KI81/23, Parashtrues Pjetër Boçi, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit Pml. Nr. 465/22, të 6 dhjetorit 2022 të Gjykatës Supreme të Kosovës
KI81/23, Aktvendim për Papranueshmëri, i 24 shtatorit 2024, publikuar më 11 tetor 2024
Fjalët kyçe: kërkesë individuale, kërkesë për rishikimin e procedurës penale, ratione materiae, barazia para ligjit, qartazi e bazuar
Rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me Aktgjykimin e kontestuar të Gjykatës Supreme, me të cilin Gjykata Supreme e refuzoi kërkesën për mbrojtjen e ligjshmërisë përkitazi me refuzimin e kërkesës së parashtruesit për rishikim të procedurës penale. Në vitin 2016, me Aktgjykim të Gjykatës Themelore, i cili mori formë të prerë në vitin 2017, parashtruesi i kërkesës ishte dënuar me burgim me kohëzgjatje prej 7 (shtatë) muajve për veprën penale “Marrja e ryshfetit” nga paragrafi 1 i nenit 343 i KPPK-së, ndërsa është liruar nga akuza për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit” nga paragrafi 1 i nenit 345 i KPRK-së, dhe për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve” nga paragrafi 3 i nenit 332 i KPRK-së i është refuzuar akuza. Deri në paraqitje e kësaj kërkese para Gjykatës, parashtruesi i kërkesës parashtroi gjithsej 4 (katër) kërkesa për rishikimin e procedurës penale, përfshirë kërkesën e cila është objekt trajtimi në këtë rast, dhe të cilat kërkesa gjykatat e rregullta ia refuzuan.
Parashtruesi i kërkesës pretendoi se Aktgjykimi i kontestuar i Gjykatës Supreme, është nxjerrë në shkelje të të drejtave dhe lirive të tij themelore të garantuara me nenet: 24 [Barazia para Ligjit] dhe 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës, për shkak se Gjykata Supreme, ndër të tjera, nuk ka marrë parasysh Mendimin Juridik të saj, si provë të re për aprovimin e kërkesës për rishikimin e procedurës penale.
Bazuar në praktikën gjyqësore të saj dhe të GJEDNJ-së, në aktvendimin e publikuar, Gjykata sqaroi se: (i) sa i përket pretendimeve për shkeljen e nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: KEDNJ), gjykatat e rregullta në procedurën sipas kërkesës për rishikim të procedurës penale vendosin vetëm lidhur me çështjen nëse kërkesa për rishikim të procedurës penale plotëson kushtet procedurale për miratimin e saj, dhe jo për “ndonjë aktakuzë” të parashtruesit të kërkesës brenda kuptimit të së drejtës për gjykim të drejtë, e garantuar me nenin 31 të Kushtetutës dhe nenit 6 të KEDNJ-së, andaj, ky nen nuk është i zbatueshëm në procedurat për përsëritjen ose rishikimin e procedurës dhe rrjedhimisht ky pretendim shpallet i papranueshëm, për shkak se është i papajtueshëm me “ratione materiae” me Kushtetutën; ndërsa (ii) pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkelje të nenit 34 të Kushtetutës i shpalli të papranueshme si qartazi të pabazuara në bazë kushtetuese, në kategorinë e pretendimeve “të pambështetura apo paarsyetuara”.
Pjetër Boçi
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar, Kërkesa është ratione materiae jashtë juridiksionit të Gjykatës
Penale