Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit A. A. nr. 3/2023 të 10 shkurtit  2023 të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës

Nr. të lëndës KI106/23

Parashtruesit: Ramiz Buzhala

Shkarko:

KI106/23, Parashtrues: Ramiz Buzhala, vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit A. A. nr. 3/2023 të 10 shkurtit  2023 të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës

KI106/23, Aktvendim për papranueshmëri, i 16 korrikut 2024, publikuar 28 gusht 2024

Fjalët kyç: kërkesë individuale, çështje penale, e drejta në gjykim të drejtë, kërkesë qartazi e pabazuar, kërkesë e papranueshme  

Parashtruesi i kërkesës kishte ushtruar funksionin e Kryeprokurorit në Prokurorinë Themelore në Gjakovë, deri në marrjen e vendimit për suspendimin e tij, për shkak të inicimit të procedurës disiplinore, me dyshimin e bazuar se i njëjti në cilësi të Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Gjakovë, më 13 korrik 2022 kishte shpërndarë pyetje nga testi me shkrim që do të mbahej të njëjtën datë për rekrutimin e bashkëpunëtorëve profesionalë në Prokurorinë Themelore në Gjakovë, Prizren dhe Pejë.  Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) në lidhje me rastin në fjalë kishte caktuar një Panel hetimor për të hetuar shkeljet disiplinore. Ky panel më 31 gusht 2022, i kishte ofruar parashtruesit të kërkesës një marrëveshje në rast të pranimit të fajësisë dhe heqjes dorë nga mjetet ligjore pranë autoriteteve publike. Megjithatë, KPK nuk e kishte pranuar marrëveshjen e arritur ndërmjet parashtruesit të kërkesës dhe Panelit hetimor, duke e kthyer rastin pranë këtij të fundit për të vërtetuar gjendjen e plotë faktike. Pas verifikimit të gjendjes faktike Paneli hetimor, përpiloi një raport i cili theksonte, se në veprimet e parashtruesit të kërkesës është vërtetuar shkelja disiplinore, sipas nënparagrafit 2.10, paragrafit 2, të nenit 6 të Ligjit Nr. 06/L-057 për Përgjegjësisë Disiplinorë të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, duke propozuar që parashtruesit të kërkesës t’i shqiptohej sanksioni disiplinor “transferim i përhershëm në Prokurorinë Themelore në Pejë”, në pajtueshmëri me nënparagrafin 1.4, paragrafin 1 të nenit 7 të Ligjit të lartcekur. Ky Vendim u konfirmua nga KPK, më vendimin e 23 dhjetorit 2022 dhe nga Gjykata Supreme, me aktgjykimin e 10 shkurtit 2023.

Parashtruesi i kërkesës në Gjykatën Kushtetuese pretendoi se Aktgjykimi i kontestuar i Gjykatës Supreme, në ndërlidhje me vendimin e KPK-së ishte marrë në shkelje të të drejtave të tij, të garantuara me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, në ndërlidhje me paragrafin 1 të nenit 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Parashtruesi i kërkesës në esencë kishte ngritur pretendime për shkelje: (i) të së drejtës për “seancë dëgjimore”, (ii) të së drejtës për shkak të “kohës së pamjaftueshme për të përgatitur mbrojtjen”,  dhe (iii) të së drejtës për gjykim të drejtë për shkak të vërtetimit të gabuar të fakteve dhe aplikimit të gabuar të ligjit.

Gjykata pasi shtjelloi parimet e përgjithshme në lidhje me të drejtën për gjykim të drejtë, të vendosura nëpërmjet praktikes gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe praktikes së vet Gjykatës, i aplikoi të njëjtat në rrethanat e rastit konkret dhe konstatoi së kërkesa në tërësinë e saj ishte qartazi e pabazuar. Përkitazi me pretendimi e parë (i) për shkelje të së drejtës për seancë dëgjimore, Gjykata vërejti se ndaj parashtruesit të kërkesës ishin zhvilluar katër, seanca dëgjimore, dy nga Paneli hetimor dhe dy nga KPK, si nivel i parë i juridiksionit, dhe se i njëjti ishte dëgjuar nga KPK-ja, për çështje fakti dhe ligji, se ka pasur mundësi të mjaftueshme për të paraqitur çështjen e tij pranë Panelit hetimor dhe KPK-së, se Gjykata Supreme gjatë shqyrtimit të rastit të tij nuk kishte hapur çështje të faktit në kuptim të vlerësimit të ndonjë prove të re, dhe se çështja në shqyrtim para kësaj të fundit ishte ekskluzivisht çështje e ligjit. Përkitazi me pretendimin e dytë (ii), Gjykata pas parasysh faktin se parashtruesi i kërkesës ka pasur mundësi të bollshme dhe efektive për t’i kundërshtuar faktet kundër tij, pranë autoriteteve publike, konsideroi se pretendimet për pamundësinë për të përgatitur mbrojtjen e vetë”, e drejtë e garantuar me dispozitat e nenit 6 të Konventes, në baza kushtetueses, ishin “të pambështetura dhe të pajustifikuara”. Sa i përket pretendimit të tretë (iii), Gjykata vlerësoi se parashtruesi i kërkesës nuk kishte arritur të ngrejë nivelin e argumentimit të shkeljeve të pretenduara në nivel kushtetues, për faktin se nuk kishte shtjelluar tutje se ku qëndron arbitrariteti në interpretimin e normës së ligjit të zbatuar nga ana e Gjykatës Supreme, dhe se ai mori përgjigje të arsyetuar për të gjitha pretendimet që ngrënin çështje fakti dhe ligji, përfshi pretendimin për joproporcionalitetin e sanksionit disiplinor të shqiptuar nga KPK-ja. Gjykata për më tepër vlerësoi se në rastin konkret nuk është përmbushur kriteri përjashtues, ku interpretimi i normës së ligjit të aplikueshëm nga ana e autoriteti publik a gjykata mund të ketë qenë “qartazi i gabuar”, duke rezultuar në konkluzione arbitrare apo qartazi të paarsyeshme, dhe se procedurat e zhvilluara, në tërësinë e tyre, mund të kenë qenë të padrejta apo arbitrare

Për pasojë dhe bazuar edhe në sqarimet e dhëna në aktvendimin e publikuar, Gjykata konkludoi se: (I) pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkelje të së drejtës për seancë dëgjimore nga ana e Gjykatës Supreme dhe pretendimet për pamundësinë për të përgatitur mbrojtjen e vetë, i takonin kategorisë së tretë (iii) të pretendimeve “të pambështetura ose të pajustifikuara”, andaj të njëjtat në baza kushtetuese i shpalli qartazi të pabazuara; dhe (II) pretendimet për “vërtetim të gabuar të fakteve dhe zbatim të gabuar të ligjit”, i kualifikoi si pretendime të natyrës së “shkallës së katërt”, andaj si të tilla në baza kushtetuese të njëjtat i shpalli qartazi të pabazuara. Rrjedhimisht, kërkesa në tërësinë e sa, u shpall e papranueshme, në pajtim me nënrregullin (2) të rregullit 34 [Kriteret e pranueshmërisë] të Rregullores së punës.

Parashtruesit:

Ramiz Buzhala

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Tjetër