KI104/23, Parashtrues: Reshat Ibrahimi, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [AC.nr.1199/2021] të 6 dhjetorit 2022 të Gjykatës së Apelit
KI104/23, Aktvendim për papranueshmëri, i 29 prillit 2024, publikuar më 20 qershor 2024
Fjalët kyç: kërkesë individuale, e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, qartazi e pabazuar
Rrethanat e rastit konkret rezultojnë në atë se parashtruesi i kërkesës kishte kërkuar nga KEK-u pagimin e tri pagave jubilare, ku kjo e fundit kishte refuzuar kërkesën e tij. Parashtruesi i kërkesës kishte paraqitur padi në Gjykatën Themelore kundër KEK-ut, ku kishte kërkuar pagimin e pagave jubilare, ku Gjykata themelore aprovoi në tërësi kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës, dhe detyroi KEK-un që parashtruesit të kërkesës në emër të pagave jubilare t’ia kompensojë shumën e tërësishme prej 2,250.42 euro (dy mijë e dy qind e pesëdhjetë euro e dyzet e dy), së bashku me normën e kamatës në lartësi prej 8%, e cila llogaritet nga dita e paraqitjes së padisë (data 24.12.2019) e gjerë në pagesën definitive, e të gjitha së bashku në afat prej shtatë ditësh nga pranimi i këtij aktgjykimi, nën kërcënim të përmbarimit të detyrueshëm. Kundër këtij vendimi, KEK-u kishte parashtruar ankesë. Gjykata e Apelit aprovoi ankesën e KEK-ut dhe ndryshoi aktgjykimin e Gjykatës Themelore duke refuzuar si të pabazuar kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës.
Gjykata vërejti se esenca e pretendimeve të parashtruesit të kërkesës kishte të bënte me pretendimet për shkelje të së drejtës për gjykim të drejtë, duke i ndërlidhur me interpretim të gabuar të dispozitave ligjore. Gjykata vlerëson se pretendimet e tilla ngrejnë çështje nga neni 31 i Kushtetues dhe neni 6.1 i KEDNJ-së, të cilat Gjykata do t’i analizojë në pajtueshmëri me standardet e praktikës gjyqësore të GJEDNj-së, në harmoni me të cilën, në bazë të nenit 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut] të Kushtetutës, ajo është e detyruar të interpretojë të drejtat dhe liritë themelore të njeriut të garantuara me Kushtetutë.
Gjykata vërejti se gjykatat e rregullta arsyetuan në mënyrë të detajuar se në bazë të cilave prova dhe në bazë të të cilave dispozita materiale kanë nxjerrë aktgjykimet përkatëse, duke iu përgjigjur pretendimeve të parashtruesit të kërkesës lidhur me vërtetimin e gabuar të gjendjes faktike dhe zbatimin e gabuar të së drejtës materiale. Gjykata vlerësoi se çështja e konstatimit të gjendjes faktike dhe interpretimit të ligjit është çështje që përcaktohet nga gjykatat e rregullta në kuadër të detyrave dhe prerogativës së tyre për konstatim të gjendjes faktike dhe zbatim të ligjit material e procedural në rastet individuale dhe se në këtë drejtim nuk mund të thuhet se janë cenuar garancitë procedural nga neni 31 i Kushtetutës. Veç kësaj, gjykatat e rregullta kanë shpjeguar se veprimet dhe masat e marra ndaj parashtruesit të kërkesës janë marrë duke u bazuar në dispozita ligjore në fuqi.
Gjykata, duke i marrë parasysh të gjitha shtjellimet dhe konstatimet, konkludoi se pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkeljen e së drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm për shkak të vërtetimit të gabuar të fakteve dhe interpretimit të gabuar të dispozitave ligjore, të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës dhe nenin 6 të KEDNJ-së janë (i) pretendime që bien në kategorinë e “shkallës së katërt” dhe si të tilla, këto pretendime të parashtruesit të kërkesës janë qartazi të pabazuara në baza kushtetuese, siç përcaktohet në paragrafin (2) të rregullit 34 të Rregullores së punës..
Sa i përket pretendimeve për shkelje të neneve tjera të Kushtetutës dhe KEDNJ-së, Gjykata vendosi se duhet të deklarohen të papranueshme si qartazi të pabazuara pasi këto pretendime kualifikohen si pretendime që i përkasin kategorisë së (iii) pretendimeve “të pambështetura ose të paarsyetuara”.
Rrjedhimisht, kërkesa në tërësinë e saj, u deklarua e papranueshme.
Reshat Ibrahimi
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Civile