Prishtinë, më 19 dhjetor 2024
Nr. Ref.:RK 2589/24
AKTVENDIM PËR PAPRANUESHMËRI
në
rastin nr. KI12/24
Parashtrues
Mehmet Gashi
Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit AC-I-22-0032, i 9 shkurtit 2023, të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme
GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
e përbërë nga:
Gresa Caka-Nimani, kryetare
Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare
Bajram Ljatifi, gjyqtar
Safet Hoxha, gjyqtar
Radomir Laban, gjyqtar
Remzije Istrefi-Peci, gjyqtare
Nexhmi Rexhepi, gjyqtar
Enver Peci, gjyqtar dhe
Jeton Bytyqi, gjyqtar
Parashtruesi i kërkesës
Kërkesa është dorëzuar nga Mehmet Gashi me vendbanim në komunën e Fushë-Kosovës (në tekstin e mëtejmë: parashtruesi e kërkesës).
Vendimi i kontestuar
Parashtruesi i kërkesës konteston Aktgjykimin [AC-I-22-0032], e 9 shkurtit 2023 të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme (në tekstin e mëtejmë: Kolegji i Apelit të DHPGJS-së) në lidhje me Aktgjykimin [C-IV-14-4185] të 8 nëntorit 2021 të Kolegjit të Specializuar të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme (në tekstin e mëtejmë: Kolegji i Specializuar i DHPGJS-së).
Objekti i çështjes
Objekt i çështjes është vlerësimi i kushtetutshmërisë së Aktgjykimin [AC-I-22-0032], e 9 shkurtit 2023 të Kolegjit të Apelit të DHPGJS-së përmes së cilit pretendohet se parashtruesit të kërkesës i janë shkelur të drejtat dhe liritë themelore të tij, të garantuara me nenet 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] dhe 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta), si dhe nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin mëtejmë: KEDNJ) dhe nenin 1 (Mbrojtja e pronës) të Protokollit nr. 1 të KEDNJ-së.
Objekt i shqyrtimit është edhe kërkesa e parashtruesit të kërkesës për moszbulim të identitetit.
Baza juridike
Kërkesa bazohet në paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 22 [Procedimi i kërkesës] dhe 47 [Kërkesa Individuale] të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Ligji), në rregullin 24 [Moszbulimi i identitetit të palëve] dhe rregullin 25 [Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve] të Rregullores së punës nr. 01/2023 së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).
Procedura në Gjykatën Kushtetuese
Më 15 janar 2024, parashtruesi i kërkesës dorëzoi kërkesën në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata).
Më 25 janar 2024, Kryetarja e Gjykatës përmes Vendimit [nr. GJR. KI12/24] caktoi gjyqtarin Bajram Ljatifi gjyqtar raportues, si dhe përmes Vendimit [nr. KSH. KI12/24] Kolegjin shqyrtues, të përbërë nga gjyqtarët: Selvete Gërxhaliu-Krasniqi (kryesuese), Nexhmi Rexhepi dhe Enver Peci (anëtarë).
Më 9 shkurt 2024, Gjykata njoftoi parashtruesin dhe DHPGJS-në për regjistrimin e kërkesës. Në të njëjtën datë, Gjykata gjithashtu kërkoi nga DHPGJS që të njoftojë Gjykatën lidhur me datën kur parashtruesi i kërkesës e ka pranuar Aktgjykimin e kontestuar.
Më 16 shkurt 2024, DHPGJS ia dorëzoi Gjykatës Shënimin Zyrtar që specifikon se Aktgjykimi i kontestuar kishte qëndruar në Tabelën e Shpalljeve që nga 15 marsi 2023 deri më 22 mars 2023, si dhe Vërtetimin mi dorëzimin e dokumentit, që tregon se parashtruesit të kërkesës një kopje e Aktgjykimin të kontestuar i ishte dorëzuar më 17 janar 2024.
Më 5 nëntor 2024, Kolegji shqyrtues shqyrtoi raportin paraprak të propozuar nga Gjyqtari raportues dhe vendosi që shqyrtimin e kërkesës ta shtyjë për një seancë të radhës pas plotësimeve shtesë.
Më 26 nëntor 2024, Kolegji shqyrtues shqyrtoi raportin e gjyqtarit raportues dhe njëzëri i rekomandoi Gjykatës papranueshmërinë e kërkesës.
Përmbledhja e fakteve
Nga shkresat e lëndës rezulton se më 29 korrik 1982, parashtruesit të kërkesës në cilësinë e punëtorit të Ndërmarrjes Shoqërore Industria e Bukës dhe Ëmbëlsirave “Kosovarja” (në tekstin e mëtejmë: punëdhënësi) e cila ndërmarrje tashmë gjendet në likuidim e përfaqësuar nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (në tekstin e mëtejmë: AKP), përmes Vendimit [nr. 1152] të Komisionit për Çështje Banesore të punëdhënësit të tij, i ishte ndarë një banesë një dhomëshe në sipërfaqe prej 34.46 m2 (tridhjetë e katër pikë dyzet e gjashtë metra katror) për familjen e tij të përbërë nga 6 (gjashtë) anëtarë.
Më 27 prill 1984, Organi i vetëm punëdrejtues i punëdhënësit të parashtruesit të kërkesës, sipas kërkesës së këtij të fundit lidhur me Vendimin [nr. 11152] të 29 korrikut 1982, konstatoi si në vijim: “Banesa një dhomëshe në Prishtinë në Lagjen Bregu i diellit Rr. 3 L-2 kati i dytë nr.9 në madhësi 34,46 m2 cila i është ndar në shfrytëzim punëtorit [M.G.], sipas Vendimit të komisionit për çështje banesore nr. 1152 të dt. 29.7.1982 nuk i plotëson nevojat banesore të të lartpërmendurit sepse nuk ka madhësi të duhur për numrin e anëtarëve të familjes së punëtorit, i cili ka bashkëshorten dhe 4 fëmi të moshës së mitur. Ky konstatim nxjerrët me qëllim që në rastin e ndarjes së banesave të reja punëtorit [M.G] t’i mundësohet e drejta në zgjedhjen e çështjes banesore adekuat numrit të anëtarëve të familjes”.
Më 3 prill 1989, punëdhënësi i parashtruesit të kërkesës përmes Vendimit [nr.691] ndau një banesë tri dhomëshe në sipërfaqe rreth 68 m2 (gjashtëdhjetë e tetë metra katror), një punëtori tjetër me inicialet M.M.
Në një datë të paspecifikuar, parashtruesi i kërkesës parashtroi propozim për anulimin e Vendimit [nr. 691] të 3 prillit 1989 të punëdhënësit të tij me arsyetimin se ishte nxjerrë kundërligjshëm.
Më 8 janar 1991, Gjykata Themelore e Punës së Bashkuar në Prishtinë (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Themelore e Punës së Bashkuar) përmes Vendimit [Kb.nr.341] e anuloi Vendimin [nr. 691], e 3 prillit 1989, të punëdhënësit të parashtruesit të kërkesës.
Më 31 maj 1991, Gjykata e Punës së Bashkuar të Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata e Punës së Bashkuar) përmes Vendimit [Ž. Nr. 584/91], e vërtetoi Vendimin [Kb.nr.341] e 8 janarit 1991 të Gjykatës Themelore të Punës së Bashkuar.
Në një datë të paspecifikuar, parashtruesi i kërkesës kërkoi ekzekutimin e Vendimit [Ž. Nr. 584/91] të 31 majit 1991 të Gjykatës së Punës së Bashkuar, e cila kërkesë, nga shkresat e lëndës rezulton, se iu lejua më 5 shkurt 2001, përmes Aktvendimit [E.nr. 5/2000] të Gjykatës Komunale në Prishtinë (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Komunale), i cili detyroi punëdhënësin që të bëjë rindarjen e banesës së përcaktuar për punëtorin M.M.
Më 13 mars 2001, punëdhënësi i parashtruesit të kërkesës dorëzoi një parashtresë në Gjykatën Komunale, përmes së cilës e informoi atë se banesa e përcaktuar për punëtorin M.M. ishte shitur e blerë te pronarë të ndryshëm në periudhën prej 7 (shtatë) viteve, andaj ripërsëritja e procedurave të ndarjes së saj do të ishte e pamundur.
Nga shkresat e lëndës rezulton se më 19 korrik 2006, parashtruesi i kërkesës parashtroi në AKP një kërkesë për të drejta pronësore mbi një apartament, i cili ishte regjistruar në këtë institucion.
Më 23 janar 2014, parashtruesi i kërkesës parashtroi në AKP një kërkesë tjetër për kompensimin e diferencës së banesës bazuar në Vendimin [nr. 341/90] të 8 janarit 1991, të Gjykatës Themelore të Punës së Bashkuar, i cili ishte vërtetuar nga Vendimi [A.nr. 584/91] të 31 majit 1991 të Gjykatës së Punës së Bashkuar, me propozimin që t’i paguhet çmimi i tregut për një metër katror në vlerën prej 1,000 € (një mijë euro), respektivisht për dëmtimin në gjithsej 34 m2 (tridhjetë e katër metra katror), shumën prej 34,000€ (tridhjetë e katër mijë euro).
Më 31 mars 2014, AKP kërkoi nga parashtruesi i kërkesës informata dhe dëshmi shtesë me qëllim që të mbështesë kërkesën e tij të 19 korrikut 2006, si dhe ta specifikojë të njëjtën sepse sipas tyre ishte kontradiktore.
Më 30 prill 2014, AKP përmes Vendimit [PRN0001-0119] refuzoi kërkesën e parashtruesit si të pavlefshme me arsyetimin se Autoriteti i Likuidimit konstatoi mangësi të theksuara në dëshmitë e ofruara nga parashtruesi i kërkesës, përkatësisht, se ai nuk kishte sjellë përpara këtij autoriteti asnjë nga dokumentet e kërkuara në mbështetje të kërkesës, andaj, kërkesa mbeti tërësisht e paprovuar.
Më 15 maj 2014, parashtruesi i kërkesës parashtroi padi për kompensimin e diferencës në metra katror të banesës në DHPGJS, respektivisht kërkoi rishikimin e Vendimit [PRN0001-0119] e 30 prillit 2014, të AKP-së për refuzimin e kërkesës së tij për kompensim, duke kërkuar nga kjo e fundit që të aprovojë kërkesëpadinë e tij dhe ta detyrojë AKP-në që t’i paguajë shumën prej 1,000 € (një mijë euro) për metër katror në sipërfaqe totale për 34 m2 (tridhjetë e katër metra katror).
Më 8 nëntor 2021, Kolegji i Specializuar i DHPGJS-së përmes Aktgjykimit [C-IV-14-4185] refuzoi si të pabazuar kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës me arsyetimin se sipas vendimeve të gjykatave respektive, përkatësisht Gjykatës Themelore të Punës së Bashkuar dhe Gjykatës për Punën e Bashkuar, në të cilat mbështetet edhe kërkesëpadia, rezulton se punëdhënësi në cilësinë e të paditurit ishte i detyruar vetëm që të përsëriste procedurën e ndarjes së banesave dhe se këto vendime nuk ia kishin njohur parashtruesit të kërkesës të drejtën në kompensim material nëse nuk përsëritet procedura e ndarjes së banesave apo nëse në këtë procedurë të ndarjes së banesave nuk i ndahet një banesë tjetër me sipërfaqe që do të ishte më e madhe për 34 m2 (tridhjetë e katër metra katror), nga ajo që e kishte në shfrytëzim.
Në një datë të paspecifikuar, parashtruesi i kërkesës parashtroi ankesë kundër Aktgjykimit [C-IV-14-4185] të 8 nëntorit 2021 të Kolegjit të Specializuar të DHPGJS-së.
Më 9 shkurt 2023, Kolegji i Apelit të DHPGJS-së përmes Aktgjykimit [AC-I-22-0032]: (i) refuzoi ankesën; (ii) vërtetoi Aktgjykimin [C-IV-14-4185] të 8 nëntorit 2021 të Kolegjit të Specializuar të DHPGJS-së; dhe (iii) nuk caktoi taksa gjyqësore në procedurën ankimore. Në këtë Aktgjykim, Kolegji i Apelit të DHPGJS-së konstatoi se Aktgjykimi i kontestuar i Kolegjit të Specializuar të kësaj gjykate nuk i përmbushë standardet ligjore në lidhje me formën dhe strukturën e aktgjykimit, megjithatë, vlerësoi se i njëjti është i saktë në rezultat dhe arsyetimin juridik, andaj si të tillë e vërtetoi.
Pretendimet e parashtruesit të kërkesës
Parashtruesi i kërkesës pretendon që Aktgjykimi [AC-I-22-0032], i 9 shkurtit 2023, të Kolegjit të Apelit të DHPGJS-së, që ndërlidhet me padinë e lartcekur për kompensimin e diferencës për metra katror të banesës, është nxjerrë në shkelje të të drejtave dhe lirive të tij kushtetuese, konkretisht nenet 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] dhe 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës, nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të KEDNJ-së, si dhe nenin 1 (Mbrojtja e pronës) të Protokollit nr. 1 të KEDNJ-së.
Parashtruesi i kërkesës, si pretendim kryesor para Gjykatës ngriti çështjen e shkeljes së të drejtës në pronë, duke pretenduar që DHPGJS-ja, ka shkelur këtë të drejtë duke qenë se ia ka refuzuar kërkesëpadinë për kompensim të diferencës për metra katror të banesës. Në këtë kontekst, ai pretendon se kishte pasur pritje legjitime për të gëzuar të drejtën në pronë, me ç’rast përmend disa raste të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: GJEDNJ).
Parashtruesi i kërkesës po ashtu thekson se procedurat e stërzgjatura gjyqësore që nga “ viti 1982 deri në vitin 2003”, kanë pasur ndikim të drejtpërdrejtë në gëzimin paqësor të pronës së tij, fakt që sipas tij, mjafton për të konstatuar shkeljen e nenit 6 të KEDNJ-së.
Andaj, parashtruesi i kërkesës kërkon nga Gjykata të vendos që (i) të konstatojë shkeljen e neneve të lartcekura; dhe (ii) të anulojë Aktgjykimin e kontestuar të Kolegjit të Apelit të DHPGJS-së.
Kërkesa për moszbulim të identitetit
Gjykata vëren se parashtruesi i kërkesës ka kërkuar që identiteti i tij në procedurë para kësaj Gjykate të mos zbulohet.
Në kontekst të kësaj kërkese, parashtruesi i kërkesës arsyeton se: “Kjo kërkesë ka të bëjë me të drejta të mija personale, pra me çështje personale dhe nuk dua që opinioni të formoi për mua ndonjë bindje të papërshtatshme”.
Vlerësimi i pranueshmërisë së kërkesës
Gjykata së pari shqyrton nëse kërkesa e parashtruesit të kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara me Kushtetutë, të parashikuara me Ligj dhe të specifikuara më tej me Rregullore të punës.
Në këtë drejtim, Gjykata i referohet paragrafëve 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, i cili përcakton:
“1. Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.
[…]
7. Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.”
Në vazhdim, Gjykata gjithashtu shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, siç përcaktohen me Ligj. Në lidhje me këtë, Gjykata i referohet nenit 47 (Kërkesa individuale), nenit 48 (Saktësimi i kërkesës) dhe 49 (Afatet) të Ligjit, të cilët përcaktojnë:
Neni 47
(Kërkesa individuale)
“1. Çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tija individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik.
2. Individi mund ta ngritë kërkesën në fjalë vetëm pasi që të ketë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.”
Neni 48
(Saktësimi i kërkesës)
“Parashtruesi i kërkesës ka për detyrë që në kërkesën e tij të qartësoj saktësisht se cilat të drejta dhe liri pretendon se i janë cenuar dhe cili është akti konkret i autoritetit publik të cilin parashtruesi dëshiron ta kontestoj.”
Neni 49
(Afatet)
“Kërkesa parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajsh. Afati fillon të ecë nga dita kur parashtruesit i është dorëzuar vendimi gjyqësor...”.
Gjykata më tej i referohet edhe rregullit 29 (Llogaritja e periudhës kohore) dhe rregullit 34 (Kriteret e pranueshmërisë) të Rregullores së punës:
Rregulli 29
(Llogaritja e periudhës kohore)
“Periudha kohore, e përcaktuar në Kushtetutë, në Ligj dhe në këtë Rregullore, llogaritet si më poshtë:
[...]
(d) Kur periudha shprehet me muaj, ajo përfundon me kalimin e ditës së njëjtë kalendarike të muajit me ditën gjatë të cilës ka ndodhur ngjarja ose veprimi për të cilin duhet të llogaritet periudha kohore.
[...]
(g) përjashtimisht, nëse periudha përfundon të shtunën, të dielën ose në ndonjë festë zyrtare, ajo do të vazhdojë deri në fund të ditës së parë të punës që vjen pas saj.”
Rregulli 34
(Kriteret e pranueshmërisë)
“(1) Gjykata mund ta konsiderojë një kërkesë të pranueshme nëse:
[...]
(c) kërkesa parashtrohet brenda katër (4) muajsh nga dita kur vendimi i mjetit të fundit 20 efektiv juridik i është dorëzuar parashtruesit.”
Për sa i përket përmbushjes së këtyre kritereve, Gjykata fillimisht thekson se parashtruesi i kërkesës është palë e autorizuar, i cili konteston një akt të një autoriteti publik, përkatësisht Aktgjykimin [AC-I-22-0032], e 9 shkurtit 2023, të Kolegjit të Apelit të DHPGJS-së, pasi i ka shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.
Megjithatë, bazuar në nenin 49 (Afatet) të Ligjit, Gjykata në vijim duhet të vlerësojë nëse kërkesa është dorëzuar brenda afatit ligjor 4 (katër) mujor të përcaktuar me nenin 49 të Ligjit dhe pikën (c) të paragrafit 1 të rregullit 34 të Rregullores së punës.
Në këtë drejtim, Gjykata rikujton rregulli i afatit katër-mujor është autonom dhe duhet kuptuar dhe aplikuar bazuar në faktet e secilit rast veç e veç për të siguruar ushtrimin efektiv të së drejtës për të paraqitur kërkesën para Gjykatës. Gjykata thekson se qëllimi i afatit ligjor prej katër (4) muajve, të përcaktuar në nenin 49 të Ligjit dhe pikën (c) të paragrafit 1 të rregullit të Rregullores së punës, i shërben sigurisë juridike dhe siguron që çështjet që ngrenë çështje kushtetuese të trajtohen brenda një periudhe të arsyeshme si dhe parandalon autoritetet dhe personat e tjerë të afektuar që të mos mbahen në një gjendje pasigurie për një periudhë të gjatë (shih, ndër të tjera, rastet e Gjykatës KI61/23, me parashtrues, Hedie Bylykbashi, Aktvendim për Papranueshmëri, i 25 majit 2023, paragrafi 33; KI24/23, me parashtrues, Sami Nuredini, Aktvendim për Papranueshmëri, i 27 prillit 2023, paragrafi 21; dhe rastin e GJEDNJ-së, Lekić kundër Sllovenisë, kërkesat nr. 10865/09, 45886/07 dhe 32431/08 Aktgjykim i 11 dhjetorit 2018, paragrafi 65). Ky rregull gjithashtu i jep kohë parashtruesit potencial nëse do të paraqes një kërkesë në Gjykatë, dhe, nëse po, të vendosë për argumentet specifike që do i paraqes si dhe rrjedhën e fakteve, pasi që me kalimin e kohës bëhet i vështirë shqyrtimi i çështjeve të ngritura nga parashtruesi i kërkesës (shih, rastin e Gjykatës KI115/20, me parashtrues Muharrem Rama, Aktvendim për papranueshmëri, 3 nëntorit 2021, paragrafët 55 dhe 56; dhe rastin e GEDNJ-së, Sabri Güneş kundër Turqisë, kërkesa nr. 27396/06, Aktgjykim i 29 qershorit 2012, paragrafët 52 dhe 55).
Afati katër (4) mujor fillon të rrjedhë nga dita e vendimit të fundit në kuadër të procesit të shterimit të mjeteve juridike (shih, rastin e Gjykatës KI59/18, me parashtrues Strahinja Spasić, Aktvendim për Papranueshmëri, i 27 mars 2019, paragrafët 50 dhe 51; dhe rastin e GJEDNJ-së, Chapman kundër Belgjikës, kërkesa nr.39619/06, Vendim, i 5 marsit 2013, paragrafi 34).
Ky kriter është përcaktuar edhe përmes pikës (c) të paragrafit (1) të rregullit 34 (Kriteret e pranueshmërisë) të Rregullores së punës, që përcakton se kërkesa parashtrohet brenda katër (4) muajve nga dita kur vendimi i mjetit të fundit efektiv juridik i është dorëzuar parashtruesit të kërkesës apo si në rastin konkret kur parashtruesi është njoftuar me përmbajtjen e vendimit të kontestuar.
Në lidhje me këtë, Gjykata rikujton se vendimi i fundit në rastin e parashtruesit të kërkesës është Aktgjykimi [AC-I-22-0032], i 9 shkurtit 2023, i Kolegjit të Apelit të DHPGJS-së.
Më tej, Gjykata vëren se parashtruesi i kërkesës pretendon se: “Kjo kërkesë është paraqitur brenda afatit të caktuar, sepse paraqitësi i kërkesës e ka pranuar aktgjykimin e shkallës së dytë më 04.12.2023, që vërtetohet nga vula e DHPGJS, e po ashtu mund të vërtrtohet edhe nga shkresat e lëndës”.
Nga dokumentet shtesë të pranuara nga DHPGJS, vërehet se parashtruesi i kërkesës më 4 dhjetor 2023, kërkoi nga DHPGJS kopjen e Aktgjykimit të kontestuar.
Gjykata po ashtu vëren nga shkresat e lëndës se më 17 janar 2024, DHPGJS-ja ia dorëzoi atij një kopje të Aktgjykimit të kontestuar përmes shkresës “Vërtetim mbi dorëzimin e dokumentit”.
Gjykata gjatë analizimit të dokumenteve shtesë të dorëzuara nga DHPGJS, lidhur me datën e pranimit të aktit të kontestuar, vërtetoi se DHPGJS dy herë u përpoq t’ia dorëzojë parashtruesit të kërkesës Aktgjykimin e kontestuar përmes postës.
Së pari, më 10 shkurt 2023, DHPGJS u përpoq t’ia dërgojë përmes postës aktin e kontestuar, ku më tej rezulton se fletë-kthesa u kthye në DHPGJS më 15 shkurt 2023, me arsyetimin se ishte dërguar në “adresë të pasaktë”. Më pas, më 23 shkurt 2023, DHPGJS sërish u përpoq t’ia dërgonte parashtruesit të kërkesës Aktgjykimin e kontestuar përmes postës, ku fletë-kthesa u kthye sërish me arsyetimin se dorëzimi kishte dështuar edhe pse parashtruesit i ishte lënë një shënim nga posta për ta kërkuar porosinë (“nuk kërkoi/ unclaimed”).
Nga e gjithë kjo që u tha më lart, vërehet qartë se ka qenë e pamundur që parashtruesit të kërkesës t’i dorëzohet Aktgjykimi i kontestuar në adresën të cilën vet parashtruesi e ka dorëzuar në DHPGJS, ndonëse dy herë janë bërë përpjekje nga ana e DHPGJS-së.
Në këtë kuptim, Gjykata rikujton se nëse dështojnë përpjekjet për dorëzimin e vendimit te parashtruesi i kërkesës, afati fillon të llogaritet nga dita e shpalljes në tabelën e shpalljeve të vendimit të fundit ose, nëse s'ka shpallje, një ditë pasi që parashtruesi i kërkesës ose përfaqësuesi i tij janë njoftuar me përmbajtjen e vendimit dhe skadon pas 4 (katër) muajsh (shih, rastin e Gjykatës KI53/18, me parashtrues Hajri Ramadani, Aktvendim për Papranueshmëri, i 5 nëntorit 2018, paragrafët 34-42).
Duke iu kthyer rrethanave të rastit konkret, në përputhje me dispozitat ligjore, DHPGJS pas dy përpjekjeve të pasuksesshme për të dorëzuar përmes postës Aktgjykimin [AC-I-22-0032], e 9 shkurtit 2023, të Kolegjit të Apelit të DHPGJS-së, të njëjtin e ka shpallur në tabelën për shpallje të DHPGJS-së, të cilin e ka mbajtur të shpallur në tabelën për shpallje të DHPGJS-së nga 15 marsi 2023 deri më 22 mars 2023.
Lidhur me këtë, Gjykata i referohet dispozitave të paragrafit 5 të nenit 26 (Kryerja e dorëzimit) të Ligjit Nr. 06/L-086 për Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës për Çështjet në lidhje me Agjencinë Kosovare të Privatizimit (në tekstin e mëtejmë: Ligji për DHPGJS), cili parasheh si në vijim:
“5. Në rastet kur identiteti dhe/ose adresa specifike e një pale apo personi të caktuar nuk mund të vërtetohet përfundimisht, edhe pas përpjekjeve të kujdesshme e të arsyeshme, Gjykata lejon dorëzimin konstruktiv me ato mjete që mund të konsiderohen të arsyeshme në bazë të rrethanave. Mjetet e tilla mund të jenë dorëzimi me anë të publikimit në tabelën e shpalljeve, apo dorëzimi tek ndonjë i afërm i njohur apo tek një partner pune.”
Po ashtu, Gjykata nënvizon edhe paragrafët 5 dhe 6 të nenit 116 (pa titull) të Ligjit Nr. 03/L-006 të Procedurës Kontestimore (në tekstin e mëtejmë: LPK), i cili përcakton në mënyrë specifike llogaritjen e afatit në rast të shpalljes së shkresës relevante për komunikim në tabelën e shpalljes së gjykatës përkatëse, si në vijim:
“116.5 Në qoftë se pala apo përfaqësuesi i saj nuk e njoftojnë menjëherë gjykatën për ndryshimin e adresës, gjykata do të urdhërojë që dërgimet e mëtutjeshme të shkresave të bëhen me anë të afishimit të tyre në tabelën e shpalljeve në gjykatë. Kjo mënyrë e komunikimit bëhet deri sa pala apo përfaqësuesi i saj ta njoftojë gjykatën për adresën e re të saj.
116.6 Komunikimi nga paragrafi 5 i këtij neni konsiderohet i kryer pas kalimit të shtatë ditëve nga dita e afishimit të shkresës në tabelën e shpalljeve të gjykatës.”
Bazuar në sqarimet e lartcekura, Gjykata vlerëson se DHPGJS ka vepruar në përputhje me dispozitat e lartpërmendura relevante ligjore kur kishte vendosur Aktgjykimin e kontestuar në tabelën e shpalljeve të saj pas dy përpjekjeve të pasuksesshme për dorëzim të dokumentit në adresën e parashtruesit të kërkesës.
Më tej, Gjykata thekson se shkresën “Vërtetim mbi dorëzimin e dokumentit”, së bashku me kopjen e Aktgjykimit të kontestuar, DHPGJS ia kishte lëshuar parashtruesit të kërkesës më 17 janar 2024, sipas kërkesës së këtij të fundit të 4 dhjetorit 2023. Në këtë kontekst, Gjykata rikujton se parashtruesi e kishte dorëzuar kërkesën e tij në Gjykatën Kushtetuese më 15 janar 2024, ku e kishte bashkëngjitur kopjen e Aktgjykimit të kontestuar, dy ditë përpara se DHPGJS-ja personalisht t’ia dorëzojë Aktgjykimin e kontestuar parashtruesit të kërkesës, gjë që dëshmon se i njëjti tashmë e ka poseduar kopjen e këtij aktgjykimi dhe se kopjen e tij kishte kërkuar nga DHPGJS me qëllim të zënies së afatit ligjor për paraqitjen e kërkesave në Gjykatën Kushtetuese.
Rrjedhimisht, në këto rrethana Gjykata konsideron se në përputhje me dispozitat e lartcekura ligjore, parashtruesi i kërkesës është njoftuar me përmbajtjen e Aktgjykimit të kontestuar 7 (shtatë) ditë nga dita e afishimit në tabelën e shpalljeve të gjykatës, e cila datë ishte 15 mars 2023, respektivisht, më 22 mars 2023, ndërsa kërkesën në Gjykatë e ka dorëzuar më 15 janar 2024, që do të thotë se kërkesa e parashtruesit është dorëzuar jashtë afatit të përcaktuar ligjor.
Si përfundim, nga arsyet e shtjelluara si më sipër, Gjykata konstaton se kërkesa nuk është dorëzuar brenda afatit ligjor të përcaktuar me nenin 49 të Ligjit dhe pikën (c) të paragrafit (1) të rregullit 34 të Rregullores së punës dhe rrjedhimisht, Gjykata nuk mund të shqyrtojë meritat e rastit, përkatësisht, nëse përmes Aktgjykimit të kontestuar janë shkelur të drejtat kushtetuese të parashtruesit të kërkesës.
Kërkesa për moszbulim të identitetit të parashtruesit të kërkesës
Gjykata rikujton se parashtruesi i kërkesës ka kërkuar që identiteti i tij në procedurë para kësaj Gjykate të mos zbulohet.
Në kontekst të kësaj kërkese, parashtruesi i kërkesës arsyeton se: “Kjo kërkesë ka të bëjë me të drejta të mija personale, pra me çështje personale dhe nuk dua që opinioni të formoi për mua ndonjë bindje të papërshtatshme”.
Gjykata i referohet paragrafit (1) dhe (2) të rregullit 24 [Moszbulimi i identitetit të palëve] të Rregullores së punës, të cilët përcaktojnë që:
“1. Kurdo përgjatë procedurës së shqyrtimit të një kërkese individuale sipas paragrafit 7 të nenit 113 të Kushtetutës dhe deri në publikimin e vendimit përfundimtar, palët mund të kërkojnë që identiteti i tyre të mos zbulohet publikisht. Kërkesa duhet të jetë e arsyetuar.
2. Gjykata vendosë lidhur me kërkesën e palës për moszbulim të identitetit me miratimin e shumicës së gjyqtarëve.
[....]”.
Gjykata, duke marrë për bazë faktin se parashtruesi i kërkesës (i) nuk e ka mbështetur arsyetimin e ofruar rreth çështjeve personale dhe bindjeve të papërshtatshme të opinionit publik, si dhe (ii) rrethanat e rastit, e refuzon kërkesën e tij për moszbulim të identitetit (shih në mënyrë të ngjashme rastet e Gjykatës, KI111/21, parashtrues Shaban Murati, Aktvendim për Papranueshmëri i 12 prillit 2023, paragrafi 86).
PËR KËTO ARSYE
Gjykata Kushtetuese, në pajtim me paragrafin 7 të nenit 113 të Kushtetutës, të nenit 49 të Ligjit dhe në pajtim me paragrafin (2) të rregullit 24, pikën (c) të paragrafit (1) të rregullit 34, si dhe pikën (b) të paragrafit 1 të rregullit 48 të Rregullores së punës, më 26 nëntor 2024,
VENDOS
TË DEKLAROJË, njëzëri, kërkesën të papranueshme;
TË REFUZOJË, njëzëri, kërkesën e parashtruesit të kërkesës për moszbulim të identitetit;
T'UA KUMTOJË këtë Aktvendim palëve;
TË PUBLIKOJË këtë Aktvendim në Gazetën Zyrtare, në pajtim me paragrafin 4 të nenit 20 të Ligjit;
Ky Aktvendim hyn në fuqi në ditën e shpalljes në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, në pajtim me paragrafin 5 të nenit 20 të Ligjit.
Gjyqtari raportues Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese
Bajram Ljatifi Gresa Caka-Nimani
Mehmet Gashi
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është paraqitur pas afatit
Civile