Prishtinë, më 29 qershor 2023
Nr. ref.:RK 2223/23
AKTVENDIM PËR PAPRANUESHMËRI
në
rastin nr. KI122/22
Parashtrues
Ilaz Rrahmani
Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [AC-I-21-0527] të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës për çështje që lidhen me Agjencinë Kosovare të Privatizimit të 15 korrikut 2022
GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
e përbërë nga:
Gresa Caka-Nimani, kryetare
Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar
Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare
Safet Hoxha, gjyqtar
Radomir Laban, gjyqtar
Remzije Istrefi-Peci, gjyqtare
Nexhmi Rexhepi, gjyqtar dhe
Enver Peci, gjyqtar
Parashtruesi i kërkesës
Kërkesa është dorëzuar nga Ilaz Rrahmani, me vendbanim në fshatin Komogllavë, Komuna e Ferizajt (në tekstin e mëtejmë: parashtruesi i kërkesës).
Vendimi i kontestuar
Parashtruesi i kërkesës konteston kushtetutshmërinë e Aktgjykimit [AC-I-21-0527] të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës për çështje që lidhen me Agjencinë Kosovare të Privatizimit (në tekstin e mëtejmë: Kolegji i Apelit i DHPGJS-së) të 15 korrikut 2022 në lidhje me Aktgjykimin [C-IV-14-0141] e Kolegjit të Specializuar të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës për çështje që lidhen me Agjencinë Kosovare të Privatizimit (në tekstin e mëtejmë: Kolegji i Specializuar i DHPGJS-së) të 13 korrikut 2021.
Aktgjykimi [AC-I-21-0527] i Kolegjit të Apelit të DHPGJS-së të 15 korrikut 2022, i është dorëzuar parashtruesit të kërkesës më 18 korrik 2022.
Objekti i çështjes
Objekt i çështjes është vlerësimi i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [AC-I-21-0527] të Kolegjit të Apelit të DHPGJS-së, përmes të cilit pretendohet se parashtruesit të kërkesës i janë shkelur të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me nenin 24 [Barazia para Ligjit] dhe nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta) në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: KEDNJ).
Baza juridike
Kërkesa bazohet në paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, nenet 22 (Procedimi i kërkesës) dhe 47 (Kërkesa individuale) të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Ligji), si dhe në rregullin 32 [Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve] të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).
Procedura në Gjykatë
Më 2 gusht 2022, parashtruesi i kërkesës e dorëzoi kërkesën përmes postës në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata).
Më 15 gusht 2022, Gjykata (i) njoftoi parashtruesin e kërkesës për regjistrimin e kërkesës; dhe (ii) i dërgoi një kopje të kërkesës Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme (në tekstin e mëtejmë: DHPGJS).
Më 25 gusht 2022, Kryetarja e Gjykatës, me Vendimin [nr. GJR. KI122/22], caktoi gjyqtarin Bajram Ljatifi gjyqtar raportues dhe me Vendimin [nr. KSH. KI122/22] caktoi Kolegjin shqyrtues, të përbërë nga gjyqtarët: Selvete Gërxhaliu-Krasniqi (kryesuese), Radomir Laban dhe Remzije Istrefi-Peci, anëtarë.
Më 9 dhjetor 2022, Gjykata kërkoi nga parashtruesi i kërkesës të dorëzonte Aktgjykimin [C-IV-14-0141] e DHPGJS-së, të 13 korrikut 2021, meqë i njëjti mungonte në shkresat e lëndës.
Më 16 dhjetor 2022, gjyqtari Enver Peci dha betimin para Presidentes së Republikës së Kosovës, me ç’rast filloi mandati i tij në Gjykatë.
Më 23 dhjetor 2022, parashtruesi i kërkesës e dorëzoi Aktgjykimin e kërkuar në Gjykatë.
Më 7 qershor 2023, Kolegji shqyrtues shqyrtoi raportin e gjyqtarit raportues dhe njëzëri i rekomandoi Gjykatës të deklarojë kërkesën të papranueshme për shqyrtim.
Përmbledhja e fakteve
Më 4 korrik 2006, Agjencia Kosovare e Mirëbesimit (në tekstin e mëtejmë: AKM) filloi procedurën e privatizimit të Ndërmarrjes Shoqërore Kombinati i Drurit “Tefik Çanga” nga Ferizaj (në tekstin e mëtejmë: “NSH Kombinati i Drurit”). Si rrjedhojë, për të njoftuar të gjithë personat që kishin pretendime ndaj “NSH Kombinati i Drurit”, AKM, më 31 gusht 2006 dhe 6 shtator 2006, publikoi dy njoftime në gazetat ditore “Koha Ditore” dhe “Zëri”, duke theksuar se, “afati për dorëzimin e kërkesave kreditore ndaj “NSH Kombinati i Drurit” është data 6 nëntor 2006”.
Më 22 nëntor 2006, parashtruesi i kërkesës paraqiti një kërkesë në Autoritetin e Likuidimit të AKP-së, në të cilën kërkoi kompensimin për pagat e papaguara në shumë prej 3,044.96 euro.
Më 7 gusht 2013, Autoriteti i AKP-së i dërgoi një shkresë parashtruesit të kërkesës, në të cilën kërkoi nga ai “të paraqiste në një afat 15 ditor një arsye bindëse për paraqitjen me vonesë të kërkesës dhe informatat dhe dëshmitë shtesë”.
Më 20 gusht 2013, parashtruesi i kërkesës dorëzoi informata të caktuara sipas kërkesës së Autoritetit të Likuidimit të AKP-së.
Më 6 dhjetor 2013, Autoriteti i Likuidimit i AKP-së nxori Vendimin [nr. GJI110-0019], me të cilin e refuzoi kërkesën si të pavlefshme me arsyetimin se “paraqitja e kërkesës është bërë jashtë afatit”.
Në arsyetimin e Vendimit të tij, Autoriteti i Likuidimi i AKP-së theksoi se, “afati për parashtrimin e kërkesave ka qenë 6 Nëntor 2006, se ai dy herë ka publikuar shpallje në gazetat ditore duke ftuar të gjithë personat që kanë pretendime ndaj NSH Kombinati i Drurit të paraqesin kërkesat e tyre deri më 6 nëntor 2006”.
Për më tepër, Autoriteti i Likuidimit i AKP-së në Vendimin e tij theksoi se më 7 gusht 2013 i dërgoi parashtruesit të kërkesës një letër ku kërkoi nga ai të paraqiste në një afat 15 ditor një arsye bindëse për paraqitjen me vonesë të kërkesës, si dhe informatat dhe dëshmitë shtesë. […] se më 20 gusht 2013 ai ofroi vetëm dëshmitë shtesë (informatat për pagën mujore, periudhën për paraqitjen e kërkesës për pagat e papaguara, metodën e përllogaritjes së shumës së kërkuar), dhe jo arsyet për paraqitjen me vonesë të kërkesës, si dhe nuk ofroi asnjë dëshmi.
Më 8 janar 2014, përfaqësuesi i paditësit (parashtruesit të kërkesës) kishte ushtruar ankesë tek DHPGJS kundër Vendimit të Agjencinë Kosovare të Privatizimit (në tekstin e mëtejmë: AKP), duke kërkuar që Vendimi [GJI110-0019] i Autoritetit të Likuidimit i 6 dhjetorit 2013 të anulohet dhe të kthehet në rigjykim. Në arsyetimin e tij, përfaqësuesi i parashtruesit të kërkesës theksoi se Autoriteti i Likuidimit nuk ka zbatuar drejtë dispozitat materiale juridike, meqenëse ankuesi (parashtruesi i kërkesës) personalisht nuk u njoftua me publikimin e njoftimit të bërë në gazetat e lartcekura, sepse ai jetonte dhe banonte në një zonë të thellë rurale dhe posa kishte kuptuar për afatin procedural kishte dorëzuar kërkesën e tij. Përfaqësuesi i parashtruesit të kërkesës i referohet nenit 110 paragrafi 1 të Ligjit për Procedurën Kontestimore, ku citon:
“Në bazë të nenit 110 par. 1 të Ligjit për Procedurën Kontestimore, Urdhri i cili është i lidhur me afat duhet ti dorëzohet palës personalisht, në të kundërtën konsiderohet se njoftimi nuk është bërë fare”.
Më 3 shkurt 2016, AKP-ja i dorëzoi një parashtresë DHPGJS-së, ku theksoi se kërkesa e paditësit (parashtruesit të kërkesës) tek Autoriteti i Likuidimit të AKP-së, ishte paraqitur pas afatit kohor dhe se nuk ka mundur të justifikojë vonesën me ndonjë provë konkrete.
Më 13 korrik 2021, Kolegji i Specializuar i DHPGJS-së nxori Aktgjykimin [C-IV-14-0141] me të cilin refuzoi si të pabazuar ankesën e parashtruesit të kërkesës dhe vërtetoi vendimin e ankimuar të Autoritetit të Likuidimit të AKP-së si të drejtë dhe të bazuar në ligj. DHPGJS konstatoi se afati kohor është i rëndësisë kryesore për efektivitetin dhe efikasitetin e një procedure të likuidimit, dhe në këtë drejtim paditësi (parashtruesi i kërkesës) nuk ka arritur të dorëzojë ndonjë provë që të justifikojë vonesën në dorëzimin e kërkesës.
Më 30 korrik 2021, parashtruesi i kërkesës ka parashtruar ankesë ndaj Aktgjykimit [C-IV-14-0141] të DHPGJS-së, duke pretenduar shkelje të dispozitave procedurale, vërtetim të gabuar të gjendjes faktike dhe shkelje të dispozitave të së drejtës materiale. Në ankesën e tij, parashtruesi i kërkesës pretendoi se në kohën kur kishte ndodhur publikimi i njoftimit ishte në gjendje shëndetësore dhe ekonomike jo të mirë dhe se për këtë arsye nuk kishte pasur mundësi të njoftohet me kohë për fillimin e procedurës së likuidimit të NSH “Tefik Çanga” në Ferizaj, dhe se informacionin e kishte marrë më 21 nëntor 2006 nga disa ish-kolegë të tij.
Më 2 shtator 2021, AKP-ja kishte dorëzuar një parashtresë në DHPGJS si përgjigje ndaj ankesës së parashtruesit të kërkesës, në të cilën kishte theksuar se pretendimet e parashtruesit të kërkesës janë të pabazuara dhe se kërkesa është pasafatshme.
Më 15 korrik 2022, Kolegji i Apelit i DHPGJS-së nxori Aktgjykimin [AC-I-21-0527], ku vendosi se ankesa e parashtruesit të kërkesës është e pabazuar dhe vërtetoi Aktgjykimin [C-IV-14-0141].
Në arsyetimin e tij, Kolegji i Apelit i DHPGJS-së, ndër të tjera, theksoi se:
“Kolegji i Apelit konstaton se me të drejtë Shkalla e I-rë në DHPGJS-së ankesën e paditësit e ka refuzuar si të pa bazuar, duke vërtetuar vendimin e ankimuar të Autoritetit të Likuidimit, pasi që është e qartë se paditësi pas afatit të përcaktuar me njoftimin për paraqitjen e kërkesave, ai e ka dorëzuar kërkesën për kompensimin e këtyre pagave. Siç ka konstatuar saktë Shkalla e I-rë e DHPGJS-së afati i fundit për parashtrimin e kërkesave ishte data 06 nëntor 2006, ndërsa kërkesa tek Autoriteti i Likuidimit është parashtruar me datë 22 nëntor 2006”.
Sa i përket pretendimeve të parashtruesit të kërkesës për gjendjen jo të mirë shëndetësore dhe ekonomike dhe për rrethanat se ai nuk ka qenë i njoftuar drejtpërdrejt nga Autoriteti i Likuidimit, Kolegji i Apelit i DHPGJS-së arsyetoi si në vijim:
“Këto pretendime të paditësit, Kolegji i Apelit nuk i konsideron të bazuara pasi që ato nuk janë mbështetur me prova konkrete, dhe me pretendime të tilla nuk mund të arsyetohet vonesa që ka ndodhë në paraqitjen e kërkesës të pa afatshme tek Autoriteti i Likuidimit. Është e qartë se paditësi nuk ka qenë vigjilent sa duhet ta përcjell afatin kohor për paraqitjen e kërkesës tek Autoriteti i Likuidimit, dhe ky dështim i tij sjell edhe pasojat ligjore që kanë lindur për shkak të paraqitjes së kërkesës së pa afatshme tek Autoriteti i Likuidimit”.
Pretendimet e parashtruesit të kërkesës
Parashtruesi i kërkesës pretendon se me aktgjykimet e Kolegjit të Specializuar të DHPGJS-së dhe Kolegjit të Apelit të DHPGJS-së i janë shkelur të drejtat e parapara me nenin 24 [Barazia para Ligjit] dhe nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të KEDNJ-së.
Përkitazi me shkeljen e pretenduar të nenit 24 të Kushtetutës, parashtruesi i kërkesës në thelb pretendon se me Aktgjykimin [C-IV-14-0141] e Kolegjit të Specializuar të DHPGJS-së, u diskriminua për shkak të refuzimit të kërkesës së tij për realizimin e pagave të papaguara e posaçërisht për kompensimin e dëmit të shkaktuar. Parashtruesi i kërkesës pretendon se ka qenë në rrethana të tilla, të cilat objektivisht e kanë bërë të pamundur njoftimin me kohë për fillimin e procesit të likuidimit dhe se personalisht nuk ishte njoftuar me fillimin e kësaj procedure e as me afatet e saj. Për më tepër, parashtruesi i kërkesës thekson se njoftimi i Autoritetit të Likuidimit nuk mund të konsiderohet si njoftim që i është dërguar atij, sepse kjo do të përbënte shkelje ligjore të Ligjit për Procedurën Kontestimore, andaj në këtë drejtim vonesa e tij nuk do të duhej të ishte e karakterit prekluziv.
Sa i përket shkeljeve të pretenduara të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6.1 të KEDNJ-së, parashtruesi i kërkesës pretendon se për shkak të mostrajtimit të barabartë me personat e tjerë nga AKP-ja dhe DHPGJS-ja, nuk i është garantuar një gjykim i drejtë dhe i paanshëm ashtu siç parashihet me nenin 31 të Kushtetutës dhe nenin 6.1 të KEDNJ-së.
Përfundimisht, parashtruesi i kërkesës kërkon nga Gjykata që të konstatojë se ka pasur shkelje të nenit 24 paragrafi 1 të Kushtetutës së Kosovës nga ana e Autoritetit të Likuidimit me Vendimin e tij, si dhe nga ana e DHPGJS-së me Aktgjykimin e shkallës së parë [C-IV-14- 0141] të 13 korrikut 2021 dhe me Aktgjykimin e shkallës së dytë [AC-I-21-0527] të 15 korrikut 2022, sa i përket refuzimit të kërkesës së tij për realizimin e pagave të papaguara dhe kompensimit të dëmit material.
Dispozitat përkatëse kushtetuese dhe ligjore
KUSHTETUTA E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
Neni 24
[Barazia para Ligjit]
“Të gjithë janë të barabartë para ligjit. Çdokush gëzon të drejtën e mbrojtjes së barabartë ligjore, pa diskriminim”.
[...]
Neni 31
[E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm]
“Çdokujt i garantohet mbrojtje e barabartë e të drejtave në procedurë para gjykatave, organeve të tjera shtetërore dhe bartësve të kompetencave publike.
