Aktvendim

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Theme-lore në Gjilan C.nr.274/15 të 27 nëntorit 2020  

Nr. të lëndës KI 07/21 i KI 17/21

Shkarko:
Përmbledhje

KI07/21 dhe KI17/21, Parashtrues: Ali Shabani, Emine Shabani dhe të tjerët, vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Theme-lore në Gjilan C.nr.274/15 të 27 nëntorit 2020  

KI07/21 dhe KI17/21, Aktvendim për papranueshmëri i 10 nëntorit 2021, publikuar më 1 dhjetor 2021

Fjalët kyç: kërkesë individuale, mosshterim i mjeteve juridike, kërkesë e paafatshme, masë e përkohshme, kërkesë e papranueshme 

Nga shkresat e lëndës rezulton se me parashtresat e datave 20 shkurt 2017 dhe 28 shtator 2017 pala paditëse-kundër paditur kishte paraqitur padi në Gjykatën Themelore në Gjilan kundër Parashtruesve të kërkesës si palë e paditur-kundër paditës. Mosmarrëveshja e parashtruesve të kërkesës me palën kundërshtare kishte të bënte me çështjen e vërtetimit të bashkëpronësisë së një paluajtshmërie të kontestuar. Më 27 nëntor 2020, Gjykata Themelore në Gjilan përmes Aktgjykimit C.nr.274/15 e aprovoi pjesërisht të bazuar padinë e palës paditëse-kundër paditur të paraqitur kundër Parashtruesve të kërkesës. Gjykata Themelore kishte përcaktuar se kundër aktgjykimit të saj mund të ushtrohet ankesë në Gjykatën e Apelit në afat prej 15 ditësh. Parashtruesit e kërkesës po ashtu kishin zhvilluar procedura për përjashtimin e gjyqtarit V.S., dhe të Kryetarit të Gjykatës Themelore në Gjilan, Kryetarit të Gjykatës së Apelit dhe të Kryetarit të Gjykatës Supreme, të cilat rezultuan me një mori vendimesh që përfunduan me Vendimin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, KGJK.Nr.215/2020, të 6 gushtit 2020.

Në procedurë para Gjykatës Kushtetuese, parashtruesit e kërkesës theksuan se kanë kërkuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe nga Kryetari i Gjykatës së Apelit, që në rastin e tyre të sigurohet gjykim i drejtë, i paanshëm, i arsyeshëm si dhe të përjashtohet gjyqtari V.S., nga gjykimi i çështjes së tyre kontestimore. Në këtë kontekst, parashtruesit e kërkesës po ashtu pretenduan se Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe nga Kryetari i Gjykatës së Apelit nuk u ishin përgjigjur ankesave të tyre lidhur me përjashtimin e gjyqtarit V.S.  Parashtruesit  e kërkesës po ashtu  caktimin e masës së përkohshme “në lëndën me shenjën C.nr.274/15.” 

Në vlerësimin e pretendimeve të parashtruesve të kërkesës, Gjykata konkludoi se kërkesa e parashtruesve të kërkesës lidhur me çështjen kryesor kontestimore për vërtetimin e bashkëpronësisë të paluajtshmërisë së kontestuar duhet të shpallet e papranueshme, pasi që parashtruesit e kërkesës nuk janë ankuar kundër vendimit të Gjykatës Themelore në Gjilan, rrjedhimisht nuk i kanë shteruar të gjitha mjetet juridike në pajtim me nenin 113.7 të Kushtetutës, nenin 47 të Ligjit dhe rregullin 39 (1) (b) të Rregullores së punës. Lidhur me pretendimet për përjashtimin e gjyqtarit V.S., Kryetarit të Gjykatës Themelore në Gjilan, Kryetarit të Gjykatës së Apelit dhe të Kryetarit të Gjykatës Supreme, Gjykata vlerësoi se këto pretendime janë dorëzuar jashtë afatit ligjor katër (4) mujor të parashikuar me nenin 49 të Ligjit dhe specifikuar me rregullin 39 (1) (c) të Rregullores së punës.

Gjykata konkludoi se pretendimet e parashtruesve të kërkesës lidhur me çështjen kryesore kontestimore (C.nr.274/15) për vërtetimin e bashkëpronësisë së paluajtshmërisë së kontestuar duhet të shpallen të papranueshme për shkak të mos shterimit të të gjitha mjeteve juridike; (ii) pretendimet e parashtruesve të kërkesës lidhur me  përjashtimin e gjyqtarit V.S., Kryetarit të Gjykatës Themelore në Gjilan, Kryetarit të Gjykatës së Apelit dhe të Kryetarit të Gjykatës Supreme duhet të refuzohen të paafatshme dhe (iii) kërkesa për masë të përkohshme duhet të refuzohet e papranueshme pasi që kërkesa në tërësi është shpallur e papranueshme.

Parashtruesit:

Ali Shabani, Emine Shabani dhe të tjerët

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim

Neni 31 - E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm , Neni 102 – Parimet e Përgjithshme të Sistemit Gjyqësor

Nuk janë shterur mjetet juridike, Kërkesa është paraqitur pas afatit

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile