Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit Rev. nr. 85/2024, të 7 marsit 2024 të Gjykatës Supreme dhe Aktvendimit Ac. nr. 5909/22, të 5 tetorit 2023 të Gjykatës së Apelit

Nr. të lëndës KI193/24

Parashtruesit: Remzi Vila

Shkarko:

KI193/24, Parashtrues: Remzi Vila, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit Rev. nr. 85/2024, të 7 marsit 2024 të Gjykatës Supreme dhe Aktvendimit Ac. nr. 5909/22, të 5 tetorit 2023 të Gjykatës së Apelit

 KI193/24, Aktvendim për papranueshmëri i 26 nëntorit 2024, publikuar më 18 dhjetor 2024

Fjalët kyç: kërkesë individuale, kthim në gjendjen e mëparshme, dorëzuar jashtë afatit

Nga shkresat e lëndës rezulton se esenca e këtij rasti ndërlidhet me refuzimin e padisë për pengim posedim të parashtruesit të kërkesës nga Gjykata Themelore, me arsyetimin se .V., N.V., SV., B.V. dhe S.V. (në tekstin e mëtejmë: të paditurit) pengimi i posedimit, përkatësisht hedhja e zhavorrit në rrugë, nuk ishte shkaktuar nga ta por nga Komuna e Hanit të Elezit. Ankesa e parashtruesit të kërkesës kundër Aktvendimit të Gjykatës Themelore u refuzua si e pabazuar nga Gjykata e Apelit, e cila u pajtua me konstatimet e gjykatës së shkallës së parë. Më pas, parashtruesi i kërkesës paraqiti revizion në Gjykatën Supreme, të cilin kjo e fundit e hodhi poshtë si të palejuar, me arsyetimin se revizioni nuk është i lejuar në kontestet lidhur me pengim posedimin.

Në procedurë para Gjykatës Kushtetuese, parashtruesi i kërkesës pretendoi se vendimi i kontestuar i Gjykatës Supreme shkel të drejtat e tij të garantuara me nenet 3 [Barazia para ligjit], 7 [Vlerat], 24 [Barazia para ligjit] dhe 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës.  Po ashtu, parashtruesi i kërkesës kërkon kthim në gjendje të mëparshme të afatit për paraqitjen e kërkesës në Gjykatë, siç është përcaktuar përmes nenit 50 (Kthimi në gjendjen e mëparshme) të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese, duke theksuar se kur po priste vendimin e Gjykatës Supreme kishte shkuar të punojë në Gjermani dhe nuk ishte kthyer deri më 9 shtator 2024.

Në shqyrtimin e pretendimeve të parashtruesit të kërkesës, Gjykata, me qëllim që të përcaktohej nëse kërkesa e parashtruesit të kërkesës ishte dorëzuar brenda afatit ligjor prej 4 (katër) muajsh, shtjelloi parimet e praktikës së saj gjyqësore dhe të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, dhe më pas aplikoi të njëjtat në rrethanat e rastit konkret. Gjykata ritheksoi se nuk kërkohet shterimi i mjeteve juridike diskrecionale, apo mjeteve juridike që nuk janë drejtpërdrejtë në dispozicion të parashtruesve, dhe se në rastin konkret parashtruesi i kërkesës pas pranimit të Aktvendimit të Gjykatës së Apelit ka përdorur mjetin juridik revizionin, i cili nuk ka qenë i lejuar me ligj. Në këtë drejtim, Gjykata konstatoi se bazuar në nenin 49 të Ligjit dhe pikën (c) të paragrafit 1 të rregullit 34 të Rregullores së punës, “vendimi i mjetit të fundit efektiv juridik”, është Aktvendimi i Gjykatës së Apelit dhe se kërkesa e tij e dorëzuar në Gjykatë është parashtruar jashtë afatit, pasi që pas pranimit të Aktvendimit të lartcekur dhe datës së dorëzimit të kërkesës së tij, më 11 shtator 2024, në Gjykatë, ka kaluar periudha kohore prej 4 (katër) muajsh. Ndërkaq, lidhur me kërkesën e tij për kthim në gjendje të mëparshme, Gjykata konstatoi që nuk janë plotësuar kushtet e përcaktuara me Ligj pasi që parashtruesi i kërkesës nuk ka dëshmuar se (i) pa fajin e tij nuk ka qenë në gjendje të parashtrojë kërkesën brenda afatit të përcaktuar, përkatësisht afatit 4 (katër) mujor të përcaktuar në nenin 49 të Ligjit; (ii) nuk ka arsyetuar kërkesën në fjalë; dhe (iii) nuk ka dëshmuar se ka paraqitur kërkesën për kthimin në gjendjen e mëparshme brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve nga mënjanimi i pengesës.

Për pasojë dhe bazuar edhe në sqarimet e dhëna në aktvendimin e publikuar, Gjykata erdhi në përfundim se kërkesa nuk është dorëzuar brenda afatit ligjor të përcaktuar me nenin 49 të Ligjit dhe pikën (c) të paragrafit 1 të rregullit 34 të Rregullores së punës.

Parashtruesit:

Remzi Vila

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është paraqitur pas afatit

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile