Aktgjykim

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [AC-I-21-0642] të 31 gushtit 2022 të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme

Nr. të lëndës KI190/22

Parashtruesit: Ramiz Isaku

Shkarko:

KI190/22, Parashtrues: Ramiz Isaku, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [AC-I-21-0642] të 31 gushtit 2022 të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme

KI190/22, Aktgjykim, i 17 korrikut 2024, publikuar më 19 shtator 2024

Fjalët kyç: kërkesë individuale, kërkesë e pranueshme, shkelje e të drejtës për  gjykim të drejtë dhe të paanshëm, mungesë e konsistencës në praktikën gjyqësore 

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, më 17 korrik 2024, ka vendosur lidhur me kërkesën KI190/22, përmes së cilës është kërkuar vlerësimi i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [AC-I-21-0642] të 31 gushtit 2022 të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës. Gjykata, njëzëri, vendosi që (i) të deklarojë kërkesën të pranueshme; (ii) të konstatojë se Aktgjykimi [AC-I-21-0642] i 31 gushtit 2022 i Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës nuk është në përputhshmëri me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut; (iii) Aktgjykimi [AC-I-21-0642] i 31 gushtit 2022 i Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës të shpallet i pavlefshëm dhe të kthehet për rivendosje në pajtim me Aktgjykimin e Gjykatës; dhe (v) të urdhërojë, Kolegjin e Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme që ta njoftojë Gjykatën, në pajtim me rregullin 60 (5) të Rregullores së punës, deri më 22 janar 2025, për masat e ndërmarra për zbatimin e Aktgjykimit të Gjykatës. 

Fillimisht, Aktgjykimi sqaron se rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me kërkesën e parashtruesit të dorëzuar tek Autoriteti i Likuidimit i Agjencisë Kosovare të Privatizimit, për kompensimin e pagave të papaguara për periudhën gusht 2003 – maj 2004, si ish i punësuar tek NSH “Industria e Duhanit”. Autoriteti i Likuidimit i Agjencisë Kosovare të Privatizimit, përmes Vendimit [GJI.003-0583/0121] të 10 marsit 2014, refuzoi kërkesën e parashtruesit të kërkesës, me arsyetimin se e njëjta ishte parashkruar. Parashtruesi i kërkesës dorëzoi padi në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës, kundër Agjencisë Kosovare të Privatizimit dhe NSH “Industria e Duhanit”, përmes së cilës kërkoi që t’i njihej e drejta e kompensimit për pagat e papaguara për periudhën kohore të lartpërmendur. Më 6 shtator 2021, Kolegji  i Specializuar i Dhomës së  Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës përmes Aktgjykimit [C-IV-14-2629] refuzoi kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës, ndërsa ky vendim u konfirmua nga Kolegji i Apelit i Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës më 31 gusht 2022. Më tej, parashtruesi i kërkesës paraqiti propozim për inicimin e kërkesës për mbrojtjen e ligjshmërisë pranë Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, kundër vendimeve të instancave më të ulëta, kërkesë kjo që u refuzua më 4 tetor 2022 nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit.

Aktgjykimi në vijim sqaron se, në kërkesën e tij dorëzuar në Gjykatë, parashtruesi i kërkesës pretendoi se, përmes Aktgjykimit të kontestuar të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës, i është cenuar e drejta e tij e garantuar me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës për shkak të cenimit të sigurisë juridike, si rezultat i vendimeve kundërthënëse apo divergjencës në praktikën gjyqësore të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës. Parashtruesi i kërkesës në thelb para Gjykatës pretendoi se, gjykatat e rregullta kanë dështuar të vendosin njësoj për çështje të njëjta faktike dhe juridike, duke iu referuar rasteve të ish-punëtorëve të NSH “Industria e Duhanit”. Në mbështetje të pretendimeve të tij, parashtruesi dorëzoi në Gjykatë gjithsej njëzet (20) vendime të gjykatave të rregullta, respektivisht dhjetë (10) vendime të Kolegjit të Specializuar të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës dhe dhjetë (10) vendime të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës, në të cilat ishin interpretuar dhe aplikuar ndryshe dispozitat e Ligjit për Marrëdhëniet e Detyrimeve të vitit 1978 dhe Ligjit për Punën e Bashkuar të vitit 1976, që ndërlidheshin me afatin e parashkrimin. Të gjitha vendimet e lartpërmendura dhe të dorëzuara nga parashtruesi i kërkesës, janë gjerësisht të elaboruara në Aktgjykim.

Gjykata shqyrtoi të gjitha pretendimet e parashtruesit të kërkesës që ndërlidhen me cenimin e parimit të sigurisë juridike, si rezultat i vendimeve kundërthënëse të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës në aplikimin dhe interpretimin e dispozitave ligjore që ndërlidhen me afatin e parashkrimit sipas përcaktimeve të ligjeve të lartcekura. Për këtë qëllim, ajo fillimisht shtjelloi dhe më pas aplikoi në rrethanat e rastit konkret (i) parimet themelore që ndërlidhen me konsistencën e praktikës gjyqësore, të zhvilluara përmes praktikës gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, e të afirmuara edhe përmes praktikës gjyqësore të vet Gjykatës; si dhe (ii) kriteret përkatëse bazuar në të cilat këto të fundit vlerësojnë nëse mungesa e konsistencës, përkatësisht divergjenca në praktikën gjyqësore, përbën shkelje të parimit të sigurisë juridike, përkatësisht shkelje të nenit 31 [ E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 (E Drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejta e Njeriut, përfshirë nëse: (a) divergjencat në praktikën gjyqësore janë “të thella dhe afatgjata”; (b) ligji vendor përcakton mekanizma të aftë për të zgjidhur divergjenca të tilla; dhe (c) ata mekanizma janë zbatuar dhe me çfarë efekti.

Në këtë kuptim, Gjykata vërejti se, për dallim nga rasti në shqyrtim, Kolegji i Apelit i Dhomës së  Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës në dhjetë (10) rastet e lartcekura, të dorëzuara nga vet parashtruesi i kërkesës dhe që ndërlidhen me kompensimin e pagave për periudhën 2003-2004 për ish-punëtorët e NSH “Industria e Duhanit”, kishte konstatuar se nuk është i aplikueshëm neni 608 i Ligjit për Punën e Bashkuar, duke konsideruar se afati i parashkrimit është ndalur me lajmërimin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit për kërkesat për kompensim.

Lidhur me pretendimin e parashtruesit të kërkesës për shkelje të së drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, për shkak të divergjencës në praktikën gjyqësore të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës, Gjykata konstatoi se në rrethanat e rastit konkret, (i) ekzistojnë “dallime të thella dhe afatgjata” në praktikën gjyqësore të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës; se (ii) ekzistojnë mekanizma të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës për harmonizimin e kësaj praktike; dhe se (iii) ky mekanizëm ekzistues, bazuar në shkresat e lëndës, rezulton që nuk është përdorur.

Si rrjedhojë e këtij konstatimi, Gjykata theksoi se “dallimet e thella dhe afatagjata” në praktikën gjyqësore të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës, të ndërlidhura me mospërdorimin e mekanizmave të përcaktuar me ligj e të dizajnuar për të siguruar konsistencën e duhur brenda praktikës gjyqësore të gjykatës më të lartë në vend, kanë rezultuar në cenim të parimit të sigurisë juridike dhe në shkelje të së drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm të parashtruesit të kërkesës. Gjykata gjithashtu theksoi se, ky konstatim ndërlidhet vetëm me mospërdorimin efektiv të mekanizmave të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës me qëllim të sigurimit të konsistencës së nevojshme të praktikës gjyqësore në  shërbim të sigurisë juridike dhe parimit të sundimit të ligjit, përderisa nuk e paragjykon rezultatin e  meritave të rastit dhe i cili kthehet në rivendosje në gjykatën përkatëse.

Parashtruesit:

Ramiz Isaku

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktgjykim

Shkelje e të drejtave kushtetuese

Neni 31 - E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Administrative