Aktvendim

Kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, Rev. nr. 227/2020, të 6 korrikut 2020

Nr. të lëndës KI 177/20

Shkarko:
Përmbledhje

KI177/20, Parashtrues Sinan Shehu, Kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, Rev. nr. 227/2020, të 6 korrikut 2020

KI177/20, Aktvendim i 10 dhjetorit 2021, publikuar më 30 dhjetor 2021

Fjalët kyç: Kërkesë individuale, procedure civile, kërkesë e papranueshme.

Gjykata rikujton se rrethanat faktike të këtij rasti kanë të bëjnë më një kontest pronësor, respektivisht pronësinë dhe mënyrën e fitimit të saj mbi ngastrën kadastrale [00768-1] dhe me pas me ndarjen e trashëgimisë  në mes parashtruesit të kërkesës dhe vëllait të tij Xh.Sh., si dhe motrës se tij S.M.  Motra e parashtruesit të kërkesës S.M., kishte lidhur kontratë për dhurim [Vr. 162/09] të ngastrës kadastrale [00768-1] vëllait të saj Xh. Sh. , të cilën ajo e kishte fituar në bazë të një vendimi gjyqësor, si rezultat i kontestit gjyqësor mes një pale tjetër R.S., dhe jo në bazë të trashëgimisë. Parashtruesi i kërkesës paraqiti padi kundër S.M., dhe Xh.Sh., për anulimin e kontratës për dhurim të [Vr. 162/09]  të 28 janarit 2009, me arsyetimin se i është cenuar e drejta e pronësisë  me bazë trashëgimie nga i ati M.Sh. Parashtruesi i kërkesës poashtu kërkoi që të vërtetohet se ai është pronar i gjysmës se ngastrës kadastrale [00768-1] duke pretenduar se i takon pronësia në bazë të trashëgimisë nga i ati M.Sh. Gjykata Themelore në Gjilan, Dega në Kamenicë, përmes Aktgjykimit [C.nr.37/2013] refuzoi padinë e parashtruesit të kërkesës si të pabazuar, me arsyetimin se nuk është cenuar e drejtës e pronësisë se parashtruesit pasi që ngastra kadarstale gjatë hapjes se trashëgimisë nuk ishte e evidentuar në emër të M. Sh., (babait të palëve ndërgjyqësore) dhe se kjo ngastër ishte fituar me vonë përmes një vendimi gjyqësor nga ana e S.M. Me pas, parashtruesi i kërkesës paraqiti ankesë në Gjykatën e Apelit, kjo e fundit përmes Aktgjykimit [Ac.nr.1537/15] refuzoi si të pabazuar ankesën e parashtruesit të kërkesës dhe vërtetoi Aktgjykimin e Gjykatës Themelore. Në fund, parashtruesi i kërkesës paraqiti kërkesë për revizion në Gjykatën Supreme, me pretendimin për shkelje esenciale te dispozitave te procedurës kontestimore por kjo e fundit ia refuzon revizionin.

Gjykata vërejti se parashtruesi në kërkesën e tij, përveç që referohet në Kushtetutë, nuk specifikon e as nuk qartëson se cilat të drejta dhe liri dhe në çfarë mënyre i janë cenuar ato përmes aktit të autoritetit publik të cilin ai konteston.

Rrjedhimisht, Gjykata theksoj se për të konsideruar që një kërkesë plotëson kriteret e pranueshmërisë, parashtruesi i kërkesës është i detyruar që në kërkesën e tij të qartësoj saktësisht se cilat të drejta dhe liri pretendon se i janë cenuar dhe në mënyrë adekuate të paraqes faktet dhe pretendimet për shkelje të të drejtave apo dispozitave kushtetuese.

Kësisoj, Gjykata vërejti  se parashtruesi i kërkesës nuk kishte qartësuar se cilat të drejta dhe liri pretendon se i janë cenuar përmes aktit të kontestuar të autoritetit publik, përkatësisht Aktvendimit Rev. nr. 227/2020, të 6 korrikut 2020 të Gjykatës Supreme, të cilin ai e konteston në Gjykatë. Për më tepër, parashtruesi i kërkesës nuk qartësoi saktësisht faktet dhe pretendimet për shkelje të të drejtave kushtetuese.

Në rrethanat e rastit konkret, përderisa kërkesa e parashtruesit të kërkesës, është në përputhshmëri me kriteret e pranuueshmerise të përcaktuara me nenet 1 dhe 7 të Kushtetutës dhe nenet 47 dhe 49 të Ligjit, e njëjta nuk i plotësoi kriteret e pranueshmërisë siç janë përcaktuar me nenin 48 të Ligjit dhe pikën d) të paragrafit 1, të rregullit 39 të Rregullores së punës.

Si përfundim, Gjykata në pajtim me nenin 48 të Ligjit dhe me rregullin 39 (1) (d) të Rregullores, refuzoi kërkesën si të papranueshme.

Parashtruesit:

Sinan Shehu

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile