Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit C. nr. 84/2022, të 23 nëntorit 2022 të Gjykatës Themelore në Mitrovicë 

Nr. të lëndës KI67/23

Parashtruesit: Ejup Koci

Shkarko:

KI67/23Parashtrues: Ejup Koci, vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit C. nr. 84/2022, të 23 nëntorit 2022 të Gjykatës Themelore në Mitrovicë 

KI67/23, Aktvendim për papranueshmëri, i 16 korrikut 2024, publikuar më 5 shtator 2024

Fjalët kyç: kërkesë individuale, kontest civil, stërzgjatje e procedurës, e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, kërkesë qartazi e pabazuar

Rrethanat e rastit konkret kanë të bëjnë me një kontest civil, gjegjësisht pronësor. Më konkretisht, objekti i çështjes ndërlidhet me procedurat e shpronësimit të dy ngastrave kadastrale, të cilat ndodhen në zonën kadastrale të Komunës së Skenderaj, për qëllime të ndërtimit të një rruge ndërkomunale, e cila kishte përfunduar së ndërtuari në vitin 2006. Si rezultat i kësaj, parashtruesi i kërkesës i ishte drejtuar Komunës së Skenderajt dhe ministrisë përkatëse për infrastrukturë, për  kompensim monetar të pronës se shpronësuar, duke vazhduar më pas me ushtrimin e padisë ndaj autoriteteve në fjalë, në gjykatën e shkallës së parë. Meqë rasti nuk kishte marrë epilog pranë gjykatës së shkallës së parë, parashtruesi i kërkesës i ishte drejtuar Gjykatës Kushtetuese për herë të gjashtë nëpërmjet kërkesës KI67/23, duke ngritur pretendime të ndryshme për shkeljen e të drejtave kushtetuese.

Më saktësisht, parashtruesi i kërkesës në Gjykatë pretendoi shkeljen e të drejtave të tij, të garantuara me nenet 3 dhe 24 [Barazia para Ligjit], paragrafët 1 dhe 3 të nenit 21 [Parimet e Përgjithshme], 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], 32 [E Drejta për Mjete Juridike], 33 [Parimi i Legalitetit dhe Proporcionalitetit në Rastet Penale], 46 [Mbrojtja e Punës], 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave], 55 [Kufizimi i të Drejtave dhe Lirive Themelore] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta).

Gjykata, në vlerësimin e kritereve të pranueshmërisë, konsideroi se ishin të parakohshme pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkelje të neneve 3, 24, 31 (në ndërlidhje me qasjen në drejtësi dhe administrimin e provave), 32, 46, 54 dhe 55 të Kushtetutës, dhe të nenit 13 dhe 1 të Protokollit nr. 1 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, për arsye se gjykimi i lëndës [C. nr. 84/2022] në themel, ende nuk kishte përfunduar me një vendim përfundimtar të gjykatave të rregullta. Megjithatë, Gjykata mori në shqyrtim pretendimin për stërzgjatje të procedurës pranë Gjykatës Themelore në Mitrovicë. Në këtë kontekst, për të konstatuar nëse ka pasur stërzgjatje të procedurës, Gjykata elaboroi dhe aplikoi kriteret e zhvilluara nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GjEDNj) përkitazi me gjykimin e një rasti brenda një afati të arsyeshëm kohor, kritere këto të afirmuara edhe nëpërmjet praktikës gjyqësore të Gjykatës, përkatësisht mori parasysh faktorët që i referohen: (a) ndërlikueshmërisë së rastit; (b) sjelljes së parashtruesit të kërkesës; (c) sjelljes së autoriteteve relevante gjyqësore; dhe (d) rëndësisë së asaj çfarë është në rrezik për parashtruesin e kërkesës në kontest. Gjykata, pas aplikimit të kritereve të lartcekura në rrethanat e parashtruesit të kërkesës, gjeti se kohëzgjatja e procedurës pranë Gjykatës Themelore në Mitrovicë, përkitazi me shqyrtimin e lëndës [C. nr. 84/2022] të parashtruesit të kërkesës, nuk mund të konsiderohet e paarsyeshme, marrë parasysh faktin se në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, me kërkesë të vetë parashtruesit të kërkesës kishte ndërmarrë gjashtëmbëdhjetë (16) veprime procedurale, nga 13 prilli 2021 deri më 23 nëntor 2022, periudhë kjo e cila iu nënshtrua vlerësimit për  stërzgjatje të procedurës nga ana e Gjykatës, pasi që para këtyre datave Gjykata në rastin KI183/21 të parashtruar nga parashtruesi i kërkesës nuk kishte konstatuar shkelje të stërzgjatjes në këtë çështje kontestimore.

Rrjedhimisht, ashtu siç është theksuar në aktvendimin e publikuar, Gjykata konstatoi se pretendimi i parashtruesit të kërkesës lidhur me stërzgjatjen e procedurës dhe moszgjidhjen e rastit brenda një afati të arsyeshëm të lëndës kontestimore [C. nr. 84/2022] ishte qartazi i pabazuar në bazë kushtetuese në “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes” dhe duhet të deklarohet i papranueshëm në pajtim me paragrafin 2 të rregullit 39 të Rregullores së punës.

Parashtruesit:

Ejup Koci

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile