërkohë parashtruesja e kërkesës, më 13 korrik 2005, kishte parashtruar padi në Gjykatën Komunale në Suharekë, për realizimin e pagave të papaguara nga ndërmarrja në fjalë, dhe Gjykata Komunale në Suharekë, me Aktvendimin [C.nr.205/05] e 23 shatorit 2005, në lidhje me kërkesëpadinë e parashtrueses së kërkesës e kishte shpallur veten jokompetenmte dhe ia kishte dërguar lëndën DhPGjS. Pas kësaj periudhe, parashtruesja e kërkesës kishte ndjekur procedurat e përshkruara si më poshtë.
Përmbledhje e shkurtër e rrethanave faktike të rastit të parë KI44/21
Procedura pranë Autoritetit të Likuidimit të AKP-së
Më 27 janar 2011, parashtruesja e kërkesës nga AKP kishte pranuar njoftimin nr. OUT-0064/11, se ndërmarrja N.Sh. “NBI Suhareka” i ishte nënshtruar procedurave të likuidimit, me 31 dhjetor 2010. Në mars dhe korrik 2011, parashtruesja e kërkesës kishte parashtruar kërkesë pranë Autoritetit të Likuidimit të AKP-së për kompensimin e pagave të papaguara për periudhën 22 korrik 1991, deri më 30 qershor 1999, në shumen prej 5,413.00 Euro, nga ndërmarrja N.Sh. “NBI Suhareka” për shkak të ndërprerjes së marrëdhënies së punës me Vendimin nr. 2388 të 22 korrikut 1991. Më 10 mars 2014, Autoriteti i Likuidimit i AKP-së, me vendimin PRZ-006-0868, e refuzoi kërkesën e parashtrueses së kërkesës, me arsyetimin se kërkesa për kompensim nuk ishte parashtruar në kohë pranë një gjykate apo organi kompetent, siç parashihej me nenin 608 të Ligjit mbi Punën e Bashkuar, dhe se e njëjta si kërkesë ishte parashkruar.
ii. Procedura në DhPGjS
Më 10 prill 2014, parashtruesja e kërkesës parashtroi ankesë në DhPGjS, kundër Vendimit [PRZ006-0868], të 10 marsit 2014 të Autoritetit të Likuidimit, nëpërmjet të cilës kërkoi kompensimin e pagave të papaguara nga ndërmarrja N.Sh. “NBI Suhareka”, duke pretenduar, mes tjerash, shkelje të dispozitave ligjore të aplikueshme dhe diskriminim në baze të ligjit. Në lidhje me ketë kërkesë, më 20 shkurt 2019, AKP, në cilësinë e palës së paditur, dorëzoi përgjigje në ankesë në DhPGjS, nëpërmjet të cilës kërkoi të refuzohej si e pabazuar ankesa e parashtrueses së kërkesës, me pretendimin se, sipas nenit 608 të Ligjit mbi Punën e Bashkuar (LPB), kërkesa për kompensimin e pagave të papaguara ishte parashkruar. Më 10 mars 2020, Kolegji i Specializuar i DhPGjS, me Aktgjykimin C-IV14-2470, refuzoi ankesën e parashtrueses së kërkesës, duke konfirmuar si të drejtë dhe të ligjshëm Vendimin e 10 prillit 2014 të Autoritetit të Likuidimit, me arsyetimin se, ankesa e parashtrueses së kërkesës ishte refuzuar për arsye të parashkrimit dhe jo për shkaqe të tjera, siç pretendohej në ankesë. Më 18 qershor 2020, parashtruesja e kërkesës, kishte parashtruar ankesë në Kolegjin e Apelit të DhPGjS, kundër Aktgjykimit të 10 marsit 2020 të Kolegjit të Specializuar të DhPGjS-së, me pretendimin se i njëjti është nxjerrë në shkelje të dispozitave të ligjit të aplikueshëm. Në lidhje me ankesën në fjalë, më 21 janar 2021, Kolegji i Apelit i DhPGjS-së, nxori Aktgjykimin AC-II-20-091, me të cilin kishte refuzuar ankesën e parashtrueses së kërkese, duke lënë në fuqi Aktgjykimin e 10 marsit 2020 të Kolegjit të Specializuar të DhPGjS-së. Në lidhje me pretendimet e ngritura në ankesë nga parashtruesja e kërkesës, Kolegji i Apelit, nder të tjera, kishte arsyetuar: “...me aktgjykimin e gjykatës komunale në Suharekë, C.nr.122/2005 të datës 01.12.2005 është anuluar vendimi mbi ndërprerjen e marrëdhënies së punës së paditëses nr. 2388 i datës 22.07.1991, mirëpo me këtë aktgjykim nuk është vendosur fare lidhur me pagat e papaguara për periudhën e caktuar. Tutje, Kolegji i Apelit vëren se paditësja edhe me datën 13 korrik 2005 e dorëzoi një padi lidhur me pagat e pretenduara ndaj NSH-së, për periudhën e cekur, dhe për këtë padi gjykate komunale në Suharekë, me aktvendimin e saj C.nr.205/05 të datës 23.09.2005, shpallet jokompetenmte dhe vendos që dosjen e lëndës ta referoj ne DHPGJS. Kolegji i Apelit konstaton se kërkesa për pagën e fundit të kërkuar të muajit qershor 1991 është parashkruar, më datë 30 qershor 2002, ndërsa pagat tjera edhe me herët [...]”.
iii. Procedura pranë Gjykatës Kushtetuese
Më 1 mars 2021, parashtruesja e kërkesës parashtroi kërkesës në Gjykatën Kushtetuese, nëpërmjet së cilës kontestoi kushtetutshmërinë e Aktgjykimit AC-II-20-091, të 21 janarit 2021, të Kolegjit të Apelit të DhPGjS. Gjykata Kushtetuese në lidhje më kërkesën KI44/21, vendosi me Aktgjykimin e 1 shkurtit 20122 dhe konstatoi se Aktgjykimi i kontestuar i 21 janarit 2021 i Kolegjit të Apelit të DhPGjS ishte marrë në shkelje të nenit 31 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 të KEDNj, respektivisht në shkelje të së drejtës për një seancë dëgjimore, duke mos paragjykuar rezultatin e meritave të rastit, ne procedurën e rivendosje në DhPGjS.
Përmbledhje e fakteve të kërkesës së tanishme KI155/22
Rivendosja nga Kolegji i Apelit i DhPGjS-së
Më 23 maj 2022, Kolegji i Apelit i DhPGjS, në procedurën e rivendosjes, bazuar në Aktgjykimin e 1 shkurrit 2022 të Gjykatës Kushtetuese, më 23 maj 2022, nxori Aktgjykimin [AC-I-22-0133], me të cilin refuzoi si të pabazuar ankesën e parashtrueses së kërkesës. Kolegji i Apelit i DhPGjS, në arsyetimin e Aktgjykimit të tij, theksoi: “...me qellim të zbatimit të Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetueses, në rastin KI44/21, ka mbajtur seancë dëgjimore në lidhje me ketë rast dhe pasi kishte analizuar themelin e padisë ka konkluduar se Aktgjykimi i ankimuar i shkallës së parë i DhPGjS është i saktë në rezultat dhe në arsyetim ligjor andaj i njëjti duhet vërtetuar”.
Pretendimet e parashtrueses së kërkesës
Parashtruesja e kërkesës pretendon se Aktgjykimi i kontestuar i Kolegjit të Apelit të DhPGjS-së, shkel të drejtat e saj të garantuara me nenet 24, 31, 32, 54 të Kushtetutës dhe nenet 6, 13 dhe nenin 1 të Protokollit Nr. 12 të KEDNj-së.
Përkitazi me pretendimin për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6.1 të KEDNj-së
Sa i përket këtij pretendimi, parashtruesja e kërkesës, thekson se Aktgjykimi i Kolegjit të Apelit është nxjerrë në kundërshtim me garancitë procedurale të garantuara nga neni 31 i Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 të KEDNj-së, duke e ndërlidhur shkeljen e neneve në fjalë me moszbatimin e Aktgjykimit të 1 shkurtit 2022 të Gjykatës Kushtetuese, në rastin KI44/21, dhe se rasti i saj ishte i ngjashëm me rastin e kolegut të saj të punës.
Duke iu referuar rastit KI44/21, parashtruesja e kërkesës pretendon se ka ndërmarrë çdo veprim qe i është kërkuar me dispozitat ligjore në fuqi, sipas nenit 12 të shtojcës së Ligjit nr.04/L-034, nenit 2.4 dhe nenit 2.5 të këtij ligji, dispozitat e të cilat sipas saj sqarojnë çështjet përkitazi me rastet e mungesës së dokumentacionit plotësues dhe rastet e humbjes së afatit, sipas nenit 608 të Ligjit Nr.53 të Punës së Bashkuar, të vitit 1976, nenit 1 dhe 129.2 të Rregullores së UNMIK-ut 1999/24, dhe nenit 130.4 të LPK-së, që mundësojnë kthimin në gjendjen e mëparshme për realizimin e te drejtave, meqë ajo kishte paraqitur kërkesë për rimbursim ne Gjykatën Komunalë në Suhareke, dhe se nuk e kishte humbur afatin për një kërkesë të tillë.
Për me tepër, parashtruesja e kërkesës pretendon se procedurat pranë kolegjeve të DhPGjS, nuk kanë qenë të drejta në tërësinë e tyre, duke iu referuar në këtë drejtim praktikes së Gjykatës Evropianë për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: GjEDNj), në rastin Edwards kundër Mbretërisë së Bashkuar, si dhe praktikes së Gjykatës, në rastin KI49/11).
Dispozitat relevante kushtetuese dhe ligjore
Kushtetuta e Republikës së Kosovës
Kapitulli II
[Të Drejtat dhe Liritë Themelore]
Neni 24
[Barazia para Ligjit]
1. Të gjithë janë të barabartë para ligjit. Çdokush gëzon të drejtën e mbrojtjes së barabartë ligjore, pa diskriminim.
2. Askush nuk mund të diskriminohet në bazë të racës, ngjyrës, gjinisë, gjuhës, fesë, mendimeve politike ose të tjera, prejardhjes kombëtare a shoqërore, lidhjes me ndonjë komunitet, pronës, gjendjes ekonomike, sociale, orientimit seksual, lindjes, aftësisë së kufizuar ose ndonjë statusi tjetër personal.
3. Parimet e mbrojtjes së barabartë ligjore nuk parandalojnë vënien e masave të nevojshme për mbrojtjen dhe përparimin e të drejtave të individëve dhe grupeve që janë në pozitë të pabarabartë. Masat e tilla do të zbatohen vetëm derisa të arrihet qëllimi për të cilin janë vënë ato.
Neni 31
[E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm]
1. Çdokujt i garantohet mbrojtje e barabartë e të drejtave në procedurë para gjykatave, organeve të tjera shtetërore dhe bartësve të kompetencave publike.
2. Çdokush gëzon të drejtën për shqyrtim publik të drejtë dhe të paanshëm lidhur me vendimet për të drejtat dhe obligimet ose për cilëndo akuzë penale që ngrihet kundër saj/tij brenda një afati të arsyeshëm, nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e themeluar me ligj.
[...]
Neni 32
[E Drejta për Mjete Juridike]
Secili person ka të drejtë të përdorë mjetet juridike kundër vendimeve gjyqësore dhe administrative të cilat cenojnë të drejtat ose interesat e saj/tij në mënyrën e përcaktuar me ligj.
Neni 54
[Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave]
Çdokush gëzon të drejtën e mbrojtjes gjyqësore në rast të shkeljes ose mohimit të ndonjë të drejte të garantuar me këtë Kushtetutë ose me ligj, si dhe të drejtën në mjete efektive ligjore nëse konstatohet se një e drejtë e tillë është shkelur.
Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut
Neni 6
[E drejta për një proces të rregullt]
Çdo person ka të drejtë që çështja e tij të dëgjohet drejtësisht, publikisht dhe brenda një afati të arsyeshëm nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e krijuar me ligj, e cila do të vendosë si për mosmarrëveshjet në lidhje me të drejtat dhe detyrimet e tij të natyrës civile, ashtu edhe për bazueshmërinë e çdo akuze penale në ngarkim të tij. Vendimi duhet të jepet publikisht, por prania në sallën e gjykatës mund t’i ndalohet shtypit dhe publikut gjatë tërë procesit ose gjatë një pjese të tij, në interes të moralit, të rendit publik ose sigurisë kombëtare në një shoqëri demokratike, kur kjo kërkohet nga interesat e të miturve ose mbrojtja e jetës private të palëve në proces ose në shkallën që çmohet tepër e nevojshme nga gjykata, kur në rrethana të veçanta publiciteti do të dëmtonte interesat e drejtësisë..
Neni 13
[E drejta për zgjidhe efektive]
E drejta për zgjidhje efektive Çdokush, të cilit i janë shkelur të drejtat dhe liritë e përcaktuara në këtë Konventë, ka të drejtën e një zgjidhjeje efektive para një organi kombëtar, pavarësisht se shkelja është kryer nga persona që veprojnë në përmbushje të funksioneve të tyre zyrtare.
Protokolli Nr. 12 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut
Neni 1
[Ndalimi i përgjithshëm i diskriminimit]
Gëzimi i çdo të drejte të parashikuar me ligj duhet të sigurohet pa asnjë diskriminim të bazuar në shkaqe të tilla si seksi, raca, ngjyra, gjuha, feja, mendimet politike ose çdo mendim tjetër, origjina kombëtare ose shoqërore, përkatësia në një minoritet kombëtar, pasuria, lindja ose çdo situatë tjetër.
Askush nuk duhet të diskriminohet nga një autoritet publik për ndonjë nga arsyet e parashikuara në paragrafin 1.
Pranueshmëria e kërkesës
Gjykata së pari shqyrton nëse janë përmbushur kriteret e pranueshmërisë të përcaktuara me Kushtetutë dhe të specifikuara më tej me Ligj dhe Rregullore të punës.
Në këtë drejtim, Gjykata i referohet paragrafëve 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, i cili përcakton:
Neni 113
[Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara]
“1. Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.
[…]
7. Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.”
[…]
Gjykata gjithashtu i referohet paragrafit 4 të nenit 21 [Parimet e Përgjithshme] të Kushtetutës, i cili përcakton:
“4. Të drejtat dhe liritë themelore të parashikuara në Kushtetutë, vlejnë edhe për personat juridikë, për aq sa janë të zbatueshme.”
Në vazhdim, Gjykata gjithashtu shqyrton nëse parashtruesja e kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, siç përcaktohen me Ligj. Në këtë drejtim, Gjykata i referohet neneve 47 (Kërkesa individuale), 48 (Saktësimi i kërkesës) dhe 49 (Afatet) të Ligjit, të cilët përcaktojnë:
Neni 47
(Kërkesa individuale)
“1. Çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tija individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik.
2. Individi mund të ngrejë kërkesën në fjalë vetëm pasi që të ketë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.”
Neni 48
(Saktësimi i kërkesës)
“Parashtruesi i kërkesës ka për detyrë që në kërkesën e tij të qartësoj saktësisht se cilat të drejta dhe liri pretendon se i janë cenuar dhe cili është akti konkret i autoritetit publik të cilin parashtruesi dëshiron ta kontestoj.”
Neni 49
(Afatet)
“Kërkesa parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajsh. Afati fillon të ecë nga dita kur parashtruesit i është dorëzuar vendimi gjyqësor...”.
Për sa i përket përmbushjes së këtyre kritereve, Gjykata fillimisht thekson se parashtruesja e kërkesës është palë e autorizuar, e cila konteston një akt të një autoriteti publik, përkatësisht Aktgjykimin [AC-I-22-0133] të 23 majit 2022 të Kolegjit të Apelit të DhPGjS, pasi i ka shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj. Parashtruesja e kërkesës gjithashtu i ka sqaruar të drejtat dhe liritë themelore që pretendon se i janë shkelur, në pajtim me kërkesat e nenit 48 të Ligjit dhe e ka dorëzuar kërkesën në pajtim me afatet e përcaktuara në nenin 49 të Ligjit.
Megjithatë, përveç kësaj, Gjykata shqyrton nëse parashtruesja e kërkesës, ka përmbushur kriteret e përcaktuara në rregullin 39 [Kriteret e pranueshmërisë], përkatësisht nënrregullin (2), të Rregullores së punës, që përcakton:
Rregulli 39
[Kriteret e pranueshmërisë]
(2) Gjykata mund ta konsiderojë kërkesën të papranueshme, nëse kërkesa është qartazi e pabazuar, sepse parashtruesi nuk dëshmon dhe nuk mbështetë në mënyrë të mjaftueshme pretendimin e tij.
Bazuar në praktikën gjyqësore të GjEDNj-së, por edhe të Gjykatës, një kërkesë mund të shpallet e papranueshme si “qartazi e pabazuar” në tërësinë e saj ose vetëm përkitazi me ndonjë pretendim specifik që një kërkesë mund të ngërthejë. Në këtë drejtim, është më e saktë t’iu referohet të njëjtave, si “pretendime qartazi të pabazuara”. Këto të fundit, bazuar në praktikën gjyqësore të GjEDNj-së, mund të kategorizohen në katër grupe të veçanta: (i) pretendime që kategorizohen si pretendime “të shkallës së katërt”; (ii) pretendime që kategorizohen me një “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes”; (iii) pretendime “të pambështetura apo të paarsyetuara”, atëherë kur plotësohet njëri nga dy nënkriteret, në vijim: a) kur parashtruesi i kërkesës thjesht citon një ose disa dispozita të Konventës apo të Kushtetutës, pa shpjeguar mënyrën se si ato janë shkelur, përveç nëse në bazë të fakteve dhe rrethanave të rastit qartazi duket shkelja e Kushtetutës dhe KEDNj-së (shih rastin e GjEDNj-së Trofimchuk kundër Ukrainës, nr. 4241/03, vendimi i 31 majit 2005; shih gjithashtu Baillard kundër Francës, nr. 6032/04, vendimi i 25 shtatorit 2008); dhe b) kur parashtruesi i kërkesës nuk paraqet ose refuzon të paraqesë prova materiale, me të cilat do t’i mbështeste pretendimet e tij (kjo posaçërisht vlen për vendimet e gjykatave ose të autoriteteve të tjera të brendshme), përveç rasteve kur ekzistojnë rrethana të jashtëzakonshme që janë jashtë kontrollit të tij dhe të cilat e pengojnë atë ta bëjë këtë (për shembull, kur administrata e burgut refuzon t’ia paraqes Gjykatës dokumentet nga dosja e një të burgosuri për të cilin bëhet fjalë) ose nëse Gjykata vet nuk vendos ndryshe (shih rastin e Gjykatës KI166/20, parashtrues, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Aktvendim për papranueshmëri, i 5 janarit 2021, paragrafi 43), dhe në fund, (iv) pretendime “konfuze dhe të paqarta” (shih, rastet e GjEDNj-së, Kemmache kundër Francës, nr. 17621/91, kategoria (i), Juta Mentzen kundër Lituanisë, nr. 71074/01, kategoria (ii) dhe Trofimchuk kundër Ukrainës, nr. 4241/03, kategoria (iii)).
Gjykata rikujton se parashtruesja e kërkesës pretendon se Aktgjykimi [AC-I-22-0133] i 23 majit 2022 i Kolegjit të Apelit të DhPGjS, i nxjerrë në riprocedurë sipas Aktgjykimit [KI44/21] të 1 shkurtit 2022 të Gjykatës Kushtetuese, serish është në shkelje të të drejtave të saj, të garantuara me nenet: 24 [Barazia para Ligjit], 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], 32 [E Drejta për Mjete Juridike], 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës, dhe me nenet: 6 [E drejta për një proces të rregullt], 13 [E drejta për zgjidhje efektive] dhe nenin 1 të Protokollit Nr. 12 [Ndalimi i përgjithshëm i diskriminimit] të KEDNj.
Gjykata, nga shkresat e lëndës vëren se thelbi i pretendimeve të parashtrueses së kërkesës ndërlidhet me moszbatimin e Aktgjykimi të 1 shkurtit 2022 të Gjykatës Kushtetuese, në rastin KI44/21, respektivisht me mos arsyetimin e pretendimeve të saj përkitazi me refuzimin e ankesës në ndërlidhje me kërkesën për kompensimin e pagave të papaguara nga ndërmarrja N.Sh. “NBI Suhareka” për periudhën 22 korrik 1991, deri më 30 qershor 1999.
Andaj, pretendimet thelbësore të parashtrueses së kërkesës Gjykata do t’i shqyrtojë dhe analizojë nga pikëpamja e të drejtave të garantuara me nenin 31 të Kushtetutës, në dritën e interpretimit të nenit 6 të KEDNj-së, duke aplikuar parimet e përcaktuara nëpërmjet praktikës gjyqësore të GjEDNj-së, në bazë të të cilave Gjykata në pajtim me nenin 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut] të Kushtetutës është e obliguar që: “Të drejtat njeriut dhe liritë themelore të garantuara me këtë Kushtetutë, interpretohen në harmoni me vendimet gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut”.
Rrjedhimisht, Gjykata do të analizojë thelbin e pretendimeve, duke rikujtuar parimet e përgjithshme përkitazi me standardet e mirëpërcaktuara nga GjEDNj dhe Gjykata sa i përket të drejtës për një vendim gjyqësor të arsyetuar dhe më pas do t’i aplikojë të njëjtat në rrethanat e rastit konkret.
Përkitazi me të drejtën për një “vendim të arsyetuar"
Parimet e përgjithshme
Garancitë e mishëruara në nenin 6, paragrafin 1 të KEDNj-së, përfshijnë edhe detyrimin e gjykatave që të paraqesin arsyetim të mjaftueshëm për vendimet e tyre (shih rastin e GJEDNj-së, H. kundër Belgjikës, nr. 8950/80, Aktgjykim i 30 nëntorit 1987, paragrafi 53). Vendimi i arsyetuar gjyqësor u tregon palëve se rasti i tyre është shqyrtuar me të vërtetë.
Përkundër faktit që gjykata e brendshme ka një liri të caktuar të vlerësimit lidhur me përzgjedhjen e argumenteve dhe vendosjes për pranueshmërinë e dëshmive, ajo është e detyruar të justifikojë veprimet e saj duke arsyetuar të gjitha vendimet e saj (shih rastet e GJEDNj-së: Suominen kundër Finlandës, nr. 37801/97, Aktgjykim i 24 korrikut 2003, paragrafi 36; si dhe rastin Carmel Saliba kundër Maltës, nr. 24221/13, Aktgjykim i 24 prillit 2017, paragrafi 73).
Gjykata më e ulët ose autoriteti shtetëror, nga ana tjetër, duhet të japin arsye dhe arsyetime të tilla të cilat do t'u mundësojnë palëve të shfrytëzojnë në mënyrë efektive çdo të drejtë ekzistuese të ankesës (shih rastin e GJEDNj-së Hirvisaari kundër Finlandës, nr. 49684/99, Aktgjykim, i 25 dhjetorit 2001, paragrafi 30).
Neni 6 paragrafi 1 i detyron gjykatat të japin arsye për vendimet e tyre, por kjo nuk do të thotë se kërkohet përgjigje e detajuar lidhur me secilin argument (shih rastet e GJEDNj-së, Van de Hurk kundër Holandës, nr. 16034/90, Aktgjykim i 19 prillit 1994, paragrafi 61; Garcia Ruiz kundër Spanjës, nr. 30544/96, Aktgjykim, i 29 janarit 1999, paragrafi 26; Perez kundër Francës, nr. 47287/99, Aktgjykim i 12 shkurtit 2004, paragrafi 81).
Nga natyra e vendimit që merr gjykata varet nëse Gjykata është e detyruar ta arsyetojë atë, dhe kjo mund të vendoset vetëm në dritën e rrethanave të rastit në fjalë: është e nevojshme të merren parasysh, ndër të tjera, llojet e ndryshme të parashtresave që një palë mund t'i paraqesë gjykatës, si dhe dallimet që ekzistojnë midis sistemeve juridike të vendeve në lidhje me dispozitat ligjore, rregullat zakonore, pozicionet juridike dhe paraqitjen dhe hartimin e aktgjykimeve (shih rastet e GJEDNj Ruiz Torija kundër Spanjës, nr. 18390/91, Aktgjykim i 9 dhjetorit 1994, paragrafi 29; Hiro Balani kundër Spanjës, nr. 18064/91, Aktgjykim i 9 dhjetorit 1994, paragrafi 27).
Megjithatë, nëse parashtresa e një pale është vendimtare për rezultatin e procedurës, ajo kërkon që t'i përgjigjet në mënyrë specifike dhe pa vonesë (shih rastet e GJEDNj-së, Ruiz Torija kundër Spanjës, nr. 18390/91, të cituar më lart, paragrafi 30; Hiro Balani kundër Spanjës, nr. 18064/91, të cituar më lart, paragrafi 28).
Prandaj, gjykatat janë të obliguara që: a) të shqyrtojnë argumentet kryesore të palëve (shih rastet e GJEDNj-së, Buzescu kundër Rumanisë, nr. 61302/00, Aktgjykim i 24 gushtit 2005, paragrafi 67; Donadze kundër Gjeorgjisë, nr. 74644/01, Aktgjykim i 7 qershorit 2006, paragrafi 35); dhe b) të shqyrtohen me shumë rigorozitet dhe kujdes të veçantë kërkesat në lidhje me të drejtat dhe liritë e garantuara me Kushtetutë, KEDNj dhe Protokollet e saj (shih rastet e GJEDNj-së: Fabris kundër Francës, 16574/08, Aktgjykim, i 7 shkurtit 2013, paragrafi 72; Wagner dhe JMWL kundër Luksemburgut, nr. 76240/01, Aktgjykim i 28 qershorit 2007, paragrafi 96).
Neni 6, paragrafi 1, nuk kërkon që Gjykata Supreme të japë një arsyetim më të detajuar kur ajo thjesht zbaton një dispozitë të caktuar ligjore lidhur me bazën ligjore për refuzimin e ankesës sepse ajo ankesë nuk ka një perspektivë për sukses (shih rastet e GJEDNj-së, Burg dhe të tjerët kundër Francës, nr. 34763/02; vendim i 28 janarit 2003; Gorou kundër Greqisë (nr. 2), nr. 12686/03, vendim i 20 marsit 2009, paragrafi 41).
Në mënyrë të ngjashme, në një rast ku bëhet fjalë për një kërkesë që të lejohet parashtrimi i ankesës, që është një parakusht për procedurën e një gjykatë më të lartë, si dhe për një vendim të mundshëm, neni 6, paragrafi 1, nuk mund të interpretohet në atë kuptim që të urdhëron një arsyetim të detajuar të vendimit për refuzimin e kërkesës për parashtrimin e ankesës (shih rastet e GJEDNj-së, Kukkonen kundër Finlandës (nr. 2), nr. 47628/06, Aktgjykim i 13 prillit 2009, paragrafi 24; Bufferne kundër Francës, nr. 54367/00, Vendimi i 26 shkurtit 2002).
Përveç kësaj, kur refuzon një ankesë, gjykata e apelit, në parim, thjesht mund të pranojë arsyetimin e vendimit të dhënë nga gjykata më e ulët (shih rastin e GJEDNj-së, Garcia Ruiz kundër Spanjës, nr. 30544/96, cituar më lart, paragrafi 26; në kundërshtim me këtë, shih Tatishvili kundër Rusisë, nr. 1509/02, Aktgjykim i 9 korrikut 2007, paragrafi 62). Megjithatë, koncepti i procedurës së drejtë nënkupton që gjykata vendase që ka dhënë një shpjegim të ngushtë për vendimet e saj, qoftë duke përsëritur arsyetimet e dhëna më parë nga një gjykatë më e ulët ose në ndonjë mënyrë tjetër, në fakt merrej me çështje të rëndësishme brenda juridiksionit të saj, që do të thotë se nuk i pranoi thjesht dhe pa përpjekje shtesë konkluzionet e arritura nga gjykata më e ulët (shih rastin e GJEDNj-së, Helle kundër Finlandës, nr. (157/1996/776/977), Aktgjykim i 19 dhjetorit 1997, paragrafi 60). Kjo kërkesë është aq më e rëndësishme nëse pala në kontest nuk ka pasur mundësi t'i paraqesë argumentet e saj gojarisht në procedurën para gjykatës vendase.
Megjithatë, gjykatat e apelit (në shkallën e dytë) të cilat kanë juridiksion për të hedhur poshtë ankesat e pabazuara dhe për të zgjidhur çështjet faktike dhe juridike në procedurën kontestimore, janë të obliguara të arsyetojnë se përse refuzuan të vendosin për ankesën (shih rastin e GJEDNj-së, Hansen kundër Norvegjisë, nr. 15319/09, Aktgjykim i 2 janarit 2015, paragrafët 77–83).
Përveç kësaj, GJEDNj nuk përcaktoi se ishte shkelur e drejta në një rast në të cilin nuk është dhënë një sqarim specifik në lidhje me një pohim që i referohej një aspekti të parëndësishëm të rastit, përkatësisht mungesës së nënshkrimit dhe vulës, që është një gabim i një natyre më shumë formale sesa materiale dhe ai gabim u korrigjua menjëherë (shih rastin e GJEDNj-së, Mugoša kundër Malit të Zi, nr. 76522/12, Aktgjykim i 21 shtatorit 2016, paragrafi 63).
Aplikimi i parimeve të përgjithshme në rrethanat e rastit konkret
Gjykata rikujton se parashtruesja e kërkesës, duke iu referuar Aktgjykimit të 1 shkurtit 2022 të Gjykatës, në rastin KI44/21, pretendon se ka ndërmarrë çdo veprim qe i është kërkuar me dispozitat ligjore në fuqi, sipas nenit 12 të shtojcës së Ligjit nr.04/L-034, nenit 2.4 dhe nenit 2.5 të këtij ligji, dispozitat e të cilat sipas saj sqarojnë çështjet përkitazi me rastet e mungesës së dokumentacionit plotësues dhe rastet e humbjes së afatit, sipas nenit 608 të Ligjit Nr.53 të Punës së Bashkuar, të vitit 1976, nenit 1 dhe 129.2 të Rregullores së UNMIK-ut 1999/24, dhe nenit 130.4 të LPK-së, që mundësojnë kthimin në gjendjen e mëparshme për realizimin e të drejtave, duke pretenduar se kishte paraqitur kërkesë për rimbursim në Gjykatën Komunalë në Suhareke, dhe se nuk e kishte humbur afatin për një kërkesë të tillë.
Gjykata paraprakisht ve në pah se në rrethanat e rastit konkret është e rëndësishme të vlerësohet nëse Kolegji i Apelit i DhPGjS, bazuar në Aktgjykimin e 1 shkurrit 2022 të Gjykatës Kushtetuese, në riprocedurë të vendosjes për themelin e ankesës së parashtrueses së kërkesës, ka përmbushur kërkesat e nenit 31 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6.1 të KEDNj-së, sa i përket të drejtës për seancë dëgjimore, dhe adresimit të pretendimeve thelbësore të parashtrueses së kërkesës.
Në ketë kontekst, Gjykata i referohet pjesëve relevante të Aktgjykimit të kontestuar [AC-I-22-0133] të 23 majit 2022 të Kolegjit të Apelit të DhPGjS-së, i cili në pjesën hyrëse të analizës ligjore, thekson: “Ne bazë të nenit 69.1 të Ligjit nr.06/L-086 mbi Dhomën e Posaçme te Gjykatës Supreme, për çështje qe lidhen me Agjencie Kosovare të Privatizimit (LDHP), Kolegji i Apelit me nismën e tij, dhe me qellim te zbatimit te kërkesave qe dalin nga Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese të Republikës se Kosovës, ne rastin KI44/21, te datës 10 mars 2022 (data e nënshkrimit) ka mbajtur seancë dëgjimore për këtë lëndë”. Tutje, ne Aktgjykim theksohet se në këtë seancë dëgjimore morën pjesë të dy palët ndërgjyqëse, por të cilat nuk kanë sjellë ndonjë provë të re që do të ishte me ndikim për të dhënë një rezultat tjetër në ketë lëndë.
Sa i përket pretendimeve të parashtrueses së kërkesës, që ndërlidhen me arsyet e refuzimit të ankesës së saj, Gjykata vëren se Kolegji i Apelit i DhPGjS,-së në adresimin e pretendimeve, theksoi se parashtruesja e kërkesës kishte dorëzuar, si dëshmi pranë këtij Kolegji, Aktgjykimin [C.nr.122/2000], e 1 dhjetorit 2000 të Gjykatës Komunalë në Suharekë, me të cilin ishte anuluar Vendimi nr.2388 i 22 korrikut 1991 mbi ndërprerjen e marrëdhënies së punës nga ndërmarrja N.SH. “NBI Suhareka”. Megjithatë në lidhje me këtë pretendim Kolegji i Apelit, arsyetoi se me Aktgjykimin e Gjykatës Komunale në Suharekë nuk është vendosur lidhur me pagat e papaguara për periudhën e cekur nga parashtruesja e kërkesës.
Tutje, në arsyetim theksohet se parashtruesja e kërkesës, më 13 korrik 2005, si dëshmi materiale, kishte dorëzuar në DhPGjS edhe një padi me të cilën kishte kërkuar kompensimin e pagave të papaguara, për të cilën Gjykata Komunale në Suharekë, kishte shpallur veten jokompetente me Aktvendimin [C.nr.205/2005] e 23 shtatorit 2005, dhe kishte vendosur që lëndën ta transferojë në DhPGjS. Megjithatë, edhe në lidhje me këtë pretendim, Kolegji i Apelit i DhPGjS theksoi: “...padia për paga e dorëzuar në Gjykatën Komunale në Suharekë më datë 13.07.2005, nuk ka mundur të ndërpresë parashkrimin, i cili vetëm se kishte ndodhur me herët, para dorëzimit të kësaj padie”.
Gjykata vëren se Kolegji i Apelit i DhPGjS, ka trajtuar gjithashtu edhe pretendimin e parashtrueses së kërkesës, se rasti i saj ishte i ngjashëm me rastin e kolegut të saj të punës E.G., duke arsyetuar se ky pretendim është i pabazuar sepse këto raste nuk janë të ngjashme për faktin se me Aktgjykimin [C.nr.123/2000] e 1 dhjetorit 2000 të Gjykatës Komunale në Suharekë është vendosur edhe përkitazi me kompensimin e pagave të paguara, kurse në rastin e parashtrueses se kërkesës Gjykata Komunale në Suharekë ka vendosur vetëm për anulimin e Vendimit [nr. 2388] të 22 korrikut 1991, me të cilin e njëjta ishte larguar nga puna. Në ketë kuptim, Kolegji në fjalë arsyetoi se është e qartë se parashtruesja e kërkesës është vonuar për t’i kërkuar pagat e humbura brenda afati prej 3 (tre) viteve, i cili ka filluar të rrjedhë nga 18 dhjetori 2000, kur Aktgjykimi i Gjykatës Komunale, në rastin e parashtrueses së kërkesës ishte bërë i formës së prerë dhe se padia e ushtruar më 13 korrik 2005 nuk ka mundur të ndërpriste parashkrimin i cili tashme kishte ndodhur më 18 dhjetor 2003.
Në këtë kontekst dhe nga arsyet e shtjelluar në Aktgjykimin e kontestuar, Kolegji i Apelit i DhPGjS-së, arrin në përfundimin se në rrethanat e rasti në shqyrtim nuk ishte e mundur të ndryshohej rezultati i dhënë me Aktgjykimin e ankimuar të Kolegjit të Specializuar të DhPGjS, andaj, ankesa e parashtrueses së kërkesës, si e tillë, është dashur të refuzohet si e pabazuar dhe Aktgjykimi i ankimuar të vërtetohej si i drejtë dhe i bazuar në ligj.
Në këtë kontekst, Gjykata vlerëson se Kolegji i Apelit i DhPGjS-së i është përgjigjur të gjitha pretendimeve të parashtrueses së kërkesës, përkitazi me ligjin e aplikueshëm në çështjen e saj, po ashtu edhe përkitazi me vendosjen ndryshe të rasteve në rrethana të ngjashme faktike dhe juridike. Gjykata rikujton, se neni 31 i Kushtetutës dhe neni 6.1 i KEDNj-së, i obligojnë gjykatat që të arsyetojnë vendimet e tyre, megjithatë, kjo nuk mund të interpretohet në mënyrë të tillë që nga ato të kërkohet përgjigje e hollësishme për secilin pretendim (shih rastet e GjEDNj-së, Van de Hurk kundër Holandës, nr. 16034/90, Aktgjykimi i 19 prillit 1994; Garcia Ruiz kundër Spanjës, nr. 30544/96, Aktgjykimi i 21 janarit 1999, paragrafi 26; Jahnke dhe Lenoble kundër Francës, [DHM], nr. 40490/98, Vendimi i 29 gushtit 2000, paragrafi 81).
Tutje, Gjykata përsërit se dispozitat e nenit 31 të Kushtetutës dhe të nenit 6.1 të KEDNj-së, nuk i garantojnë askujt rezultat të favorshëm në proces gjyqësor dhe të njëjtat dispozita as nuk përcaktojnë që Gjykata ta vë në diskutim zbatimin e të drejtës materiale nga gjykatat e rregullta të një kontesti civil, ku kryesisht njëra prej palëve fiton dhe tjetra humb (shih, ndër të tjera, rastet e Gjykatës KI118/17, parashtrues Şani Kervan dhe të tjerët, Aktvendim për papranueshmëri, i 17 janarit 2018, paragrafi 36; KI49/19, parashtrues, Limak Kosovo International Airport SH.A., "Adem Jashari" Aktvendim për papranueshmëri, paragrafi 54; dhe KI99/19, parashtruese Persa Raičević, Aktvendim për papranueshmëri, i 19 dhjetorit 2019, paragrafi 48; dhe së fundmi rastin KI68/21, parashtrues Leonard Matoshi, Aktvendimi i 8 shtatorit 2021, paragrafi 51).
Për sa më sipër, në vlerësimin e pretendimeve që ndërlidhen me shkeljen e pretenduar të nenit 31 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6.1 të KEDNj-së, Gjykata konsideron të rëndësishme të ritheksojë qëndrimin e përgjithshëm se “drejtësia” e kërkuar nga nenet e lartpërmendura nuk është drejtësi “substanciale”, por drejtësi “procedurale”. Në rrafshin praktik, koncepti i “drejtësisë procedurale” nënkupton: (i) mundësinë e procedurave kontradiktore/parimi i kontradiktoritetit procedural; (ii) mundësinë e palëve që në faza të ndryshme të procedurës të paraqesin argumente dhe dëshmi që i konsiderojnë të rëndësishme për rastin përkatës; (iii) mundësinë e kontestimit efikas të argumenteve dhe dëshmive të paraqitura nga pala kundërshtare; dhe (iv) të drejtën që argumentet e tyre të cilat, shikuar në mënyrë objektive, janë të rëndësishme për zgjidhjen e rastit, të dëgjohen dhe shqyrtohen nga gjykatat e rregullta në mënyrë të duhur (shih, ndër të tjera, rastin e GjEDNj-së Barbera, Messeque dhe Jabardo kundër Spanjës, nr. 10590/83, Aktgjykim i 6 dhjetorit 1988, paragrafi 68; dhe rastet e Gjykatës Kushtetuese; dhe KI22/19, parashtrues i kërkesës Sabit Ilazi, Aktvendim për papranueshmëri, i 7 qershorit 2019, paragrafi 42).
Marrë parasysh parimet e lartcekura, Gjykata konsideron se në rastin e parashtrueses së kërkesës në lidhje me procedurën e rivendosjes për themelin e ankesës, janë respektuar të gjitha kriteret e lartcekura nga ana e Kolegjit të Apelit të DhPGjS, andaj, edhe konkluzionet e saj sikurse janë dhënë në Aktgjykimin e kontestuar janë në pajtueshmëri me standardet e kërkuara nga neni 31 i Kushtetutës dhe neni 6.1 i KEDNj-së. Parashtruesja e kërkesës edhe më tej mund të mos jetë e kënaqur me rezultatin e gjykimit të çështjes, megjithatë, pakënaqësia e saj nuk mund vetvetiu të ngrejë pretendim të argumentueshëm për shkeljen e të drejtave dhe lirive themelore të garantuara me Kushtetutë (shih rastin e GJEDNj-së Mezotur-Tiszazugi Tarsulat kundër Hungarisë, nr. 5503/02 Aktgjykimi i 26 korrikut 2005).
Thënë këtë, Gjykata konstaton se vërejtjet e dhëna nga Gjykata Kushtetuese në Aktgjykimin e 1 shkurtit 2022, në rastin KI44/21 janë marrë parasysh nga Kolegji i Apelit i DhPGjS, sepse i njëjti ka mbajtur seancë dëgjimore për rastin në fjalë, ka arsyetuar se cilat ishin arsyet e refuzimit të kërkesës së parashtrueses së kërkesës për kompensimin e pagave të papaguara, se cili ishte ligj i aplikueshëm në rrethanat e rastit konkret, se në këtë rast konkret, nuk kemi të bëjmë me trajtim ndryshe të rasteve të ngjashme, dhe se në riprocedurë nuk janë ofruar prova të reja nga palët që do të mundësonin një rezultat tjetër ose vendosjen ndryshe të kësaj çështjeje.
Prandaj, Gjykata konsideron se Aktgjykimi i kontestuar [AC-I-22-0133] i 23 majit 2022 i Kolegjit të Apelit të DhPGjS-së, përmbush standardet e një vendimi gjyqësor të arsyetuar, sipas kuptimit të nenit 31 të Kushtetutës dhe nenit 6.1 të KEDNj-së, meqë i njëjti përmban lidhje logjike, ndërmjet bazës juridike të aplikuar, arsyetimit dhe përfundimeve të nxjerra. Për këto arsye, Gjykata konstaton se pretendimet e parashtrueses së kërkesës për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës, në kuptim të së drejtës për një vendim gjyqësor të arsyetuar dhe të vlerësimit të procedurës në tërësinë e saj, i përkasin kategorisë së tretë (iii), të pretendimeve te “pambështetura apo të paarsyetuara” andaj, si të tilla të njëjtat, në baza kushtetuese i shpallë qartazi të pabazuara.
Përkitazi me pretendimet e tjera
Në vlerësimin e pretendimeve të tjera, Gjykata vëren se parashtruesja e kërkesës, përveç pretendimeve për shkelje të së drejtës për gjykim të drejtë, pretendon dhe në shkelje të neneve 24, 32 dhe 54 të Kushtetutës, të nenit 13 dhe nenit 1 të Protokollit Nr. 12 të KEDNj-së. Megjithatë, shekja e këtyre neneve është ndërlidhur me shkeljen e procesit të rregullt gjyqësor, për të cilën Gjykata sa më lart konstatoi se kërkesa në këtë pjesë është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese. Gjykata përsërit se vetëm përmendja e neneve të Kushtetutës dhe të KEDNj-së ose ndërlidhja e tyre me një nen tjetër të Kushtetutës nuk nënkupton me automatizëm edhe shkelje të neneve të tjera të Kushtetutës dhe KEDNj-së, nëse më tej nuk argumentohet dhe shtjellohet se si dhe përse ka ardhur deri te shkelja e tyre. Gjykata vazhdimisht ka theksuar se vetëm referimi dhe përmendja e neneve të Kushtetutës dhe të KEDNj-së nuk është e mjaftueshme për të ndërtuar një pretendim të argumentuar për shkelje kushtetuese. Kur pretendohen shkelje të të drejtave të garantuara me Kushtetutë dhe KEDNj, parashtruesit e kërkesave duhet të sigurojnë pretendime të arsyetuara dhe argumente bindëse (shih, në këtë kontekst, rastet e Gjykatës: KI175/20, me parashtrues: Agjencia Kosovare e Privatizimit, Aktvendim për papranueshmëri, i 22 prillit 2021, paragrafi 81; KI166/20 parashtrues Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Aktvendim për papranueshmëri, i 17 dhjetorit 2020, paragrafi 52; KI04/21, me parashtruese Nexhmije Makolli, Aktvendim për papranueshmëri, i 11 majit 2021, paragrafët 38-39).
Për këto arsye, Gjykata konstaton se pretendimi i parashtrueses së kërkesës për shkeljen e neneve të lartcekura, i përket kategorisë së tretë (iii), nënkategorisë (a), të pretendimeve “të pambështetura apo të paarsyetuara”, andaj, si të tilla, në baza kushtetuese edhe këto pretendime duhet shpallur qartazi të pabazuar.
Përfundim
Si përmbledhje, Gjykata, duke i marrë parasysh të gjitha shtjellimet dhe konstatimet e mësipërme, konkludon se: I. pretendimet për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës, në kuptim të së drejtës për një vendim gjyqësor të arsyetuar, dhe të procesit në tërësi, i përkasin kategorisë së tretë (iii), të pretendimeve të “pambështetura apo të paarsyetuara”, andaj, si të tilla të njëjtat, në baza kushtetuese i shpallë qartazi të pabazuara; II. pretendimet e parashtrueses së kërkesës për shkelje të neneve 24, 32 dhe 54 të Kushtetutës, të nenit 13 dhe nenit 1 të Protokollit Nr. 12 të KEDNj-së, i përkasin po ashtu kategorisë së tretë (iii), nënkategorisë (a), të pretendimeve “të pambështetura ose të paarsyetuara”, andaj, si të tilla, në baza kushtetuese edhe këto pretendime i shpallë qartazi të pabazuara.
Rrjedhimisht, kërkesa në tërësinë e saj, në pajtueshmëri me rregullin 39 (2) të Rregullores së punës, duhet deklaruar qartazi e pabazuar dhe e papranueshme.
PËR KËTO ARSYE
Gjykata Kushtetuese, në pajtim me paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 të Kushtetutës, të neneve 27 dhe 49 të Ligjit dhe në pajtim me rregullat 39 (2) dhe 59 (2) të Rregullores së punës, më 25 janar 2023, njëzëri
VENDOS
TË DEKLAROJË kërkesën të papranueshme;
T'UA KUMTOJË këtë Aktvendim palëve;
TË PUBLIKOJË këtë Aktvendim në Gazetën Zyrtare, në pajtim me nenin 20.4 të Ligjit;
Ky Aktvendim hyn në fuqi menjëherë.
Gjyqtari raportues Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese
Radomir Laban Gresa Caka-Nimani
Besa Sopi
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Civile