Prishtinë, më 23 gusht 2024
Nr. Ref.: RK 2517/24
AKTVENDIM PËR PAPRANUESHMËRI
në
rastin nr. KI249/23
Parashtrues
Halidin Aliu
Kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [ARJ. nr. 70/2023] të Gjykatës Supreme, i 26 korrikut 2023
GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
e përbërë nga:
Gresa Caka-Nimani, kryetare
Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar,
Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare
Safet Hoxha, gjyqtar
Radomir Laban, gjyqtar
Remzije Istrefi-Peci, gjyqtare
Nexhmi Rexhepi, gjyqtar
Enver Peci, gjyqtar dhe
Jeton Bytyqi, gjyqtar
Parashtruesi i kërkesës
Kërkesa është parashtruar nga Halidin Aliu, me vendbanim në fshatin Brrut, komuna e Dragashit (në tekstin e mëtejmë: parashtruesi i kërkesës).
Vendimi i kontestuar
Parashtruesi i kërkesës konteston kushtetutshmërinë e Aktgjykimit [ARJ. nr. 70/2023] të Gjykatës Supreme, të 26 korrikut 2023.
Parashtruesi i kërkesës aktin e kontestuar e ka pranuar më 14 gusht 2023.
Objekti i çështjes
Objekt i çështjes së kërkesës është vlerësimi i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [ARJ. nr. 70/2023] të Gjykatës Supreme, të 26 korrikut 2023, për të cilën parashtruesi i kërkesës pretendon shkeljen e të drejtave kushtetuese të garantuara me nenin 3 [Barazia para Ligjit] dhe 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta), në lidhje me nenin 6 (E drejta për proces të rregullt) dhe 14 (Ndalimi i diskriminimit) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: KEDNJ).
Baza juridike
Kërkesa bazohet në paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 22 [Procedimi i kërkesës] dhe 47 [Kërkesa individuale] të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës, nr. 03/L-121 (në tekstin e mëtejmë: Ligji) dhe në rregullin 25 [Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve] të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).
Procedura në Gjykatën Kushtetuese
Më 3 nëntor 2023, parashtruesi i kërkesës dorëzoi kërkesën në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë Gjykata).
Më 8 nëntor 2023, Kryetarja e Gjykatës me Vendimin nr. GJR. KI249/23 caktoi gjyqtarin Nexhmi Rexhepi, gjyqtar raportues dhe me Vendimin KSH. KI249/23 caktoi anëtarët e Kolegjit shqyrtues, të përbërë nga gjyqtarët: Bajram Ljatifi (kryesues), Safet Hoxha dhe Remzije Istrefi-Peci (anëtarë).
Më 20 nëntor 2023, Gjykata e njoftoi parashtruesin e kërkesës për regjistrimin e kërkesës. Të njëjtën datë, një kopje e kërkesës iu dërgua edhe Gjykatës Supreme.
Më 11 dhjetor 2023, parashtruesi i kërkesës e njoftoi Gjykatën për ndryshimin e adresës së vendbanimit.
Më 13 dhjetor 2023, parashtruesi i kërkesës dorëzoi në Gjykatë dokumente shtesë: Aktgjykimin [A.nr.2817/2022] e Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Më 11 mars 2024, gjyqtari Jeton Bytyqi dha betimin para Presidentes së Republikës së Kosovës, me ç’ rast filloi mandati i tij në Gjykatë.
Më 14 mars dhe 27 qershor 2024, parashtruesi i kërkesës dorëzoi dy shkresa në Gjykatë, me të cilat kërkoi të trajtohet kërkesa e tij me urgjencë për shkak të gjendjes së vështirë ekonomike.
Më 17 korrik 2024, Kolegji shqyrtues shqyrtoi raportin e gjyqtarit raportues dhe njëzëri i rekomandoi Gjykatës papranueshmërinë e kërkesës.
Përmbledhja e fakteve
Më 19 shkurt 2021, parashtruesi i kërkesës parashtroi kërkesë në Komunën e Dragashit (në tekstin e mëtejmë: Komuna), përmes së cilës kërkoi që me rastin e pensionimit të tij si shërbyes civil, t’i paguheshin dy paga përcjellëse dhe tre paga jubilare. Parashtruesi i kërkesës pretendonte që një e drejtë e tillë i takonte sipas Marrëveshjes së Përgjithshme Kolektive (në tekstin e mëtejmë: MPK).
Komuna e refuzoi si të pabazuar kërkesën e parashtruesit të kërkesës. Komuna arsyetoi se sipas nenit 19 të Rregullores nr. 33/2012 për Shtesat në Pagë dhe Kompensime tjera të Nënpunësve Civilë, me rastin e pensionimit parashtruesit të kërkesës i takonte e drejta për një pagë mujore shtesë, të cilën parashtruesi i kërkesës e kishte marrë. Ndërkaq, sipas nenit 21 të kësaj Rregullore, nëpunësit civilë të cilët janë në marrëdhënie të vazhdueshme pune në Shërbimin Civil iu takon një shpërblim në vlerë 25 për qind të pagës mesatare në Shërbimin Civil pas çdo dhjetë (dhjetë) vitesh përvojë pune, të cilën parashtruesi i kërkesës e kishte marrë.
Më 8 prill 2021, parashtruesi i kërkesës parashtroi padi në Gjykatën Themelore në Prishtinë (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Themelore), dhe kërkoi anulimin e vendimit të Komunës.
Më 13 tetor 2021, Gjykata Themelore përmes Aktvendimit [A. nr. 804/2021] kërkoi nga parashtruesi i kërkesës të plotësonte kërkesëpadinë e tij dhe të dëshmonte që i kishte shterur mjetet juridike në procedurë administrative.
Më 3 shkurt 2022, parashtruesi i kërkesës përsëri iu drejtua Komunës me kërkesat e njëjta dhe kërkoi ta udhëzonte se ku ta paraqes ankesën në shkallë të dytë.
Më 22 shkurt 2022, Komuna e njoftoi parashtruesin e kërkesës se mund t’i drejtohet Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (në tekstin e mëtejmë: KPMSHCK), si organ i shkallës së dytë.
Më 3 mars 2022, parashtruesi i kërkesës parashtroi ankesë në KPMSHCK kundër vendimit të Komunës për refuzimin e kërkesës së tij.
Më 15 prill 2022, KMPSHCK-ja përmes Vendimit [A. nr. 204/2022] e refuzoi kërkesën e parashtruesit të kërkesës dhe e vlerësoi si të drejtë vendimin e Komunës.
Më 24 maj 2022, parashtruesi i kërkesës e plotësoi kërkesëpadinë fillestare të dorëzuar në Gjykatën Themelore.
Më 18 tetor 2022, Gjykata Themelore përmes Aktgjykimit [A. nr. 804/2021] e refuzoi si të pabazuar kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës. Gjykata Themelore arsyetoi si në vijim: “Marrëveshja e Përgjithshme Kolektive e publikuar në Gazetën Zyrtare me datë 18.06.2014 ka hyrë në fuqi me datë 01.01.2015 dhe e njëjta sipas nenit 90, paragrafi 4 të Ligjit Nr.03/L-212 të Punës, ka qenë e zbatueshme në periudhë jo më shumë se tri vjet, respektivisht deri me datë 31.12.2017 [...]. Gjykata po ashtu vërtetoi konstatimin se paditësi nuk kishte arritur të parashtroj brenda afatit prej 30 ditësh kërkesën për pagesën e shpërblimit jubilar prej 10 vitesh”.
Më 17 nëntor 2022, parashtruesi i kërkesës paraqiti ankesë në Gjykatën e Apelit kundër aktgjykimit të Gjykatës Themelore, për shkak të vërtetimit të gabuar të gjendjes faktike dhe shkeljes së dispozitave ligjore.
Më 28 shkurt 2023, Gjykata e Apelit përmes Aktgjykimit [AA.nr.901/22] e refuzoi ankesën e parashtruesit të kërkesës si të pabazuar. Gjykata e Apelit arsyetoi si në vijim: “Paditësi ka dal në pension me datë 10.11.2020 dhe në këtë kohë nuk ka qenë në fuqi Kontrata Kolektive pasi që kontrata ka hy në fuqi më 01.01.2015 dhe ka skaduar me datën 31.12.2017. Përveç kësaj palës paditësi nuk i takon një e drejtë e tillë edhe nëse i referohemi Kontratës së Përgjithshme Kolektive të mëhershme pasi që kjo kontratë ka filluar të zbatohet nga data 01.01.2005 në kohëzgjatje prej tri vitesh përkatësisht deri më datën 01.01.2008. Me skadimin e kontratës kolektive e njëjta nuk mund të zbatohet për rastet tjera pas datës 01.01.2018 e pas, në rastin e paditësit, nga shkresat e lëndës është jokontestuese fakti se paditësi ka dal në pension më datë 10.11.2020, pasi që ka pushuar së zbatuari Kontrata e Përgjithshme Kolektive”.
Më 30 mars 2023, parashtruesi i kërkesës paraqiti kërkesë për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit në Gjykatën Supreme kundër aktgjykimit të Gjykatës së Apelit. Parashtruesi i kërkesës pretendonte se i takonte e drejta për dy paga mujore dhe katër paga jubilare pas pensionimit, bazuar në MPK-në që ishte në fuqi nga janari i vitit 2015 deri në dhjetor të vitit 2017.
Më 26 korrik 2023, Gjykata Supreme përmes Aktgjykimit [ARJ.nr.70/2023] e refuzoi si të pabazuar kërkesën për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësor. Gjykata Supreme arsyetoi si në vijim: “Marrëveshja e Përgjithshme Kolektive pas 31.12.2018, nuk është në fuqi dhe si e tillë nuk mund të ketë efekte dhe të zbatohet pas përfundimit të vlefshmërisë së saj. Gjersa paditësi ka pasur të drejtë të parashtroj kërkesë për pagë jubilare sipas dispozitave të Ligjit për pagat e nënpunësve civilë, nenet 22 par. 2 të tij, pas arritjes së përvojës së punës 10 vite ashtu si parashihet me Rreg.nr.33/2012 për shtesat në pagë dhe kompensime të tjera. Kërkesën e tillë ka mundur ta paraqes brenda afatit prej 30 ditë nga momenti i arritjes së kësaj të drejte sipas përvojës së punës”.
Pretendimet e parashtruesit të kërkesës
Parashtruesi i kërkesës pretendon se vendimet e gjykatave të rregullta kanë shkelur të drejtat e tij kushtetuese, të garantuara me nenin 3 [Barazia para Ligjit] dhe nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës.
Parashtruesi i kërkesës pretendon se: “Gjykatat e rregullta për raste të njëjta ku palët, kërkesa dhe bazat juridike kanë qenë identike me parashtruesin e kërkesës ua kanë njohur të drejtat. Për të vërtetuar këtë pretendim bashkëngjisim: (i). Aktgjykimi [A.nr.802/21] i datës 09.09.2022; (ii). Aktgjykimi [A.1649/21] i datës 14.09.2023; (iii). Aktvendimi [AA.nr.749/2022] i datës 30.05.2023. Parashtruesi i kërkesës thekson se “gjykatat e rregullta kanë aplikuar standarde të dyfishta dhe kanë nxjerrë vendime të ndryshme për kërkesa të njëjta”.
Parashtruesi i kërkesës thekson se vendimi i Komunës për refuzimin e kërkesës për pagesën e dy pagave mujore dhe katër pagave jubilare me rastin e pensionimit, është i pabazuar në ligj. Sipas parashtruesit të kërkesës, ai e ka plotësuar kushtin për përfitimin e pagesës së dy pagave mujore pas pensionimit dhe katër pagave jubilare, pasi që i ka mbi 40 vite përvojë pune. Parashtruesi i kërkesës thekson se: “Këtë të drejtë e kam fituar sa ka qenë në fuqi MPK deri në vitin 2017. E pasi kemi të bëjmë me kërkesën në të holla nga viti 2018 ka pasur të drejtë paditësi të parashtrojë padi në gjykata brenda afatit prej 3 viteve, për anulimin e vendimit të kontestuar dhe pagesën e dy pagave mujore dhe katër pagave jubilare me rastin e pensionimit”.
Dispozitat relevante kushtetuese dhe ligjore
Kushtetuta e Republikës së Kosovës
Neni 31
[E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm]
1. Çdokujt i garantohet mbrojtje e barabartë e të drejtave në procedurë para gjykatave, organeve të tjera shtetërore dhe bartësve të kompetencave publike.
[...]
Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut
Neni 6
(E drejta për një proces të rregullt gjyqësor)
Çdo person ka të drejtë që çështja e tij të dëgjohet drejtësisht, publikisht dhe brenda një afati të arsyeshëm nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e krijuar me ligj, e cila do të vendosë si për mosmarrëveshjet në lidhje me të drejtat dhe detyrimet e tij të natyrës civile, ashtu edhe për bazueshmërinë e çdo akuze penale në ngarkim të tij [...].
MARRËVESHJEN E PËRGJITHSHME KOLEKTIVE TË KOSOVËS
Neni 52
Shpërblime jubilare
1. I punësuari, ka të drejtë në shpërblimin jubilar dhe atë:
1.1.për 10 vjet të përvojës në punë pandërprerë, te punëdhënësi i fundit, në vlerë të një page mujore të tij;
1.2.për 20 vjet të përvojës në punë pandërprerë, te punëdhënësi i fundit, në vlerë të dy paga mujore të tij;
1.3.për 30 vjet të përvojës në punë pandërprerë, te punëdhënësi i fundit, në vlerë të tri paga mujore të tij.
2.Punëdhënësi i fundit është ai që paguan shpërblime jubilare.
3.Shpërblimi jubilar, paguhet në afat prej një muaji, pas plotësimit të kushteve nga ky paragraf.
Neni 53
Kompensimi në rast të pensionimit
I punësuari, me rastin e pensionimit, gëzon të drejtën në pagesën përcjellëse në lartësi prej tri (3) paga mujore, që i ka marr për tre (3) muajt të fundit.
Vlerësimi i pranueshmërisë së kërkesës
Gjykata së pari vlerëson nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara në Kushtetutë dhe të parashikuara më tej në Ligj dhe në Rregullore të punës.
Në këtë drejtim, Gjykata i referohet paragrafëve 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, që përcaktojnë:
Neni 113
[Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara]
“1. Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.
[...]
7. Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.
[...]
Gjykata në vazhdim shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, siç përcaktohen më tutje në Ligj, përkatësisht me nenet 47, 48 dhe 49 të Ligjit, që përcaktojnë:
Neni 47
[Kërkesa individuale]
“1. Çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tija individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik.
2. Individi mund ta ngritë kërkesën në fjalë vetëm pasi që të ketë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.
Neni 48
[Saktësimi i kërkesës]
“Parashtruesi i kërkesës ka për detyrë që në kërkesën e tij të qartësoj saktësisht se cilat të drejta dhe liri pretendon se i janë cenuar dhe cili është akti konkret i autoritetit publik të cilin parashtruesi dëshiron ta kontestoj”.
Neni 49
[Afatet]
“Kërkesa parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajve. Afati fillon të ecë që nga dita kur parashtruesit i është dorëzuar vendimi gjyqësor. Në të gjitha rastet e tjera, afati fillon të ecë në ditën kur vendimi ose akti është shpallur publikisht ...”.
Përkitazi me përmbushjen e kritereve të lartcekura, Gjykata vlerëson se parashtruesi i kërkesës është palë e autorizuar, në kuptim të nenit 113.7 të Kushtetutës; ai konteston kushtetutshmërinë e një akti të një autoriteti publik, përkatësisht Aktgjykimin [ARJ. nr. 70/2023] e Gjykatës Supreme, të 26 korrikut 2023, pasi i ka shteruar të gjitha mjetet juridike në dispozicion, sipas nenit 113.7 të Kushtetutës dhe nenit 47.2 të Ligjit; ka specifikuar të drejtat e garantuara me Kushtetutë, të cilat pretendon se i janë shkelur, në pajtim me kërkesat e nenit 48 të Ligjit; dhe kërkesën e ka parashtruar brenda afatit ligjor prej 4 (katër) muajve, siç parasheh neni 49 i Ligjit.
Përveç kësaj, Gjykata shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë të përcaktuara me nënrregullin 2, të rregullit 34 [Kriteret e pranueshmërisë] të Rregullores së punës, që përcakton:
Rregulli 34
[Kriteret e pranueshmërisë]
(2) “Gjykata mund ta konsiderojë kërkesën të papranueshme, nëse kërkesa është qartazi e pabazuar, kur parashtruesi/ja nuk dëshmon dhe nuk mbështetë në mënyrë të mjaftueshme pretendimin e tij/saj”.
[...]
Bazuar në praktikën gjyqësore të GjEDNj-së, por edhe të Gjykatës, një kërkesë mund të shpallet e papranueshme si “qartazi e pabazuar” në tërësinë e saj ose vetëm përkitazi me ndonjë pretendim specifik që një kërkesë mund të ngërthejë. Në këtë drejtim, është më e saktë t’iu referohet të njëjtave, si “pretendime qartazi të pabazuara”. Këto të fundit, bazuar në praktikën gjyqësore të GjEDNj-së, mund të kategorizohen në katër grupe të veçanta: (i) pretendime që kategorizohen si pretendime “të shkallës së katërt”; (ii) pretendime që kategorizohen me një “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes”; (iii) pretendime “të pambështetura apo të paarsyetuara”, atëherë kur plotësohet njëri nga dy nënkriteret, në vijim: a) kur parashtruesi/ja i/e kërkesës thjesht citon një ose disa dispozita të Konventës apo të Kushtetutës, pa shpjeguar mënyrën se si ato janë shkelur, përveç nëse në bazë të fakteve dhe rrethanave të rastit qartazi duket shkelja e Kushtetutës dhe KEDNj-së (shih, rastin e GjEDNj-së Trofimchuk kundër Ukrainës, nr. 4241/03, vendimi i 31 majit 2005; shih gjithashtu Baillard kundër Francës, nr. 6032/04, vendimi i 25 shtatorit 2008); dhe b) kur parashtruesi/ja i/e kërkesës nuk paraqet ose refuzon të paraqesë prova materiale, me të cilat do t’i mbështeste pretendimet e tij (kjo posaçërisht vlen për vendimet e gjykatave ose të autoriteteve të tjera të brendshme), përveç rasteve kur ekzistojnë rrethana të jashtëzakonshme që janë jashtë kontrollit të tij dhe të cilat e pengojnë atë ta bëjë këtë (për shembull, kur administrata e burgut refuzon t’ia paraqes Gjykatës dokumentet nga dosja e një të burgosuri për të cilin bëhet fjalë) ose nëse Gjykata vet nuk vendos ndryshe (shih, rastin e Gjykatës KI166/20, parashtrues, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Aktvendim për papranueshmëri, i 5 janarit 2021, paragrafi 43), dhe në fund, (iv) pretendime “konfuze dhe të paqarta” (shih, rastet e GjEDNj-së, Kemmache kundër Francës, nr. 17621/91, Aktgjykimi i 24 nëntorit 1994, kategoria (i), Juta Mentzen kundër Lituanisë, nr. 71074/01, vendimi i 7 dhjetorit 2004, kategoria (ii) dhe Trofimchuk kundër Ukrainës, Aplikimi nr. 4241/03, kategoria (iii).
Gjykata rikujton se parashtruesi i kërkesës shërbeu si nëpunës civil në Komunë deri në momentin e pensionimit. Pas daljes në pension, parashtruesi i kërkesës kërkoi nga Komuna që t’i paguheshin dy paga përcjellëse dhe tre paga jubilare, bazuar në dispozitat e MPK-së që ia njihnin këtë të drejtë. Komuna dhe KPMSHCK-ja si organe administrative refuzuan kërkesën e parashtruesit të kërkesës. Ky i fundit parashtroi kërkesëpadi në Gjykatën Themelore dhe kërkoi që të anuloheshin vendimet administrative që ia refuzuan kërkesën e tij. Gjykata Themelore dhe Gjykata e Apelit e refuzuan kërkesëpadinë respektivisht ankesën e parashtruesit të kërkesës, me arsyetimin se MPK-ja ishte në fuqi nga viti 2015 deri më 2017, ndërkaq parashtruesi i kërkesës doli në pension në vitin 2020, në kohën kur nuk ishte në fuqi MPK-ja. Në lidhje me kërkesën për pagat jubilare, gjykatat e rregullta arsyetuan se parashtruesi i kërkesës ka mundur ta paraqes këtë kërkesë brenda afatit 30 ditor nga momenti i fitimit të kësaj të drejte, gjë të cilën parashtruesi i kërkesës nuk e kishte bërë. Edhe Gjykata Supreme refuzoi kërkesën për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësor dhe vërtetoi vendimin e Gjykatës Themelore dhe Gjykatës së Apelit.
Pretendimet për shkeljen e nenit 24 dhe 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 dhe 14 të KEDNJ-së, përkitazi me divergjencën e praktikës gjyqësore
Parashtruesi i kërkesës pretendon që gjykatat e rregullta në disa raste të tjera të cilat ishin identike me rastin e tij vendosën ndryshe dhe ia njohën të drejtat palëve. Vendosja ndryshe për raste të njëjta, sipas tij, përbën shkelje të barazisë para ligjit dhe të procesit të rregullt gjyqësor. Parashtruesi i kërkesës i referohet katër vendimeve: (i) Aktgjykimit [A.nr.802/2021] të Gjykatës Themelore, të 9 shtatorit 2022; (ii) Aktgjykimit [A.1649/2021] të Gjykatës Themelore, të 14 shtatorit 2022; (iii) Aktvendimit [AA. nr. 749/2022] të Gjykatës së Apelit, të 30 majit 2023; dhe Aktgjykimit [A.nr.2817/22] të Gjykatës Themelore, të 7 nëntorit 2023.
Gjykata përsërit se nuk është funksioni i saj për të krahasuar vendimet e ndryshme të gjykatave të rregullta. Parashtruesit e kërkesës kur pretendojnë çështjen e divergjencës së vendimeve të gjykatave të rregullta, duhet të paraqesin argumente në lidhje me ngjashmërinë faktike dhe juridike të rasteve për të cilat pretendojnë se janë zgjidhur ndryshe nga gjykatat e rregullta. Rrethanat faktike dhe juridike të rastit të parashtruesit të kërkesës duhet të jenë identike me rastet të cilat i referohet parashtruesi i kërkesës. (shih, rastet e Gjykatës KI175/20, parashtrues Agjencia Kosovare e Privatizimit, Aktvendim për papranueshmëri i 26 marsit 2021, paragrafët 61-63; KI42/17, parashtrues Kushtrim Ibraj, Aktvendim për papranueshmëri i 5 dhjetorit 2017, paragrafët 33-41; KI29/17, parashtrues Adem Zhegrova, Aktvendim për papranueshmëri i 5 shtatorit 2017, paragrafët 47-51; KI142/15, parashtrues Habib Makiqi, Aktvendim për papranueshmëri i 14 shtatorit 2016, paragrafi 39).
Në lidhje me vendimin e parë të cilit i referohet parashtruesi i kërkesës, Aktgjykimit [A. nr. 802/2021] të Gjykatës Themelore, Gjykata vëren se në këtë rast pala kishte kërkuar pagesën e pagave jubilare dhe të pagave përcjellëse për shkak të pensionimit. Komuna e Gjakovës e kishte refuzuar kërkesën e palës, mirëpo Gjykata Themelore e prishi vendimin për faktin që akti administrativ nuk përmbante pjesën e udhëzimit juridik.
Në lidhje me vendimin e dytë, Aktgjykimit [A.1649/2021] të Gjykatës Themelore në ndërlidhje me Aktvendimin [AA.nr.749/2022] e Gjykatës së Apelit, Gjykata vëren se në këtë rast pala kishte kërkuar pagesën e pagave jubilare dhe të pagave përcjellëse me rastin e pensionimit. Kërkesa e tij ishte refuzuar nga organet administrative dhe nga Gjykata Themelore, mirëpo Gjykata e Apelit e miratoi ankesën e palës dhe ktheu çështjen në rigjykim. Gjykata e Apelit e kishte udhëzuar Gjykatën Themelore që në rigjykim të provonte përvojën e punës së palës në lidhje me pagat jubilare.
Gjykata thekson se bazuar në shkresat e lëndës dhe dokumentet e bashkëngjitura, dy rastet e lartcekura të cilave i referohet parashtruesi i kërkesës nuk janë të formës së prerë por që të dyja u kthyen në rigjykim.
Në lidhje me vendimin e tretë të cilit i referohet parashtruesi i kërkesës, Aktgjykimit [A.nr.2817/22] të Gjykatës Themelore, Gjykata vëren se KMPSHCK-ja kishte refuzuar ankesën e palës për pagat pas pensionimit dhe pagat jubilare. Gjykata Themelore anuloi vendimin e KMPSHCK-së në lidhje me pagat jubilare për mungesë të arsyetimit, ndërsa refuzoi pretendimet e palës për pagat përcjellëse pas pensionimit. Edhe ky rast nuk është zgjidhur në formë të prerë por vetëm është kthyer në rivendosje në procedurë administrative.
Gjykata vëren se, të gjitha rastet e lartpërmendura kanë të bëjnë me kërkesa për pagat jubilare dhe pagat përcjellëse me rastin e pensionimit. Edhe në rastin e parashtruesit të kërkesës çështja lidhet me paga përcjellëse dhe paga jubilare. Megjithatë, fakti që natyra e këtyre rasteve lidhet me paga përcjellëse dhe paga jubilare nuk nënkupton që rastet janë identike dhe gjykatat e rregullta vendosën ndryshe për çështje të njëjta. Për t’i përfituar pagat jubilare dhe pagat përcjellëse palët duhej t’i plotësonin kushtet e parapara me legjislacionin në fuqi. Gjykata Supreme kishte lëshuar një mendim juridik në lidhje me shpërblimin jubilar dhe kushtet për ta përfituar atë sipas MPK-së – e cila ishte e aplikueshme nga 1 janari 2015 deri më 31 dhjetor 2017.
Në rastin e parashtruesit të kërkesës, kërkesa e tij për paga përcjellëse u refuzua me arsyetimin se në kohën kur ai doli në pension, nuk ishte në fuqi MPK-ja që e njihte këtë të drejtë; ndërsa kërkesa për paga jubilare u refuzua për shkak se nuk ishte paraqitur brenda afatit ligjor. Gjykata nuk i di rrethanat e rasteve tjera krahasuese të cilave i referohet parashtruesi i kërkesës dhe faktin nëse palët e përfshira aty i plotësonin kushtet për t’i përfituar pagat jubilare dhe pagat përcjellëse. Gjykata e ka parasysh që çdo rast ka specifikat e veta që e bën të dallueshëm me rastet e tjera. Për më tepër, vendimet të cilave i referohet parashtruesi i kërkesës nuk janë të formës së prerë.
Gjykata thekson se parashtruesi i kërkesës nuk ka arritur të dëshmojë që rastet krahasuese kanë situata të njëjta faktike dhe juridike, e as që gjykatat e rregullta interpretuan ndryshe ligjin për situata të njëjta, prandaj nuk mund të konsiderohet që kemi të bëjmë me divergjenca të praktikës gjyqësore.
Gjykata konstaton se pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkeljen e nenit 24 dhe 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 dhe 14 të KEDNJ-së, përkitazi me divergjencën e praktikës gjyqësore, i përkasin pretendimeve të “pambështetura apo të paarsyetuara” dhe rrjedhimisht Gjykata i shpall qartazi të pabazuara.
PËR KËTO ARSYE
Gjykata Kushtetuese, në pajtim me paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 të Kushtetutës, në pajtim me nenin 20 dhe 47 të Ligjit dhe me rregullat 34 (2) dhe 48 (1) (b) të Rregullores së punës, më 17 korrik 2024, njëzëri
VENDOS
TË DEKLAROJË kërkesën të papranueshme;
T’UA KUMTOJË këtë aktvendim palëve dhe, në pajtim me paragrafin 4 të nenit 20 të Ligjit, ta publikojë në Gazetën Zyrtare;
Ky aktvendim hyn në fuqi në ditën e shpalljes në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, në pajtim me paragrafin 5 të nenit 20 të Ligjit.
Gjyqtari raportues Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese
Nexhmi Rexhepi Gresa Caka-Nimani
Halidin Aliu
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Civile