KI01/24, ProCredit Bank SH.A, Kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [Rev.nr.107/2023] të Gjykatës Supreme, i 21 korrikut 2023;
KI01/24, Aktvendim për papranueshmëri i 26 qershorit 2024, publikuar më 20 gusht 2024;
Fjalët kyçe: mungesë e arsyetimit; parashkrimi; përgjegjësia e dëmit;
Parashtruesi i kërkesës kishte lidhur kontratë mbi qiranë me qiradhënësin M.K., për shfrytëzimin e objektit në sipërfaqe prej 510 m2 dhe hapësirës shtesë 230 m2. Sipas kontratës së nënshkruar nga palët, qiradhënësi obligohej të paguante shpenzimet për renovimin e lokalit ndërsa parashtruesi i kërkesës të përzgjedhte kompaninë për kryerjen e punimeve. Kur parashtruesi i kërkesës kishte lëshuar objektin nga shfrytëzimi, qiradhënësi kishte konstatuar dëme të konsiderueshme në lokalin e tij dhe për këtë arsye paraqiti kërkesëpadi në Gjykatën Themelore për kompensimin e dëmit. Eksperti i ndërtimtarisë kishte konstatuar që dëmet në lokalin e qiradhënësit ishin shkaktuar për shkak të kualitetit të dobët të punimeve gjatë renovimit të lokalit. Gjykatat e rregullta e miratuan kërkesëpadinë e qiradhënësit dhe detyruan parashtruesin e kërkesës për kompensimin e dëmit financiar për dëmet e shkaktuara në lokalin e qiradhënësit. Sipas gjykatave të rregullta, parashtruesi i kërkesës e kishte marrë përsipër përzgjedhjen e kompanisë për kryerjen e punimeve dhe ishte përgjegjësi e tij shkaktimi i dëmit.
Parashtruesi i kërkesës paraqiti kërkesë në Gjykatë me pretendimin se vendimet e gjykatave të rregullta cenuan të drejtat e tij kushtetuese të garantuara me nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNj-së, për shkak se nuk ofruan arsyetime të mjaftueshme në lidhje me dy çështje kryesore: që përgjegjësia për shkaktimin e dëmit nuk ishte e tij por e kompanisë që i realizoi punimet; dhe kërkesëpadia e qiradhënësit ishte parashkruar ndërkaq gjykatat e rregullta nuk e adresuan fare çështjen e parashkrimit.
Gjykata i trajtoi pretendimet e parashtruesit të kërkesës në lidhje me dy çështjet kryesore që i kishte ngritur, nëse gjykatat e rregullta arsyetuan mjaftueshëm përgjegjësinë e dëmit dhe nëse e adresuan çështjen e parashkrimit të kërkesëpadisë. Në lidhje me arsyetimin e përgjegjësisë së dëmit, Gjykata vlerësoi se gjykatat e rregullta ofruan arsyetime të mjaftueshme mbështetur në dispozitat ligjore dhe të kontratës mbi qiranë ndërmjet palëve. Gjykata theksoi se nuk mund t’i zëvendësojë vlerësimet e gjykatave të rregullta mbi përgjegjësinë e dëmit sepse nuk mund të veprojë si shkallë e katërt e drejtësisë. Në lidhje me çështjen e parashkrimit, Gjykata theksoi se parashtruesi i kërkesës çështjen e parashkrimit të kërkesëpadisë e kishte ngritur vetëm në Gjykatën Supreme dhe jo më herët në Gjykatën Themelore dhe në Gjykatën e Apelit. Sipas Ligjit të Procedurës Kontestimore, nenit 180, parashkrimi nuk mund të paraqitet me ankesë në Gjykatën e Apelit nëse nuk është paraqitur në gjykimin e shkallës së parë. Rrjedhimisht parashtruesi i kërkesës nuk e kishte ngritur parashkrimin para gjykatave të rregullta prandaj Gjykata konstatoi se ai nuk i kishte shterur mjetet juridike në dispozicion, në kuptimin substancial. Gjykata e shpalli kërkesën e parashtruesit të kërkesës si të papranueshme.
ProCredit Bank SH.A
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Civile