KI94/23, Parashtrues: Rexhep Ajvazi, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [AC-I-21-0844] të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës të 26 janarit 2023
KI94/23, Aktvendim për papranueshmëri, i 14 nëntorit 2023, publikuar më 22 dhjetor 2023
Fjalët kyç: kërkesë individuale, procedurë kontestimore, procedurë e shkurtër
Thelbi i çështjes së parashtruesit të kërkesës në procedurat pranë gjykatave të rregullta ka të bëjë me kompensimin e pagave të papaguara për periudhën nga muaji gusht të vitit 2003 deri në muajin maj të vitit 2004, në shumë prej 1,565.41 € nga Ndërmarrja Shoqërore “Industria e Duhanit” (në tekstin e mëtejmë: N.Sh “Industria e Duhanit”), në të cilën kishte punuar parashtruesi i kërkesës.
Parashtruesi paraqiti një kërkesë në AKP, ku kërkoi pagesën e pagave të papaguara. Kjo kërkesë është refuzuar nga AKP, me pretendimin se, “Parashtruesi i kërkesës nuk ka parashtruar ndonjë provë pranë Autoritetit të Likuidimit se ka dorëzuar ndonjë ankesë pranë ndonjë gjykate apo organi tjetër kompetent për periudhën prej tri viteve nga dita e lindjes së kërkesës së pretenduar”.
Rrjedhimisht, parashtruesi i kërkesës inicioi procedurën gjyqësore pranë Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës, e cila përfundoi me aktgjykimin e plotfuqishëm të Kolegjit të Apelit të DHPGJS-së, me të cilin është refuzuar kërkesa e tij si e parashkruar.
Duke pasur parasysh këtë, parashtruesi e paraqiti kërkesën e tij në Gjykatë, duke konsideruar se gjatë procedurës pranë kolegjeve të Dhomës së Posaçme janë shkelur të drejtat e tij të garantuara me nenin 31 të Kushtetutës.
Gjykata, gjatë analizës së rastit zbatoi parimet dhe principet e GJEDNJ-së, si dhe gjykimin e saj, dhe konstatoi se parashtruesit të kërkesës i është mundësuar zhvillimi i procedurës bazuar në parimin e kontradiktoritetit, pasi që i njëjti ka mundur që gjatë fazave të ndryshme të procedurës të paraqet provat e kërkuara nga Autoriteti i Likuidimit dhe nga Kolegji i Specializuar i DhPGjS-së, e mbi të gjitha edhe nga Kolegji i Apelit i DhPGjS-së lidhur me pretendimin e tij për ndërprerje të parashkrimit të së drejtës së tij për të kërkuar kompensimin e pagave të papaguara nga N.Sh “Industria e Duhanit”.
Rrjedhimisht, Gjykata refuzoi kërkesën e parashtruesit të kërkesës si qartazi të pabazuar në baza kushtetuese, siç përcaktohet në paragrafin (2) të rregullit 34 të Rregullores së punës.
Rexhep Ajvazi
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Civile