Prishtinë, më 7 tetor 2024
Nr. Ref.: RK 2547/24
AKTVENDIM PËR PAPRANUESHMËRI
në
rastin nr. KI102/23
Parashtrues
Nezir Hoxha
Vlerësim i kushtetutshmërisë së kohëzgjatjes së procedurës në lëndën [C-III-12-0730] në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme
GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
e përbërë nga:
Gresa Caka-Nimani, kryetare
Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar,
Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare
Safet Hoxha, gjyqtar
Remzije Istrefi-Peci, gjyqtare
Nexhmi Rexhepi, gjyqtar
Enver Peci, gjyqtar dhe
Jeton Bytyqi, gjyqtar
Parashtruesi i kërkesës
Kërkesa është dorëzuar nga Nezir Hoxha me vendbanim në Komunën e Gjakovës (në tekstin e mëtejmë: parashtruesi i kërkesës), i përfaqësuar nga avokatët: Teki Bokshi, Ylli Bokshi dhe Korab Bokshi nga Gjakova.
Vendimi i kontestuar
Parashtruesi i kërkesës nuk konteston ndonjë akt konkret të autoriteteve publike, por konteston kohëzgjatjen e procedurës përkitazi me gjykimin e lëndës me numër [nr. C-III-12-0730] në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme (në tekstin e mëtejmë: DHPGJS).
Objekti i çështjes
Objekt i çështjes është vlerësimi i kushtetutshmërisë së kohëzgjatjes së procedurës përkitazi me gjykimin e lëndës [C-III-12-0730] në DHPGJS. Në lidhje me këtë të fundit, parashtruesi i kërkesës pretendon shkelje të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta) në lidhje me paragrafin 1 të nenit 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin mëtejmë: KEDNJ), si dhe nenit 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës në lidhje me nenin 1 të Protokollit nr. 1 të KEDNJ-së.
Baza juridike
Kërkesa bazohet në paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 22 [Procedimi i kërkesës] dhe 47 [Kërkesa Individuale] të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës, nr. 03/L-121 (në tekstin e mëtejmë: Ligji) dhe në rregullin 25 [Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve] të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, nr. 01/2023 (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).
Më 7 korrik 2023, Rregullorja e punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës nr. 01/2023, u publikua në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës dhe hyri në fuqi pesëmbëdhjetë (15) ditë pas publikimit të saj. Rrjedhimisht, gjatë shqyrtimit të kërkesës, Gjykata Kushtetuese i referohet dispozitave të Rregullores së lartcekur. Lidhur me këtë, konform rregullit 78 (Dispozitat kalimtare) të Rregullores së punës Nr. 01/2023, përjashtimisht, dispozita të caktuara të Rregullores së punës Nr. 01/2018, do të vazhdojnë të zbatohen në lëndët e regjistruara në Gjykatë përpara shfuqizimit të saj, vetëm nëse dhe për aq sa janë më të favorshme për palët.
Procedura në Gjykatën Kushtetuese
Më 20 maj 2023, parashtruesi i kërkesës përmes postës dorëzoi kërkesën në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata), të cilën kërkesë Gjykata e pranoi më 23 maj 2023.
Më 31 maj 2023, Kryetarja e Gjykatës përmes Vendimit [nr. GJR. KI102/23] caktoi gjyqtaren Remzije Istrefi-Peci gjyqtare raportuese dhe përmes Vendimit [nr. KSH. KI102/23] Kolegjin shqyrtues, të përbërë nga gjyqtarët: Selvete Gërxhaliu - Krasniqi (kryesuese), Safet Hoxha dhe Radomir Laban (anëtarë).
Më 14 qershor 2023, Gjykata e njoftoi parashtruesin për regjistrimin e kërkesës dhe kërkoi nga ai që të njëjtën ta saktësojë dhe plotësojë me dokumentet shtesë.
Në të njëjtën ditë, Gjykata njoftoi DHPGJS-në përkitazi me kërkesën e parashtruesit të kërkesës.
Më 26 qershor 2023, parashtruesi i kërkesës dorëzoi në Gjykatë një parashtresë përmes së cilës e njoftoi Gjykatën se dokumentet e kërkuara nga ajo, i ka kërkuar nga DHPGJS-ja. Parashtresës ia bashkëngjiti (i) kopjen e kërkesës për dorëzimin e provave materiale, të cilën ia kishte dorëzuar DHPGJS-së po të njëjtën ditë, si dhe (ii) kopjen e autorizimit specifik për Gjykatën Kushtetuese të përfaqësuesve ligjor, të cilët e përfaqësojnë atë para Gjykatës.
Më 16 shtator 2023, parashtruesi i kërkesës, përmes postës elektronike, dorëzoi dokumentacionin e kërkuar nga Gjykata, të cilin e kishte pranuar nga DHPGJS-ja.
Më 11 mars 2024, gjyqtari Jeton Bytyqi dha betimin para Presidentes së Republikës së Kosovës, me ç’ rast filloi mandati i tij në Gjykatë.
Më 20 mars 2024, Gjykata i kërkoi DHPGJS-së që: (i) t’i ofrojë Gjykatës informatat përkatëse përkitazi me procedurën e zhvilluar që nga dita e regjistrimit të lëndës në atë gjykatë; si dhe (ii) ta dorëzojë dosjen e plotë të lëndës [nr. C-III-12-0730].
Më 27 mars 2024, Gjykata pranoi përgjigjen e DHPGJS-së, e cila e njoftoi për procedurën e zhvilluar që nga dita e regjistrimit të lëndës në atë gjykatë, përfshirë procedurën e zhvilluar në Gjykatën Komunale në Gjakovë (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Komunale) dhe i dorëzoi kopjen e plotë të lëndës.
Më 3 maj 2024, pas analizimit të dosjes origjinale të lëndës, Gjykata kërkoi nga DHPGJS-ja: (i) që të sqarojë pozitën procedurale të parashtruesit të kërkesës, respektivisht nëse i njëjti është palë paditëse në çështjen kontestimore përkitazi me lëndën [nr. C-III-12-0730], si dhe (ii) ia ktheu dosjen origjinale të lëndës.
Më 14 maj 2024, Gjykata pranoi përgjigjen e DHPGJS-së, e cila e njoftoi se do të mbajë një seancë shqyrtuese më 19 qershor 2024, në mënyrë që të konfirmojë legjitimitetin aktiv të parashtruesit të kërkesës.
Më 20 qershor 2024, Gjykata përsëriti kërkesën për informatë shtesë drejtuar DHPPGJS-së përkitazi me sqarimin e pozitës procedurale të parashtruesit të kërkesës në lëndën [nr. C-III-12-0730].
Më 26 qershor 2024, Gjykata pranoi përgjigjen e DHPGJS-së, e cila e njoftoi se në seancën e 19 qershorit 2024, kishte ndërprerë procedurën në çështjen kontestimore në lëndën [nr. C-III-12-0730], deri në caktimin e saktë të trashëgimtarëve të palës paditëse.
Me 4 shtator 2024, Gjyqtari Radomir Laban, në bazë të nenit 18 (Përjashtimi i gjyqtarit) të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese, kërkoi përjashtimin e tij nga vendimmarrja në rastin KI102/23.
Më 5 shtator 2024, Kryetarja përmes Vendimit [Nr. Ref. KK545/24] aprovoi kërkesën e Gjyqtarit Radomir Laban për përjashtim.
Më 6 shtator 2024, Kryetarja përmes Vendimit [Nr. KSH.KI102/23], në vend të Gjyqtarit Radomir Laban, e caktoi Gjyqtarin Jeton Bytyqi anëtar në Kolegj Shqyrtues.
Më 11 shtator 2024, Kolegji shqyrtues e shqyrtoi raportin e gjyqtares raportuese dhe njëzëri i rekomandoi Gjykatës papranueshmërinë e kërkesës.
Përmbledhja e fakteve
Nga shkresat e lëndës rezulton se parashtruesi i kërkesës është pasardhës i të ndjerit I. H., i cili kishte vdekur më 2 shtator 1968 dhe kishte pretendime për pronësi të parcelës me nr. 239/1, me kulturë shtëpi në sipërfaqe prej 0.05.81 ha me kulturë oborr në sipërfaqe prej 0.69.43 ha., apo me sipërfaqe gjithsej prej 0.75.24 ha në zonën Kodralija e Becit në Komunën e Gjakovës (në tekstin e mëtejmë: parcela e kontestuar).
Procedurat gjyqësore dhe administrative në lidhje me çështjen e kontestuar para vitit 2008
Nga shkresat e lëndës rezulton se më 25 dhjetor 1964, përmes Aktvendimit [nr. 08-09157/63], të Kuvendit Komunal të Gjakovës, të ndjerit I. H., i ishte eksproprijuar ish- parcela nr. 37/2 në sipërfaqe 00.71.24 ha (e evidentuar si pjesë e parcelës së kontestuar), e në këmbim të saj i ishte dhënë ish-parcela nr. 341/6 në sipërfaqe 00.72.00 ha ZK Cërmjan, e cila parcelë tashmë është evidentuar në emër të personit të tretë D. M. Nga historiatet e parcelave respektive rezulton se në vitin 1971, parcela e kontestuar ishte bërë pjesë e parcelave në emër të Ndërmarrjes Shoqërore, Prodhimi Primar KBI “Ereniku” në Gjakovë (në tekstin e mëtejmë: KBI “Ereniku”).
Më 23 nëntor 1963 dhe 15 qershor 1965, përmes Aktvendimit [nr. 08-536/60] dhe Aktvendimit [U. nr. 2292/64], personi i tretë D. M., ishte shpallur uzurpator i parcelës nr. 341/6, e cila i ishte dhënë në këmbim të ndjerit I. H. Nga procesverbalet e seancave gjyqësore, rezulton se personi i tretë D. M., kishte qenë pronar i parcelës në fjalë para se t’i jepej në këmbim nga Kuvendi Komunal i Gjakovës të ndjerit I. H. dhe përmes procedurës së rikthimit të pronës, respektivisht revizionit, të njëjtit, me Aktvendimin [nr. 08-536/60] të 29 prillit 1993, Gjykata Supreme ia kishte njohur të drejtën pronësore mbi këtë parcelë.
Nga shkresat e lëndës rezulton se, më 25 nëntor 1993, M. H., vëllai i të ndjerit I. H., i cili kishte ndërruar jetë në vitin 1998, kërkoi në procedurë administrative anulimin e Aktvendimit [nr. 08-536/60] të 29 prillit 1993, si dhe më 26 nëntor 1993, parashtroi padi për njohjen e të drejtës pronësore dhe kthimin në posedim të parcelës së kontestuar kundër Kuvendit Komunal të Gjakovës dhe KBI “Ereniku”, pasi që parcela, e cila i ishte dhënë në këmbim I. H-së, i ishte kthyer D. M.-së si pronar origjinal i saj. Në këtë padi, paditësi M. H. e përfshiu si “intervient juridik” personin R. XH., të cilit iu kishte shitur prona që ishte dhënë në këmbim, por më pas iu ishte kthyer D. M-së nga Gjykata Supreme. Kjo procedurë gjyqësore rezulton se është ndërprerë më 17 qershor 1997, për shkak se paditësi M. H. kishte deklaruar se për të njëjtën çështje është duke u udhëhequr procedura pranë organit administrativ në Komunën e Gjakovës, lënda [nr. 19-08-536-60].
Më 10 prill 2002, përfaqësuesi ligjor i paditësit të ndjerë, M. H., parashtroi kërkesë për rekonstruimin dhe vazhdimin e procedurës administrative në Kuvendin Komunal të Gjakovës, të cilën kërkesë e përsëriti në 22 nëntor 2007, i biri i të ndjerit M. H., në cilësinë e trashëgimtarit të tij.
Procedurat gjyqësore dhe administrative në lidhje me çështjen e kontestuar pas vitit 2008 pranë Gjykatës Komunale dhe AKP-së
Më 20 maj 2009, H. H., i biri i paditësit të ndjerë M. H., e informoi/njoftoi Agjencinë Kosovare të Privatizimit (në tekstin e mëtejmë: AKP) për procedurat në lidhje me parcelën e kontestuar dhe kërkoi që kjo parcelë të mos tenderohet, të mos shitet dhe të mos privatizohet deri sa këto procedura janë në rrjedhje.
Më 3 dhe 8 qershor 2009, Gjykata Komunale informoi për rrjedhjen e procedurës gjyqësore në lidhje me çështjen e kontestuar: (i) Zyrën e Gjendjes Civile në Cërmjan, të cilës ia kërkoi certifikatën e vdekjes së paditësit M. H.; (ii) Ministrinë e Drejtësisë; (iii) Ministrinë e Ekonomisë dhe Financave; si dhe (iv) Drejtorinë për marrëdhënie pronësore juridike pranë Komunës së Gjakovës, të cilës i kërkoi informatën nëse procedura administrative e filluar në vitin 1997 pranë kësaj drejtorie ka përfunduar.
Nga shkresat e lëndës rezulton se më 30 qershor 2009, procedura gjyqësore në Gjykatën Komunale në lidhje me çështjen e shqyrtimit të padisë për njohjen e të drejtës pronësore dhe kthimit të posedimit të parcelës së kontestuar, u ndërpre përmes Aktvendimit [C. nr. 1917/02] të Gjykatës Komunale për shkak të vdekjes së paditësit M. H., ndaj të cilit nuk ishte shqyrtuar procedura e trashëgimisë dhe se e njëjta mund të rihapej nga trashëgimtarët e tij.
Më 7 korrik 2009, H. H. dhe D. H., të bijtë e të ndjerit M. H., në cilësinë e suksesorëve universalë të të drejtave dhe detyrimeve të babait të tyre të ndjerë, parashtruan kërkesë për vazhdimin e procedurës së ndërprerë nga Gjykata Komunale, duke kërkuar që të trajtohen si paditës në këtë çështje juridike. Në të njëjtën ditë, H. H. autorizoi avokatin Teki Bokshi për përfaqësim të kësaj lënde.
Më 17 gusht 2009, Gjykata Komunale mbajti seancë në çështjen juridike [C. nr. 522/09], ku objekt shqyrtimi ishte vërtetimi i pronësisë mbi parcelën e kontestuar. Në këtë seancë, Gjykata Komunale përmes Aktvendimit [C. nr. 522/09] vendosi që: (i) të shtyjë seancën deri më 8 tetor 2009, (ii) e aprovoi tërheqjen e propozimit të H. H., të birit të të ndjerit M. H., për mos inkuadrimin e “intervientit juridik” R. Xh. në anën e paditësve, si dhe (iii) kërkoi historiatin detal të parcelës së kontestuar dhe një ekspert nga Drejtoria për Kadastër, Pronë dhe Gjeodezi. Në të njëjtën ditë, Gjykata Komunale, përmes Aktvendimit [C. nr. 38/01] detyroi të paditurën Komuna e Gjakovës që të dorëzojë përgjigjen në padi në afat prej 15 (pesëmbëdhjetë) ditësh.
Më 15 shtator 2009, AKP përmes Njoftimit [nr. 52152657-20-8-2009] e informoi H. H., të birin e të ndjerit M. H., në cilësinë e palës së interesuar, që ndërmarrja shoqërore Beci, e cila gjendet në Pejë dhe ndaj të cilës kjo palë ka kontest pronësie, do të privatizohet përmes tenderit privatizues, që do të realizohet në 90 (nëntëdhjetë) ditët pasuese dhe e këshilloi që ka të drejtë të iniciojë procedurë ligjore për të mbrojtur të drejtat e tij pronësore në përputhje me legjislacionin në fuqi pranë Gjykatës Supreme të Kosovës.
Më 22 shtator 2009, H. H., i biri i paditësit të ndjerë M. H, parashtroi ankesë-kundërshtim ndaj Njoftimit [nr. 52152657-20-8-2009] të AKP-së, të 15 shtatorit 2009, me ç’rast e informoi për kontestin gjyqësor që ishte duke u zhvilluar në Gjykatën Komunale për vërtetim të pronësisë, me numër të lëndëve [C. nr. 1917/02] dhe [C. nr. 522/09], i cili kontest kishte filluar më 26 nëntor 1993 dhe ende nuk kishte vendim të formës së prerë. I njëjti kërkoi nga AKP që të ndalojë privatizimin e parcelës së kontestuar.
Më 22 shtator 2009, H. H., i biri i paditësit të ndjerë M. H, parashtroi një parashtresë në Gjykatën Komunale, të cilën e informoi për ankesën e tij drejtuar AKP-së së 22 shtatorit 2009 dhe Njoftimin e AKP-së së 15 shtatorit 2009 për privatizimin e ndërmarrjes shoqërore, pjesë e së cilës ishte edhe parcela e kontestuar.
Në datat: 8 tetor 2009, 21 janar dhe 10 nëntor 2010, Gjykata Komunale mbajti seanca për shqyrtimin e kësaj çështjeje juridike.
Më 15 nëntor 2010, H. H., i biri i të ndjerit M. H., parashtroi një parashtresë në Gjykatën Komunale, me të cilën precizoi padinë ashtu që Gjykata Komunale të nxjerrë Aktgjykim me të cilin vërtetohet se paditësit H. H. dhe vëllai i tij, D. M. janë bashkëpronarë të parcelës së kontestuar dhe që Komuna e Gjakovës dhe KBI “Ereniku” të detyrohen që t’ua njohin këtë të drejtë të pronësisë brenda afatit prej 15 (pesëmbëdhjetë) ditësh.
Më 20 maj 2011, H. H., i biri i të ndjerit M. H., përsëriti parashtresën e njëjtë drejtuar Gjykatës Komunale për precizimin e padisë si më lart.
Më 18 janar 2012, Gjykata Komunale përmes Aktvendimit [C. nr. 522/09], e shpalli veten jokompetente në aspekt lëndor për shqyrtimin e kësaj çështje juridike.
Më 26 prill 2012, Gjykata Komunale ia përcolli lëndën [C. nr. 522/09] Dhomës së Posaçme në Gjykatën Supreme për vendosje sipas kompetencës me juridiksion ekskluziv.
Më 28 janar 2014, paditësi H. H. i biri i të ndjerit M. H., parashtroi urgjencë-lutje në lidhje me çështjen juridike të tij duke kërkuar që DHPGJS të vendosë sa më shpejtë për rastin, duke pasur parasysh se lënda është në proces qe një kohë të gjatë, përkatësisht muaji prill 2014.
Më 26 mars 2014, AKP nxori Vendimin [nr. Ref. BD-63/12] përmes të cilit u iniciua procedura e likuidimit të disa ndërmarrjeve shoqërore, duke përfshirë KBI “Erenikun”, për të cilin, fillimi i procedurave të likuidimit hynte në fuqi më 19 maj 2014.
Procedurat gjyqësore në lidhje me çështjen e kontestuar pas vitit 2008 pranë DHPGJS-së
Më 6 shkurt 2015, DHPGJS lëshoi Urdhrin [nr. C-III-12-0730], përmes së cilit urdhëroi që padia së bashku me parashtresat mbështetëse t’i dorëzohen të paditurave, respektivisht Komunës së Gjakovës dhe KBI “Erenikut”, si dhe që të njëjtat të parashtrojnë mbrojtjen brenda 1 (një) muaji nga pranimi i padisë.
Më 2 mars 2015, AKP paraqiti mbrojtje në DHPGJS kundër padisë së parashtruar nga H. H. dhe D. M., të bijtë e paditësit të ndjerë M. H. Në mbrojtjen e saj, AKP kundërshtoi padinë dhe pretendimet ankimore si të pabazuara dhe konsideroi se padia ishte parashtruar në kundërshtim me parimin procedural “legitimatio ad causam”, me arsyetimin se paditësit i mungon legjitimacioni aktiv për procedim të çështjes gjyqësore për shkak se të njëjtit nuk kanë prezantuar dëshmi të besueshme se janë trashëgimtarë të paraardhësit të tyre I. H., përkatësisht babait të parashtruesit të kërkesës, i cili ishte pronar i parcelës së kontestuar para eksproprijimit të kësaj prone. Ajo po ashtu konsideroi se edhe KBI “Erenikut” i mungon legjitimacioni pasiv dhe pasi që prej viteve të 60-ta është në posedim të parcelës së kontestuar, e njëjta edhe e ka fituar pronësinë mbi këtë parcelë mbi bazën e parashkrimit fitues. Në fund, AKP kërkoi nga DHPGJS që të aprovojë mbrojtjen e tyre dhe të hedhë si të papranueshme padinë në fjalë.
Më 16 mars 2015, DHPGJS lëshoi Urdhrin [nr. C-III-12-0730], përmes së cilit urdhëroi që mbrojtja e AKP-së ndaj padisë, e 2 marsit 2015, t’i dorëzohet paditësve H. H. dhe D. H., dhe që brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve të paraqesin përgjigje në këtë mbrojtje.
Nga shkresat e lëndës rezulton se në një datë të paspecifikuar, H. H. dhe D. M, të bijtë e paditësit të ndjerë M. H. parashtruan përgjigje ndaj mbrojtjes së AKP-së.
Më 21 prill 2015, Komuna e Gjakovës paraqiti përgjigje kundër padisë së paditësit të të ndjerit M. H. respektivisht të bijve të tij, H. H. dhe D. M., përmes së cilës kundërshtoi padinë në tërësi si të pabazuar, konfuze dhe në kundërshtim me rrethanat faktike dhe juridike. E njëjta theksoi në përgjigjen e saj, duke shtuar se asaj i mungon legjitimiteti pasiv pasi që parcela e kontestuar është e regjistruar që nga viti 1976 në emër të KBI “Ereniku”, dhe se në çdo rast, kërkesa e paditësve ndaj Komunës së Gjakovës është parashkruar.
Më 24 prill 2015, AKP paraqiti kundërpërgjigje në DHPGJS, duke i kundërshtuar sërish pretendimet ankimore të H. H. dhe D. M., të bijve të paditësit të ndjerë M. H.
Më 25 maj 2015, H. H. i biri i paditësit të ndjerë M.H., parashtroi urgjencë-lutje në lidhje me çështjen juridike të tij duke kërkuar që DHPGJS të vendosë sa më shpejtë për rastin, duke pasur parasysh se lënda është në proces qe një kohë të gjatë.
Më 9 qershor 2015, DHPGJS lëshoi Urdhrin [nr. C-III-12-0730], përmes së cilit urdhëroi që mbrojtja e Komunës së Gjakovës ndaj padisë, e 21 prillit 2015, t’i dorëzohet H. H. dhe D. H., të bijve të paditësit të ndjerë M. H., dhe që brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve të paraqesin përgjigje në këtë mbrojtje.
Më 22 qershor 2015, H. H. dhe D. M., të bijtë e paditësit të ndjerë M. H. parashtruan përgjigje-parashtresë ndaj mbrojtjes së Komunës së Gjakovës.
Më 10 korrik 2015, DHPGJS lëshoi Urdhrin [nr. C-III-12-0730], përmes së cilit urdhëroi që përgjigjja e H. H. dhe D. H., të bijve të paditësit të ndjerë M. H., t’i dorëzohet Komunës së Gjakovës dhe që brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve të paraqesin kundërpërgjigje në këtë përgjigje.
Më 13 gusht 2015, AKP nxori Vendimin [nr. 2318-2015], përmes të cilit refuzoi kërkesën e H. H., të birit të paditësit të ndjerë M. H., për njohjen e të drejtës pronësore në parcelën e kontestuar, me arsyetimin se i njëjti nuk kishte dorëzuar asnjë dëshmi, përkatësisht vendim të formës së prerë, me të cilin shpallet trashëgimtar i parcelës së kontestuar, pronar i së cilës konsiderohet të jetë i ndjeri I. H. Rrjedhimisht, AKP vendosi se H. H. nuk legjitimohet si palë në procedurë para AKP-së.
Më 15 shtator 2015, H. H., i biri i paditësit të ndjerë M. H., parashtroi edhe një padi në DHPGJS kundër Vendimit [nr. 2318-2015] të 13 gushtit 2015 të AKP-së, përmes së cilit AKP-ja ia refuzoi njohjen e të drejtës pronësore mbi parcelën e kontestuar, me ç’ rast kërkoi anulimin e këtij vendimi. Ai po ashtu e informoi DHPGJS-në për zhvillimin e procedurën gjyqësore pranë të njëjtës gjykatë në lidhje me këtë parcelë.
Më 26 tetor 2015, parashtruesi i kërkesës autorizoi H. H., të birin e paditësit të ndjerë M. H., që ta përfaqësojë atë pranë AKP-së, DHPGJS-së dhe çdo gjykate tjetër në Republikën e Kosovës në çështjet juridike në lidhje me parcelën e kontestuar, për të cilën pretendoi se është trashëgimtar i vetëm i I. H.-së, përkatësisht pronarit të saj, si dhe në mënyrë specifike në lëndën [nr. C-III-12-0730], e cila procedurë zhvillohej para DHPGJS-së.
Më 31 tetor 2015, H. H., i biri i paditësit të ndjerë M. H., parashtroi një parashtresë pranë DHPGJS-së, përmes së cilës informoi atë se ai është bashkëpronar i parcelës së kontestuar në çështjen e tij juridike, së bashku me N. H., respektivisht parashtruesin e kërkesës dhe se është i autorizuar nga parashtruesi i kërkesës, prandaj DHPGJS duhet t’i drejtohet atij si përfaqësues i autorizuar.
Më 9 qershor 2018, H. H. i biri i paditësit të ndjerë M. H., parashtroi urgjencë-lutje në lidhje me çështjen juridike të tij duke kërkuar që DHPGJS të vendosë sa më shpejtë për rastin, duke pasur parasysh se lënda është në proces qe një kohë të gjatë.
Më 28 gusht 2018, H. H. i biri i paditësit të ndjerë M. H., përsëriti urgjencën-lutjen në lidhje me çështjen juridike të tij duke kërkuar që DHPGJS të vendosë sa më shpejtë për rastin, duke pasur parasysh se lënda është në proces qe një kohë të gjatë.
Më 5 mars 2019, H. H. i biri i paditësit të ndjerë M. H., propozoi caktimin e masës së sigurisë në parcelën e kontestuar.
Nga shkresat e lëndës rezulton se në një datë të paspecifikuar në vitin 2020, H. H., i biri i paditësit të ndjerë M. H. ndërroi jetë.
Më 19 shtator 2022, noteri A. S., lëshoi Aktin noterial [LRP. nr. 12322/2022] përmes së cilit parashtruesi i kërkesës u shpall trashëgimtar i vetëm i I. H-së, pronar i pretenduar i parcelës së kontestuar.
Më 8 maj 2023, DHPGJS përmes Urdhrit [nr. C-III-12-0730] obligoi H. H., të birin e paditësit të ndjerë M. H., që të parashtrojë dëshmi – Aktvendim për trashëgimi sipas paragrafit 1 të nenit 171 të Ligjit nr. 06/L-007 për Procedurën jokontestimore, me të cilën është shpallur trashëgimtar dhe që të dëshmojë para gjykatës se ka legjitimitet real aktiv për me qenë palë ndërgjyqëse në këtë çështje juridike, në afat prej 1 (një) muaji ose në të kundërtën, DHPGJS do ta ndërprejë këtë procedurë kontestimore.
Në të njëjtën ditë, parashtruesi i kërkesës parashtroi një parashtresë-urgjencë, përmes së cilës i kërkoi DHPGJS-së zgjidhjen sa më të shpejtë të lëndës së të ndjerit H. H., i cili e kishte autorizuar në lëndën e tij dhe i kërkoi asaj që të lejojë ndryshimin subjektiv të padisë dhe ia dorëzoi autorizimin e ri për avokatin, T. K.
Më 30 maj 2023, parashtruesi i kërkesës, duke vepruar sipas Urdhrit [nr. C-III-12-0730] të 8 majit 2023, të DHPGJS-së, përmes përfaqësuesit të tij të autorizuar, dorëzoi një parashtresë me të cilën e informoi gjykatën se: “[...] paditës në këtë çështje është edhe z. [N.H], nga Gjakova, i cili është paraqitur si palë paditëse në këtë çështje. Z. [N.H.] është i biri i tash të ndjerit [I.H.], i cili ishte vëllai i tash të ndjerit [M.H.], i cili është babai i paditësit të ndjerë [H.H.]”. Kësaj parashtrese, ai ia bashkëngjiti dëshminë e Aktvendimit për shqyrtimin e trashëgimisë së [I. H.], e përfunduar me akt noterial [LRP. nr. 12322/2022] të 19 shtatorit 2022, dhe përmes së cilit i vetmi trashëgimtar i tij ishte shpallur parashtruesi i kërkesës, ndërsa procedura e trashëgimisë për të ndjerin H. H., i biri i paditësit të ndjerë M. H., ende nuk ishte kryer.
Më 5 qershor 2023, DHPGJS përmes Urdhrit [nr. C-III-12-0730] dorëzoi në AKP, në cilësinë e të paditurit, propozimin për caktimin e Masës së sigurisë, së 5 marsit 2019, të paditësit H. H., tashmë i ndjerë dhe i zëvendësuar në cilësinë e paditësit me parashtruesin e kërkesës N. H., për të paraqitur përgjigjen në lidhje me kërkesën.
Më 14 qershor 2023, AKP dorëzoi në DHPGJS përgjigje ndaj propozimit për caktimin e masës së sigurisë, me ç’ rast kërkoi refuzimin e kësaj mase me arsyetimin se palës i mungon legjitimacioni aktiv në kundërshtim me parimin “legitimatio ad causam” dhe se vet asaj i mungon legjitimacioni pasiv për procedim me këtë çështje juridike sepse parcela e kontestuar është privatizuar në valën e 38-të me “Spin-off” të shitjes, me ç’ rast ia bashkëngjiti edhe dëshmitë e këtij privatizimi, i kryer në vitin 2009.
Më 21 qershor 2023, sipas kërkesës së gjyqtares së caktuar në lëndën [nr. C-III-12-0730], gjyqtari mbikëqyrës i DHPGJS-së caktoi përbërjen e Kolegjit të specializuar për vendosje në këtë lëndë.
Më 27 qershor 2023, Kolegji i Specializuar i DHPGJS-së përmes Aktvendimit [nr. C-III-12-0730], refuzoi kërkesën për caktimin e masës së sigurisë si të pabazuar, me arsyetimin se nuk janë përmbushur kriteret ligjore për vendosjen e masës së tillë, respektivisht sa i përket:
(a) ekzistimit të së drejtës së pretenduar vlerësoi se kjo e drejtë e pretenduar mbetet e pambështetur në prova e veçanërisht në dëshminë e cila do të vërtetonte legjitimacionin aktiv të palës në procedurë;
(b) dëmit të menjëhershëm konstatoi se propozuesi nuk ka paraqitur ndonjë rrethanë e cila pritet të pësojë ndonjë dëm të menjëhershëm apo pariparueshëm, veçanërisht kur parcela e kontestuar tashmë është privatizuar në valën e 38-të të zhvilluar në vitin 2009; si dhe
(c) dëmit të pariparueshëm konsideroi se kushti ligjor që dëmi nuk mund të zhdëmtohet në mënyrë të arsyeshme me kompensim financiar, në rastin konkret nuk është përmbushur.
Nga shkresat e lëndës rezulton se më 10 korrik 2023, parashtruesi i kërkesës parashtroi ankesë në Kolegjin e Apelit të DHPGJS-së, kundër Aktvendimit [nr. C-III-12-0730] të 27 qershorit 2023, të Kolegjit të specializuar të kësaj gjykate.
Më 17 korrik 2023, Kolegji i Apelit të DHPGJS-së ia dërgoi AKP-së, ankesën e parashtruesit të kërkesës, për përgjigje në ankesë.
Më 2 gusht 2023, AKP parashtroi përgjigje në ankesën e parashtruesit të kërkesës në Kolegjin e Apelit të DHPGJS-së.
Më 9 gusht 2023, Kolegji i Apelit të DHPGJ-së ia dërgoi Komunës së Gjakovës ankesën e parashtruesit të kërkesës për përgjigje në ankesë, e cila përmes Drejtorisë për Kadastër, pronë dhe Gjeodezi e pranoi më 16 gusht 2023.
Më 21 shtator 2023, Kolegji i Apelit të DHPGJS-së, përmes Aktvendimit [AC-I-23-0415-A0001], refuzoi ankesën e parashtruesit të ankesës dhe e vërtetoi Aktvendimin [C-III-12-0730], e 27 qershorit 2023, të Kolegjit të Specializuar të DHPGJS-së, duke pranuar në tërësi vlerësimin e kësaj gjykate si të bazuar në ligj. Ai në arsyetimin e këtij Aktvendimi shton se ka vërejtur që parashtruesi i kërkesës ka ngritur shqetësimin se kërkesa për masë të sigurisë është trajtuar me një vonesë të pashpjegueshme, por se sipas tij “[...] edhe po të trajtohej më herët, rezultati do të ishte i njëjtë, sepse kjo ngastër ishte privatizuar në vitin 2009, andaj, nga kjo datë, nuk kishte arsye për masë të sigurisë, sepse nuk kishte se çka të mbrohet me një masë eventuale pasi që objekti i shqyrtimit gjyqësor tashmë ishte tjetërsuar në proces të rregullt të shitjes-privatizimit”.
Pretendimet e parashtruesit të kërkesës
Parashtruesi i kërkesës në kërkesën e tij pretendon shkelje të së drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm të garantuar me paragrafin 2 të nenit 31 të Kushtetutës, në lidhje me paragrafin 1 të nenit 6 të KEDNJ-së si rezultat i mos nxjerrjes së vendimit nga DHPGJS brenda një afati të arsyeshëm kohor, si dhe shkelje të së drejtës për pronë, të garantuar përmes paragrafit 1 nenit 46 të Kushtetutës në lidhje me nenin 1 të Protokollit nr. 1 të KEDNJ-së për shkak të refuzimit të masës së sigurisë në lidhje me parcelën e kontestuar.
Më konkretisht, parashtruesi i kërkesës në kërkesën e tij pretendon tejzgjatje të procedurës gjyqësore përkitazi me padinë e parashtruar në Gjykatën Komunale në vitin 1993 për njohje të pronësisë dhe kthim të posedimit të parcelës së kontestuar, e për të cilën pretendon se babai i tij I. H., e kishte në pronësi, lëndë e cila ishte bartur në kompetencë të DHPGJS-së në vitin 2012.
Për më tepër, parashtruesi i kërkesës nënvizon se DHPGJS ende është në fazë fillestare të shqyrtimit të çështjes juridike, duke qenë se më 15 qershor 2023, i kishte kërkuar dëshminë e procedurës së shqyrtimit të trashëgimisë. Ai po ashtu thekson se me vonesën e pashpjegueshme të vendosjes, i janë shkaktuar dëme materiale, jomateriale dhe dhimbje shpirtërore.
Në fund, parashtruesi i kërkesës kërkon nga Gjykata që të vendosë se DHPGJS me mosveprim ka shkelur nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, si dhe nenin 46 të Kushtetutës në lidhje me nenin 1 të Protokollit nr. 1 të KEDNJ-së.
Përgjigjet e DHPGJS-së drejtuar Gjykatës
Siç është cekur më lart, DHPGJS dorëzoi tri përgjigje në lidhje me kërkesat e Gjykatës për informata dhe dokumente shtesë.
Më 27 mars 2024, DHPGJS dorëzoi përgjigjen në kërkesën e Gjykatës së 20 marsit 2024, e cila e njoftoi Gjykatën lidhur me procedurën e zhvilluar që nga dita e regjistrimit të lëndës [C-III-12-0730] në atë gjykatë, duke përfshirë procedurat e zhvilluara në Gjykatën Komunale që nga viti 1993 deri në vitin 2012, kur kjo lëndë i ishte transferuar në kompetencë. DHPGJS po ashtu ia dorëzoi Gjykatës dosjen origjinale të kësaj lënde.
Më 14 maj 2024, DHPGJS dorëzoi përgjigjen në kërkesën e Gjykatës e 3 majit 2024, e cila e njoftoi se do të mbajë një seancë shqyrtuese më 19 qershor 2024, në mënyrë që të konfirmojë legjitimitetin aktiv të parashtruesit të kërkesës.
Më 26 qershor 2024, DHPGJS-së, dorëzoi përgjigjen në kërkesën e Gjykatës e 20 qershorit 2024, e cila e njoftoi se në seancën e 19 qershorit 2024, kishte vendosur ndërprerjen e procedurës në çështjen kontestimore në lëndën [nr. C-III-12-0730], deri në caktimin e saktë të trashëgimtarëve të palës paditëse.
Dispozitat relevante kushtetuese dhe ligjore
KUSHTETUTA E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
Neni 31
[E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm]
“1. Çdokujt i garantohet mbrojtje e barabartë e të drejtave në procedurë para gjykatave, organeve të tjera shtetërore dhe bartësve të kompetencave publike.
2. Çdokush gëzon të drejtën për shqyrtim publik të drejtë dhe të paanshëm lidhur me vendimet për të drejtat dhe obligimet ose për cilëndo akuzë penale që ngrihet kundër saj/tij brenda një afati të arsyeshëm, nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e themeluar me ligj.
[...]”
Neni 46
[Mbrojtja e Pronës]
“1. E drejta e pronës është e garantuar.
2. Shfrytëzimi i pronës rregullohet me ligj, në pajtim me interesin publik.
3. Askush nuk do të privohet në mënyrë arbitrare nga prona. Republika e Kosovës ose autoriteti publik i Republikës së Kosovës mund të bëj ekspropriimin e pronës nëse ky ekspropriim është i autorizuar me ligj, është i nevojshëm ose i përshtatshëm për arritjen e qëllimit publik ose përkrahjen e interesit publik, dhe pasohet me sigurimin e kompensimit të menjëhershëm dhe adekuat për personin ose personat prona e të cilave ekspropriohet.
4. Kontestet që lindin nga akti i Republikës së Kosovës ose autoritetit publik të Republikës së Kosovës për të cilat pretendohet se përbëjnë ekspropriimin, do të zgjidhen nga gjykata kompetente.
5. Prona intelektuale mbrohet me ligj”.
KONVENTA EVROPIANE PËR TË DREJTAT E NJERIUT [e miratuar më 4 nëntor 1950 nga Këshilli i Evropës]
Neni 6
(E drejta për gjykim të drejtë)
“1. Çdo person ka të drejtë që çështja e tij të dëgjohet drejtësisht, publikisht dhe brenda një afati të arsyeshëm [...]”.
PROTOKOLLI SHTESË NR. 1 I KONVENTËS EVROPIANE PËR TË DREJTAT E NJERIUT [i miratuar më 20 mars 1952 nga Këshilli i Evropës]
Neni 1
(Mbrojtja e pronës)
“Çdo person fizik ose juridik ka të drejtën e gëzimit paqësor të pasurisë së tij. Askush nuk mund të privohet nga prona e tij, përveçse për arsye të interesit publik dhe në kushtet e parashikuara nga ligji dhe nga parimet e përgjithshme të së drejtës ndërkombëtare. Megjithatë, dispozitat e mëparshme nuk cenojnë të drejtën e shteteve për të zbatuar ligje, që ato i çmojnë të nevojshme për të rregulluar përdorimin e pasurive në përputhje me interesin e përgjithshëm ose për të siguruar pagimin e taksave ose të kontributeve ose të gjobave të tjera”.
Vlerësimi i pranueshmërisë së kërkesës
Gjykta së pari shqyrton nëse kërkesa i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara me Kushtetutë, të parashikuara me Ligj dhe të specifikuara më tej me Rregullore të punës.
Në këtë drejtim, Gjykata i referohet paragrafëve 1 dhe 7, të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, që përcakton:
Nenit 113
[Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara]
“1. Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.
[...]
7. Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.
Gjykata gjithashtu vlerëson nëse parashtruesja e kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, siç specifikohet më tej në Ligj. Në lidhje me këtë, Gjykata së pari i referohet neneve 47 [Kërkesa individuale], 48 [Saktësimi i kërkesës] dhe 49 [Afatet] të Ligjit, të cilët përcaktojnë:
Neni 47 i Ligjit
(Kërkesa individuale)
"1. Çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tij individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik.
2. Individi mund të ngre kërkesën në fjalë vetëm pasi që të ketë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.
Neni 48 i Ligjit
(Saktësimi i kërkesës)
"Parashtruesi i kërkesës ka për detyrë që në kërkesën e tij të qartësoj saktësisht se cilat të drejta dhe liri pretendon se i janë cenuar dhe cili është akti konkret i autoritetit publik të cilin parashtruesi dëshiron ta kontestoj".
Neni 49 i Ligjit
(Afatet)
"Kërkesa parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajve. Afati fillon të
ecë që nga dita kur parashtruesit i është dorëzuar vendimi gjyqësor ... ".
Fillmisht, Gjykata, nga shkresat e lëndës, vëren se parashtruesi i kërkesës është Nezir Hoxha, djali i të ndjerit I. H., pronar i pretenduar i parcelës së kontestuar në çështjen kontestimore në lëndën [nr. C-III-12-0730] pranë DHPGJS-së. I njëjti së bashku me kërkesën para Gjykatës, përmes përfaqësuesve të autorizuar, kishte dorëzuar vetëm Aktin noterial [LRP. nr. 12322/2022], të 19 shtatorit 2022, përmes së cilit parashtruesi i kërkesës u shpall trashëgimtar i vetëm i I. H-së.
Nga shkresat origjinale të lëndës, Gjykata vëren gjithashtu se çështja kontestimore në lëndën në fjalë ishte iniciuar përmes padisë në vitin 1993 nga M. H., vëllau i të ndjerit I. H., njëkohësisht babai i parashtruesit të kërkesës, i cili më pas ndërroi jetë në vitin 1998, ndërsa para gjykatave të rregullta, fillimisht në Gjykatën Komunale dhe më pas në lëndën e transferuar në DHPGJS në vitin 2012, palë paditëse paraqitet djali i të ndjerit M.H., respektivisht, H. H. i cili e vazhdoi këtë procedurë gjyqësore deri në vitin 2020, kur edhe ndërroi jetë. Nga shkresat e lëndës rezulton se çështja kontestimore nuk ka mbaruar ende dhe se të njëjtën pretendon ta vazhdojë parashtruesi i kërkesës. Para Gjykatës, parashtruesi i kërkesës pretendon shkeljen e të drejtës në gjykim të drejtë dhe të paanshëm, të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, si dhe të drejtës në pronë të garantuar me nenin 46 të Kushtetutës në lidhje me nenin 1 të Protokollit nr. 1 të KEDNJ-së, si rezultat i tejzgjatjes së procedurës gjyqësore përkitazi me vërtetimin e pronësisë së parcelës së kontestuar në çështjen kontestimore në lëndën [nr. C-III-12-0730] pranë DHPGJS-së.
Duke qenë se nga shkresat origjinale të lëndës, palë paditëse është paraqitur i ndjeri H. H., në cilësinë e trashëgimtarit të paditësit fillestar, M. H., Gjykata rikujton faktin se më 3 maj 2024, kërkoi nga DHPGJS-ja që të sqarojë pozitën procedurale të parashtruesit të kërkesës në këtë çështje kontestimore, respektivisht që të konfirmojë nëse i njëjti është palë paditëse në lëndën në fjalë.
Nga përgjigjet e DHPGJS-së, të dorëzuara më 14 maj dhe 26 qershor 2024, rezulton se edhe kjo gjykatë nuk e ka të qartë legjitimitetin aktiv të parashtruesit të kërkesës në rastin konkret, dhe se rrjedhimisht përmes Aktvendimit për Ndërprerjen e Procedurës, të seancës së mbajtur më 19 qershor 2024, aprovoi propozimin e përfaqësuesit të palës paditëse për ndërprerje të procedurës kontestimore dhe obligoi të njëjtin që pas krijimit të kushteve dhe sigurimit të vendimit të trashëgimisë, të njoftojë gjykatën në fjalë për caktimin e saktë të trashëgimtarëve.
Në mënyrë që të vazhdojë shqyrtimin dhe vlerësimin e kërkesës, Gjykata fillimisht duhet të vlerësojë nëse janë përmbushur kriteret e pranueshmërisë të përcaktuara me Kushtetutë, Ligj dhe Rregullore të punës.
Si çështje parësore e pranueshmërisë që duhet të konsiderohet në këtë rast konkret, është fakti se a është dorëzuar kjo kërkesë nga një palë e autorizuar siç kërkohet me paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 të Kushtetutës, të cituar më lart. Kjo çështje lind për faktin se parashtruesi i kërkesës pretendon se është trashëgimtar i palës paditëse, tashmë të ndjerë, në çështjen kontestimore përkitazi me lëndën [nr. C-III-12-0730] pranë DHPGJS-së dhe në këtë drejtim Gjykata duhet të përcaktojë se a mund të ankohet ky person për dhe në emër të kësaj pale paditëse në këtë rast konkret që ka të bëjë me të drejta dhe liri të garantuara me nenet 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] dhe 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të KEDNJ-së dhe nenin 1 (Mbrojtja e pronës) të Protokollit nr. 1 të KEDNJ-së. Në mënyrë që parashtruesi i kërkesës të legjitimohet si palë e autorizuar, Gjykata në pajtim me praktikën e saj gjyqësore dhe të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: GJEDNJ), duhet t'ia pranojë asaj statusin e viktimës indirekte apo të tërthortë.
Në këtë aspekt, bazuar në praktikën e saj gjyqësore, Gjykata rikujton se para kësaj Gjykate mund të paraqiten individët të cilët pretendojnë të jenë viktima direkte të shkeljeve të mundshme të Kushtetutës apo të instrumenteve të tjera ndërkombëtare që mbrojnë të drejtat dhe liritë e njeriut. Po ashtu, praktika gjyqësore e kësaj Gjykate tregon se, në raste të caktuara, edhe viktimat indirekte apo të tërthorta mund të pranohen si palë të autorizuara (shih rastet e Gjykatës lidhur me nenin 25 [E Drejta për Jetë] të Kushtetutës në lidhje me nenin 2 (E Drejta për Jetën) të KEDNJ-së, KI41/12, Gëzim dhe Makfire Kastrati, Aktgjykim i 26 shkurtit 2013 dhe KI129/21, me parashtruese Velerda Sopi, Aktgjykim i 7 marsit 2023; si dhe rastin e Gjykatës në lidhje me të drejtën për jetë private dhe familjare të garantuar sipas nenit 36 [E Drejta e Privatësisë] të Kushtetutës dhe nenit 8 (E drejta për respektimin e jetës private dhe familjare) të KEDNJ-së, KI56/18 me parashtrues Ahmet Frangu, Aktgjykim i 22 korrikut 2020).
Tutj, bazuar në praktikën e GJEDNJ-së, Gjykata ka sqaruar në praktikën e saj gjyqësore, se statusin e viktimës indirekte apo të tërthortë e gëzojnë vetëm familjarët e ngushtë apo personat e afërm ("next-of-kin”), të cilët kanë arritur të dëshmojnë se kanë interes legjitim e të rëndësishëm mbi çështjen e personit të ndjerë, me të cilin kanë qenë të lidhur (shih, ndër të tjera, rastet e Gjykatës KI149/18, KI150/18, KI151/18, KI152/18, KI153/18, me parashtrues Xhavit Aliu dhe 5 të tjerë, Aktvendim për papranueshmëri, i 19 korrikut 2019, paragrafët 62-75, dhe KI11/20, me parashtruese Fllanza Pozhegu, Aktvendim për papranueshmëri, i 11 nëntorit 2020, paragrafi 49).
Gjykta rikujton se parashtruesi i kërkesës ankohet në cilësi të trashëgimtarit të palës paditëse, H. H., tashmë të ndjerë, në çështjen kontestimore përkitazi me lëndën [nr. C-III-12-0730] pranë DHPGJS-së dhe se para Gjykatës e ka dorëzuar vetëm Aktin noterial [LRP. nr. 12322/2022], të 19 shtatorit 2022, përmes së cilit parashtruesi i kërkesës është shpallur trashëgimtar i vetëm i I. H-së dhe se ai nuk e ka dorëzuar asnjë dokument që dëshmon se është trashëgimtar i palës paditëse, të ndjerit H. H., i biri i paditësit fillestar M. H., në çështjen kontestimore në fjalë, fakt i cili konfirmohet edhe nga përgjigjja e DHPGJS-së së 26 qershorit 2024 drejtuar Gjykatës, respektivisht, Aktvendimit të DHPGJS-së për ndërprerje të procedurës kontestimore deri në përfundimin e procedurës jokontestimore për saktësimin e trashëgimtarëve të palës paditëse, të ndjerit H. H., të 19 qershorit 2024.
Në mungesë të dokumentacionit që dëshmon se parashtruesi i kërkesës është trashëgimtar i palës paditëse, respektivisht të ndjerit H. H., në çështjen kontestimore në lëndën [nr. C-III-12-0730] pranë DHPGJS-së, Gjykata e ka të pamundur që të shqyrtojë dhe vlerësojë statusin e viktimës indirekte apo të tërthortë në rastin konkret.
Rrjedhimisht, parashtruesi i kërkesës nuk mund të legjitimohet si palë e autorizuar në këtë rast dhe për pasojë, bazuar në paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 të Kushtetutës, nenin 47 të Ligjit dhe rregullit 34 (1) (a) të Rregullores së punës, kërkesa shpallet e papranueshme meqë është dorëzuar nga një palë e paautorizuar.
Megjthatë, Gjykata nuk e përjashton mundësinë që parashtruesi i kërkesës t’i drejtohet sërish Gjykatës Kushtetuese, në rast se vërtetohet legjitimiteti i tij aktiv në çështjen kontestimore në lëndën [nr. C-III-12-0730] pranë DHPGJS-së, si rezultat i saktësimit të trashëgimtarëve të palës paditëse, respektivisht të të ndjerit H. H., në procedurë jokontestimore.
PËR KËTO ARSYE
Gjykata Kushtetuese, në mbështetje të paragrafëve 1 dhe 7 të nenit 113 të Kushtetutës, me nenet 20 dhe 47 të Ligjit, rregullave 34 (1) (a), dhe 48 (1) (b) të Rregullores së punës, më 11 shtator 2024,
VENDOS
TË DEKLAROJË, njëzëri, kërkesën të papranueshme;
T'UA KUMTOJË këtë aktvendim palëve;
TË PUBLIKOJË këtë aktvendim në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, në pajtim me paragrafin 4 të nenit 20 të Ligjit;
Ky aktvendim hyn në fuqi në ditën e shpalljes në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, në pajtim me paragrafin 5 të nenit 20 të Ligjit;
Gjyqtarja raportuese Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese
Remzije Istrefi-Peci Gresa Caka-Nimani
Nezir Hoxha
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa nuk është paraqitur nga një palë e autorizuar
Civile