KI152/22, Parashtrues: Bejtush Babatinca, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës së Apelit, Ac. Nr. 493/2021, të 19 korrikut 2022
Fjalët kyç: kërkesë individuale, kërkesë qartazi e pabazuar
rrethanat e rastit ndërlidhen me kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës për pagesën e tri pagave jubilare nga KEK, e cila fillimisht ishte aprovuar nga Gjykata Themelore. Pas ankesës së KEK-ut në cilësi të të paditurës, Gjykata e Apelit e ndryshoi Aktgjykimin e Gjykatës Themelore, duke e refuzuar kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës, nën arsyetimin që parashtruesi i kërkesës përvojën e punës 30 vjeçare e kishte arritur në vitin 2010, kohë kjo në të cilën nuk ishte në fuqi Marrëveshja e Përgjithshme Kolektive, rrjedhimisht nuk kishte bazë ligjore për të aprovuar një kërkesë të tillë për 3 paga jubilare. Parashtruesi i kërkesës konteston konstatimin e Gjykatës së Apelit, duke ngritur pretendime në nivel ligjshmërie, lidhur me vërtetimin e fakteve sa i përket interpretimit të gabuar të Marrëveshjes së Përgjithshme Kolektive.
Mbi këtë bazë, parashtruesi i kërkesës pretendonte shkelje të garancive procedurale të garantuara me nenet 31 për sa i përket (i) zbatimit të gabuar të ligjit si dhe (ii) mos konsistencës së vendimeve gjyqësore.
Në këtë drejtim, Gjykata duke i trajtuar pretendimet e lartcekura konstatoi se kërkesa e parashtruesit të kërkesës është e papranueshme, sepse pretendimet e ngritura nga parashtruesi i kërkesës dhe faktet e paraqitura nga ai, dhe gjithashtu arsyetimet e Gjykatës së Apelit për sa i përket vlerësimit të dëshmitarëve dhe provave tjera, si dhe bazës ligjore për vendimmarrje, Gjykata konsideron se parashtruesi i kërkesës nuk dëshmon dhe nuk mbështetë në mënyrë të mjaftueshme pretendimin e tij se gjykatat e rregullta mund të kenë aplikuar ligjin në mënyrë të gabuar, dhe rrjedhimisht pretendimet e tij për interpretimin dhe aplikimin e gabuar të ligjit të aplikueshëm, kualifikohen si pretendime që bien në kategorinë e “shkallës së katërt” dhe si të tilla, reflektojnë pretendime në nivel të “ligjshmërisë” dhe nuk janë argumentuar në nivel të “kushtetutshmërisë“. Për pasojë, të njëjtat janë qartazi të pabazuara në baza kushtetuese, siç është përcaktuar përmes paragrafit (2) të rregullit 34 të Rregullores së punës.
Lidhur me pretendimin e parashtruesit të kërkesës për mos-konsistencë të praktikës gjyqësore, Gjykata konstatoi se nuk është e mundur të konstatohet ekzistimi i “dallimeve të thella dhe të vazhdueshme” në praktikën gjyqësore të Gjykatës së Apelit që rrezikojnë parimin e sigurisë juridike, duke u thirrur në aktgjykimet tjera të Gjykatës së Apelit. Rrjedhimisht, numri i aktgjykimeve të paraqitura si kundërthënëse, mos arsyetimi dhe ndërlidhjes me këto raste si dhe mënyra se si Gjykata Apelit ka vlerësuar dhe trajtuar rastin e parashtruesit të kërkesës nuk krijojnë bazë të mjaftueshme për të arsyetuar pretendimin për shkelje të parimit të sigurisë, si rrjedhojë e vendimeve kundërthënëse të gjykatave të rregullta. Prandaj, pretendimet për moskonsistencën e vendimeve gjyqësore, vlerësohen si qartazi të pabazuara, që i takojnë kategorisë së pretendimeve të “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes”.
Prandaj, kërkesa është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, prandaj deklarohet e papranueshme, në pajtim me rregullin 34 paragrafi (2) të Rregullores së punës.
Bejtush Babatinca
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Tjetër