Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [AC-I-21-0527] të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës për çështje që lidhen me Agjencinë Kosovare të Privatizimit të 15 korrikut 2022

Nr. të lëndës KI122/22

Parashtruesit: Ilaz Rrahmani

Shkarko:

KI122/22, Parashtrues: Ilaz Rrahmani, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [AC-I-21-0527] të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës për çështje që lidhen me Agjencinë Kosovare të Privatizimit të 15 korrikut 2022  

Fjalët kyç: kërkesë individuale, Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme, kërkesë qartazi e pabazuar

Gjykata sjell në vëmendje se çështja thelbësore në rrethanat e rastit konkret, ndërlidhet me pretendimin e parashtruesit të kërkesës lidhur me shpalljen e privatizimit nga Agjencia Kosovare e Mirëbesimit (AKM) të Ndërmarrjes Shoqërore Kombinati i Drurit “Tefik Çanga” nga Ferizaj. Si rrjedhojë, “NSH Kombinati i Drurit”, kishte publikua dy njoftime në gazetat ditore “Koha Ditore” dhe “Zëri”, duke theksuar se, “afati për dorëzimin e kërkesave kreditore ndaj “NSH Kombinati i Drurit” është data 6 nëntor 2006”. Përderisa parashtruesi i kërkesës kishte dorëzuar kërkesën jashtë afatit të paraparë, përkatësisht me 22 nëntor 2006, Autoriteti i Likuidimit të AKP-së, Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme (DHPGJS) dhe Kolegji i Apelit të DHPGJS refuzuan si të pabazuara ankesat e parashtruesit.

Parashtrues i kërkesës pretendonte se i janë shkelur të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me nenin 24 [Barazia para Ligjit] dhe nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të KEDNJ-së, pasiqë sipas tij, autoritetet kompetente nuk e morën parasysh specifikën e tij se ai ishte në rrethana të cilat e kanë bërë të pamundur njoftimin me kohë për fillimin e procesit të likuidimit.

Gjykata konstatoi se parashtruesi i kërkesës në këtë rast konkret i ka humbur afatet për paraqitjen e kërkesës lidhur me të drejtat e tij të pretenduara, të cilat i ka pasur ndaj “NSH Kombinati i Drurit”. Rrjedhimisht, mosndërmarrja e veprimit juridik të palëve rezulton me prekluzionin (humbjen e të drejtave). Pra, kur pala nuk e respekton afatin për ndërmarrjen e veprimit me shkrim ose mungon në seancë, ai/ajo humb të drejtën për ta ndërmarrë atë veprim më pas. Kjo vlen pa përjashtim për të gjitha afatet ligjore, siç ka qenë rasti këtu.

Ndërsa, lidhur me pretendimin për shkelje të nenit 24 të Kushtetutës, Gjykata vëren se parashtruesi i kërkesës i ndërlidh pretendimet për diskriminim me “pamundësinë e realizimit të pretendimeve të tij”. Përderisa i njëjti nuk ka ofruar prova përkatëse që do të tregonin për mundësinë që ai të jetë diskriminuar në ndonjë mënyrë tjetër përmes vendimeve të kontestuara, Gjykata konsideron se gjithashtu janë të pabazuara pretendimet e parashtruesit për shkelje të nenit 24 të Kushtetutës dhe nenit 14 të KEDNJ-së në lidhje me të drejtën për gjykim të drejtë.

Prandaj, Gjykata konkludon se pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkelje të të drejtave të garantuara me nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, si dhe pretendimet për shkelje të nenit 24 të Kushtetutës, janë pretendime që kualifikohen si pretendime “të pambështetura ose të paarsyetuara”. Rrjedhimisht, kërkesa në tërësi deklarohet e papranueshme si qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, siç përcaktohet në paragrafin (2) të rregullit 39 të Rregullores së punës.

Parashtruesit:

Ilaz Rrahmani

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile