KI267/23, parashtruesi i kërkesës, Elife Murseli, Vlerësimi i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit Pml.nr.368/2023 të Gjykatës Supreme të Kosovës të 17 gushtit 2023
KI267/23, Aktvendim për papranueshmëri i 27 marsit 2024, publikuar më 25 prill 2024
Fjalët kyçe: kërkesë individuale, procedurë penale, qartazi e pabazuar
Parashtruesja e kërkesës ishte larguar nga pozita e punës si drejtoreshë e Çerdhes së fëmijëve “Agimi” në Kaçanik. Si pasojë e kësaj ajo kishte ngritur disa procese gjyqësore. Në një nga këto procese gjyqësore, ajo mori një vendim gjyqësor të formës së prerë që e lejonte të kthehej në vendin e punës dhe si rezultat i njërit prej tyre fitoi të drejtën për t’u kthyer në punë. Parashtruesja ka iniciuar procedurën përmbarimore në Gjykatën Themelore me qëllim të zbatimit të vendimit të plotfuqishëm. Mirëpo, ndërkohë që procedura e ekzekutimit ishte në zhvillim e sipër, ajo ka shkuar me vetë iniciativë në vendin e saj të punës, duke kërkuar që të lejohet të kryejë pa pengesa detyrën.
Derisa ka zgjatur procedura penale ajo ka tentuar disa herë që dhunshëm të kthehet në vendin e punës. Me këtë rast ka ardhur deri tek intervenimi i policisë dhe kallëzimi penal ndaj parashtrueses për dyshimin e bazuar se ka kryer vepër penale të vetëgjyqësisë nga neni 410 par. 1 të KPRK-së.
Gjatë procedurave gjyqësore parashtruesja e kërkesës është shpallur fajtore. Duke pasur parasysh këtë, parashtruesja ka paraqitur kërkesë në këtë gjykatë duke pretenduar shkelje
të të drejtave të garantuara nga neni 29 [E Drejta e Lirisë dhe Sigurisë], neni 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], neni 49 [E Drejta e Punës dhe Ushtrimit të Profesionit], dhe neni 55 [Kufizimi i të Drejtave dhe Lirive Themelore] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta), në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) dhe neni 5 (E Drejta për Liri dhe Siguri) të KEDNj-së.
Gjykata, gjatë analizës së pretendimeve të parashtrueses së kërkesës ka aplikuar parimet e GJEDNJ-së, me ç’rast ka konkluduar se pretendimet e parashtrueses së kërkesës janë qartazi të pabazuara sipas rregullit 34 paragrafi 2 të Rregullores së punës.
Elife Murseli
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Penale