Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme, Rev. nr. 446/2020, të 24 nëntorit 2020

Nr. të lëndës KI 68/21

Parashtruesit: Leonard Matoshi

Shkarko:

KI68/21, parashtrues: Leonard Matoshi, vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme, Rev. nr. 446/2020, të 24 nëntorit 2020

KI68/21, Aktvendim për papranueshmëri, i 3 nëntorit 2021, publikuar më 17 nëntor 2021

Fjalët kyç: kërkesë individuale, procedurë civile, e drejta për gjykim të drejtë, mos-shterim i mjeteve juridike, kërkesë qartazi e pabazuar.

Kërkesa bën fjalë për kompensim dëmi, që pretendohet t’i jetë shkaktuar parashtruesit të kërkesës nga Policia regjionale e Pejës, e cila më 21 tetor 2004 ia kishte konfiskuar automjetin e markës VW Golf IV, me qëllim të verifikimit të pronësisë. Ndaj parashtruesit të kërkesës policia kishte dorëzuar kallëzim penal, të cilin Prokuroria Komunale e Pejës, më 28 korrik 2006, e hedhë poshtë si të pabazuar. Parashtruesi i kërkesës pasi nuk kishte arritur ta kthente në posedim automjetin e tij, kishte ushtruar padi në Gjykatën Themelore në Pejë, e cila më 27 qershor 2017 e refuzoi padinë, pasi objekti i kërkuar me padi ishte parashkruar në kuptim të nenit 357 të Ligjit për Marrëdhëniet e Detyrimeve. Aktgjykimi i Gjykatës Themelore në  Pejë ishte apeluar në Gjykatën e Apelit, e cila më 20 prill 2020, refuzoi po ashtu ankesën e parashtruesit të kërkesës, me arsyetimin se nuk ka pasur vërtetim të gabuar të gjendjes faktike dhe shkelje të ligjit material dhe procedural. Parashtruesi i kërkesës më pas kishte ushtruar kërkesë për revizion në Gjykatën Supreme, e cila më 24 nëntor 2020, e refuzoi kërkesën për revizionin dhe i konfirmoi përfundimisht  vendimet e instancave më të ulëta.

Pranë Gjykatës Kushtetuese parashtruesi i kërkesës pretendoi se aktgjykimet e kontestuara të gjykatave të rregullta kanë shkelur të drejtat e tij të garantuara me nenet 24 [Barazia para Ligjit] 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] dhe 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës.

Në vlerësimin e pretendimeve, përkitazi me shkeljen e të drejtës për gjykim të drejtë, Gjykata, duke u bazuar në shkresat e lëndës, konstatoi se në rastin konkret nuk bëhet fjalë për konkluzione arbitrare apo qartazi të paarsyeshme, sepse asnjë argument i elaboruar nga parashtruesi i kërkesës, nuk e mbështeti pretendimin e tij se vendimet e gjykatave të rregullta shkelnin të drejtën e tij për gjykim të drejtë dhe të paanshëm të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës. Ndërsa në vlerësimin e pretendimit për shkelje të nenit 24 të Kushtetutës, Gjykata konsideroi se parashtruesi i kërkesës vetëm i është referuar nenit në fjalë, mirëpo i njëjti nuk kishte elaboruar tutje se si kishte ardhur deri shkelja e kësaj të drejte nga gjykatat e rregullta, andaj si rezultat i kësaj edhe ky pretendim u deklarua qartazi i pabazuar, në baza kushtetuese në pajtim me rregullin 39 (2) të Rregullores së punës. Përveç pretendimeve të mësipërme parashtruesi i kërkesës në Gjykatë pretendoi edhe në shkelje të së drejtës së pronës, megjithatë në lidhje me këtë pretendim  Gjykata konkludoi se parashtruesi i kërkesës nuk i kishte shterur të gjitha mjetet juridike në kuptimin të ngritjes së shkeljes në substancë pranë gjykatave të rregullta, para se ta ngritë të njëjtin në Gjykatën Kushtetuese. Rrjedhimisht, kërkesa në tërësinë e saj, u deklarua e papranueshme, në baza kushtetuese, në pajtim me nenin 113.7 të Kushtetutës, nenin 47.2 të Ligjit dhe rregullin 39 (1) (b) dhe (2) të Rregullores së punës.

Parashtruesit:

Leonard Matoshi

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Nuk janë shterur mjetet juridike, Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile