KI116/23, Parashtrues: Agjencia Kosovare e Privatizimit, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës Supreme, ARJ. Nr. 104/2022, të 9 nëntorit 2022
Fjalët kyç: kërkesë individuale, kërkesë qartazi e pabazuar
Çështja thelbësore në rrethanat e rastit konkret, ndërlidhen me me kërkesën e parashtruesit të kërkesës që Drejtoria për Pronë, Gjeodezi dhe Kadastër në Ferizaj, të bëjë regjistrimin e disa ngastrave kadastrale si dhe të bëjë bartjen e pronësisë në emër të ndërmarrjes shoqërore “K.B Komogllava”. Pas refuzimit të kërkesës së parashtruesit të kërkesës nga ana e Drejtorisë për Pronë, Gjeodezi dhe Kadastër në Ferizaj, i njëjti parashtroi ankesë kundër këtij vendimi në Agjencinë Kadastrale të Kosovës, e cila poashtu u refuzua nga e njëjta. Në vijim, parashtruesi përmes padisë kërkoi anulimin e vendimit të lartcekur të Agjencisë Kadastrale të Kosovës, të cilën e refuzoi Gjykata Themelore. Gjithashtu, ankesën ndaj vendimit të Gjykatës Themelore e refuzoi Gjykata e Apelit. Në bazë të fletëkthesës rezulton që parashtruesi e kishte pranuar vendimin e Gjykatës së Apelit më 20 gusht 2022. Ndërsa i njëjti dorëzoi kërkesë për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësor më 22 shtator 2022. Gjykata Supreme e hodhi si të pasafatshme kërkesën për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësor pasi që e njëjta ishte paraqitur pas afatit ligjor 30 ditor.
Gjykata sqaron që parashtruesi i kërkesës i konteston konstatimet e Gjykatës Supreme para Gjykatës, duke pretenduar: (I) shkelje të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës, si rezultat i interpretimin e gabuar të së drejtës materiale; dhe (II) pretendime për shkelje të nenit 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës, si rezultat i mohimit të të drejtave pronësore të parashtruesit të kërkesës.
Lidhur me pretendimin e parashtruesit të kërkesës për zbatim të gabuar të së drejtës materiale, Gjykata thekson se parashtruesi i kërkesës, përtej pretendimeve për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, si rezultat i vërtetimit të gabuar të fakteve dhe interpretimit të gabuar të ligjit, nuk mbështet mjaftueshëm dhe as nuk argumentoi para Gjykatës, se si ky interpretim i ligjit të aplikueshëm nga Gjykata e Apelit, mund të ketë qenë “qartazi i gabuar”, duke rezultuar në “konkluzione arbitrare” apo “qartazi të paarsyeshme” për parashtruesin e kërkesës apo se procedurat para gjykatave të rregullta, në tërësinë e tyre, mund të mos kenë qenë të drejta apo edhe arbitrare. Përveç kësaj, Gjykata vlerëson se Gjykata Supreme ka marrë parasysh të gjitha faktet dhe rrethanat e rastit, duke i arsyetuar të njëjtat.
Sa i përket pretendimit të parashtruesit që atij i është cenuar e drejta në pronë, i njëjti nuk e ka arsyetuar në veçanti shkeljen e së drejtës së pronës dhe nuk i referohet konkretisht ndonjë prej parimeve të përmbajtura në nenin 46 të Kushtetutës, por konsideron se kjo e drejtë i është shkelur si pasojë e shkeljes së të drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm (nenit 31 të Kushtetutës). Rrjedhimisht, të njëjtat janë qartazi të pabazuara në baza kushtetuese, siç është përcaktuar në paragrafin (2) të rregullit 34 të Rregullores së punës.
Agjencia Kosovare e Privatizimit
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Civile