Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë të Aktgjykimit ARJ-UZVP.nr. 2/2022, të datës 10 mars 2022, të Gjykatës Supreme të Kosovës;

Nr. të lëndës KI90/22

Parashtruesit: Jusuf Nikçi

Shkarko:

KI90/22, Parashtrues: Jusuf Nikçi, Vlerësim i kushtetutshmërisë të Aktgjykimit ARJ-UZVP.nr. 2/2022, të 10 marsit 2022, të Gjykatës Supreme të Kosovës

Fjalët kyç: kërkesë individuale, kërkesë qartazi e pabazuar

Thelbi i rastit ndërlidhet me kërkesën e parashtruesit të kërkesës për kthimin e tij në vendin e punës në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Rrjedhimisht, nga shkresat e lëndës rezulton që Komisioni Disiplinor i Kuvendit i kishte ndërprerë marrëdhënien e punës si rezultat i shkeljeve të rënda disiplinore, përkatësisht keqpërdorimit të detyrave dhe autorizimeve zyrtare, me qëllim të përfitimit për vete dhe personat e  tretë. Pas ankesës përkatëse të parashtruesit të kërkesës, Komisioni i Ankesave në Kuvendin e Kosovës e kishte refuzuar të njëjtën dhe kishte vërtetuar vendimin e Komisionit Disiplinor. Në vijim, KPMSHCK konstatoi se Kuvendi nuk kishte bërë shkelje procedurale gjatë zhvillimit të procedurës disiplinore dhe/apo procedurës ankimore. Në procedurën e konfliktit administrativ, Gjykata Themelore aprovoi kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës, me të cilin, anuloi vendimin e KMPSHCK-së dhe ktheu çështjen në rivendosje dhe rishqyrtim. Pas ankesës së parashtruar nga ana e KPMSHCK-së, Gjykata e Apelit e refuzoi të njëjtën si të pabazuar dhe vërtetoi Aktgjykimin e Gjykatës Themelore. Në procedurë të rivendosjes dhe rishqyrtimit, KMPSHCK-ja hodhi poshtë si të palejueshme ankesën e parashtruesit të kërkesës, me arsyetimin se ishte e pasafatshme, pra, ishte paraqitur jashtë afatit të paraparë ligjor, duke iu referuar  nenit 11 të Rregullores Nr. 2001/36 mbi Shërbimin Civil të Kosovës. Kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës e aprovoi Gjykata Themelore duke anuluar të gjitha vendimet e përmendura më lart, dhe duke e detyruar Kuvendin e Kosovës që parashtruesin e kërkesës ta rikthej në vendin e mëparshëm të punës. Ankesën e Kuvendit të Kosovës kundër vendimit të paratheksuar, Gjykata e Apelit e aprovoi si të bazuar duke theksuar se Gjykata Themelore nuk i kishte marrë për bazë provat e ofruara nga i padituri siç është kontrata e punës në të cilën përcaktohet afati kohor i kontratës që kishte përfunduar më datë 11 janar 2009. Në procedurë të rivendosjes Gjykata Themelore sërish anuloi të gjitha vendimet e mëparshme dhe detyroi Kuvendin e Kosovës, që në emër të pagave për kohën të cilën ai do të duhej të ishte në vend të punës, përkatësisht prej vitit 2007 deri në vitin 2009, t’ia paguaj parashtruesit shumën përkatëse. Ndërkaq, kërkesën e parashtruesit të kërkesës për kthimin në vendin e mëparshëm të punës e kishte refuzuar si të pabazë. Ankesën e parashtruesit të kërkesës kundër vendimit të Gjykatës Themelore e refuzoi si të pabazuar Gjykata e Apelit. Përfundimisht, edhe kërkesën për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësor e refuzoi si të pabazuar Gjykata Supreme, ndër të tjera duke theksuar që Kuvendi i Kosovës kishte pasur kontratë pune me parashtruesin e kërkesës prej 12 janarit 2006 deri më 11 janar 2009, dhe se punëdhënësi nuk mund të detyrohet që automatikisht të vazhdoj kontratën pas skadimit, pasiqë e drejta në punë vlen për aq sa vlen kontrata.

Mbi këtë bazë, parashtruesi i kërkesës pretendonte: (I) shkelje të garancive procedurale të garantuara me nenet 31 për sa i përket mos arsyetimit të vendimeve gjyqësore; (II) shkelje të nenit 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës, si dhe (III) pretendimet për shkelje të nenit 49 [E Drejta e Punës dhe Ushtrimit të Profesionit] të Kushtetutës.

Në këtë drejtim, Gjykata duke i trajtuar pretendimet e lartcekura konstatoi se kërkesa e parashtruesit të kërkesës është e papranueshme, sepse pretendimet e ngritura nga parashtruesi i kërkesës dhe faktet e paraqitura nga ai, dhe gjithashtu arsyetimet e Gjykatës së Apelit për sa i përket vlerësimit të dëshmitarëve dhe provave tjera, si dhe bazës ligjore për vendimmarrje, Gjykata konsideron se parashtruesi i kërkesës nuk dëshmon dhe nuk mbështetë në mënyrë të mjaftueshme pretendimin e tij se gjykatat e rregullta nuk kanë arsyetuar vendimet e tyre. Prandaj, pretendimet për mos arsyetimin e vendimeve gjyqësore, vlerësohen si qartazi të pabazuara, në përputhje me nenin 113.7 të Kushtetutës dhe me rregullin 34 (2) të Rregullores së Punës.

Pretendimet lidhur me shkelje të së drejtës në pronë, parashtruesi i kërkesës i lidh me pretendimet për shkelje të nenit 31, prandaj Gjykata tashmë ka ardhur në përfundim se këto pretendime janë qartazi të pabazuara. Prandaj, Gjykata konstatoi se në rastin konkret nuk dëshmohet se parashtruesi i kërkesës ka kërkesë të arsyetuar lidhur me shkeljen e të drejtës së pronës sipas nenit 46 të Kushtetutës.

Përfundimisht, pretendimet Përkitazi me nenin 49 të Kushtetutës, të njëjtat bien ne kategorinë e pretendimeve “te pambështetura apo paarsyetuara”, dhe rrjedhimisht, te papranueshme siç është përcaktuar përmes nenit 48 të Ligjit dhe rregullit 34 (1) (d) të Rregullores së punës. Prandaj, kërkesa në tërësi është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, dhe deklarohet e papranueshme, në pajtim me rregullin 34 paragrafi (2) të Rregullores së punës.

Parashtruesit:

Jusuf Nikçi

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Tjetër