KI211/22, Parashtrues Ismajl Ipshi, Bashkim Ipshi, Gjevdet Ipshi, Bekim Ipshi dhe Besim Ipshi, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit Rev. nr. 233/2022 të 18 korrikut 2022 të Gjykatës Supreme
KI211/22, Aktvendim për papranueshmëri i 1 tetorit 2024, publikuar më 4 nëntor 2024;
Fjalët kyçe: kontest pune; shpërblim i dëmit; legjitimiteti i komunës;
S.I., kishte punuar si shofer në ish-ndërmarrjen “Lipjani Prevoz”, deri kur u largua nga puna në vitin 1991. Për këtë arsye, S.I., kishte paraqitur kërkesëpadi në Gjykatën Themelore kundër Komunës së Lipjanit për kompensimin e pagave si rezultat i largimit të kundërligjshëm nga puna. Gjykata Themelore miratoi kërkesëpadinë dhe detyroi Komunën e Lipjanit t’ia paguante kompensimin financiar në shumën prej 12.306.00 euro për dëmin që e kishte pësuar për shkak të largimit nga puna, me arsyetimin se Komuna e Lipjanit e kishte nën menaxhim ndërmarrjen “Kosovatrans”, e cila është pasardhësja e ndërmarrjes “Lipjani Prevoz”. Megjithatë, Gjykata e Apelit dhe Gjykata Supreme e ndryshuan aktgjykimin e Gjykatës Themelore dhe refuzuan kërkesëpadinë e S.I.- së, me arsyetimin se Komuna e Lipjanit është themeluar me Rregulloren [nr.2000/45] e UNMIK-ut të 11 gushtit të vitit 2000 dhe nuk mban përgjegjësi për dëmet që kanë ndodhur në Kosovë para kësaj date, rrjedhimisht nuk kishte legjitimitet në këtë kontest. Gjykata Supreme arsyetoi po ashtu se ndërmarrja “Lipjani Prevoz” në të cilën kishte punuar S.I., nuk është shndërruar në ndërmarrjen “Kosovatrans” dhe nuk ekziston vazhdimësia juridike midis tyre.
S.I., kishte ndërruar jetë para se Gjykata Supreme të merrte vendimin e fundit në këtë çështje. Fëmijët e tij e parashtruan kërkesën në Gjykatë dhe arsyetuan se kishin interes juridik për ta ndjekur çështjen në emër të babit të tyre për shkak se kërkesa lidhej me kompensimin financiar të dëmit. Ata pretenduan se vendimet e gjykatave të rregullta janë në kundërshtim me nenin 31 të Kushtetutës për shkak të interpretimit të gabuar të ligjit. Gjykata e pranoi kërkesën e parashtruesve të kërkesës duke i konsideruar si palë e autorizuar para Gjykatës.
Gjykata ritheksoi se është detyrë e gjykatave të rregullta interpretimi dhe zbatimi i të drejtës materiale. Në rastin konkret, Gjykata theksoi se në praktikën e saj gjyqësore e kishte pranuar interpretimin e gjykatave të rregullta se komunat të cilat janë themeluar në Kosovë me Rregulloren [nr.2000/45] e UNMIK-ut të 11 gushtit të vitit 2000 nuk paraqesin vazhdimësi juridike të njësive të vetëqeverisjes lokale të Kosovës që ekzistonin para 10 qershorit të vitit 1999. Gjykata vlerësoi se gjykatat e rregullta nuk morën vendime arbitrare por vendosën brenda juridiksionit të tyre duke dhënë arsyetime të mjaftueshme.
Ismajl Ipshi, Bashkim Ipshi, Gjevdet Ipshi, Bekim Ipshi dhe Besim Ipshi
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Civile