Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [ARJ.nr.161/2023] të 8 dhjetorit 2023 të Gjykatës Supreme të Kosovës

Nr. të lëndës KI95/24

Parashtruesit: Marjan Komani

Shkarko:

KI95/24, Parashtrues: Marjan Komani, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit ARJ.nr.161/2023 të 8 dhjetorit 2023 të Gjykatës Supreme të Kosovës

KI95/24, Aktvendim për papranueshmëri, i 16 korrikut 2024, publikuar më 20 gusht 2024

Fjalët kyç: kërkesë individuale, e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, barazia para ligjit, qartazi e pabazuar

Rrethanat e rastit konkret rezultojnë nga kërkesa e parashtruesit të kërkesës drejtuar AZHB-së për përkrahjen e projektit për zhvillim rural, për masën 101.1 “Pemë drufrutore”. AZHB e kishte refuzuar kërkesën e parashtruesit të kërkesës me arsyetimin se me rastin e dorëzimit të aplikimit, ai nuk e kishte dorëzuar kopjen e digjitalizimin të parcelës së marrë me qira, ashtu siç kërkohet specifikisht me nënparagrafin 5.14 të paragrafit 5 të nenit 6 të UA. nr. 16/2019. Parashtruesi i kërkesës, kundër vendimit të AZHB-së, kishte parashtruar ankesë në Komisionin e ankesave brenda MBPZHR-së, e cila ankesë ishte refuzuar. Më tej, parashtruesi i kërkesës kishte parashtruar padi në Gjykatën Themelore, duke pretenduar, ndër të tjera, se (i) dokumenti i cili kërkohet të dorëzohej me aplikim ishte dokument i cili ishte lëshuar nga vet AZHB, prandaj kjo e fundit do të duhet të merrte këtë parasysh; dhe (ii) AZHB do të duhej të kërkonte specifikisht nga parashtruesi i kërkesës që ta plotësonte aplikacionin e tij para se të njëjtin ta refuzonte. Gjykata Themelore kishte refuzuar padinë e tij si të pabazuar duke arsyetuar se ai kishte dështuar të dorëzonte aplikacion e tij për grant/mbështetjeje sipas kritereve të përcaktuara në UA nr. 16/2019. Aktgjykimi i Gjykatës Themelore ishte konfirmuar edhe nga Gjykata e Apelit dhe Gjykata Supreme.

Gjykata rikujtoi se parashtruesi  i kërkesës pretendon se me Aktgjykimin e kontestuar atij iu janë shkelur të drejtat e tij të mbrojtura me nenet 3, 24, 31 dhe 54 të Kushtetutës si dhe neni 6 i KEDNJ-së, për shkak se organi administrativ dhe gjykatat e rregullta nuk i kanë mundësuar një gjykim të rregullt dhe të paanshëm, si dhe pa diskriminim gjatë procedurës administrative dhe gjyqësore, për faktin se (i) parcela në fjalë me rastin e aplikimit për grant/përkrahje ishte e digjitalizuar; (ii) AZHB ishte në dijeni për këtë fakt pasi ky ishte një dokument i lëshuar nga vet AZHB; dhe (iii) ky dokument ishte dorëzuar me rastin e paraqitjes së ankesës në MBPZHR; dhe se (iv) AZHB kishte obligim që të kërkonte plotësimin e aplikacionit nga parashtruesi i kërkesës, para se të njëjtin ta refuzonte si të paplotësuar.

Gjykata vërejti se thelbi i pretendimeve të parashtruesit të kërkesës kishte të bënte me aplikimin e gabuar të ligjeve dhe akteve nënligjore të zbatueshme në rastin e tij nga gjykatat e rregullta, përkatësisht UA nr. 16/2019 dhe legjislacionin që ndërlidhet me procedurën administrative.

Në lidhje me këtë, Gjykata konsideroi se pretendimet parashtruesi i kërkesës i ka ngritur në kuptim të 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së dhe kanë të bëjnë me interpretimi dhe zbatim të gabuar të dispozitave ligjore nga ana e gjykatave të rregullta, dhe si të tilla bien në kategorinë e pretendimeve “të shkallës së katërt”, sepse ngërthejnë çështje që ndërlidhen me interpretimin dhe aplikimin e ligjit, përkatësisht “ligjshmërisë” dhe jo “kushtetutshmërisë”.

Gjykata vërejti se, arsyetimi i Gjykatës Themelore ishte vërtetuar edhe nga Gjykata e Apelit dhe Gjykata Supreme, sipas së cilave rezulton se: (i) parashtruesi i kërkesës bazuar në UA nr. 16/2019 kishte për obligim që të dorëzonte kopjen e digjitalizimit të parcelës së marrë më qira, me rastin e aplikimit; (ii) ai kishte të drejtë deri në përfundim të afatit për aplikim që ta kompletojë dosjen e aplikimit, gjë që në rastin konkret ky nuk ishte rasti; (iii) parashtruesi i kërkesës kopjen e digjitalizim e kishte dorëzuar vetëm me rastin e paraqitjes së anekses, pra pas afatit për aplikim.

Për më tepër, Gjykata vërejti se bazuar në atë se parashtruesi i kërkesës nuk i referohet ndonjë dispozite konkrete të UA nr. 16/2019 ose të ndonjë ligji dhe as nga dokumentet e dorëzuara nga parashtruesi i kërkesës nuk rezulton që organet administrative në rastin konkret kishin për obligim që të kërkojnë nga parashtruesi i kërkesës që të kompletojë dosjen e tij, nëse një gjë e tillë nuk ishte bërë brenda afateve të përcaktuara.

Prandaj, bazuar në dispozitat ligjore të lartcekura, Gjykata konsideroi se gjykatat e rregullta i kanë dhënë përgjigje parashtruesit të kërkesës për pretendimet e tij për digjitalizimin e parcelës së marrë me qira duke elaboruar të drejtën materiale dhe procedurale të aplikueshme në rastin konkret.

Rrjedhimisht, Gjykata konkludoi se pretendimet e parashtruesit të kërkesës për mungesën e një gjykimi të drejtë dhe të paanshëm janë pretendime që bien në kategorinë e “shkallës së katërt” dhe si të tilla, këto pretendime të parashtruesit të kërkesës janë qartazi të pabazuara në baza kushtetuese, siç përcaktohet në paragrafin 2 të rregullit 34 të Rregullores së punës.

Sa i përket pretendimeve të parashtruesit të kërkesës për shkeljen e nenit 24 të Kushtetutës, Gjykata iu referua praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së, e cila thotë se “diskriminimi do të thotë trajtim ndryshe, pa një justifikim objektiv dhe të arsyeshëm, të personave në situata relativisht të ngjashme”. Në rastin konkret, Gjykata konsideroi se parashtruesi i kërkesës nuk ka identifikuar grupin e personave që sipas tij janë trajtuar ndryshe, dhe ai nuk ka paraqitur asnjë dëshmi e cila do të mund të provonte se përgjatë procesit ka pasur me të vërtetë diskriminim, përkatësisht se është trajtuar ndryshe me ndonjë palë tjetër në një situatë të njëjtë ose të ngjashme e cila mund të ketë përfituar nga ndarja e drejtësisë në kushte të njëjta.

Prandaj, Gjykata konstatoi se përkitazi me këto pretendime të parashtruesit të kërkesës për shkelje të të drejtave të garantuara me nenet e lartcekura të Kushtetutës dhe KEDNJ-së, Gjykata konkludon që kjo pjesë e kërkesës duhet të deklarohet e papranueshme si qartazi e pabazuar pasi këto pretendime kualifikohen si pretendime që i përkasin kategorisë së (iii) pretendimeve “të pambështetura ose të paarsyetuara”, sepse parashtruesi i kërkesës thjesht citoi nenet e Kushtetutës, pa shpjeguar se si janë shkelur ato. Rrjedhimisht, të njëjtat janë qartazi të pabazuara në baza kushtetuese, siç përcaktohet në paragrafin (2) të rregullit 34 të Rregullores së punës.

Parashtruesit:

Marjan Komani

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Administrative