KI123/24, Parashtrues: Naim Prokshi, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit PML.nr.68/2024 të 4 prillit 2024, të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës
Fjalët kyç: kërkesë individuale, kërkesë qartazi e pabazuar,
Çështja thelbësore në rrethanat e rastit konkret, ndërlidhen me dënimin e parashtruesit të kërkesës për kryerjen e veprës penale dhunë në familje, me ç’ rast i njëjti u gjykua me 1 (një) vit e 8 (tetë) muaj burgim dhe me gjobë 300 €, si dhe i ishte shqiptuar edhe masa e trajtimit të detyrueshëm psikiatrik në ndalim në Institutin e Kujdesit Shëndetësor derisa ky institut të konstatonte se më nuk është e nevojshme që i njëjti të jetë në ndalim për trajtim të mëtejmë psikiatrik. Në procedurën ankimore, Gjykata e Apelit e refuzoi si të pabazuar ankesën e parashtruesit të kërkesës. Përfundimisht, Gjykata Supreme e refuzoi si të pabazuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të parashtruesit të kërkesës.
Gjykata sqaron që parashtruesi i kërkesës i konteston konstatimet e gjykatave të rregullta, duke pretenduar: (I) shkelje të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës, si rezultat i vlerësimit të gabuar të gjendjes faktike që rezultoi me interpretim të gabuar të ligjit, si dhe; (II) pretendime për shkelje të neneve 3 [Barazia para Ligjit], 27 [Ndalimi i Torturës, Trajtimit Mizor, Çnjerëzor ose Poshtërues] dhe 30 [Të Drejtat e të Akuzuarit] të Kushtetutës.
Lidhur me pretendimin e parashtruesit të kërkesës për vlerësim të gabuar të fakteve dhe interpretim të gabuar të ligjit, Gjykata vëren se Gjykata Supreme i kishte analizuar pretendimet e parashtruesit të kërkesës duke konstatuar se të njëjtat ishin të pabazuara, dhe se në aktgjykimet e kundërshtuara bazoheshin në fakte vendimtare të vërtetuara që përfshinin deklaratën e të dëmtuarës (K. P) dhe deklaratën e dëshmitarit (D.P) si dhe ekzaminimin psikiatrik të parashtruesit të kërkesës të bërë nga grupi i ekspertëve, me ç’ rast rezulton se i njëjti vuante nga një çrregullim i ashtuquajtur deluziv permanent. Rrjedhimisht, Gjykata konstaton se pretendimet e parashtruesit të kërkesës duke përfshirë edhe ato që ndërlidhen me vlerësimin e gabuar të gjendjes faktike, tashmë janë trajtuar dhe se procedurat para Gjykatës Supreme nuk ishin të padrejta ose arbitrare. Gjykata konsideron se parashtruesi i kërkesës nuk dëshmon dhe nuk mbështetë në mënyrë të mjaftueshme pretendimin e tij se gjykatat e rregullta kanë bërë vlerësim të gabuar të gjendjes faktike të pambështetur në prova, dhe rrjedhimisht këto pretendime kualifikohen si pretendime që bien në kategorinë e “shkallës së katërt” dhe si të tilla, reflektojnë pretendime në nivel të “ligjshmërisë” dhe nuk janë argumentuar në nivel të “kushtetutshmërisë“. Për pasojë, të njëjtat janë qartazi të pabazuara në baza kushtetuese, siç është përcaktuar përmes paragrafit (2) të rregullit 34 të Rregullores së punës
Lidhur me pretendimin e parashtruesit të kërkesës për shkelje të neneve 3, 27 dhe 30 të Kushtetutës, mirëpo nuk shpjegon specifikisht se si ka ardhur deri te shkelja e këtyre neneve. Gjykata rikujton se ajo ka theksuar vazhdimisht se vetëm referimi dhe përmendja e neneve të Kushtetutës dhe të KEDNJ-së nuk është e mjaftueshme për të ndërtuar një pretendim të argumentuar për shkelje kushtetuese. Kur pretendohen shkelje të tilla të Kushtetutës, parashtruesit e kërkesës duhet të sigurojnë pretendime të arsyetuara dhe argumente bindëse, prandaj ky pretendim cilësohet si pretendim që i takon kategorisë së pretendimeve “të pambështetura ose të paarsyetuara”, pasi parashtruesi i kërkesës thjesht ka cituar një dispozitë të Kushtetutës, pa shpjeguar se si është shkelur ajo dhe i njëjti është qartazi i pabazuar në baza kushtetuese, siç përcaktohet në paragrafin (2) të rregullit 34 të Rregullores së punës.
Naim Prokshi
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Penale