KI125/23, Parashtrues Hazir Bublica, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [AC-I.-21-0096-AOOO1] të 16 shkurtit 2023, të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme
KI125/23, Aktvendim për Papranueshmëri, i 31 janarit 2024, publikuar më 23 shkurt 2024
Fjalët kyçe: kërkesë individuale, qartazi e pabazuar, mungesë evidente e shkeljes
Rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me ankesën e parashtruesit të kërkesës pranë Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), ku kishte kërkuar kompensim të pagave të papaguara nga tetori 2003 deri më 31 gusht 2005, dhe nga kjo datë deri më në ndërprerjen e marrëdhënies së punës, për kohën sa kishte punuar në NSH “Fabrika e Letrës, Kartuqit dhe Ambalazhit” Lipjan. Më 29 gusht 2013, Autoriteti i Likuidimit i AKP-së përmes Vendimit [PRN022-0322], e aprovoi kërkesën e tij në shumën përcaktuar në Vendimin e Gjykatës Komunale të Lipjanit, e cila, përmes Vendimit [C. nr. 237/200] të 16 gushtit 2015, ia kishte akorduar kompensimin për pagat e papaguara për periudhën nga tetori 2003 deri në gusht 2005. Megjithatë, më 20 shtator 2023, parashtruesi i kërkesës parashtroi ankesë në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme për Çështjet e Privatizimit (DHPGJS) për pjesën tjetër të kërkesës, respektivisht, për periudhën 31 gusht 2005 deri më 31 korrik 2006, e cila pjesë e kërkesës nuk ishte refuzuar apo aprovuar nga gjykata. Më 18 janar 2018, AKP-ja dorëzoi parashtresë në mbrojtje ndaj ankesës së parashtruesit të kërkesës, i cili më pas më 18 mars 2018 parashtroi përgjigje në mbrojtjen e AKP-së. DHPGJS-ja përmes Aktgjykimit [C-IV.-13-1797] të 19 janarit 2021, e refuzoi ankesën e parashtruesit të kërkesës, të cilën e arsyetoi duke u bazuar në dispozitat ligjore në fuqi që përcaktojnë se barra provës bie mbi parashtruesin e kërkesës për të mbështetur kërkesëpadinë e tij. Më 8 shkurt 2021, parashtruesi i kërkesës paraqiti ankesë kundër Aktgjykimit të DHGJPS-së për shkak të konstatimit të gabuar të gjendjes faktike dhe juridike, ndaj të cilës më pas, më 30 shtator 2022, AKP parashtroi përgjigje në ankesë. Kolegji i Apelit të DHGJPS-së përmes Aktgjykimit [AC-I-21-0096-A0001] refuzoi ankesën e parashtruesit të kërkesës si të pabazuar; dhe vërtetoi Aktgjykimin e DHPGJS-së, me arsyetimin se barra e provës për të vërtetuar faktin parashtruesi i kërkesës ka punuar në periudhën për të cilën kërkon pagat e papaguara bie mbi paditësin dhe paditësi, në rastin konkret parashtruesi i kërkesës, përkundër provave të lartcekura të cilat ndodhen në shkresa të lëndës, nuk kishte vërtetuar me ndonjë provë që të njëjtit t’i njihet e drejta në kompensim për pretendimin lidhur me pagat e papaguara në periudhën nga 1 shtator 2005 deri më 31 korrik 2006, dhe në këtë rast konsideroi se vërtetimi i punës, që parashtruesi e kishte bashkëngjitur në ankesë, nuk përmban as datën dhe as vitin se kur është lëshuar as numrin e protokollit, prandaj edhe me të nuk kishte arritur të vërtetojë se i njëjti ka punuar në periudhën për të cilën kërkon pagat e papaguara.
Parashtruesi i kërkesës shprehimisht ngriti pretendimin për mos mbajtjen e seancës dëgjimore, siç garantohet me nenin 31 të Kushtetutës në ndërlidhje me nenin paragrafin 1 të nenit 6 të KEDNJ-së. Ai gjithashtu pretendoi edhe shkeljen e nenit 24 të Kushtetutës, ku në kërkesën e tij theksoi si në vijim: “[…] diskriminimi i tij me rastin e refuzimit të kërkesës për kompenzim të të ardhurave mujore të garantuara nga 130 euro në muaj për kohën që ka punu në ruajte të objekteve dhe aseteve të ndërmarrjes në të cilën ka punuar nga data 01.shtator 2005 , e deri me dt.31 gusht 2006”.
Përkitazi me pretendimin për mos mbajtjen e seancës dëgjimore, pasi që shtjelloi parimet e bazuara në praktikën e saj dhe të GJEDNJ-së për këtë çështje, Gjykata vlerësoi se procedurat e zhvilluara pranë DHPGJS-së dhe Kolegjit të Apelit të DHPGJS-së: (i) nuk ngrenë ndonjë çështje të ndërlikueshmërisë së posaçme çka do ta bënte mbajtjen e seancës dëgjimore të domosdoshme, ndër të tjera, për faktin se aktgjykimet ishin bazuar edhe në një vendim të formës së prerë të shkallës së parë, respektivisht, Gjykatës Komunale në Lipjan; si dhe (ii) nga natyra e rastit rrjedh se DHPGJS-ja dhe Kolegji i Apelit të DHPGJS-së bazuar mbi parashtresa dhe materialet me shkrim kanë zgjidhur rastin në mënyrë të drejtë dhe të arsyeshme, për shkak se parashtruesi i kërkesës kishte dështuar të dëshmojë përvojën e punës për periudhën e kontestuar, ashtu siç e përcakton legjislacioni në fuqi.
Ndërsa, përkitazi me pretendimin për ndalim të diskriminimit, duke u bazuar në praktikën e saj gjyqësore dhe asaj të GJEDNJ-së, Gjykata vlerësoi se parashtruesi i kërkesës nuk kishte treguar apo identifikuar individin apo grupin në krahasim me të cilin është diskriminuar dhe me të cilin ai ka qenë në një situatë që në mënyrë relevante është e krahasueshme, andaj, këtë pretendim e shpalli të papranueshëm në kategorinë e pretendimeve “të pambështetura apo të paarsyetuara”
Rrjedhimisht, Gjykata konstatoi se pretendimet e parashtruesit të kërkesës në tërësi janë qartazi të pabazuara në baza kushtetuese ashtu siç është përcaktuar me paragrafin 2 të rregullit 34 të Rregullores së Punës.
Hazir Bublica
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Civile