Prishtinë, më 26 qershor 2024
Nr. ref.: MM 2460/24
MENDIM MOSPAJTUES
i gjyqtarit
RADOMIR LABAN
në
rastin nr. KO157/23
Parashtrues
Vlora Dumoshi dhe 11 deputetë të tjerë
Vlerësim i kushtetutshmërisë së Vendimit nr. 08-V-583 të Kuvendit të Republikës së Kosovës, të 13 korrikut 2023, për shkarkimin e anëtares së Bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit
Duke shprehur që në fillim respektin tim ndaj mendimit të shumicës së gjyqtarëve në këtë rast, të cilët me shumicë votash konstatuan se Vendimi [Nr. 08-V-583] i Kuvendit të Republikës së Kosovës, i 13 korrikut 2023, nuk është në përputhje me paragrafin 9 të nenit 65 [Kompetencat e Kuvendit] dhe paragrafin 1 të nenit 142 [Agjencitë e Pavarura] të Kushtetutës.
Megjithatë, unë si gjyqtar individual kam mendim mospajtues në lidhje me konkludimin e shumicës dhe nuk pajtohem me mendimin e shumicës. Konsideroj se Gjykata ka qenë e detyruar t’u përgjigjet të gjitha pretendimeve të parashtruesve të kërkesës dhe t’i konstatojë të njëjtat në dispozitiv të aktgjykimit, sepse vetëm dispozitivi i aktgjykimit i obligon të gjithë personat fizikë dhe juridikë t’i respektojnë ato.
Unë si gjyqtar pajtohem me gjendjen faktike siç është deklaruar dhe paraqitur në aktgjykim dhe e pranoj të njëjtën gjendje faktike si të saktë. Gjithashtu, unë si gjyqtar, pajtohem me mënyrën se si janë parashtruar dhe paraqitur në aktgjykim pretendimet e parashtruesve të kërkesës dhe të njëjtat i pranoj si të sakta.
Megjithatë, nuk pajtohem me analizën ligjore në lidhje me pranueshmërinë e rastit në një pjesë dhe qëndrimin e shumicës lidhur me pretendimet e parashtruesve të kërkesës për shkeljen e nenit 3 [Barazia para Ligjit], nenit 24 [Barazia para Ligjit], nenit 32 [E Drejta për Mjete Juridike], paragrafit 1 të nenit 65 [Kompetencat e Kuvendit], si dhe nenit 142 [Agjencitë e Pavarura] të Kushtetutës (shih mendimin mospajtues të gjyqtarit Radomir Laban në rastin KO134/21 të 6 shtatorit 2023, shih gjithashtu mendimin konkurrues të gjyqtarit Radomir Laban në rastin KO139/21 të 16 qershorit 2023).
Për sa më sipër, dhe në pajtim me rregullin 56 të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese, për të ndjekur sa më lehtë dhe qartë arsyetimin e mendimit tim mospajtues, unë, do të (I) prezantoj pretendimet e përgjithshme të parashtruesve të kërkesës për shkeljet e pretenduara; (II) paraqes pretendimet përkitazi me shkeljen e paragrafit 1 të nenit 65 [Kompetencat e Kuvendit] të Kushtetutës; (III) paraqes pretendimet përkitazi me shkeljen e nenit 142 [Agjencitë e Pavarura] të Kushtetutës; (IV) bëj vlerësimin e pretendimeve të parashtruesve përkitazi me shkeljet e pretenduara të nenit 65.9 dhe nenit 142 të Kushtetutës; (V) paraqes pretendimet përkitazi me shkeljet e nenit 3 [Barazia para Ligjit], nenit 24 [Barazia para Ligjit] dhe nenit 32 [E Drejta për Mjete Juridike] të Kushtetutës; (VI) bëj analizën e pranueshmërisë lidhur me nenet përkatëse; si dhe (VII) do të paraqes përfundimin lidhur me shkeljet e pretenduara të të drejtave të parashtruesve të kërkesës.
Pretendimet e përgjithshme të parashtruesve të kërkesës për shkeljet e pretenduara
Parashtruesit e kërkesës pretendojnë se vendimi i kontestuar i Kuvendit është në kundërshtim me nenin 3 [Barazia para Ligjit], nenin 24 [Barazia para Ligjit], nenin 32 [E Drejta për Mjete Juridike], paragrafin 1 të nenit 65 [Kompetencat e Kuvendit], si dhe me nenin 142 [Agjencitë e Pavarura] të Kushtetutës.
Pretendimet përkitazi me shkeljen e paragrafit 1 të nenit 65 [Kompetencat e Kuvendit] të Kushtetutës
Parashtruesit e kërkesës theksojnë se paragrafi 1 i nenit 65 të Kushtetutës përcakton se Kuvendi miraton ligje, rezoluta dhe akte tjera të karakterit të përgjithshëm, ndërsa vendimi i kontestuar ka karakter individual sepse shkel të drejtat individuale të znj. Kimete Gashi duke e shkarkuar atë nga pozita e anëtares së Bordit të OSHP-së. Rrjedhimisht, parashtruesit e kërkesës pretendojnë se Kuvendi ka tejkaluar kompetencat e përcaktuara me paragrafin 1 të nenit 65 të Kushtetutës pikërisht për shkak se vendimi i kontestuar cenon të drejtat individuale të znj. Kimete Gashi.
Në këtë kontekst, parashtruesit e kërkesës theksojnë: “Në bazë të kësaj kjo dispozite Kushtetuese nuk ka mundur të aplikohet sepse Vendimi i Kontestuar është vendim individual, pra nuk është akt i përgjithshëm e as ligj. Por është Vendim individual me të cilin i janë shkelur të drejtat e Znj. Kimete Gashi si Anëtare e Organit Shqyrtues të Prokurimit. Vendimi i kontestuar është kundër kushtetues nga se nuk ka mundur të aplikohet kjo dispozitë e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, për akte individuale, prandaj Kuvendi i Republikës së Kosovës ka dalur jashtë kompetencave të tija, të përcaktuara me nenin 65 të Kushtetutës së Republikës se Kosovës.”
Parashtruesit e kërkesës theksojnë se në propozimin e Qeverisë thuhet se, “znj. Kimete Gashi në kundërshtim me ligjin në fuqi ka tentuar të lejojë plasimin në treg të insulinave pa autorizim marketing duke e rrezikuar kështu shëndetin publik”. Sipas parashtruesve të kërkesës shkelja e ligjit vërtetohet në procedurë gjyqësore nga gjykatat dhe jo nga Kuvendi dhe se përmes Vendimit të kontestuar i njëjti ka ndërhyrë në një çështje që është kompetencë e gjykatave. Në këtë kontekst, parashtruesit e kërkesës, ndër të tjera, pretendojnë se “Vendimi i Panelit Shqyrtues i Organit Shqyrtues të Prokurimit PSH. 397/409-122 i 11 tetorit 2022 iu kishte nënshtruar kontrollit gjyqësor me mjete juridike, dhe e dy instancave gjyqësore i kishin hedhur Padinë e Paditëses Ministria e Shëndetësisë me Aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë - Departamenti për Çështje Administrative A. nr. 2953/12022 të 21 tetorit 2022 dhe Aktvendimin e Gjykatës së Apelit të Kosovës në Prishtinë AA. nr. 851/2023 të 9 shkurtit 2023. Pra Aktvendimet ishin bërë të formës së prerë. Atëherë shtrohet pyetja se Vendimet e Organit Shqyrtues te Prokurimit a i nënshtrohen kontrollit Gjyqësor, apo i nënshtrohen kontrollit nga Kuvendi i Republikës së Kosovës. Nga se më këtë Vendim të Kuvendit të Republikës së Kosovës është abroguar në tërësi Sistemi Gjyqësor i Republikës së Kosovës si pushtet i ndarë, dhe Kuvendi i Republikës së Kosovës jashtë kompetencave të përcaktuara me kushtetutë (Neni 65 i Kushtetutës), ka ndërhyrë në një çështje që është kompetence e gjykatave”.
Parashtruesit e kërkesës theksojnë përmbajtjen e paragrafit 4 të nenit 101 (Pezullimi dhe largimi i një anëtari të OSHP) të Ligjit Nr. 04/L-042 për Prokurimin Publik të Republikës së Kosovës, të plotësuar dhe ndryshuar me Ligjin nr. 04/L-237 dhe Ligjin nr. 05/L-068 (në tekstin e mëtejmë: Ligji për Prokurimin Publik): “Largimi dhe pezullimi i një anëtari të OSHP i nënshtrohet të njëjtave rregullave dhe procedura të parapara me këtë ligj për anëtarët e KRPP-së”. Në këtë kontekst, parashtruesit e kërkesës pretendojnë se përveç se mungojnë procedura dhe arsyetimi i shkarkimit të anëtares së Bordit të OSHP-së, vendimi i kontestuar është bazuar në një dispozitë ligjore “inekzistente”.
Parashtruesit e kërkesës po ashtu pretendojnë: “Është aplikuar neni 101 paragrafi 4 i Ligjit nr. 04/L-042 Për Prokurimin Publik te Kosovës duke u ndërlidhur në tre Ligje për Ndryshim dhe Plotësim të Ligjit bazik (Ligjin nr. 04/L-237, Ligjin nr. 05/L-068 dhe Ligjin nr. 05/L-068) të cilat Ligje nuk parashohin paragrafin 4 pra Kuvendi Vendimin e tyre e bazon në dispozitë inekzistente! [...] Nga Vendimi i kontestuar fare nuk shihet se në çka konsiston shkelja e etikës profesionale që lidhet me detyrat e saj. Shtrohet pyetja si është konstatuar kjo rrethanë-“Fakt” ?!! e cila është parakusht për aplikimin e Ligjit nr. 05/L-092 nenit 101 paragrafit 4 të Ligjit”.
Pretendimet përkitazi me shkeljen e nenit 142 [Agjencitë e Pavarura] të Kushtetutës
Parashtruesit e kërkesës theksojnë se neni 142 i Kushtetutës përcakton vetëm kompetencën e Kuvendit për themelimin e agjencive të pavarura si kategori kushtetuese, por jo edhe shkarkimin e anëtarëve të tyre.
Në këtë kontekst, parashtruesit e kërkesës, ndër të tjera, pretendojnë: “Kjo dispozitë sanksionon ekzistimin e Agjencive të Pavarura dhe mënyrën e punës parimore si kategori kushtetuese dhe asgjë tjetër. Nga kjo dispozitë nuk rezulton asnjë burim juridiko kushtetues për shkarkim të ndonjë Anëtari të ndonjë Agjencie të Pavarur. Vendimi i kontestuar është kundër kushtetues nga se nuk ka mundur të aplikohet kjo dispozitë e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, e cila nuk e rregullon çështjen e shkarkimit të çfarë do anëtari të Agjencive të Pavarura, por e sanksionon vetëm ekzistimin e tyre si kategori Kushtetuese. Prandaj në Vendimin e kontestuar është zbatuar gabimisht edhe kjo normë Kushtetuese (Neni 142 i Kushtetutës).”
Parashtruesit e kërkesës më tej theksojnë: “Vetëm me Ligjin nr.05/L-092, nenin 101 paragrafi 4 përcaktohet po citoj: “Përveç siç është paraparë në paragrafin 3 të këtij neni, Qeveria i propozon Kuvendit, shkarkimin e kryetarit apo një anëtari të OSHP-së, nëse ai/ajo vepron në kundërshtim me etiken profesionale që ndërlidhet me detyrat e tij/saj”.
Vlerësimi i pretendimeve të parashtruesve të kërkesës përkitazi me shkeljet e pretenduara të nenit 65.9 dhe nenit 142 të Kushtetutës
Paragrafi 9 i nenit 65 të Kushtetutës përcakton se Kuvendi mbikëqyr punën e Qeverisë dhe të institucioneve të tjera publike, të cilat, në bazë të Kushtetutës dhe ligjeve, i raportojnë Kuvendit.
Më 10 maj 2023, Qeveria përmes Vendimit [nr. 13/2024] kishte vendosur t’i propozojë Kuvendit shkarkimin e anëtares së OSHP-së, znj. Kimete Gashi për “shkeljen e etikës profesionale”. Pas mbledhjeve të mbajtura më 10 dhe 17 maj 2023, Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere, më 10 korrik 2023, vendosi t’i rekomandojë Kuvendit që ai të mos e miratojë propozim-vendimin e Qeverisë për shkarkimin e znj. Kimete Gashi nga pozita e anëtares së OSHP-së. Më 13 korrik 2023, Kuvendi, përmes Vendimit [Nr. 08-V-583] vendosi që znj. Kimete Gashi të shkarkohet nga pozita e anëtares së OSHP-së. Në transkriptin e mbledhjes plenare të Kuvendit, të mbajtur më 13 korrik 2023, rezulton se në votim kanë marrë pjesë gjashtëdhjetë (61) deputetë, nga të cilët pesëdhjetë e tetë (58) kanë votuar “për” shkarkimin e znj. Kimete Gashi, një (1) votë ishte “kundër” dhe dy (2) “abstenime”. Pas përfundimit të votimit, Kuvendi, më 13 korrik 2023, miratoi aktin e kontestuar [Nr. 08-V-583], me të cilin konfirmohet edhe zyrtarisht shkarkimi i znj. Kimete Gashi nga pozita e anëtares së OSHP-së.
Në këtë kontekst, unë fillimisht theksoj rolin e Kuvendit në ushtrimin e funksionit të tij thelbësor të mbikëqyrjes. Në këtë kontekst, theksoj se bazuar në paragrafin 2 të nenit 4 [Forma e Qeverisjes dhe Ndarja e Pushtetit] të Kushtetutës, Kuvendi ushtron pushtetin legjislativ. Këtë funksion, Kuvendi e ushtron bazuar në kompetencat e përcaktuara në nenin 65 të Kushtetutës, përfshirë kompetencën (i) për të miratuar ligje, rezoluta dhe akte të tjera të përgjithshme, siç përcaktohet në paragrafin 1 të këtij neni; dhe (ii) për të mbikëqyrur punën e Qeverisë dhe të institucioneve të tjera publike, të cilat, në bazë të Kushtetutës dhe ligjeve, i raportojnë Kuvendit, siç përcaktohet në paragrafin 9 të këtij neni. Që të dyja këto kompetenca të Kuvendit përbëjnë thelbin e funksionit kushtetutës të tij (shih rastin e Gjykatës KO134/21, parashtrues Ramush Haradinaj dhe nëntë (9) deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Aktgjykim i 1 gushtit 2023, paragrafi 111).
Rikujtoj se dymbëdhjetë (12) deputetë kontestuan kushtetutshmërinë e vendimit të kontestuar të Kuvendit me të cilin është shkarkuar anëtarja e OSHP-së, duke theksuar, ndër të tjera, se (i) Kuvendi ka vendosur të shkarkojë anëtaren e OSHP-së pa bazë ligjore; (ii) Kuvendi ka shkarkuar anëtaren e OSHP-së për shkak të vendimmarrjes, përkatësisht ushtrimit të kompetencave të saj si anëtare e OSHP-së; (iii) Kuvendi i ka tejkaluar kompetencat e tij të përcaktuara me Kushtetutë, duke ndërhyrë në pushtetin gjyqësor sepse gjykatat tashmë kanë refuzuar padinë e Ministrisë së Shëndetësisë, të ngritur kundër Vendimit [P. SH. 397/409-122] të Bordit të OSHP-së, të 11 tetorit 2022; dhe (iv) Vendimi i Kuvendit është në kundërshtim me nenin 3 [Barazia para Ligjit], nenin 24 [Barazia para Ligjit], nenin 32 [E Drejta për Mjete Juridike], paragrafin 1 të nenit 65 [Kompetencat e Kuvendit], si dhe me nenin 142 [Agjencitë e Pavarura] të Kushtetutës.
Vë në dukje se pretendimet e lartcekura i referohen konkretisht tejkalimit të rolit mbikëqyrës të Kuvendit ndaj OSHP-së, si organ i pavarur shqyrtues, i cili ushtron kompetencat, funksionet dhe përgjegjësitë e përcaktuara sipas ligjit për zbatimin e procedurave për shqyrtimin e prokurimeve. Prandaj, në këtë kontekst, do të trajtoj dhe do të shqyrtoj pretendimet e parashtruesve të kërkesës, në kuadër të paragrafit 9 të nenit 65 [Kompetencat e Kuvendit] të Kushtetutës, pasi në thelb kërkesa ngre çështje të ushtrimit të funksionit mbikëqyrës të Kuvendit ndaj institucioneve publike, përkatësisht ushtrimit të funksionit mbikëqyrës ndaj OSHP-së.
Theksoj se bazuar në paragrafin 9 të nenit 65 të Kushtetutës, OSHP-ja për veprimtarinë e saj i raporton Kuvendit, ndërsa bazuar në Ligjin për Prokurimin Publik, OSHP-ja për veprimtarinë e saj për çdo vit kalendarik i përgjigjet Kuvendit.
Më tej, kam sqaruar mënyrën e shkarkimit të anëtarëve të OSHP-së. Në këtë drejtim, në bazë të paragrafit 4 të nenit 101 të Ligjit nr. 05/092 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Prokurimin Publik, shkarkimi i kryetarit apo të një anëtari të OSHP-së nga Kuvendi, mund të bëhet (i) sipas propozimit të Qeverisë, me kusht që (ii) i njëjti ka vepruar në kundërshtim me “etikën profesionale që ndërlidhet me detyrat e tij/saj”.
Në këtë kontekst, konsideroj se vendimi i kontestuar është në pajtueshmëri të plotë me dispozitat kushtetuese dhe se ai bazohet në procedurat e përcaktuara me Ligj dhe me Rregullore të punës. Sipas tyre, vendimi i kontestuar është në kompetencë të patjetërsueshme të Kuvendit, i cili merr vendime me shumicë të votave të deputetëve, siç edhe ka ndodhur në rastin konkret.
Theksoj se vendimi i kontestuar si vendimmarrje hyn në fushëveprimin e punës së Kuvendit në bazë të paragrafit 1 të nenit 65 [Kompetencat e Kuvendit].
Gjithashtu, konsideroj se vendimi i kontestuar është në përputhje edhe me nenin 142 [Agjencitë e Pavarura] të Kushtetutës dhe në këtë kontekst theksoj se: “Neni 142 i Kushtetutës, mbi Agjencitë e Pavarura parasheh mënyrën e tyre të funksionimit, kompetencat e përgjegjësitë të rregulluara sipas ligjit të miratuar nga Kuvendi”.
Andaj, dispozita e veçantë që rregullon shkarkimin dhe e cila qartësisht hyn brenda kategorive të funksionimit, kompetencave e përgjegjësive të një agjencie të pavarur, përcaktohet me ligj, siç është përcaktuar në këtë rast konkret. Pra, procedura dhe procesi janë në pajtim të plotë me frymën dhe udhëzimet e nenit 142 të Kushtetutës.
Sa i përket bazës ligjore të vendimit të kontestuar, unë konsideroj se vendimi i kontestuar ka bazë ligjore dhe se kjo bazë ligjore nuk është “inekzistente”, siç pretendojnë parashtruesit e kërkesës, duke theksuar: “Kuvendi ka vendosur me shumicë të votash në bazë të propozimit të Qeverisë të bazuar në nenin 101 të Ligjit për Prokurimin Publik i cili përtej kompetencës së Qeverisë për të propozuar, parasheh obligimin dhe përgjegjësinë e Kuvendit për të vendosur lidhur me propozimin. Andaj, të ftuarit në nenin 101 të Ligjit për Prokurimin Publik nuk është të ftuarit në bazë ligjore inekzistente siç pretendon në mënyrë të gabuar parashtruesi i kërkesës, por është respektim i Ligjit nga Kuvendi i cili ka miratuar po këtë Ligj për Prokurimin Publik”.
Bazuar në të gjitha sa më sipër, unë konstatoj se Kuvendi ka vepruar në pajtim me nenin 65 paragrafi 9, sipas së cilit ai ka të drejtë të mbikëqyrë agjencitë dhe organet që ka formuar vetë, si dhe se, në përputhje me nenin 142 të Kushtetutës, i është referuar normave përkatëse të ligjit, përkatësisht nenit 101 të Ligjit për Prokurimin Publik, më saktësisht paragrafit 4, i cili parashikon se, “Përveç siç është paraparë në paragrafin 3 të këtij neni, Qeveria i propozon Kuvendit, shkarkimin e kryetarit apo një anëtari të OSHP-së, nëse ai/ajo vepron në kundërshtim me etiken profesionale që ndërlidhet me detyrat e tij/saj”.
Unë konsideroj se nuk është detyrë e Gjykatës Kushtetuese të konstatojë gjendjen faktike në vet rastin, nëse shkarkimi i anëtares së OSHP-së, znj. Kimete Gashi, ka ndodhur në të vërtetë për shkak të “shkeljes së etikës profesionale”, siç thuhet në vendimin e kontestuar të Kuvendit, por se kjo është detyrë e gjykatave të rregullta në procedurën administrative, aq më tepër që në këtë rast bëhet fjalë për një akt juridik që prodhon pasoja për individin dhe nuk ka efekt erga omes.
Konsideroj se detyra e Gjykatës Kushtetuese ishte vetëm të vërtetonte nëse në përputhje me nenin 65, paragrafi 9, Kuvendi kishte të drejtë të ushtronte funksion mbikëqyrës, gjë që në këtë rast nuk është kontestuese as për parashtruesit e kërkesës, si dhe që Gjykata Kushtetuese, në përputhje me nenet 65 dhe 142 të Kushtetutës, të konstatonte nëse Kuvendi në miratimin e aktit të kontestuar ka ndjekur procedurat e parashikuara me Kushtetutë dhe është thirrur në bazën për shkarkim të paraparë me ligj.
Prandaj, në dritën e rrethanave të këtij rasti, nuk bëhet fjalë për tejkalim të kompetencave të Kuvendit dhe as për ndërhyrje të tij në domenin e punës së institucioneve të pavarura, sepse Kuvendi ka të drejtë të emërojë dhe të shkarkojë anëtarët e OSHP-së. Kjo vërteton se pretendimi i parashtruesve të kërkesës se Kuvendi ka vepruar në kundërshtim me paragrafin (9) të nenit 65 dhe nenin 142 të Kushtetutës, është i pabazuar, sepse ai me vendimin e kontestuar ka shkarkuar anëtaren e OSHP-së për shkak të “shkeljes së etikës profesionale”, siç përcaktohet me nenin 101 të Ligjit për Prokurimin Publik.
Bazuar në sa më sipër, konsideroj se detyra e gjykatave të rregullta është të konstatojnë gjendjen e saktë faktike në procedurën administrative dhe të konstatojnë nëse Kuvendi me vendimin e kontestuar e kishte shkarkuar anëtaren e OSHP-së për shkak të “shkeljes së etikës profesionale”, përkatësisht nëse ka pasur shkelje të normave ligjore që parashikojnë procedurën e shkarkimit. Në fund të fundit, znj. Kimete Gashi me siguri do të duhet ta zhvillojë këtë procedurë administrative për të realizuar të drejtat e saj.
Unë konsideroj se pretendimet e parashtruesve të kërkesës kanë të bëjnë me shkeljen e Ligjit për Prokurimin Publik, më saktësisht të nenit 101, paragrafit 4 të tij, dhe se çështjet e ngritura janë të natyrës ligjore, ndërsa gjendja e saktë faktike duhet të përcaktohet në një kontest administrativ, duke dëgjuar anëtarët e tjerë të OSHP-së dhe duke vërtetuar gjendjen e saktë faktike.
Rrjedhimisht, konsideroj se përmbajtja e aktit të kontestuar nuk është në kundërshtim me nenet 65 (9) dhe 142 të Kushtetutës.
Pretendimet përkitazi me shkeljen e neneve 3 [Barazia para Ligjit], 24 [Barazia para Ligjit] dhe 32 [E Drejta për Mjete Juridike] të Kushtetutës
Parashtruesit e kërkesës theksojnë se me vendimin e kontestuar është shkelur parimi i barazisë para ligjit, siç garantohet me nenet 3 dhe 24 të Kushtetutës, për shkak se është shkarkuar vetëm një anëtare, kurse Paneli Shqyrtues i OSHP-së përbëhet edhe nga katër (4) anëtarë të tjerë.
Në këtë drejtim, parashtruesit e kërkesës pretendojnë: “Në rastin konkret me Vendimin e kontestuar me këtë kërkese, Kuvendi i Republikës së Kosovës e ka shkelur nenin 3 dhe 24 te Kushtetutës së Kosovës, për faktin se e ka shkarkuar vetëm një anëtare të Panelit Shqyrtues të Organit Shqyrtues të Prokurimit edhe pse edhe katër anëtarë të tjerë të Panelit Shqyrtues të OSHP-së të apostrofuar me këtë Kërkesë kanë vendosur në mënyrë anonime”.
Parashtruesit e kërkesës gjithashtu theksojnë se vendimi i kontestuar cenon të drejtën për mjete juridike siç garantohet me nenin 32 të Kushtetutës sepse “nuk ka asnjë udhëzim apo këshillë për përdorim të mjeteve juridike”.
Në këtë drejtim, parashtruesit e kërkesës pretendojnë se: “Sa i përket formës së Vendimit të kontestuar e njëjta fare nuk ka arsyetim e as udhëzim mbi mjetin juridik kurse kemi të bëjmë me të drejtën e qytetarit të shkarkuar në mënyrë të kundërligjshme e që konsiderohet vend pune [...] me mos respektimin e formës është shkelur dispozita mbi të drejtat dhe liritë e njeriut nga neni 32 i Kushtetutës”.
Parashtruesit e kërkesës pretendojnë se: “Si rekapitullim i çështjes është e shkarkuara si Anëtare e Panelit të OSHP-së ka marrë vendim në kuadër të kompetencave të saja dhe se kjo nuk paraqet kurrfarë “tentative te shkeljes se ligjit” në mënyrë unanime me anëtarët e Panelit, i cili vendim nuk është vendim meritor sepse me të është kthyer ne rivendosje çështja e që vendimi e ka mbështetjen në Ligj. Shtrohet pyetja pasi që Kuvendi ka miratuar propozimin e Qeverisë po rezulton që e shkarkuara ka qenë dashur të vendosi ndryshe nga bindja e saj profesionale, kurse kjo “ndryshe” po mbahet sekret. Kjo nuk paraqet shkarkim për shkelje të etikës, por kjo nuk paraqet pavarësi të Organit Shqyrtues të Prokurimit, por përkundrazi pasiguri juridike të ngarkuarve me punë publike në vendimmarrje sipas Ligjit”.
Analiza e pranueshmërisë në lidhje me nenet përkatëse
Për sa i përket kushteve për vlerësimin e kushtetutshmërisë së “ligjit” të miratuar nga Kuvendi dhe “vendimit” të miratuar nga Kuvendi, në kuptim të nenit 113.5, theksoj se kontestimi i kushtetutshmërisë së një ligji është dukshëm i ndryshëm nga kontestimi i kushtetutshmërisë së një vendimi. Ky dallim konsiston në faktin se çfarë përcakton përmbajtjen e aktit, pra cilat janë pasojat juridike që prodhon akti i Kuvendit, përkatësisht nëse përmbajtja e normës së shkruar të aktit të Kuvendit ka efekt erga omnes apo ka një efekt ndaj një subjekti të caktuar (individin).
Prandaj, konsideroj se ajo që Gjykata duhet të vlerësojë përkitazi me pretendimet e parashtruesve të kërkesës në lidhje me shkeljen e të drejtave të njeriut nga Kapitulli II i Kushtetutës është çështja se çfarë pasojash juridike prodhoi akti i kontestuar i Kuvendit në dritën e rrethanave të rastit konkret, me qëllim që të vlerësohet më tej nëse pretendimet e tilla të parashtruesve të kërkesës ngritën çështje kushtetuese nga neni 113.5 i Kushtetutës dhe nëse parashtruesit e kërkesës legjitimojnë veten si palë të autorizuara për të ngritur pretendime të tilla.
Në këtë kontekst i referohem edhe praktikës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, përkatësisht Vendimit nr. 29/09, të 21 tetorit 2009, me parashtrues: Grupi prej 30 deputetësh të Kuvendit të Shqipërisë, nëpërmjet të cilit, ndër të tjera, kërkohej anulimi i Vendimit të Kuvendit [Nr. 190] të 16 qershorit 2008, për shkak të mosdhënies së pëlqimit për emërimin e z. Z.P, për anëtar të Gjykatës Supreme. Për përcaktimin e kompetencës së saj, gjykata vlerësoi nëse objekti i kontrollit kushtetues përpara saj është një akt me karakter normativ dhe nëse synimet e tij ngrenë çështje konflikti kompetencash ndërmjet autoriteteve qendrore apo lokale. Në dritën e rrethanave të çështjes, gjykata në fjalë konstatoi: “Gjykata është shprehur më parë se në gjykimet e natyrës abstrakte nuk është kompetente të kontrollojë akte të karakterit individual. Duke qenë se vendimi i Kuvendit, i cili është objekt shqyrtimi, pasqyron vullnetin e Kuvendit për të mos dhënë pëlqimin për emërimin e një anëtari të Gjykatës Supreme, Gjykata pranon se ky akt ka karakter individual. Në këto rrethana, Gjykata vlerëson se nuk është kompetente të kontrollojë vendimin e Kuvendit nr. 190, të 16.06.2008. Në përfundim, Gjykata konkludon se kërkesa e ngritur nga një grup prej të paktën një të pestës së deputetëve (1/5) i referohej anulimit të vendimit të Kuvendit nr. 190, të 16.06.2008, duhet shfuqizuar për shkak të mungesës së legjitimitetit të parashtruesve të kërkesës dhe mungesës së juridiksionit të kësaj gjykate”.