Çdokush gëzon të drejtën për shqyrtim publik të drejtë dhe të paanshëm lidhur me vendimet për të drejtat dhe obligimet ose për cilëndo akuzë penale që ngrihet kundër saj/tij brenda një afati të arsyeshëm, nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e themeluar me ligj”.
[...]
KONVENTA EVROPIANE PËR TË DREJTAT E NJERIUT
Neni 6.1
(E drejta për një proces të rregullt)
1. “Në përcaktimin e të drejtave dhe detyrimeve të tij civile ..., çdo person ka të drejtë që çështja e tij të dëgjohet drejtësisht, publikisht dhe brenda një afati të arsyeshëm nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme”.
[...]
LIGJI NR. 03/L-006 PËR PROCEDURËN KONTESTIMORE
Neni 110
“110.1 Padia, përgjigjja në padi, letërthirrja për në seancë, urdhërpagesa, aktgjykimi dhe aktvendimi, kundër të cilit lejohet ankim i veçantë, mjeti i goditjes së vendimit, i dorëzohet personalisht palës, gjegjësisht përfaqësuesit ligjor apo përfaqësuesit me prokurë të saj. Shkresat e tjera do t’i dorëzohen personalisht adresatit kur një gjë e këtillë shprehimisht parashihet me këtë ligj apo kur gjykata konkludon se për shkak të dokumenteve origjinale që i janë bashkangjitur shkresës që duhet dorëzuar, ose nga ndonjë shkak tjetër, nevojitet kujdes i shtuar”.
[...]
SHTOJCA E LIGJIT Nr. 04/L-034 PËR AGJENCINË KOSOVARE TË PRIVATIZIMIT
Neni 35
Njoftimi për kreditorin dhe Afati për parashtrimin e kërkesave
“1. Në pajtim me nenin 7 të kësaj Shtojce, Autoriteti i Likuidimit publikon njoftim në pajtim me Dispozitat për shpallje duke u bërë thirrje të gjithë kreditorëve dhe bartësve të interesit që t’i parashtrojnë Dëshmitë e tyre të Kërkesës dhe të Interesit”.
[...]
3. Nëse një kreditor i supozuar apo bartës i interesit paraqet arsyetim bindës për parashtrim të vonuar, Autoriteti i Likuidimit, në diskrecion vetanak, mund të pranojë Dëshminë e Kërkesës apo Interesit të dorëzuar pas Afatit për Parashtrimin e Kërkesave, nëse dëshmia e Kërkesës apo Interesit është parashtruar jo më vonë se tridhjetë (30) ditë pas Afatit për Parashtrimin e Kërkesave”.
Neni 36
Kërkesat e pavlefshme dhe jo të rregullta
“1. Autoriteti i Likuidimit refuzon, tërësisht apo pjesërisht, vlefshmërinë e Kërkesave apo interesit të pretenduar të kapitalit apo pronësisë nëse refuzimi i tillë obligohet apo lejohet sipas këtij ligji apo elementeve tjera të ligjeve të Kosovës në fuqi apo me urdhër të Gjykatës.
2. Pa kufizuar fushëveprimin apo zbatueshmërisë e paragrafit 1 më sipër, elementet në vijim përbëjnë bazë të mirë dhe të mjaftueshme sipas këtij ligji për refuzimin e një Kërkese apo interesi të pretenduar të kapitalit apo pronësisë:
2.1. kërkesa apo pretendimi është i pasafatshëm sipas kufizimeve kohore të aplikueshme;
2.2. dokumentacioni për Kërkesën apo interesin e pretenduar i paraqitur nga kreditori i pretenduar apo bartësi i interesit të pretenduar mbetet jo i plotë edhe pas kërkesës nga kreditori i pretenduar për dokumente apo dëshmi plotësuese”.
[...]
Vlerësimi i pranueshmërisë së kërkesës
Gjykata fillimisht shqyrton nëse kërkesa i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara me Kushtetutë, të parapara me Ligj dhe të parashikuara më tej me Rregullore të punës.
Në këtë drejtim, Gjykata i referohet paragrafëve 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, të cilët përcaktojnë se:
“1. Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.
[...]
7. Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.
Gjykata në vazhdim shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, siç përcaktohen më tej në Ligj, përkatësisht në nenet 47, 48 dhe 49 të Ligjit, që parashikojnë:
Neni 47
[Kërkesa individuale]
“1. Çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tija individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik.
2. Individi mund ta ngritë kërkesën në fjalë vetëm pasi që të ketë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.
Neni 48
[Saktësimi i kërkesës]
“Parashtruesi i kërkesës ka për detyrë që në kërkesën e tij të qartësoj saktësisht se cilat të drejta dhe liri pretendon se i janë cenuar dhe cili është akti konkret i autoritetit publik të cilin parashtruesi dëshiron ta kontestoj”.
Neni 49
[Afatet]
“Kërkesa parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajve. Afati fillon të ecë që nga dita kur parashtruesit i është dorëzuar vendimi gjyqësor. Në të gjitha rastet e tjera, afati fillon të ecë në ditën kur vendimi ose akti është shpallur publikisht...”.
Sa i përket përmbushjes së kritereve të lartcekura, Gjykata vlerëson se parashtruesi i kërkesës: (i) është palë e autorizuar, në kuptim të nenit 113.7 të Kushtetutës; (ii) konteston kushtetutshmërinë e Aktgjykimit [AC-I-21-0527] të Kolegjit të Apelit të DHPGJS-së të 15 korrik 2022; (iii) ka shteruar të gjitha mjetet juridike në dispozicion, në kuptim të nenit 113.7 të Kushtetutës dhe nenit 47.2 të Ligjit; (iv) ka qartësuar të drejtat e garantuara me Kushtetutë, të cilat pretendon se i janë shkelur, në pajtim me kërkesat e nenit 48 të Ligjit; dhe (v) ka dorëzuar kërkesën brenda afatit prej 4 (katër) muajsh, siç përcakton neni 49 i Ligjit.
Gjykata gjithashtu i referohet rregullit 39 (2) të Rregullores së punës, i cili përcakton se:
“(2) Gjykata mund ta konsiderojë kërkesën të papranueshme, nëse kërkesa është qartazi e pabazuar, sepse parashtruesi nuk dëshmon dhe nuk mbështetë në mënyrë të mjaftueshme pretendimin e tij”.
Gjykata, fillimisht, thekson se rregulli i lartcekur, bazuar në praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: GJEDNJ) dhe të Gjykatës, i mundëson kësaj të fundit, që të shpallë kërkesa të papranueshme për arsye që ndërlidhen me meritat e një rasti. Më saktësisht, bazuar në këtë rregull, Gjykata mund të shpallë një kërkesë të papranueshme bazuar në dhe pas vlerësimit të meritave të saj, përkatësisht nëse e njëjta vlerëson se përmbajtja e kërkesës është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, siç është përcaktuar në paragrafin (2) të rregullit 39 të Rregullores së punës.
Bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, por edhe të Gjykatës, një kërkesë mund të shpallet e papranueshme si “qartazi e pabazuar” në tërësinë e saj ose vetëm përkitazi me ndonjë pretendim specifik që një kërkesë mund të ngërthejë. Në këtë drejtim, është më e saktë t’iu referohet të njëjtave si “pretendime qartazi të pabazuara”. Këto të fundit, bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, mund të kategorizohen në katër grupe të veçanta: (i) pretendime që kualifikohen si pretendime “të shkallës së katërt”; (ii) pretendime që kategorizohen me një “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes”; (iii) pretendime “të pambështetura ose të paarsyetuara”; dhe në fund, (iv) pretendime “konfuze dhe të paqarta” (shih, rastet e GJEDNJ-së Kemmachev kundër Francës, kërkesa nr. 17621/91, kategoria (i), Mentzen kundër Letonisë, kërkesa nr. 71074/01, kategoria (ii) dhe Trofimchuk kundër Ukrainës, kërkesa nr. 4241/03, kategoria (iii)).
Në kontekst të vlerësimit të pranueshmërisë së kërkesës, përkatësisht, në vlerësimin nëse e njëjta është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, Gjykata, fillimisht do të rikujtojë thelbin e rastit që ngërthen kjo kërkesë dhe pretendimet përkatëse të parashtruesit të kërkesës, në vlerësimin e të cilave, Gjykata do të aplikojë standardet e praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së, në harmoni me të cilën, në bazë të nenit 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut] të Kushtetutës, ajo është e detyruar të interpretojë të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kushtetutë.
Duke iu kthyer rastit konkret, Gjykata rikujton se thelbi i kësaj kërkese ndërlidhet me procedurën gjyqësore në të cilën parashtruesi i kërkesës tentoi të realizonte të drejtën për pagat e papaguara në shumë prej 3,044.96 euro, nga mjetet e realizuara nga procedura e privatizimit të “NSH Kombinati i Drurit”, por që është refuzuar nga kolegjet e DHPGJS-së, duke konsideruar se “kërkesa e tij tek autoriteti kompetent të likuidimit është paraqitur pas afatit kohor”.
Pikërisht lidhur me këtë, parashtruesi i kërkesës thekson se me vendimet e tilla të kolegjeve kompetente të DHPGJS-së janë shkelur të drejtat e tij kushtetuese të garantuara me nenet 24 dhe 31 të Kushtetutës, si dhe me nenin 6 të KEDNJ-së.
Megjithatë, duke shqyrtuar pretendimet konkrete të parashtruesit të kërkesës në mënyrën se si i ka paraqitur në kërkesë, Gjykata konstaton se ato, në lidhje me shkeljet e mundshme të Kushtetutës, janë të ndërthurura me njëra-tjetrën, dhe rrjedhimisht, do të elaborohen veç e veç për të qenë më të qarta për vlerësimin e meritave të tyre në raport me procedurën e kontestuar gjyqësore në të dy kolegjet e DHPGJS-së.
Gjykata, para se të analizojë pretendimet e parashtruesit të kërkesës, vëren se parashtruesi i kërkesës i ndërlidh shkeljet e nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së me procedurën e vendimmarrjes si në Kolegjin e Specializuar të DHPGJS-së, ashtu edhe në Kolegjin e Apelit të DHPGJS-së, që në kuptimin thelbësor i imponon Gjykatës detyrimin që të dy vendimet “t’i shqyrtojë në tërësinë e tyre” në kontekst të shkeljeve të pretenduara të nenit 31 të Kushtetutës, gjë që është në përputhje me praktikën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: GJEDNJ), e cila thotë se është “detyrë e Gjykatës që të shqyrtojë procedurat në tërësi, që në rastin konkret përfshin të gjitha vendimet e gjykatave të rregullta në një procedurë të vetme” (shih, ndër të tjera, Aktgjykimin e GJEDNJ-së në rastin Helmers kundër Suedisë, të 29 tetorit 1991, kërkesa nr. 11826/85, Seria A nr. 212, f. 15, paragrafi 31).
Pretendimi për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së
Sa i përket pretendimit për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, Gjykata gjen se parashtruesi i kërkesës konsideron se atij i është shkelur e drejta për gjykim të drejtë, për arsye se, “autoritetet kompetente nuk e morën parasysh specifikën e tij se ai ishte në rrethana të cilat kanë bërë të pamundur njoftimin me kohë për fillimin e procesit të likuidimit”.
Pra, parashtruesi i kërkesës theksonte që Njoftimi i të paditurës, nuk mund të konsiderohet si njoftim dërguar parashtruesit të kërkesës, nga se një pretendim i tillë do të ishte në kundërshtim me dispozitën ligjore nga neni 110.1 i LPK-së, sipas të cilit: "Padia, përgjigjja në padi, letërthirrja për në seancë, urdhërpagesa, aktgjykimi dhe aktvendimi, kundër të cilit lejohet ankim i veçantë, mjeti i goditjes së vendimit, i dorëzohet personalisht palës, gjegjësisht përfaqësuesit ligjor apo përfaqësuesit me prokurë të saj [...]."
Në mënyrë që Gjykata t’i përgjigjet kërkesës së parashtruesit, ajo në vijim, pavarësisht nga fakti se procedura ka filluar proceduralisht në vitin 2006, do të përpiqet të shqyrtojë kërkesën e parashtruesit në mënyrë kronologjike, për të përcaktuar nëse ka pasur lëshime procedurale në lidhje me pretendimin e paraqitur nga parashtruesi i kërkesës pranë Autoritetit kompetent të Likuidimit të AKP-së.
Në mbështetje të kësaj, Gjykata vëren se në kohën kur “NSH Kombinati i Drurit” hyri në procesin e privatizimit, Autoriteti kompetent i Likuidimit i AKP-së, në pajtim me detyrimet ligjore, publikoi një ftesë në gazetat ditore në bazë të së cilës të gjithë kreditorët potencial kanë pasur mundësi që deri më 6 nëntor 2006, të dorëzojnë pranë këtij autoriteti kërkesat e tyre kreditore mbi cilëndo bazë. Gjykata konstaton se një ftesë e tillë është publikuar dy herë në gazetat ditore që shpërndahen në tërë territorin e Kosovës, gjë që është në përputhje me nenin 49 të Shtojcës së Ligjit nr. 04/L-034 për AKP, i cili përcakton:
“Neni 49
Njoftimet dhe shpalljet publike
1. Të gjitha njoftimet formale sipas këtij Ligji publikohen, së paku, si në vijim:
1.1. në serbisht dhe shqip në gazetat me tirazh më të madh në Kosovë; dhe
1.2. në serbisht në një apo më shumë gazeta të gjuhës serbe me tirazh të madh në Serbi dhe Mal të Zi, nëse Autoriteti i Likuidimit konsideron se është e nevojshme.
[…]”
Më tej, Gjykata vëren se më 22 nëntor 2006, përkatësisht 16 ditë pas skadimit të afatit të përcaktuar nga Autoriteti kompetent i Likuidimit i AKP-së, parashtruesi i kërkesës paraqiti kërkesën e tij kreditore në formë të pagave të papaguara mujore, të cilën ai e kishte ndaj “NSH Kombinati i Drurit”. Në mbështetje të kësaj, Gjykata konstaton se Autoriteti kompetent i Likuidimit, duke pasur parasysh se parashtruesi i kërkesës e ka humbur afatin, i dërgoi atij një kërkesë, duke i dhënë mundësinë për të arsyetuar humbjen e afatit për paraqitjen e kërkesës, si dhe për të dorëzuar provat me të cilat do të justifikonte këtë humbje të afatit.
Gjykata konstaton se korniza ligjore e nenit 35 paragrafi 3 të Shtojcës së Ligjit nr. 04/L-034, u jep palëve mundësinë që edhe pas humbjes së afateve, pretendimet e tyre kreditore të parashtruara në kërkesë t’i bëjnë të besueshme, me kusht që të arsyetojnë në detaje arsyet e humbjes së afatit, dhe rrjedhimisht të dorëzojnë prova që do të bëjnë këtë humbje të justifikuar. Kjo në vetvete nënkupton se realizimi i kësaj të drejte nga neni 35 paragrafi 2 i ligjit të lartpërmendur kushtëzohet me përmbushjen e kushteve të caktuara.
Gjykata rikujton se neni 35 paragrafi 3 i Shtojcës së Ligjit nr. 04/L-034, në pjesën përkatëse thotë:
“3. Nëse një kreditor i supozuar apo bartës i interesit paraqet arsyetim bindës për parashtrim të vonuar, Autoriteti i Likuidimit, në diskrecion vetanak, mund të pranojë Dëshminë e Kërkesës apo Interesit të dorëzuar pas Afatit për Parashtrimin e Kërkesave, nëse dëshmia e Kërkesës apo Interesit është parashtruar jo më vonë se tridhjetë (30) ditë pas Afatit për Parashtrimin e Kërkesave”.
Megjithatë, në bazë të Vendimit [nr. GJI110-0019] të Autoritetit të Likuidimit të AKP-së të 6 dhjetorit 2013, mund të konkludohet se parashtruesi i kërkesës nuk i kishte plotësuar kriteret, përkatësisht se ai nuk kishte paraqitur prova adekuate që do të mbështesnin pranimin e pretendimit kreditor të paraqitur pas skadimit të afatit ligjor. Në mbështetje të kësaj, Gjykata do të theksojë vetëm një pjesë të shpjegimit nga Vendimi [nr. GJI110-0019], ku mund të konstatohet në mënyrë të qartë se kërkesa e vonuar e parashtruesit nuk mund të pranohet, siç thuhet “për shkak se nuk ka theksuar arsyet e paraqitjes së vonuar të kërkesës, nuk ka ofruar asnjë provë”.
Gjykata konsideron se Autoriteti kompetent i Likuidimit i AKP-së bëri gjithçka brenda kornizës procedurale për të pranuar dhe për të hyrë në shqyrtimin e meritave të kërkesës që është parashtruar pas skadimit të afatit, por vetë fakti se parashtruesi i kërkesës nuk paraqiti prova për të justifikuar humbjen e afatit, rezultoi me përfundimin se kërkesa është paraqitur jashtë afatit, siç parashikohet me nenin 35 paragrafi 3 të shtojcës së ligjit të lartpërmendur.
Gjykata më tej gjen se Vendimi [nr. GJI110-0019] i Autoritetit të Likuidimit të AKP-së, ka qenë objekt i kontrollit gjyqësor, pranë Kolegjit të Specializuar dhe atij të Apelit të DHPGJS-së. Pikërisht në lidhje me këtë, Gjykata gjen se përfundimi i Kolegjit të Specializuar të DHPGJS-së në mbështetje të pretendimeve të parashtruesit ka qenë se ai gjithashtu ka dështuar që brenda afatit pasues prej 15 ditësh të dorëzonte provat të cilat do të kishin bërë proceduralisht të mundur shqyrtimin e kërkesës së tij lidhur me pretendimet kreditore ndaj “NSH Kombinati i Drurit”, “dhe se autoriteti kompetent me të drejtë ka konstatuar se kërkesa e tij është e pasafatshme”.
Për më tepër, Gjykata vëren se edhe Kolegji i Apelit i DHPGJS-së shkoi një hap më tej në shqyrtimin e pretendimeve ankimore të parashtruesit të kërkesës, duke dhënë përgjigje konkrete si për shkeljet e pretenduara procedurale, ashtu edhe për shkeljet në zbatimin e së drejtës materiale nga organet e shkallës më të ulët, më saktësisht të nenit 110 të LPK-së.
Rrjedhimisht, Gjykata vëren se Kolegji i Apelit i DHPGJS-së, sa i përket humbjes së afatit për paraqitjen e kërkesës, trajtoi si afatin bazë ashtu edhe atë pasues, të parashikuar me shtojcën e nenit 35 paragrafi 2 të ligjit të lartpërmendur, duke konkluduar se parashtruesi i kërkesës [...] vonesën në paraqitjen e kërkesës tek Autoriteti i Likuidimit tenton ta arsyetoj me gjendjen shëndetësore dhe ekonomike të tij, si dhe me rrethanën se ai nuk ka qenë i njoftuar drejtpërdrejt nga Autoriteti i Likuidimit për fillimin e procedurës së likuidimit ndaj NSH-së dhe për afatin e paraqitjes së kërkesave tek Autoriteti i Likuidimit. Këto pretendime të paditësit, Kolegji i Apelit nuk i konsideron si të bazuara pasi që ato nuk janë mbështetur me prova konkrete.
Për më tepër, Gjykata konstaton se Kolegji i Apelit i DHPGJS-së trajtoi edhe pretendimin e parashtruesit të kërkesës lidhur me pretendimin se “njoftimi për privatizim i publikuar në artikujt e gazetave nuk mund të konsiderohet si njoftim në përputhje me dispozitat ligjore të nenit 110 të LPK-së”. Në mbështetje të kësaj, konkluzioni i Kolegjit të Apelit të DHPGJS-së ka qenë se “AKP-ja përmbushi detyrimet e saj ligjore në lidhje me njoftimin e kreditorëve të mundshëm për mundësinë e paraqitjes së kërkesave pranë Autoritetit të Likuidimit”.
Gjykata do t’i përgjigjet gjithashtu pretendimit të parashtruesit të kërkesës në të cilin konsideron se vonesa e tij, përkatësisht humbja e afateve nuk do duhej të ishte e “karakterit prekluziv”.
Duke pasur parasysh gjetjet e mësipërme të Gjykatës, është evidente se parashtruesi i kërkesës në këtë rast konkret i ka humbur të dy afatet për paraqitjen e kërkesës lidhur me të drejtat e tij të pretenduara, të cilat i ka pasur ndaj “NSH Kombinati i Drurit”. Gjykata rikujton se mosndërmarrja e veprimit juridik të palëve rezulton me prekluzionin (humbjen e të drejtave). Qoftë fajtore ose jo, kur pala nuk e respekton afatin për ndërmarrjen e veprimit me shkrim ose mungon në seancë, ai/ajo humb të drejtën për ta ndërmarrë atë veprim më pas. Kjo vlen pa përjashtim për të gjitha afatet ligjore, siç ka qenë rasti këtu.
Rrjedhimisht dhe duke pasur parasysh të gjitha sa më sipër, Gjykata konsideron se në procedurën konkrete gjyqësore para kolegjeve të Dhomës së Posaçme nuk ka pasur shkelje të të drejtave të parashtruesit të kërkesës për gjykim të drejtë të parashikuara me nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, dhe për rrjedhojë i konsideron këto pretendime të pabazuara.
Pretendimi për shkelje të nenit 24 të Kushtetutës
Gjykata më tej konstaton se parashtruesi i kërkesës pretendon gjithashtu shkelje të nenit 24 të Kushtetutës dhe se këtë shkelje të pretenduar e ndërlidh me çështjen e diskriminimit. Më konkretisht, parashtruesi i kërkesës konsideron se ai është diskriminuar për shkak se autoritetet kompetente “refuzuan realizimin e kërkesës së tij për paga të papaguara”.
Në thelb, nga kërkesa rezulton se parashtruesi i kërkesës konsideron se i është shkelur e drejta për ndalimin e diskriminimit nga neni 24 i Kushtetutës dhe neni 14 i KEDNJ-së në lidhje me të drejtën për një gjykim të drejtë. Lidhur me këtë, Gjykata rikujton se diskriminimi ekziston nëse rezulton me një trajtim të ndryshëm të individëve në situatat e ngjashme dhe nëse ky trajtim nuk ka justifikim objektiv ose të arsyeshëm. Për të qenë i justifikuar, trajtimi duhet të ndjek një qëllim legjitim, dhe duhet të ekzistojë një marrëdhënie e arsyeshme e proporcionalitetit ndërmjet mjeteve të përdorura dhe qëllimit i cili duhet të realizohet (shih Aktgjykimin e GJEDNJ-së, Marckx kundër Belgjikës, kërkesa nr. 6833/74, të 13 qershorit 1976, paragrafi 33). Për këtë arsye është e nevojshme që në çdo rast konkret të përcaktohet nëse parashtruesi është trajtuar ndryshe nga të tjerët në situatat e njëjta apo të ngjashme.
Rrjedhimisht, Gjykata nga pretendimet vëren se parashtruesi i kërkesës i ndërlidh pretendimet për diskriminim me “pamundësinë e realizimit të pretendimeve të tij”. Megjithatë, duke pasur parasysh përfundimet e Gjykatës lidhur me të drejtën për gjykim të drejtë nga pikat e mëparshme të këtij vendimi, sipas të cilave arsyetimet e vendimeve të kontestuara janë të qarta dhe logjike dhe se në këto arsyetime nuk ka elemente që tregojnë se vlerësimi i fakteve dhe provave në rastin konkret ishte keqpërdorur në dëm të parashtruesit të kërkesës dhe se zbatimi i së drejtës materiale dhe procedurale ka qenë arbitrar, dhe duke marrë parasysh se parashtruesi nuk ka ofruar prova përkatëse që do të tregonin për mundësinë që ai të jetë diskriminuar në ndonjë mënyrë tjetër përmes vendimeve të kontestuara, Gjykata konsideron se gjithashtu janë të pabazuara pretendimet e parashtruesit për shkelje të nenit 24 të Kushtetutës dhe nenit 14 të KEDNJ-së në lidhje me të drejtën për gjykim të drejtë.
Përfundim
Prandaj, Gjykata konkludon se pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkelje të të drejtave të garantuara me nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, si dhe pretendimet për shkelje të nenit 24 të Kushtetutës, janë pretendime që kualifikohen si pretendime “të pambështetura ose të paarsyetuara”. Rrjedhimisht, kërkesa në tërësi deklarohet e papranueshme si qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, siç përcaktohet në paragrafin (2) të rregullit 39 të Rregullores së punës.
PËR KËTO ARSYE
Gjykata Kushtetuese, në pajtim me nenin 113.1 dhe 113.7 të Kushtetutës, nenet 20 dhe 48 të Ligjit dhe rregullin 39 (2) të Rregullores së punës, në seancën e mbajtur më 7 qershor 2023, njëzëri:
VENDOS
I. TË DEKLAROJË kërkesën të papranueshme;
II. T’UA kumtojë këtë Aktvendim palëve;
III. TË PUBLIKOJË këtë Aktvendim në Gazetën Zyrtare, në pajtim me nenin 20.4 të Ligjit;
IV. Ky Aktvendim hyn në fuqi menjëherë.
Gjyqtari raportues Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese
Bajram Ljatifi Gresa Caka-Nimani
Ilaz Rrahmani
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Civile