Prishtinë, më 18 shtator 2023
Nr. ref.:RK 2255/23
VENDIM PËR REFUZIM TË KËRKESËS
në
rastin nr. KI96/23
Parashtrues
Muhamet Miftari
Kërkesë për rishqyrtimin e Aktvendimit për papranueshmëri nr. KI80/22 të Gjykatës Kushtetuese të 11 janarit 2023
GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
e përbërë nga:
Gresa Caka-Nimani, kryetare
Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar
Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare
Safet Hoxha, gjyqtar
Radomir Laban, gjyqtar
Remzie Istrefi-Peci, gjyqtare
Nexhmi Rexhepi, gjyqtar dhe
Enver Peci, gjyqtar
Parashtruesi i kërkesës
Kërkesa është dorëzuar nga Muhamet Miftari nga Prishtina (në tekstin e mëtejmë: parashtruesi i kërkesës).
Vendimi i kontestuar
Parashtruesi i kërkesës kërkon “rishqyrtimin e sërishëm” të Aktvendimit për papranueshmëri në rastin KI80/22 të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata) të 11 janarit 2023, në lidhje me Aktvendimin [Rev.nr.105/2021] të Gjykatës Supreme të Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Supreme) të 30 marsit 2022.
Objekti i çështjes
Objekt i çështjes ka të bëjë me kërkesën e parashtruesit për rishikimin e pretendimeve të tij të ngritura në kërkesën e mëparshme KI80/22, por edhe rishqyrtimin e Aktvendimit për papranueshmëri të Gjykatës Kushtetuese të 11 janarit 2023, përmes të cilit pretendohet se janë shkelur të drejtat dhe liritë themelore të parashtruesit të kërkesës të garantuara me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) dhe 14 (Ndalimi i diskriminimit) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: KEDNJ).
Baza juridike
Kërkesa bazohet në paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, nenin 22 (Procedimi i kërkesës) dhe nenin 47 (Kërkesa individuale) të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Ligji), si dhe në rregullin 25 (Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve) të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).
Më 7 korrik 2023, Rregullorja e punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës Nr. 01/2023 u publikua në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës dhe hyri ne fuqi 15 ditë pas publikimit te saj. Rrjedhimisht gjatë shqyrtimit të kërkesës, Gjykata Kushtetuese i referohet dispozitave të Rregullores së lartcekur. Lidhur me këtë, në përputhje me rregullin 78 (Dispozitat kalimtare) të Rregullores së punës Nr. 01/2023, përjashtimisht, dispozita të caktuara të Rregullores së punës Nr. 01/2018, do të vazhdojnë të zbatohen në lëndët e regjistruara në Gjykatë para shfuqizimit të saj, vetëm nëse dhe për aq sa janë më të favorshme për palët.
Procedura në Gjykatë
Më 8 maj 2023, parashtruesi i kërkesës e dorëzoi kërkesën përmes postës në Gjykatë.
Më 10 maj 2023, Gjykata pranoi kërkesën e parashtruesit të kërkesës.
Më 31 maj 2023, Kryetarja e Gjykatës, me vendimin [Nr. GJR. KI96/23], caktoi gjyqtarin Nexhmi Rexhepi gjyqtar raportues dhe me vendimin [Nr. KSH. KI96/23] Kolegjin shqyrtues të përbërë nga gjyqtarët: Selvete Gërxhaliu Krasniqi (kryesuese), Safet Hoxha dhe Remzije Istrefi Peci, anëtarë.
Në të njëjtën ditë, Gjykata e njoftoi parashtruesin e kërkesës për regjistrimin e kërkesës.
Më 31 gusht 2023, Kolegji shqyrtues shqyrtoi raportin e Gjyqtarit raportues dhe njëzëri i rekomandoi Gjykatës ta deklarojë kërkesën të papranueshme për shqyrtim.
Përmbledhja e fakteve të rastit
Gjykata që në fillim të përmbledhjes së fakteve dhe bazuar në shkresat e lëndës, vëren se parashtruesi i kërkesës i është drejtuar Gjykatës për herën e dytë, pasi që ky i fundit konteston Aktvendimin për papranueshmëri të Gjykatës në rastin KI80/22 të 11 janarit 2023.
Në vazhdim, Gjykata shkurtimisht do të rikujtoj përmbledhjen e fakteve nga rasti KI80/22.
Më 6 qershor 2022, parashtruesi i kërkesës kishte dorëzuar kërkesën e tij në Gjykatë, e cila ishte regjistruar me nr. KI80/22 dhe kontestonte Aktvendimin [Rev. nr. 105/2021] të Gjykatës Supreme të 30 marsit 2022, duke pretenduar për shkelje të së drejtave dhe lirive themelore të garantuara me nenet 24 [Barazia para Ligjit], 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], 32 [E Drejta për Mjete Juridike], 49 [E Drejta e Punës dhe e Ushtrimit të Profesionit] dhe 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta) në ndërlidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) dhe 14 (Ndalimi i diskriminimit) të KEDNJ-së.
Parashtruesi i kërkesës kishte qenë i punësuar në IQ to Link GmbH-Web Company, dega në Kosovë (në tekstin e mëtejmë: punëdhënësi), në pozitën si “agjent i thirrjeve”, por që më 1 shtator 2020, punëdhënësi kishte marrë vendim për pezullimin e marrëdhënies së punës me parashtruesin e kërkesës për shkak të konstatimit të Komisionit Disiplinor se i njëjti ka bërë shkelje të rëndë të detyrave të punës.
Më 1 shtator 2020, po në të njëjtën ditë, parashtruesi kishte parashtruar ankesë në shkallë të dytë ndaj vendimit të lartcekur, por që nga shkresat e lëndës nuk rezulton se i njëjti ka marrë ndonjë përgjigje.
Më 1 tetor 2020, punëdhënësi përmes një shkrese e kishte njoftuar parashtruesin e kërkesës për shkëputjen e marrëdhënies së punës duke u bazuar në nenin 70 të Ligjit të Punës dhe të gjeturat e Komisionit Disiplinor. Ndaj vendimit të punëdhënësit, parashtruesi i kërkesës kishte ushtruar ankesë në Trupin Ekzekutiv të Inspektoratit të Punës.
Më 11 shkurt 2021, Trupi Ekzekutiv i Inspektoratit të Punës përmes Vendimit [01. nr. 09-209-5533/2020] vendosi si në vijim: (i) refuzoi si të pabazuar ankesën e parashtruesit lidhur me suspendimin e tij; ndërsa (ii) pretendimin e parashtruesit për ndërprerjen e marrëdhënies së punës pa një vendim e konsideroi si të bazuar, duke konstatuar shkelje të dispozitave ligjore të Ligjit nr. 03/L-212 të Punës nga punëdhënësi, ngase nuk i kishe lëshuar vendim me shkrim parashtruesit të kërkesës për largim nga marrëdhënia e punës.
Në një datë të paspecifikuar, parashtruesi i kërkesës dhe punëdhënësi parashtruan ankesë në shkallë të dytë ndaj vendimit të lartpërmendur, por që më 12 shkurt 2020 u refuzuan të dy ankesat, duke e vërtetuar vendimin e shkallës së parë nga Trupi Ekzekutiv i Inspektoratit të Punës.
Më 6 gusht 2021, parashtruesi kishte paraqitur padi në Gjykatën Themelore në Prishtinë (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Themelore), ndërsa më 15 tetor 2021, përmes Aktvendimit [C. nr. 5912/21], Gjykata Themelore e hodhi poshtë në tërësi kërkesëpadinë e parashtruesit me arsyetimin se e njëjta është e pasafatshme.
Në këtë drejtim, parashtruesi i kërkesës kishte paraqitur ankesë në Gjykatën e Apelit të Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata e Apelit), dhe më 13 dhjetor 2021, përmes Aktvendimit [Ac. nr. 9796/2021], Gjykata e Apelit e refuzoi si të pabazuar ankesën e tij.
Tutje, parashtruesi i kërkesës kishte paraqitur edhe revizion në Gjykatën Supreme, e cila, më 10 mars 2022, përmes Aktvendimit [Rev. nr. 105/2022] e refuzoi si të pabazuar revizionin e parashtruesit të kërkesës.
Më 11 janar 2023, Gjykata pas shqyrtimit të të gjitha pretendimeve të ngritura nga parashtruesi i kërkesës në kërkesën e tij, përmes Aktvendimit për papranueshmëri në rastin KI80/22, kërkesën e parashtruesit të kërkesës e shpalli të papranueshme për shkak të mosshterimit të mjeteve juridike, meqenëse parashtruesi i kërkesës nuk i kishte shteruar mjetet juridike në kuptimin substancial lidhur me shkeljet e pretenduara për të kontestuar shkëputjen e marrëdhënies së punës për shkak të lëshimeve të tij procedurale para instancave gjyqësore.
Më 8 maj 2023, parashtruesi i kërkesës përmes postës dorëzoi kërkesë në Gjykatë, por kësaj radhe konteston Aktvendimin për papranueshmëri të Gjykatës në rastin KI80/22 të 11 janarit 2023.
Pretendimet e parashtruesit të kërkesës
Parashtruesi i kërkesës pretendon se Gjykata Kushtetuese në Aktvendimin për papranueshmëri në rastin KI80/22 të 11 janarit 2023, ka shkelur të drejtat dhe liritë themelore të tij, të garantuara në nenin 6 paragrafi 1 (E drejta për një proces të rregullt) dhe nenin 14 (Ndalimi i diskriminimit) të KEDNJ-së.
Përkitazi me pretendimin për shkelje të nenit 6.1 të KEDNJ-së , parashtruesi i kërkesës thekson se “Mos arsyetimi i vendimit gjyqësor nga Gj. Kushtetuese në lidhje me rastet e saj më të fundit në kontestet e punës si në rastet Aktgjykimet KI54/21 (me parashtrues Kamber Hoxha) dhe KI55/21 (me parashtrues Muhamet Ademi), ku vendimet e Gj. Kushtetuese janë arsyetuar në meritat e kërkesës si dhe parashtruesi i kërkesës Muhamet Miftari në rastin KI80/22 kishte cekur rastin KI54/21 që ishte vendosur me përmbajtje të njëjtë (Afatshmëria në kontestet e punës në lidhje me barazinë e mjeteve juridike para se rasti të vij në gjykatë kompetente), pra kërkesat e të tre parashtruesve janë identike njëra me tjetrën, mirëpo arsyetimi në vendimin KI80/22 në rastin e Muhamet Miftarit mund të kuptohet si “arsyetim qortues”, Gj.Kushtetuese në arsyetimin e vendimit të njëjtë KI80/22 nuk merr fare parasysh nenin 78 dhe nenin 86 par.3 të Ligjit të Punës dhe madje fare nuk e merr parasysh shkeljet në kushtetushmëri nga Gj.Supreme në rastin [Rev.nr.105/22], ndërsa në rastet tjera e marrin vetëm Nenin 83 par.1 të LDTHMP-së në kombinim me Nenin 391 pika f. të LPK-së parasysh, por Gj.Kushtetuese vlerëson se njëzëri se ka pasur shkelje në kushtetushmëri.”
Për më tepër, parashtruesi i kërkesës konsideron se Gjykata Kushtetuese i ka mohuar të drejtën “për qasje në gjykatë” duke vlerësuar se: “Mos qasje në gjykatë për shqyrtimin meritor në kushtetushmëri të kërkesës se Muhamet Miftarit në rastin KI80/22, me arsye se nëse një i punësuar (apo parashtrues i kërkesës) nuk ishte në dijeni të parashtroi padi pranë gjykatës kompetente në kontestet civile e veçanërisht në kontestet e punës, bazuar në rastet e GjEDNj-së me rastet Platakou v. Greece (no.38460/97) dhe Kurşun v. Turkey (no.22677/10) par.103-104, dhe bazuar në “Udhëzimn/Direktiven (EU) 2019/1552” ashtu edhe me “Udhëzuesin për nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut – Civile (31/08/22) – Fq. Rel. 30-44, me titull: II. E drejta për gjykatë, në rastet e GJEDNJ-së (ashtu edhe në Gj. Kushtetuese të Kosovës me rastet e saj KI54/21 dhe KI55/21), ishte cekur që e drejta e qasjes në Gjykatë nuk mund të mohohet parashtruesve të kërkesave me arsye se në qoftë se parashtruesit nuk ishin në dijeni të bëjnë një kërkesë të tillë para gjykatave, atëherë të njëjtëve nuk mund t’ju mohohet e drejta për tu qasur në gjykatë, sepse në kontestet e punës, i bie se të njëjtit: (i) Nuk kishin marrë njohuri nga punëdhënësit e tyre për tu qasur në cilëndo gjykatë “kompetente”, dhe (ii) Nuk kishin njohuri për një afat prekluziv kohor për t’u qasur në atë gjykatë [...] barra për të informuar punonjësin për afatet prekskluzive është barrë e punëdhënësit që e ka larguar punonjësin nga puna [...] rrjedhimisht mund të pritet që një punonjës (laik) i larguar nga puna të mos paraqet padinë e tij në afatin prekskluziv ligjor, dhe se faji i tij për mosnjohuri të afateve prekskluzive në shtetet demokrative Europiane nuk paragjykohet !”
Përkitazi me pretendimin për shkelje të nenit 14 të KEDNj-së, parashtruesi i kërkesës thekson se “ Diskriminimi i drejtpërdrejtë nga Gj.Kushtetuese kundër parashtruesit Muhamet Miftari në rastin KI80/22 në lidhje me vendimet e saja më të fundit të rasteve KI54/21 (me parashtrues Kamber Hoxha) dhe KI55/21 (me parashtrues Muhamet Ademi), ku në të tri rastet të tre parashtruesit e kërkesave e kishin humbur afatin ligjor për të parashtruar padinë pranë gjykatës kompetente [...] të njëjtit nuk kanë mundur t’i parashtrojnë paditë e tyre pranë gjykatës kompetente për shkak të mos dhënies së njohurisë për afatet prekskluzive nga vetë punëdhënësit e tyre (Shërbimi Korrektues i Kosovës) dhe me këtë duke i lërë të njëjtit në disavantazh të madh në barazinë e armëve dhe në barazinë e mjeteve juridike [...] Gj.Kushtetuese kishte vendosur njëzëri për pranueshmëri të kërkesave dhe konstatimi që Gj.Supreme dhe Gj. e Apelit në rastet konkrete kanë bërë shkelje në Nenin 31 par. 1 të Kushtetutës në lidhje me Nenin 6 par. 1 të KEDNj-së me arsye se parashtruesit të kërkesave KI54/21 dhe KI55/21, të njëjtëve ju është mohuar e drejta e qasjes në gjykatë, mirëpo tani në rastin e Muhamet Miftarit nga e njëjta Gj.Kushtetuese me të njëjtit gjyqtar të kësaj Gjykate kishte vendosur njëzëri për papranueshmëri duke mos vlerësuar fare rastin KI80/22 në shkelje në kushtetushmëri [...]”
Përfundimisht, parashtruesi i kërkesës kërkon nga Gjykata që të marrë parasysh pretendimet për faktet e reja të paraqitura me këtë kërkesë, e që këto fakte përbëjnë raste të cekura nga praktika gjyqësore të GJEDNJ-së, Udhëzimin (EU) 2019/1152 të Bashkimit Evropian (në tekstin e mëtejmë: BE), si dhe praktikën gjyqësore në rastet e mëhershme të vetë Gjykatës, duke kërkuar nga Gjykata që të bëjë rishqyrtimin e Aktvendimit për papranueshmëri në rastin KI80/22 të 11 janarit 2023.
Dispozitat përkatëse kushtetuese dhe ligjore
KONVENTA EVROPIANE PËR TË DREJTAT E NJERIUT
Neni 6
(E drejta për një proces të rregullt)
“Çdo person ka të drejtë që çështja e tij të dëgjohet drejtësisht, publikisht dhe brenda një afati të arsyeshëm nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e krijuar me ligj, e cila do të vendosë si për mosmarrëveshjet në lidhje me të drejtat dhe detyrimet e tij të natyrës civile, ashtu edhe për bazueshmërinë e çdo akuze penale në ngarkim të tij. Vendimi duhet të jepet publikisht, por prania në sallën e gjykatës mund t’i ndalohet shtypit dhe publikut gjatë tërë procesit ose gjatë një pjese të tij, në interes të moralit, të rendit publik ose sigurisë kombëtare në një shoqëri demokratike, kur kjo kërkohet nga interesat e të miturve ose mbrojtja e jetës private të palëve në proces ose në shkallën që çmohet tepër e nevojshme nga gjykata, kur në rrethana të veçanta publiciteti do të dëmtonte interesat e drejtësisë.
[...]”
Neni 14
(Ndalimi i diskriminimit)
“Gëzimi i të drejtave dhe i lirive të përcaktuara në këtë Konventë duhet të sigurohet, pa asnjë dallim të bazuar në shkaqe të tilla si seksi, raca, ngjyra, gjuha, feja, mendimet politike ose çdo mendim tjetër, origjina kombëtare ose shoqërore, përkatësia në një minoritet kombëtar, pasuria, lindja ose çdo status tjetër.”
Vlerësimi i pranueshmërisë së kërkesës
Gjykata së pari do të shqyrtojë nëse kërkesa i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara me Kushtetutë, të parashikuara me Ligj dhe të specifikuara më tej me Rregullore të punës.
Në këtë drejtim, bazuar në shkresat e lëndës, parashtruesi i kërkesës me anë të dokumenteve të paraqitura nuk paraqet ndonjë fakt të ri të rëndësishëm për marrjen e një vendimi të ri, por thjesht paraqet një përpjekje tjetër të parashtruesit të kërkesës për të kërkuar nga Gjykata të njëjtin vlerësim kushtetues të cilin ai tashmë e kishte kërkuar në kërkesën KI80/22.
Në lidhje me këtë, Gjykata i referohet nenit 116 (1) [Efekti Juridik i Vendimeve] të Kushtetutës, i cili parasheh:
“Vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të detyrueshme për gjyqësorin dhe të gjithë personat dhe institucionet e Republikës së Kosovës”
Për më tepër, Gjykata i referohet edhe rregullit 54 (2) (b) të Rregullores së punës, i cili parasheh:
“[...]
(2) Gjykata mund të vendosë ta refuzojë një kërkesë me procedurë të shkurtër në qoftë se:
[...]
(b) kërkesa është përsëritje e një kërkese të mëparshme të vendosur nga Gjykata; ose
[...]”
Bazuar në rregullin e lartcekur dhe në praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: GJEDNJ), por edhe vetë praktikën gjyqësore të Gjykatës, i mundëson kësaj të fundit, që të shpallë kërkesa të papranueshme për arsye që ndërlidhen me meritat e një rasti. Më saktësisht, bazuar në këtë rregull, Gjykata mund të shpallë një kërkesë të papranueshme pas vlerësimit se kërkesa në fjalë është vetëm një përsëritje e kërkesës së njëjtë me rastin e mëparshëm.
Gjykata rikujton se kërkesa aktuale me nr. KI96/23 e paraqitur nga i njëjti parashtrues, në thelb është vetëm një përsëritje e kërkesës së njëjtë të mëparshme nr. KI80/22 të paraqitur nga po i njëjti parashtrues, të cilën Gjykata e shpalli të papranueshme me arsyetimin se i njëjti nuk ishte shteruar mjetet juridike në kuptimin substancial para gjykatave të rregullta, duke mos i dhënë mundësi gjykatave të rregullta të japin përgjigje lidhur me pretendimet e tij dhe këto pretendime i kishte paraqitur për herë të parë para Gjykatës.
Gjykata rikujton se ankimimi individual në kuptim të nenit 113 (7) të Kushtetutës nuk duhet të shikohet nga parashtruesit e kërkesës si një mundësi për të kërkuar në mënyrë të përsëritur nga Gjykata që të rihapë vendimet e saj dhe të gjykojë sërish çështjen e njëjtë (shih rastet e Gjykatës: rasti KI105/16, parashtrues Feti Gashi, Vendimi për refuzim të kërkesës të datës 10 maj 2017, paragrafi 21).
Sa më sipër, e vetmja mënyrë që Gjykata të shqyrtojë një kërkesë që ka të bëjë me faktet e njëjta si në kërkesën e mëparshme, është që parashtruesi i kërkesës duhet vërtetë të ofrojë informacione të reja të cilat më parë nuk janë shqyrtuar nga Gjykata (shih mutatis mutandis, rastin e GJEDNJ-së, Kafkaris kundër Qipros, ankesa nr. 9644/09, Vendimi për papranueshmëri i 21 qershorit 2011, paragrafi 68).
Në këtë drejtim, Gjykata rikujton se vendimet e saj janë vendime të formës së prerë dhe të detyrueshme për gjyqësorin, të gjithë personat fizikë apo juridikë dhe të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës (shih rastet e Gjykatës, rastin KI102/19, parashtrues Bedri Gashi, Vendimi për refuzim të kërkesës të datës 5 dhjetor 2019, paragrafët 21 dhe 22, dhe gjithashtu, rastin KI105/16, parashtrues Feti Gashi, i cituar më lart, paragrafi 22).
Bazuar në elaborimin e mësipërm, Gjykata vjen në përfundim se kërkesa e parashtruesit është, në fakt, kërkesë për përsëritjen e një procedurë të mëhershme, për të cilën Gjykata tanimë ka vendosur. Prandaj, në përputhje me rregullin 54 (2) (b), Gjykata vendosi që kërkesa me numër KI96/23 të refuzohet me procedurë të shkurtër.
PËR KËTO ARSYE
Gjykata Kushtetuese e Kosovës, në pajtim me nenin 116 (1) të Kushtetutës, nenet 20 dhe 47 të Ligjit dhe rregullat 48 (b) dhe 54 (2) (b) të Rregullores së punës, në seancën e mbajtur më 31 gusht 2023, njëzëri
VENDOS
TË DEKLAROJË kërkesën të papranueshme;
T’UA KUMTOJË këtë vendim palëve;
TË PUBLIKOJË këtë aktvendim në Gazetën Zyrtare në pajtim me nenin 20.4 të Ligjit;
Ky Aktvendim hyn në fuqi menjëherë.
Gjyqtari raportues Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese
Nexhmi Rexhepi Gresa Caka-Nimani
Muhamet Miftari
KI - Kërkesë individuale
Vendim
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Vendim për refuzim të kërkesës
Tjetër