Vërej se pretendimet e parashtruesve të kërkesës se me aktin e kontestuar të Kuvendit janë shkelur të drejtat kushtetuese të një anëtari të Bordit të OSHP-së, të garantuara me nenet 3 [Barazia para Ligjit], 24 [Barazia para Ligjit] dhe 32 [E Drejta për Mjete Juridike] të Kushtetutës, ngrenë çështje kushtetuese, por jo nga paragrafi 5 i nenit 113 të Kushtetutës, në rrethanat e rastit konkret sepse akti i kontestuar cilësohet si akt juridik i karakterit individual dhe cenon vetëm të drejtat individuale të anëtarëve të Bordit të OSHP-së në veçanti.
Prandaj, konsideroj se anëtarja e shkarkuar e Bordit të OSHP-së, në rrethana të tilla, është viktimë e mundshme e shkeljes së të drejtave të saj me aktin e kontestuar. Andaj, Gjykata i referohet paragrafëve 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, që përcaktojnë se:
“1. Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.
[…]
7. Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.
[...]
Në vlerësimin e kritereve të pranueshmërisë të përcaktuara në paragrafin 1 të nenit 113 të Kushtetutës, vlerësoj se parashtruesit e kërkesës nuk legjitimohen si palë e autorizuar për të ngritur çështje të shkeljes së të drejtave individuale të anëtarëve të Bordit të OSHP-së, të garantuara me nenet 3, 24 dhe 32 të Kushtetutës, nëpërmjet kontrollit abstrakt parandalues, i cili bie në fushëveprimin e nenit 113.5 të Kushtetutës.
Në vijim, rikujtoj se parashtruesit të kërkesës pretendojnë se vendimi i kontestuar cenon të drejtën për mjete juridike siç garantohet me nenin 32 të Kushtetutës, sepse “nuk ka asnjë udhëzim apo këshillë për përdorim të mjeteve juridike”, kundër aktit të kontestuar të Kuvendit. Megjithatë, vlerësoj se kjo nuk duhet kuptuar apriori se anëtarët e Bordit të OSHP-së janë të përjashtuar si kategori juridike nga shterimi i të gjitha mjeteve juridike efektive në procedurat e rregullta kundër aktit të kontestuar të Kuvendit, sepse kjo prek drejtpërdrejtë të drejtat e tyre kushtetuese.
Në këtë kuptim, bazuar në normat kushtetuese, në praktikën time, dhe duke iu referuar parimeve të vendosura nga GJEDNJ, rikujtoj se legjislacioni ynë nuk e parasheh shprehimisht përjashtimin e kësaj kategorie individësh që ushtrojnë funksione publike, për të mos kërkuar mbrojtje gjyqësore të të drejtave të tyre në gjykatat e rregullta. Për më tepër, e drejta e tyre për qasje efektive në drejtësi buron nga Kushtetuta (shih, në mënyrë analoge, GJEDNJ, rastin Vilho Eskelinen dhe të tjerët kundër Finlandës, nr. 63235/00, Aktgjykim i 19 prillit 2007, paragrafi 62, dhe rastin e Gjykatës KI214/21, me parashtrues Avni Kastrati, Aktgjykim i 7 dhjetorit 2022, paragrafi 125).
Po ashtu rikujtoj se Ligji nr. 03/L-202 për Konfliktet Administrative ofron mjete juridike efektive për zgjidhjen e rastit të parashtruesit të kërkesës. Në këtë drejtim, Gjykata së pari thekson se vet qëllimi i LKA-së si ligj, siç përcaktohet në nenin 2 [Qëllimi] të tij, është të sigurojë mbrojtjen gjyqësore të të drejtave dhe interesave të personave fizikë dhe juridikë dhe palëve të tjera, të cilëve u janë shkelur të drejtat dhe interesat me: (i) aktet individuale; ose (ii) veprimet e organeve të administratës publike. Me nenin 3, paragrafi 1.1 të LKA-se përcaktohet se organet e administratës publike janë organe të administratës qendrore, ndërsa paragrafi 1.2 i të njëjtit nen cilëson si akt administrativ çdo vendim të organit administrativ të nxjerrë pas procedurës administrative në ushtrimin e autorizimeve publike dhe i cili në mënyrë të drejtpërdrejtë, ose tërthorazi cenon të drejtat, liritë apo interesat e personave fizikë dhe juridikë të njohura ligjërisht. Përveç dispozitës me të cilën përcaktohet qëllimi i ligjit, më konkretisht, neni 10 i LKA-së, ndër të tjera, parashikon mundësinë e fillimit të një konflikti administrativ kundër akteve për të cilat një person fizik ose juridik konsideron se është shkelur një e drejte ose interes ligjor (shih, KI214/21, cituar me lart, paragrafi 115 dhe 116).
Do të konsiderohej heqje dorë nga e drejta e tyre kushtetuese nëse anëtarët e Bordit të OSHP-së do t’ia linin të drejtën për të kërkuar mbrojtje gjyqësore në gjykatë në mëshirë dhe vullnet të parashtruesve të kërkesës, ku praktika gjyqësore e Gjykatës dhe GJEDNJ-së saktësojnë se “çdokush që konsideron se ka pasur ndërhyrje të kundërligjshme në ushtrimin e të drejtave civile të tij/saj dhe pretendon se i është kufizuar mundësia për të kontestuar një pretendim specifik para një gjykate, mund t’i referohet nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6.1 të KEDNJ-së, duke u thirrur në të drejtën përkatëse për “qasje në drejtësi” (shih, KI214/21, cituar më lart, paragrafi 107). Lidhur me këtë, askush nuk i pengoi anëtarët e Bordit të OSHP-së që të kërkojnë qasje në gjykatën civile kompetente për zgjidhjen e kontestit të tyre, i cili ekskluzivisht bie në fushën e marrëdhënieve të punës, duke iu referuar nenit 31 të Kushtetutës dhe nenit 6.1 të KEDNJ-së.
Prandaj, konsideroj se pretendimet e parashtruesve të kërkesës se anëtarëve të Bordit të OSHP-së nuk u ofrohen mjetet efektive për të ushtruar të drejtat e tyre civile, nuk qëndrojnë dhe nuk arsyetohen objektivisht, sepse asnjë dispozitë ligjore dhe kushtetuese nuk ua ndalon anëtarëve të Bordit të OSHP-së të drejtën për të kërkuar mbrojtjen ligjore të të drejtave të tyre në procedurë të rregullt, siç përcaktohet me nenin 54 të Kushtetutës.
Prandaj, bazuar në sa më sipër, konsideroj se parashtruesit të kërkesës nuk janë palë e autorizuar për të kontestuar kushtetutshmërinë e aktit të kontestuar, në lidhje me të drejtat e njeriut të garantuara me Kapitullin II të Kushtetutës, sipas nenit 113.5 të Kushtetutës, si dhe anëtarët e Bordit të OSHP-së nuk mund të lirohen nga detyrimi kushtetues për të shteruar të gjitha mjetet juridike efektive të parashikuara me ligjet në fuqi në procedurë të rregullt, siç kërkohet me paragrafin 7 të nenit 113 të Kushtetutës.
Në këtë mënyrë, konsideroj se kërkesa e parashtruesve në lidhje me shkeljet e të drejtave individuale të anëtarëve të Bordit të OSHP-së, të garantuara me nenet: 3, 24 dhe 32 të Kushtetutës, nuk i plotëson kriteret e pranueshmërisë për shqyrtim të mëtejshëm të meritave të kërkesës.
Përfundim në lidhje me shkeljet e pretenduara të të drejtave të parashtruesve të kërkesës
Bazuar në sa më sipër, dhe duke marrë parasysh shqyrtimet e pretendimeve të parashtruesve të kërkesës në kërkesën e tyre:
KONSIDEROJ SE Gjykata është dashur TA DEKLAROJË kërkesën të pranueshme për shqyrtim meritor të pretendimeve të parashtruesve të kërkesës lidhur me nenin 65.9 [Kompetencat e Kuvendit] dhe nenin 142 [Agjencitë e Pavarura] të Kushtetutës;
KONSIDEROJ SE Gjykata është dashur TË KONSTATOJË se Vendimi [nr. 08-V-583] i Kuvendit të Republikës së Kosovës, i 13 korrikut 2023, nuk është në kundërshtim me paragrafin 9 të nenit 65 [Kompetencat e Kuvendit] dhe paragrafin 1 të nenit 142 [Agjencitë e Pavarura] të Kushtetutës;
KONSIDEROJ SE Gjykata është dashur TA DEKLAROJË kërkesën të papranueshme për shqyrtim të pretendimeve të parashtruesve të kërkesës për shkelje të të drejtave të anëtarëve të Bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit, të garantuara me nenet: 3 [Barazia para Ligjit], 24 [Barazia para Ligjit] dhe 32 [E Drejta për Mjete Juridike] të Kushtetutës;
PAJTOHEM me konkluzionin e Gjykatës që TA REFUZOJË kërkesën e parashtruesve për vendosjen e masës së përkohshme.
Mendimi mospajtues është paraqitur nga gjyqtari;
Radomir Laban, gjyqtar
_________________
Më 22 maj 2024 në Prishtinë
Vlora Dumoshi dhe 11 deputetë të tjerë
KO - Kërkesë nga organet shtetërore
Urdhëra tjerë
Mendim mospajtues