Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesë për vlerësim të kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme E. Rev. nr. 39/2018 të 8 janarit 2019

Nr. të lëndës KI 98/19

Parashtruesit: Kompania e sigurimit “EUROSIG D. D.”

Shkarko:

KI 98/19, Parashtrues, Kompania e sigurimit “EUROSIG D. D.” Kërkesë për vlerësim të kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme E. Rev. nr. 39/2018 të 8 janarit 2019

KI98/19, aktvendim për papranueshmëri i 3 shkurtit 2021, publikuar më 31 mars 2031

Fjalët kyç: kërkesë individuale, qartazi e pabazuar, aktvendim për papranueshmëri

Nga kërkesa e parashtruesit, Gjykata konstatoi se çështja kryesore ka të bëjë me kompensimin monetar midis dy Kompanive të Sigurimit, përkatësisht Eurosig-me seli në Prishtinë, dhe “SUVA“  me seli në Zvicër, që kishte  rezultuar pas një aksidenti trafiku, në të cilën morën pjesë dy automjete pasagjerësh.

Parashtruesi i kërkesës lidhi një marrëveshje jashtë gjyqësore me përfaqësuesin ligjor të palës së dëmtuar në lidhje me shumën e kompensimit.

Si i siguruar i kompanisë “SUVA”, pala e dëmtuar vazhdoi trajtimin mjekësor në Zvicër, me ç’rast të gjitha shpenzimet e shërimit u paguan nga kompania e sigurimeve SUVA.

Për të rimbursuar këto shpenzime të trajtimit, kompania e sigurimeve SUVA parashtroi kërkesë në kompaninë e sigurimeve EUROSIG, në të cilën kërkoi rimbursimin e shpenzimeve të trajtimit të palës së dëmtuar.

Eurosig refuzoi kërkesën, duke deklaruar se ajo kishte shlyer të gjitha detyrimet e saj ndaj palës së dëmtuar në përputhje me marrëveshjen e nënshkruar jashtë gjyqësore.

Duke pasur parasysh këtë, kompania e sigurimit “SUVA” filloi procedurën kontestimore kundër të paditurës, kompanisë së sigurimit EUROSIG, përmes të cilës kërkoi kompensimin monetar.

Kjo procedurë gjyqësore përfundoi me aktgjykimin përfundimtar të Gjykatës Supreme në favor të paditësit.

Parashtruesi parashtroi  kërkesën në Gjykatën Kushtetuese duke pretenduar se gjykatat e rregullta kanë shkelur të drejtën e tij për gjykim të drejtë në lidhje me një vendim të paarsyetuar gjyqësor.

Gjykata analizoi në detaje pretendimet e parashtruesit dhe konkludoi se Gjykata Themelore, Gjykata e Apelit dhe Gjykata Supreme, në arsyetimet e aktgjykimeve të kontestuara, kanë dhënë arsye të kënaqshme, të qarta dhe të plota, si për sa i përket gjendjes së vërtetuar faktike, po ashtu edhe sa i përket zbatimit të rregullave pozitive ligjore, duke marrë parasysh të gjitha rrethanat relevante për nxjerrjen e vendimit në fjalë.

Prandaj, Gjykata hodhi poshtë kërkesën e parashtruesit si qartazi të pabazuar në baza kushtetuese në pajtim me rregullin 39 (2) të Rregullores së punës.

Parashtruesit:

Kompania e sigurimit “EUROSIG D. D.”

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri